Në “Javën kundër braktisjes sё shkollimit” të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e rëndësishme të kujtojmë që në Kosovë rreth 15% e fëmijëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas janë jashtë shkollës fillore, sipas Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (MICS).
Varfëria ekstreme e shtresëzuar, kombinuar me traditat e martesave të hershme kanë bërë që në veçanti vajzat e këtyre komuniteteve të braktisin shkollën në numër të madh. Të dhënat tregojnë se përafërsisht gjysma (44%) e vajzave të moshës 14 vjeçare kanë braktisur shkollën ndërkohë që nga po e njëjta anketë vjen në pah fakti se 12% e vajzave të moshës 15-49 vjeçare janë martuar para moshës 15 vjeçare dhe pothuajse gjysma (43%) e vajzave të moshës 20-49 vjeçare janë martuar para moshës 18 vjeçare.
Këto të dhëna alarmante tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë të braktisjes së shkollimit dhe martesave të hershme të cilat konsiderohen si ndër faktorët kryesorë që ekspozojnë vajzat e këtyre komuniteteve ndaj shtatzënive të hershme, lidhjeve abuzive, analfabetizmit dhe varësisë ekonomike.
Shkollimi i vajzave është hapi kryesor që ndihmon ato dhe mbarë komunitetin që të luftojnë varfërinë e shtypjen. Është mundësia e vetme që këto vajza të kundërshtojnë martesat e hershme. Është parakushti kryesor që ato të jenë të lira për të marrë vendime të pavarura për veten të cilat do të ndihmonin përmirësimin e jetës së tyre, familjeve dhe komunitetit.
E drejta për shkollim është e drejtë elementare për secilën dhe secilin. Institucionet e vendit kanë obligim të ofrojnë kushte dhe hapësira të sigurta, pa diskriminim, për të gjithë. Është urgjente të punohet në politika konkrete që do të promovonin shkollimin, në veçanti të vajzave. Ato, të gjitha, pa dallim, e kanë vendin në klasë!
14.11.2020