Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Çfarë mesazhi jep Partia Guxo me aderimin e një të akuzuari për dhunë seksuale?

QIKA 20.5.2025

QIKA shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me njoftimin e ministrave në detyrë Donika Gërvalla dhe Faton Peci, njëkohësisht kryetarë të Partisë Guxo, për aderimin në parti të avokatit Gazmend Halilaj i akuzuar për keqpërdorim seksual të një vajze të mitur nga Drenasi.

Amnistimi moral i tij përmes një fjalori glorifikues, piedestalizues dhe idealizues, synon ta ripërkufizojë figurën e tij dhe tenton me vetëdije të rishkruajë narrativën publike për të.

Kujtojmë se, sipas raportimeve mediatike, Gazmend Halilaj ishte dënuar në shkallë të parë me 2 vite burg për keqpërdorim seksual të një të miture, vendim që u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit dhe më pas u dënua sërish me 4 vite burgim.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet qartazi: “Ekzistojnë prova si ‘screenshot-e’ dhe incizime audio të cilat vërtetojnë dyshimet se Halilaj e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe ka shfrytëzuar viktimën.” Më tej thuhet: “I pandehuri Gazmend Halilaj, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka keqpërdorur dhe tejkaluar kompetencat e tij në atë mënyrë që, duke përfituar nga ai rast, është afruar aq shumë me të dëmtuarën, sa që më pas ka filluar ta keqpërdorë seksualisht dhe ta manipulojë, duke e shtyrë që ajo t’i denoncojë persona të tjerë për keqpërdorimet seksuale që ia kishin bërë.”

Sipas një njoftimi në rrjetin e tij social, Halilaj pretendon se Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuzat, për çka ende nuk kemi ndonjë konfirmim zyrtar. QIKA ka kërkuar aktgjykimin e anonimizuar nga Gjykata e Apelit, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje.

Kërkojmë nga partitë politike që të mbajnë përgjegjësi për vendimet dhe mesazhet që përçojnë, duke mos i dhënë hapësirë publike personave të përfshirë në akuza për dhunë, aq më tepër kur bëhet fjalë për raste të ndjeshme si ai i dhunës seksuale ndaj të miturave.