Thuajse 80 vjet më parë, Florence Bell hodhi heshturazi themelet për një nga momentet më të rëndësishme shkencore të shekullit XX-të: zbulimin e strukturës së ADN-së. Por kur ajo vdiq më 23 nëntor 2000, profesioni i saj në certifikatën e vdekjes u regjistrua si “amvise”.
Edhe pse kanë kaluar dekada, shkencëtaret gra ende mbeten të anashkaluara. Hulumtimet kanë treguar se problemet e thella e sistematike i pengojnë gratë të përparojnë ose i përjashtojnë ato nga shkenca. Por kjo nuk është e paevitueshme, ka ndryshime që universitetet mund t’i bëjnë për të barazuar rregullat e lojës.
Derisa kriteret e avancimit ndryshojnë nëpër universitete, besueshmëria në qarqet akademike krijohet kryesisht nëpërmjet numrit të publikimeve të studiuesëve/eve. Kjo do të thotë që vazhdimisht akademikët/et janë nën presion për të botuar në revista shkencoresa më shumë që të munden edhe nëse këto publikime nuk janë cilësore.
Ka më shumë gjasa që gratë në akademi të punojnë me kohë të pjesshme, të mbajnë orë mësimore dhe të bëjnë punë administrative shtesë. Kjo do të thotë se studiueset gra shpesh kanë më shumë kohë për t’u përqendruar në hulumtime, për të bërë zbulime dhe për të publikuar rreth tyre. Megjithatë, janë publikimet shkencore, grantet dhe citimet që mundësojnë avancimin dhe negocimin për paga.
Pabarazia gjinore është e dukshme në nivele më të larta të publikimit të studiuesve burra e poashtu edhe përfaqësimit dominues të burrave në redaksitë e revistave shkencore akademike.
Pse s’po mund t’a eleminojmë këtë problem?
Cikli i pabarazisë gjinore në hapësirat akademike është shumë kompleks. Grantet më të mëdha zakonisht shkojnë në universitetet më të mëdha, ku studiuesit i japin përparësi hulumtimit dhe shkrimit. Dhe ku, historikisht, përfituesit e pozitave prestigjioze e granteve më të mëdha kanë qenë burrat.
Në shumë fusha, sidomos fushat STEM, gratë largohen nga fuqia punëtore dy herë më shumë se sa burrat, kryesisht për shkak të paragjykimeve, ngacmimeve dhe pabarazive me të cilat përballen. Një nga gratë e intervistuara në lidhje me këtë çështje tregoi se shtatzënia e saj u pa negativisht nga kolegët e saj më të vjetër dhe kjo rezultoi me zëvendësimin e saj pa leje lehonie. Ajo tha se u ndje sikur i duhej të zgjidhte mes karrierës dhe lindjes së fëmijës së saj.
Paragjykimi me bazë gjinore është edhe më i theksuar kur gratë vijnë nga grupet shoqërore të margjinalizuara. Këtu përfshihen gratë nga klasa punëtore, gratë me nevoja të veçanta, gratë nga grupet etnike pakicë në vendin e punës si dhe ato për të cilat gjuha angleze nuk është gjuhë amtare.
Për shembull, në një sondazh me 908 studiuesë të shkencave të mjedisit, gjuha amtare e të cilëve nuk ishte anglishtja, sidomos ata/ato në fillet e hershme të karrierës, thanë se shpenzonin shumë më shumë kohë për të lexuar e shkruar letra, duke përgatitur prezantime në gjuhën angleze dhe duke bërë hulumtime në gjuhë të ndryshme.
Në librin “Gratë frymëzuese në akademi”, bashkë me Loleta Fahad (drejtuese e zhvillimit të karrierës në University College London) hulumtuam se si gratë me prejardhje nga grupet e margjinalizuara të shoqërisë përballen me barrën e disavantazheve të dyfishta, të cilat ndonjëherë mund të kenë pasur qëllim të mirë por janë ekzekutuar keq nga sistemet universitare.
Ne zbuluam se për gratë me arritje të larta që vijnë nga komunitetet e nënpërfaqësuara shpesh caktohen role mentorimi dhe përfaqësimi, për të cilat universitetet zakonisht nuk ofrojnë orë shtesë. Nga këto gra pritet që arritjet t’ia kthejnë me të mirë komunitetit të tyre. Zakonisht ato e ndjejnë për detyrë të përfaqësojnë grupin prej nga vijnë dhe të mentorojnë gratë e tjera, e kjo përgjegjësi u konsumon shumë kohë nga vetë detyrat që i sollën njohje në radhë të parë.
