Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur gjithashtu si Konventa e Stambollit, e emëruar sipas qytetit në të cilin u bë nënshkrimi 10 vjet më parë, është traktati më i avancuar ndërkombëtar i cili përcakton detyrimet për të luftuar dhe parandaluar dhunën ndaj grave. Tridhjetë e katër shtete anëtare të Këshillit të Evropës e kanë ratifikuar këtë konventë dhe dymbëdhjetë të tjera e kanë nënshkruar, përfshirë Bashkimin Evropian. Poashtu kjo konventë përdoret si bazë për veprim edhe nga shumë vende jashtë Evropës.
Konventa e Stambollit njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si formë të diskriminimit ndaj grave. Bazuar në qasje të përqendruar tek viktima, konventa ofron mjete praktike për të siguruar mbrojtjen e grave dhe vajzave dhe fuqizimin e tyre. Krejt këto me qëllim të arritjes së barazisë midis grave dhe burrave.
Që nga shtatori i vitit të kaluar, Konventa e Stambollit, përmes amendamentit nr. 26 të Kushtetutës, zbatohet drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe ka prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve të tjera të institucioneve publike.
Sot në përvjetorin e 10-të të konventës QIKA u bën thirrje institucioneve publike të Kosovës të kryejnë reformat e duhura për zbatimin adekuat të saj, gjë që do të ndihmonte jashtëzakonisht shumë parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave.
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA
11.05.2021