Në disa raste anëtarët e familjes, zakonisht burrat, shoqërojnë gratë në kabinën e votimit dhe votojnë në vend të tyre. Në zgjedhjet e kaluara në Kosovë vazhdimisht është raportuar numër i madh i votimeve të tilla që njihen si votime familjare, ani pse kjo përbënë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Më të prekurat nga kjo dukuri janë gratë, e sidomos ato në zonat rurale.
Por ndikimi dhe presioni për votim shpesh ndodhë edhe jashtë qendrave të votimit. Babai, burri apo vëllau duke e konsideruar politikën si “punë të burrave”, preferencat e tyre politike i diskutojnë brenda shtëpive të tyre në atë mënyrë që të imponojnë përzgjedhjet e grave. Kjo cenon të drejtën e grave për votë të pavarur.
Nuk është burri ai që duhet të vendosë për cilin kandidat apo parti ju votoni. E drejta për të vendosur vet në votim është e pakontestueshme.