Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Drejtësi për Suzanën!

QIKA 3.2.2021

Tronditës dhe revoltues rrëfimi i mbrëmshëm i Suzana Zogiani – Sekiraqa në emisionin Cosmo të KTV-së. Vuajtja, dhuna, frika dhe ankthi që ajo kishte përjetuar sistematikisht nga burri i saj e detyruan atë që të godasë për vdekje këtë të fundit më 21 shtator 2018.

Është fakt i ditur që numri i grave që kanë kryer vrasje të dhunshme është i vogël. Gratë zakonisht janë viktima të dhunës. Por edhe në ato raste kur gratë kanë kryer vrasje, zakonisht viktimat kanë qenë burrat e familjes me të cilët ka ekzistuar një histori e gjatë abuzimi e dhune. I tillë ishte rasti i Suzanës. Për këtë ka dëshmi raportet nga institucionet franceze ku ajo disa herë kishte raportuar dhunën.

Edhe pse vrasja kishte ndodhur në Francë, ku edhe po jetonte Suzana me familje, ky rast është trajtuar nga institucionet e drejtësisë në Kosovë me ç’rast ajo është dënuar me 25 vite burgim.

Ky nuk është rasti i parë ku institucionet e drejtësisë në Kosovë janë shumë të rrepta në gjykimet ndaj grave, ndërkohë jemi dëshmitarë të dënimeve të vogla për burrat vrasës, shpesh nën arsyetime banale. Institucionet në këtë rast kanë injoruar faktin se tani i ndjeri kishte qenë për vite të tëra i dhunshëm ndaj të akuzuarës dhe fëmijëve dhe se në momentin e vrasjes Suzana ishte e tronditur dhe në vetëmbrojtje.

Viktimat e dhunës në familje janë të braktisura nga shteti dhe pa mbështetje familjare e shoqërore. Të varura ekonomikisht e të dhunuara psiqikisht, ato të shumtën e herëve qëndrojnë në marrëdhënie abuzive gjithë jetën. Institucionet e drejtësisë janë një pasqyrë e realitetit diskriminues e shtypës ndaj grave andaj edhe vendimet e gjykimet shpesh janë të padrejta për to.

Rasti i Suzanës tani është në Gjykatën Supreme, e cila pritet të vendosë mbi kërkesën e mbrojtjes ku është kërkuar anulimi i vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes në rigjykim. Ne kërkojmë drejtësi për Suzanën! Gratë që vrasin si përgjigje ndaj dhunës në familje nuk duhet trajtuar pa pasur parasysh rrethanat që kanë shtyrë tek vrasja.

7.11.2020