Dje partitë politike dorëzuan listat me emrat e kandidatëve për deputetë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Edhe pse ende nuk janë miratuar, ajo që vërehet qartazi është se nuk kemi ndonjë përmirësim në aspektin e përfshirjes së grave në lista zgjedhore.
Përgjithësisht subjektet politike kanë ngecur tek pragu prej 30% që është minimumi i detyruar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërkohë të gjitha subjektet kanë shkelur Ligjin për Barazi Gjinore që parasheh përfaqësim 50/50 të burrave dhe të grave.
Në anën tjetër renditja në lista zgjedhore ka vazhduar me trendin thuajse të njëjtë tek të gjitha partitë. Çdo e treta grua. Asnjë rregullim ligjor nuk e përcakton renditjen e tillë. Përqindja mund dhe duhet të shpërndahet ndryshe brenda listës. Gjithsesi numrat e rezervuar për gratë mbesin sërish të pa vrejtshëm e më me pak rëndësi. E burrat në qendër.
Ne e dimë që përfaqësimi i barabartë nuk është i mjaftueshëm as si qëndrim e as si kërkesë. Kërkojmë kushte për angazhim politik të grave në politika përparimtare. Mirëpo ne poashtu e njohim rëndësinë e aksionit afirmativ në përpjekjen për barazi. Kur dominimi është kaq i dukshëm, ne zgjedhim ndërhyrjen.
17.1.2021