Pabarazia gjinore dhe diskriminimi ndaj grave janë ndër problemet kryesore zhvillimore të Kosovës. Si të tilla, ato duhet të jenë pjesë thelbësore e programit politik të qeverisë së ardhshme. QIKA ka zhvilluar një analizë të shpejtë të programeve qeverisëse të partive politike nga perspektiva gjinore. Për bazë janë marrë partitë të cilat kanë publikuar online programet e tyre, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
Në përgjithësi, partitë politike tregojnë njohuri tejet të dobëta të pabarazive ezistuese dhe situatës së grave dhe vajzave në Kosovë. Vërehet një mungesë e informatave bazike mbi kontekstin dhe problemet strukturore që shkaktojnë pabarazinë gjinore, si dhe mungon një vlerësim gjinor paraprak në adresimin e çështjeve me rëndësi politike, ekonomike dhe sociale. Mungesa e një vlerësimi të tillë është e dukshme sepse në programe nuk përshkruhet qartë modeli i ndërhyrjeve specifike nga ana e partive.
Megjithëse vërehet një përmirësim i shtjellimit të çështjeve gjinore në programe qeverisëse krahasuar me vitet e kaluara, shumica e synimeve mbesin deklarative, pa ndonjë plan konkret se si do të adresohen. Ato parti të cilat përmendin dhunën në bazë gjinore apo dhunën në familje, fokusohen më shumë në trajtim të rasteve apo trajtim të të mbijetuarave të dhunës, por jo në parandalim. Në anën tjetër, ndihmesat e parapara financiare për gratë të cilat kanë fëmijë, nuk është se do të sjellin një përmirësim të gjendjes ekonomike të grave në të ardhmen. Kjo më shumë duket se është një politikë që ndihmon nënat të rrisin fëmijët, se sa të aktivizojë gratë si forcë punëtore apo të përfshijë ato në jetën publike në përgjithësi. Tendenca për të mbështetur gratë vetëm përbrenda rolit të amësisë ka rrezik të ngujoj ato edhe më tutje në shtëpi me përgjegjësitë mbi punët e papaguara.
QIKA e konsideron tejet shqetësues faktin që asnjëra nga partitë politike nuk ka përmendur diskriminimin dhe margjinalizimin e personave LGBTQ+ në programet e tyre. Për neve është e papranueshme mos përfshirja e politikave që do të ndihmonin përmirësimin e jetës së personave LGBTQ+, ndonëse shtypja ndaj tyre, shoqërore dhe institucionale, është tejet prezente. Me këtë, partitë politike kanë dëshmuar se nuk janë gati të flasin për këtë çështje publikisht, e aq më pak të propozojnë politika konkrete që do të avanconin pozitën e tyre në shoqëri.
Më poshtë mund të lexoni analizën e shpejtë gjinore të programeve qeverisëse për partitë politike veç e veç:
Lidhja Demokratike e Kosovës
Në programin qeverisës të LDK-së nuk përmendet asnjëherë barazia gjinore, dhe i njëjti program nuk i referohet në asnjë rast situatës së grave dhe vajzave në sektorë të ndryshëm. Problemet dhe sfidat kryesore të grave, si dhuna në bazë gjinore dhe jo-aktiviteti në tregun e punës, nuk janë të reflektuara në program. Poashtu aktivitetet dhe ndërhyrjet e parapara nga LDK-ja nuk bazohen në analizë gjinore, kësisoj problemet dhe vështirësitë e grave mbesin të pa përfshira dhe të pa trajtuara përbrenda programit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Edhe në programin e AAK-së barazia gjinore dhe diskriminimi ndaj grave nuk zë vend. Në programin 68 faqesh të këtij subjekti, gratë përmenden vetëm në dy pika të shkurta: Parashihet subvencionim 150 euro për tre muaj për gratë me kontrata pune 1 vjeçare dhe rrogë mbi 270 EUR, si dhe zotohen që të sigurojnë arsim “gjithpërfshirës” për vajza, pa definuar ndonjë plan konkret se si do të arrijnë këtë. Problemet konkrete të grave dhe vajzave si dhuna në baza gjinore, përjashtimi dhe diskriminimi në tregun punës, apo nënpërfaqësimi institucional i tyre, mbeten të patrajtuara.
Lëvizja Vetëvendosje
Lëvizja Vetëvendosje ka përfshirë perspektivë dhe analizë gjinore në disa nga shtyllat kryesore të programit, duke u fokusuar në arritjen e barazisë gjinore dhe në parandalimin dhe luftimin e diskriminimit gjinor në sektorë të ndryshëm. Programi në mënyra të ndryshme përfshinë gratë kryefamiljare, vajzat e reja, nënat, gratë sipërmarrëse, gratë jo-aktive në tregun e punës dhe të mbijetuarat e dhunës në bazë gjinore. Duke siguruar pushim prindëror 12 muaj për të dy prindërit si dhe duke synuar të ndërtojnë dhe vënë në funksion më shumë çerdhe publike, LVV-ja prekë disa nga arsyet kryesore për mos përfshirjen e grave në tregun e punës.
Megjithatë, programi i LVV-së përmban disa mangësi kyçe. Ndër të tjera, nuk përmend buxhetimin gjinor kur flet për reformim të politikës së granteve dhe subvencioneve si dhe tek krijimi i “Grantit të Katërt”. Poashtu nuk përmenden fare të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës në shtyllën “Adresimi i Krimeve të Luftës”. Mungon ndonjë plan konkret për parandalimin e dhunës në bazë gjinore, pasi që programi momentalisht synon vetëm të trajtoj rastet e dhunës duke punuar (vetëm) me policinë dhe duke forcuar mekanizmat e ndihmës juridike. Sektorëve të Shëndetit Publik, Artit, Trashëgimisë kulturore, dhe Sportit u mungon analizë dhe shtjellim gjinor dhe nuk përmenden gratë dhe vajzat.
Partia Demokratike e Kosovës
Programi i qeverisjes së PDK-së ka përfshirë disa ndërhyrje si synime për arritjen e barazisë gjinore në Kosovë. Plani përmend çështje si dhunën në familje, papunësinë e grave, diskriminimin gjinor në tregun e punës, shkeljen e të drejtave pronësore, nënpërfaqësimin e grave në administratë publike etj. Në këtë program qeverisës PDK-ja ka një nënndarje që specifikisht adreson “Fuqizimin e Pozitës së Grave”.
Programi thekson synime drejt zvogëlimit të pabarazive të identifikuara përfshirë përdorimin e masave afirmative, ndërtimin dhe vënjen në funksion të më shumë çerdheve publike, masa drejt riintegrimit të të mbijetuarave të dhunës në familje, etj. Megjithatë, disa nga politikat e parapara mbesin te mjegullta se si do të realizohen. Poashtu në program përmendet që ky subjekt do të angazhohet për përmirësimin e legjislacionit për dhunë në familje, mirëpo mbetet e paqartë se për çfarë legjislacioni është fjala. Buxhetimi gjinor, si një mjet kyç drejt arritjes së barazisë gjinore, nuk përmendet fare në këtë program dhe për më tepër mungon perspektiva gjinore për çështje tejet të rëndësishme siç janë politika ndërkombëtare, dialogu, shëndetësia, sundimi i ligjit etj.
Mbetet paksa ironik fakti që programi parasheh përfshirje më të madhe të grave nëpër pozita e lista partiake, ndërkohë që në listën zgjedhore kjo parti ka përfshirë vetëm minimumin e kërkuar nga Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme.