Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Shteti ka braktisur gratë

QIKA 3.2.2021

Alarmuese për të gjithë do të duhej të ishin shifrat në rritje të dhunës ndaj vajzave dhe grave muajve të fundit në Kosovë. Të pasigurta e të cenuara, në familje e jashtë saj, ato s’po gjejnë mbështetje as nga institucionet e vendit.

Rastet e publikuara së fundi në emisionin hulumtues të Kallxo.com, shpërfaqën përsëri neglizhencën e shtetit ndaj dhunës mbi baza gjinore; krahas rrëfimeve të viktimave të dhunës në familje, emisioni dokumentoi se të dyshuarit për abuzime janë ende të lirë.

Hulumtimi zbuloi se si një shtetase franceze që ka paditur burrin e saj kosovar para një muaji në Policinë e Kosovës për dhunim seksual, ende nuk ka marrë asnjë informatë lidhur me rastin e saj si dhe nuk i është bërë madje asnjë ekzaminim mjekësor.

“Pasi që u martuam, ai filloi që të më dhunonte. Ne u martuam më 29 shtator 2020 dhe pas kësaj ai filloi të mendoj që trupi im i takon atij dhe më shumë për faktin se tani ishim të martuar. Ai do të më bënte presion për të kryer seks anal ose vaginal me të dhe nervozohej me mua më fyente deri sa të pranoja këtë dhe unë pranoja vetëm që britmat të merrnin fund”, tregon ajo duke theksuar se ishte e kërcënuar edhe me vrasje në rast se largohej nga burri.

Në anën tjetër Kallxo.com zbuloi se të akuzuar për dhunë në familje janë shpesh edhe vet zyrtarët e Policisë së Kosovës. Një grua 50 vjeçare dëshmon se burri i saj polic ka ushtruar dhunë në mënyrë të përsëritur ndaj saj si pasojë e të cilës ajo në njërën prej herëve kishte pësuar edhe thyerje të gjymtyrëve të trupit. Sipas saj burri ende vazhdon të punoj si polic dhe të mbajë armë.

“Më shumë se një dekadë ai është ushtrues recidiv i dhunës në familje, ekzistojnë të gjitha ankesat dhe dokumentacioni që e mbështesin deklaratën time, por si duket kjo ka hasur në vesh të shurdhër dhe prap ka vazhdu sikur mos të kishte ndodhur asgjë”, rrëfen ajo duke folur për ankthin që përjeton çdo ditë jetese me dhunuesin brenda shtëpisë.

Këto dy raste janë vetëm një shpërfaqje e asaj që po ndodhë çdo ditë në Kosovë. Dhuna ndaj grave është shumëfishuar por niveli i gatishmërisë së institucioneve të vendit që të adresojnë atë mbetet shqetësues.

QIKA u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të trajtojnë me prioritet rastet e dhunës në familje. Dhuna cenon drejtpërdrejtë autonominë, sigurinë dhe shëndetin e grave. Aktet individuale të dhunës janë pasojë e një sistemi shtypës që arsyeton dhunën ndaj të dobëtit. Ne kundërshtojmë të riprodhojmë këtë mënyrë të rrjedhës së gjërave. Do të kritikojmë strukturat ekzistuese shtypëse dhe do të punojmë për barazi gjinore e sociale. Nuk mund të ketë qetësi aty ku ka dhunë.

23.12.2020