Sa herë një burrë vranë një grua, ekziston tendenca për të kërkuar motivin që çoi të vrasja. Thua se nuk mjafton fakti që dikush i morri jetën tjetrin në mënyrë mizore. Kërkohet të gjendet një arsye – e tillë që të arsyetoj burrin. Shpesh përdoret xhelozia si justifikim për vrasjen e gruas.
Komunikata e lëshuar dje nga Gjykata Themelore në Ferizaj lidhur me vrasjen e Marigonës ku thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Dardan Krivaqa ka vrarë në mënyrë mizore me motive të ulëta xhelozie Marigonën, është jashtëzakonisht problematike si qasje. Komunikata ka ardhur menjëherë pas mbajtjes së seancës së parë dhe ne konsiderojmë që ndonëse mund mos ketë shkarje ligjore, një deklaratë e tillë nga gjykata është gabim si mesazh dhe përmbanë informata totalisht irelevante për publikun në këtë fazë të gjykimit. Është obligim i secilit institucion publik, në këtë rast i gjykatës, që të jetë e vetëdijshme për rolin dhe ndikimin e saj në kontekstin ku vepron. Në një shoqëri ku burri konsiderohet personi që ruan dhe mirëmban moralin e familjes, deklaratat e tilla të një institucioni veç sa e thellojnë mendimin se xhelozia qenka justifikim për dhunën dhe vrasjen.
Përdorimi i xhelozisë si justifikim për dhunën e paraqet abuzuesin si viktimë të dashurisë pasionante me emocione të pakontrollueshme andaj edhe ka tendencë të arsyetohet/mirëkuptohet, ndërkohë dhuna e ushtruar ndaj grave që në fakt janë viktima ka rrezik të shihet si diçka e merituar. Kjo normalizon më tej dhunën si pjesë përbërëse e raporteve familjare e shoqërore dhe përforcon normën që burri ka në pronësi dhe kontroll trupin dhe jetën e gruas.
Ftojmë institucionet përgjegjëse që të merren seriozisht me rastin. Nuk guxojmë të lejojmë asnjë gabim të tillë që me ose pa dashje ndikon në perceptimin e vrasjeve të grave. Në anën tjetër, ju bëjmë thirrje mediave që të raportojnë drejtë për rastin në fjalë, është shqetësuese që “dyshimet për tradhti” ishin titujt qendror gjatë ditës së djeshme.
Vrasjet nuk justifikohen