8 Marsi i këtij viti do të na gjejë në shesh duke marshuar për barazi gjinore dhe duke rikujtuar sakrificat e grave për t’u çliruar nga shfrytëzimi dhe pabarazia.
E hëna është dita kur kërkojmë drejtësi për secilën vajzë dhe grua të vrarë në Kosovë. Këtë 8 Mars të gjithë bashkë do të thërrasim në përgjegjësi institucionet e vendit për neglizhencën që kanë treguar në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave. Të hënën do të protestojmë kundër varfërisë që prek shumicën e grave në vend dhe do të luftojmë diskriminimin në punësim dhe pagat e ulëta të tyre. Nga rruga do të kundërshtojmë punët e shtëpisë dhe të kujdesit që po rëndojnë veç mbi kurrizin e vajzave dhe grave.
Të hënën në orën 12:00 protestojmë bashkë për barazi gjinore e sociale dhe kujtojmë që të drejtat e grave janë përtej ligjeve dhe konventave.
QIKA përkrahë marshin e organizuar nga Kolektivi “Marshojmë S’festojmë” dhe fton të gjithë qytetarët që të na bashkohen në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA
06.03.2021