Rrjedhimisht, shkalla e rraskapitjes mund të jetë më e lartë tek gratë me prejardhje nga grupet e margjinalizuara, dhe kjo mbetet trend i dokumentuar në mesin e profesionisteve mjekësore që u përkasin këtyre grupe.
Sidoqoftë, hulumtimet sygjerojnë se mentorimet më të vlefshme ndodhin kur njerëzit mentorohen nga dikush që ka sfond të ndryshëm nga të mentoruarit. Për shembull, një nga gratë e intervistuara për librin tonë, tha se përgjatë karrierës së saj ka përfituar më së shumti nga bisedat me akademikë të suksesshëm burra, dhe jo me gra që përballen me sfidat e njëjta si ajo.
Ndërsa ky mjedis i vështirë i hulumtimit ka kultivuar një elasticitet që u mundëson grave të triumfojnë karshi sfidave shumë të vështira, suksesi i tyre shpesh varet nga sakrificat personale e profesionale.
Në fillim të karrierës kam arritur sukses kryesisht për shkak të orëve shtesë. Kam punuar dy herë më shumë, përfshirë edhe natën dhe fundjavat. Historia ime e publikuar në ‘Nature’ tërhoqi vëmendjen e publikut sepse rrëfimi im i punës së tepërt i dha jehonë përvojave të shumë punëtorëve tjerë.
Në të vërtetë, akademiket gra më të arrira në fushën e psikologjisë raportojnë se punojnë më shumë se 50 orë në javë. Rutinat e tyre zakonisht përfshijnë fillimin e ditës shumë herët, punën deri në mbrëmje dhe kalimin e fundjavave duke shkruar. Gratë që duan të kenë sukses zakonisht duhet të bëjnë më shumë përpjekje, veçanërisht në fushat që dominohen nga burrat, ku ende ekziston një kulturë e organizimit të burrave me përvojë duke e vështirësuar edhe më shumë mundësinë që gratë të promovohen.
Për akademikët/et në zhvillim e sipër në veçanti, ekziston një besim shqetësues se në fund të ditës ata/ato që i japin përparësi hulumtimit janë studiuesit/et që kanë më shumë sukses, potencialisht në kurriz të shëndetit të tyre. E ata/ato që vijnë nga grupet e margjinalizuara kanë edhe më shumë gjasa për t’u rraskapitur nga kjo formë e punës.
Megjithatë ka rrugë për përmirësim tutje
Universitetet mund të bëjnë ndryshime dhe të promovojnë barazinë gjinore. Për shembull duke dhënë kredi e respekt të barabartë për mësimdhënien ashtu siç bëjnë për publikimet.
Koha e shpenzuar për mentorim, kontribute në debatin publik ose puna me komunitetet duhet të konsiderohet gjithashtu si masë e barabartë e suksesit, promovimit dhe respektit për akademikët/et. Pa reforma të tilla, të thella e sistematike, komuniteti shkencor rrezikon të humbasë perspektivat e ndryshme që sjellin shkencëtaret gra.
Florence Bell nuk ishte e vetmja grua që hodhi bazat për të kuptuarit tonë të ADN-së. Në prill 2023, u zbuluan dokumente historike që tregonin se kontributet e Rosalind Franklin ishin më të rëndësishme nga se kishim menduar. Imagjinoni çfarë zbulimesh të tjera mund të kishin ndihmuar Franklin dhe Bell nëse do të ishin mbështetur, njohur e pranuar siç duhet. Ndalimi i studiueseve gra do të kufizonte kuptimin tonë mbi shkencën.
Natalia I. Kucirkova
E përktheu: Blenda Asllani
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://theconversation-com.translate.goog/florence-bell-died-unrecognised-for-her-contributions-to-dna-science-decades-on-female-researchers-are-still-being-sidelined-217607?fbclid=IwAR2c1jyoOde80OiQ-qy0ZKDL-0U7phPQfeVVXiJnVhW-C0eBsM4bQAfJJL8&_x_tr_sl=sq&_x_tr_tl=en&_x_tr_hl=en&_x_tr_pto=wapp