Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Ngacmimi nuk është liri e shprehjes!

QIKA 31.7.2025

Vendimi i Prokurorisë së Apelit për të refuzuar ankesën e aktivistes dhe juristes të së drejtës së medias Flutura Kusari për rastin e ngacmimit të vazhdueshëm dhe obsesiv nga Mentor Llugaliu, krijon precedent të rrezikshëm në inkurajimin e ngacmuesve dhe dërgon mesazhin se dhuna kibernetike ndaj grave është e pandëshkueshme, edhe kur është e vazhdueshme dhe publike.

Për më shumë se tre vite, Kusari është përballur me një fushatë të pashembullt ngacmimi online, ku janë publikuar më shumë se 101 postime për të, duke gjeneruar mbi 42,000 pëlqime, 700 shpërndarje dhe 2,200 komente – shifra që tregojnë përmasat shqetësuese të përhapjes dhe ndikimit publik të ngacmimit.

Është e papranueshme që, ashtu si në shkallën e parë, edhe Prokuroria e Apelit nuk e ka trajtuar këtë sjellje si vepër penale. Ngacmimi i përsëritur, i qëllimshëm dhe obsesiv nuk mund të relativizohet apo të konsiderohet si liri e shprehjes e as si shpifje.

Dhuna online, e cila ka për qëllim të kufizojë pjesëmarrjen publike dhe aktivizmin e grave po gjen dhe do të gjejë terren të përshtatshëm për aq kohë sa mungon mbrojtja ligjore efektive dhe institucionet dështojnë ta trajtojnë seriozisht këtë formë të dhunës. Rastet e tilla i dekurajojnë gratë nga raportimi i dhunës pranë Prokurorisë Themelore në Kosovë.

Kallëzimi penal është hedhur poshtë fillimisht nga prokurori i Prokurorisë Themelore, Kushtrim Zeka, ndërsa në Apel, ankesa ndaj këtij vendimi është refuzuar nga prokurori Shkëlzen Brahimi. Andaj ne kërkojmë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që ky rast të bëhet pjesë e procedurës së vlerësimit të performancës së këtyre dy prokurorëve.

Derisa ia njohim përvojën dhe solidarizohemi me Fluturën, e cila ka treguar guxim të jashtëzakonshëm përballë kësaj forme të dhunës së vazhdueshme dhe institucionalisht të shpërfillur, konsiderojmë se është jetike që institucionet e drejtësisë në Kosovë të trajtojnë rastet e dhunës kibernetike dhe formave të ngacmimit drejt dhe me prioritet.