Përderisa bota përparon në shumë aspekte të kujdesit shëndetësor dhe të të drejtave të njeriut, gratë në Gaza po përballen me një realitet krejtësisht ndryshe. Ne po përballemi me një luftë të heshtur, një luftë të qëndrueshme nga agresioni dhe privimi i pamëshirshëm, ku akti i thjeshtë i menaxhimit të një cikli menstrual bëhet një betejë për dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut.
Menstruacionet, shtatzënia dhe lindja duhet të jenë pjesë të natyrshme dhe të menaxhueshme të jetës, megjithatë ato janë bërë burime stresi dhe lufte për vajzat dhe gratë në rajon. Janë pothuajse 700,000 vajza dhe gra që kanë menstruacione, përveç mijërave vajzave të tjera që patën ciklin e tyre të parë menstrual gjatë luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.
Si mjeke e specializuar në shëndetin seksual dhe riprodhues, kam dëshmuar për këto beteja të mëdha dhe zemërthyese. Çdo ditë shoh forcën e tyre, por edhe dhimbjen dhe poshtërimin e thellë që durojnë. Kjo perspektivë nuk është vetëm profesionale, por është thellësisht personale. Si një grua, duke e përjetuar atë përkrah tyre, përpiqem të mbështes ata që janë më të pambrojtur në këtë mjedis të brishtë.
E di mjerimin e menstruacioneve në rrethana të tilla, kur nuk ka produkte sanitare. Zakonisht, gratë dhe fëmijët janë grupet më të prekura në këto situata katastrofike.
Periudha pas lindjes është një kohë veçanërisht e ndishme, ku kemi qenë dëshmitarë të disa grave që vijnë në klinikat tona për t’u kontrolluar pas lindjes, dhe kur ekzaminohen, ato përdorin copa pëlhure ose rroba për të absorbuar gjakun. Gjakderdhja pas lindjes është shumë më e rëndë në krahasim me menstruacionet normale.
Pasi mora diplomën time master në Britaninë e Madhe, vendosa të kthehesha në Gaza për të mbështetur gratë dhe vajzat këtu. Pikërisht gjatë kësaj kohe u pranova të bëja doktoraturën në Britaninë e Madhe. Unë vetëm mund të shpresoj se ky tmerr do të marrë fund dhe unë do të jem në gjendje të largohem nga Gaza për të studiuar. Do të doja të largohesha në rrethana më të mira. Nuk dua të largohem për shkak të kësaj lufte.
Përderisa jetojmë me pasojat e masakrave, bombardimeve dhe shpërnguljeve, unë e kam imagjinuar dhe krahasuar jetën tonë si gra që jetojmë këtu me jetën e grave që jetojnë jashtë Rripit të Gazës.
Vazhdoj të mendoj për vajzat adoleshente, të cilat futen në pubertet dhe përjetojnë menstruacionet për herë të parë në jetën e tyre këtu në Gaza, krahasuar me ato në vende të tjera. Këtu, kushtet e jetesës janë të rënda duke jetuar në një tendë, në stinën e verës, me mungesë uji të pastër, mungesë jastëkësh dhe burime infeksioni kudo.
Pastaj është papjekuria psikologjike dhe biologjike, vulnerabiliteti dhe ndjeshmëria e hyrjes në pubertet, e kombinuar me ndjenjën e vazhdueshme të pasigurisë, stresit dhe humbjeve të dhimbshme. Menstruacionet e bëjnë edhe më të vështirë.
Për një vajzë në një pjesë tjetër të botës, përvoja e menstruacioneve për herë të parë është tërësisht ndryshe. Ajo jeton në një shtëpi komode me familjen e saj. Ajo ka dhomën e saj të gjumit dhe qasje në një banjë private.
Banjo është e pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme, duke përfshirë një furnizim të vazhdueshëm me ujë të pastër, sapun dhe një sistem të duhur të depozitimit të mbetjeve për produktet sanitare. Një nga prindërit e saj është pranë saj. Ajo ka në dispozicion një krevat të rehatshëm, një banjo të pastër dhe pije të nxehta. Natyrisht, ajo mund të ndihet nervoze, por e qetësuar dhe e informuar, përveç nëse jeton në varfëri të ciklit menstrual, që është një problem shumë i madh edhe në Britaninë e Madhe, megjithatë ajo mund të kërkojë lehtësisht kujdes mjekësor që është i përballueshëm dhe i arritshëm.
Kur jam me pacientë, përpiqem të diskutoj me ta për rreziqet shëndetësore dhe të theksoj rëndësinë e përpjekjes për të ruajtur rutinat e kujdesit për veten dhe higjienës personale. Megjithatë, me zhvendosjen e vazhdueshme të detyruar dhe mungesën e produkteve sanitare, shumica e grave përballen me sfidat e të jetuarit në tenda ose strehimore të mbipopulluara dhe kampe refugjatësh. Aty ka mungesë të ujit të pastër, sapunit, letrës higjenike dhe të brendshmeve. Nuk ka pothuajse asnjë qasje në produktet sanitare dhe higjenike. Pritja për të hyrë në tualete mund të jetë me orë të tëra.
Gratë po përdorin alternativa të pasigurta të pecetave si pëlhura, rroba, sfungjerë ose ripërdorimin e pecetave. Kjo mund të çojë në infeksion, si dhe në izolim, ndjenja stresi dhe ndjeshmërie.
Gjykata më e lartë e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ka vendosur se pretendimet për gjenocid gjatë kësaj kohe janë të besushme dhe nevoja e madhe dhe kufizimet e mëtejshme mbi furnizimet vazhdojnë të kenë një efekt të dëmshëm.
Në shumë vende të botës, përfshirë Gazën, menstruacionet përballen me heshtje, dhe konsiderohen si një çështje private që nuk duhet të diskutohet hapur. Ndonjëherë, kjo lë shumë vajza dhe gra të papërgatitura dhe të izoluara. Mungesa e bisedës së hapur do të thotë se dezinformimi dhe turpi rriten, duke e bërë një situatë sfiduese edhe më dërrmuese.
Për shkak të bombardimeve të vazhdueshme, shpërnguljeve të detyruara të qytetarëve dhe kufizimeve të ndihmave dhe produkteve të higjienës personale, pjesët e natyrshme të jetës si menstruacionet, shtatzënia dhe lindja janë gjithashtu nën sulm.
Asnjë vajzë apo grua nuk duhet të përballet me këto vështirësi apo të rrezikohet shëndeti i saj për shkak të menstruacioneve. Është zemërthyese të shohësh këtë dhimbje dhe vuajtje e cila mund të jetë krejtësisht e shmangshme.
Israa Saleh
E përktheu: Anita Vllahiu
Shkrimin origjinal mund ta gjeni në: https://www.independent.co.uk/voices/gaza-israel-bombing-women-girls-pregnancy-period-childbirth-b2595213.html?fbclid=IwY2xjawFWE-lleHRuA2FlbQIxMAABHcgrdSwuUHBZEYPZsSfC5udedGy309uFeQu_cClKLbzx4gX5vJGVY71ylQ_aem_YRpwougmK7wEwLYqNuHnuA