Kjo duhet të ndryshoj tani!
Për dekada me radhë ligjvënësit ishin kryesisht të heshtur në diskutimin mbi varfërinë menstruale. Viteve të fundit kemi një lëvizje globale që ka sjellë në debat publik konceptin e “barazisë menstruale” i cili nënkupton qasje në produkte menstruale falas si një e drejtë e të gjithë personave që kanë menstruacione si dhe lirimin nga taksat për produktet e tilla.
Në Kosovë nuk kemi vërejtur asnjë iniciativë të institucioneve publike për të zbutur varfërinë menstruale, përkundrazi pecetat menstruale sipas Ligjit për TVSH nuk bëjnë pjesë në produktet esenciale dhe si të tilla taksohen 18%.
Blerja e produkteve menstruale është një barrë që rëndon mbi gratë padrejtësisht. 78.6 % e grave në Kosovë janë jashtë tregut të punës. Duke u trajtuar nga shteti si produkte lukse, shumë gra kanë problem të sigurojnë qasjen në produkte menstruale për shkak të çmimeve të larta të tyre.
Që nga viti 2015, përmes Ligjit të ri për Barazi Gjinore, Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është obligim për të gjitha institucionet e Kosovës. Buxhetimi Gjinor kërkon që barazia gjinore të merret parasysh në të gjitha nivelet e procesit buxhetor, përfshirë të hyrave, shpenzimeve, planifikimit, dhe monitorimit të shpenzimeve shtetërore. Buxhetimi Gjinor kërkon që politikat fiskale, përfshirë mbledhja e të hyrave si taksat, të mos rrisin pabarazitë ekzistuese gjinore si dhe të targetojnë nevojat specifike grave the burrave. Sipas parimeve të Buxhetimit Gjinor, TVSH mbi peceta higjienike dhe tampon prekë në mënyrë disproporcionale grate dhe vajzat, duke rritur pabarazitë fiananciare mes grave dhe burrave.
Kësisoj, në linjë me obligimet ligjore, QIKA kërkon që pecetat menstruale dhe tamponet të shtohen në listën e mallrave me tatim zero. Ne konsiderojmë që taksimi i produkteve menstruale është diskriminues sepse menstruacione kanë vetëm disa persona si gratë, transgjinorët dhe personat jo-binarë, kështuqë nevoja për këto produkte të domosdoshme prekë vetëm një pjesë të shoqërisë. Si rrjedhojë vlerësojmë që taksa e tillë bie ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. QIKA do të ndjekë të gjithë hapat ligjor që ta shtyjë përpara këtë iniciativë. Gratë duhet të çlirohen nga shpenzimet që ju sjellin menstruacionet. Tani!