Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Të gjitha vajzat, me apo pa shami, e kanë vendin në shkollë!

QIKA 4.11.2025

Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për të hedhur poshtë padinë që kërkonte lejimin e bartjes së shamisë në shkollat e Kosovës, ka konfirmuar se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) e ka në dorë të vendosë për rregullat e veshjes së nxënësve.

Udhëzimi Administrativ nr. 06/2014 i MASHT-it, i cili përcakton kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta, tash e 10 vite krijon pasiguri juridike dhe hapësirë për veprime arbitrare. Në nenin 3 të këtij Udhëzimi thuhet se nxënësve u ndalohet “bartja e uniformës fetare” në shkolla, pa u përcaktuar se çfarë nënkupton konkretisht termi ‘uniformë fetare’.

Mungesa e sqarimit ka krijuar hapësirë që kjo dispozitë të jetë subjekt i interpretimeve subjektive nga drejtorët/et e shkollave, të cilat shpesh bazohen në bindje dhe paragjykime personale, e të cilat kanë rezultuar me situata të trajtimit selektiv ku vajzat apo gratë që bartin shami janë përjashtuar ose pezulluar nga mësimi apo janë vënë nën presion për ta hequr atë.

Kjo dispozitë diskriminuese dhe seksiste është në kundërshtim me çdo parim të të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore, sepse prek në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe joproporcionale vajzat dhe gratë myslimane.

Autoritetin për të marrë vendime institucionet e shtetit nënkuptueshëm e kanë të mveshur me barrën e përgjegjësisë për të marrë vendime që nuk diskriminojnë dhe nuk kufizojnë lirinë individuale të vajzave që e përjetojnë fenë si pjesë të identitetit të tyre.

Prandaj, MASHT-i duhet të ndërhyjë menjëherë për ta rishikuar Udhëzimin Administrativ 06/2014, të zhvillojë konsultime gjithëpërfshirëse me bashkësitë fetare që ekzistojnë në Kosovë dhe të amendojë me në një klauzolë të qartë që shpjegon se çfarë nënkuptohet me “uniformë fetare”.

Ky sqarim është qenësor që interpretimi i udhëzimit të mos shndërrohet në burim të shkeljes së të drejtës për qasje të barabartë në arsim, në hapësira të sigurta e gjithëpërfshirëse dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.

QIKA beson se të gjitha vajzat, me apo pa shami, e kanë vendin në shkollë.