Të dashura vajza dhe gra,
QIKA ju inkurajon që nesër ta përdorim votën si akt të lirisë sonë politike. Të votojmë të lira nga presioni dhe zgjedhjet e babait, burrit, apo burrave tjerë të familjes, për ata/o që na bëjnë të ndihemi të dëgjuara dhe të përfaqësuara.
Edhe në këto zgjedhje, listat zgjedhore dhe kandidatët për kryetarë komunash nga radhët e të gjitha partive politike nuk respektuan Ligjin për Barazi Gjinore. Nga gjithsej 206 kandidatë për kryetarë/e komunash në zgjedhjet lokale 2025, vetëm 20 janë gra – rreth 6.6 %.
Për shkak të barrierave strukturore, gratë vazhdimisht përjashtohen nga kandidimi për kryetare komunash apo këshilltare komunale duke bërë që perspektivat dhe përvojat e tyre të mbeten të padukshme në politikat lokale.
Në Kosovë, ku gratë janë ende tejet të nën-përfaqësuara në çdo proces dhe nivel të politikëbërjes e vendimmarrjes, vota jonë është rezistencë ndaj rendit patriarkal që i nënvlerëson nevojat tona dhe na kufizon lirinë. Le të organizohemi, të ndërtojmë solidaritetin me njëra-tjetrën, të zëmë hapësirën që na takon, jo veç si përfaqësim simbolik, por si lëvizje që sfidon dhe transformon politikën nga rrënjët.