Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Përrallat klasike për fëmijë riprodhojnë stereotipet mizogjene 

QIKA 10.6.2026

Dikur, përrallat përdoreshin si mjet për t’u mësuar njerëzve, zakonisht fëmijëve, normat kulturore dhe shoqërore të pranishme në shoqëri. Tregime si Hirushja, Bukuroshja e  Fjetur, Borëbardha  dhe shumë përralla të tjera të njohura në shoqëritë perëndimore, por të gjitha kanë një karakteristikë të pakëndshme të përbashkët. Megjithëse përrallat janë të afta t’u mësojnë lexuesve një kuptim bazë të normave kulturore, ato priren të përmbajnë stereotipe mizogjene të ngulitura në rrëfimet e tyre. Nga arketipi i personazhit të “vajzës në nevojë për shpëtim” deri te figura tipike e “njerkës së ligë”, përrallat kanë krijuar dhe përforcuar stereotipet e ndryshme mizogjene që janë të pranishme në shoqërinë tonë, duke i rrënjosur ato në mendjet e lexuesve.  Portretizimi i grave dhe vajzave në përralla forcon stereotipet mizogjene, mbështet mizogjininë në shoqërinë tonë dhe ndikon negativisht në perceptimin e publikut ndaj grave dhe vajzave. 

Për të kuptuar qartë ndikimin që përrallat kanë pasur në perceptimin e shoqërisë ndaj grave, është e rëndësishme të analizohet mënyra se si gratë paraqiten në përralla, si dhe gjuha që përdoret për t’i përshkruar ato. Autori Hisham Muhamad Ismail në artikullin e tij të vitit 2023 “Objectification: Examples of Female Characters in Selected Traditional Fairy Tales” shpjegon se përralla si Hirushja, Bukuroshja e Fjetur, Borëbardha, dhe të tjera, përcjellin të njëjtin stereotip: gratë janë të pafuqishme, të nënshtruara dhe figura që kanë nevojë për shpëtim, të cilat varen nga një burrë për t’u shpëtuar dhe për të pasur një jetë më të mirë. 

Nga ana tjetër, nënat dhe njerkat paraqiten në një mënyrë tjetër, por po aq mizogjene. Në letërsinë klasike të përrallave, nënat shihen si personazhe njëdimensionale: ato janë ose të pastra dhe të nënshtruara, ose të liga dhe keqdashëse. Autorët Sibhekinkosi Anna Nkomo dhe Aaliya Kimmie kanë konstatuar se paraqitja e njerkave si hakmarrëse dhe mizore ushqen stereotipe të dëmshme gjinore duke nënkuptuar se gratë që nuk i përshtaten modelit të pranuar janë të rrezikshme dhe të pabesueshme.

Këto ide të njëanshme dhe të pasakta për gratë kanë pasoja të rënda në shoqëri, veçanërisht sepse përhapen përmes mediave për fëmijë. Shumë fëmijë i përvetësojnë këto mesazhe që në moshë të hershme dhe më pas vazhdojnë të mbështesin role gjinore të dëmshme dhe stereotipe diskriminuese. 

Me siguri kjo është vetëm një ekzagjerim, apo jo? Fëmijët nuk po përvetësojnë vërtet ide mizogjene nga literatura që lexojnë, apo jo? Ah, sa do të doja të ishte kështu. Në një studim të kryer në vitin 2014 në një klasë të shkollës fillore, nxënësit diskutuan për rolet gjinore me të cilat ishin më të familjarizuar, të cilat zakonisht buronin nga përralla si Hirushja dhe Arushat e Artë (Goldilocks). Sipas Paterson-it, “produktet ose tekstet kulturore u ofrojnë fëmijëve mundësinë të ndërveprojnë me informacione rreth botës shoqërore dhe mund të kontribuojnë në formësimin e perceptimeve të tyre për gjininë dhe mënyrën se si ata mund ta shprehin atë identitet gjinor.” Kjo thekson rëndësinë që përrallat mund të kenë në perceptimin e fëmijëve për gjininë dhe mënyrën se si stereotipet e dëmshme mund të rrënjosen tek ata.

Të gjeturat e nxjerra nga studimi treguan se fëmijët në përgjithësi i perceptonin djemtë si të guximshëm dhe të fortë, ndërsa vajzat si të sjellshme dhe pasive. A po tingëllon e njohur? Këto janë stereotipe dhe përgjithësime që gjenden pothuajse në çdo përrallë klasike, dhe ja ku janë këta fëmijë që po përsërisin në mënyrë të qartë atë që u është mësuar.

Shumë njerëz mund ta lexojnë këtë artikull dhe të mendojnë: “Përrallat janë thjesht tregime të pafajshme për fëmijë, të cilat i ndihmojnë ata të mësojnë për botën përreth tyre, dhe stereotipet mizogjene që gjenden në to ndoshta nuk kanë qenë të qëllimshme, apo jo?” Për këtë do të thosha se mizogjinia e pranishme në përralla është thjesht një pasqyrim i mizogjinisë që ekzistonte në periudhën kur këto rrëfime u shkruan.

Duke ua transmetuar këto stereotipe fëmijëve, ata mësojnë se gratë janë të dobëta dhe të pafuqishme, se ato janë ose krejtësisht të mira ose krejtësisht të liga, dhe se nuk mund të mbrojnë veten pa ndihmën e një burri. Kjo është një ide e dëmshme për t’u imponuar fëmijëve, sepse vajzat e vogla mund të rriten duke u ndier inferiore ndaj burrave, ndërsa djemtë e vegjël mund t’i perceptojnë gratë dhe vajzat si të dobëta. Në këtë mënyrë, rolet e dëmshme gjinore vazhdojnë të ruhen dhe të riprodhohen në një shoqëri që ende përballet me pabarazi.

Një mënyrë e mirë për t’i sfiduar këto stereotipe është krijimi dhe promovimi i përshtatjeve të reja të përrallave që fuqizojnë gratë dhe vajzat. Një shembull i tillë janë përshtatjet e autore­s Nikita Gill të përrallave klasike, ku gratë dhe vajzat paraqiten si të pavarura, të guximshme dhe këmbëngulëse – krejt e kundërta e stereotipit tradicional dhe të njëanshëm të “vajzës në nevojë për shpëtim”. Përshtatjet e Gill synojnë të kundërshtojnë drejtpërdrejt këto stereotipe dhe të përforcojnë idenë se gratë nuk janë objekte njëdimensionale, por individë kompleksë me aftësi, potencial dhe forcë shumë më të madhe sesa ajo që u është atribuar tradicionalisht në përralla.

Në përgjithësi, përrallat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shtrembërimin e perceptimit të publikut ndaj grave. Gratë shpesh paraqiten si të dobëta, të liga dhe/ose të nënshtruara, dhe kjo ide njëdimensionale ka shkaktuar dëme të thella në mënyrën se si shoqëria i percepton dhe çfarë pret prej grave dhe vajzave. Edhe më shqetësues është fakti se këto stereotipe mizogjene përhapen kryesisht te fëmijët, të cilët përbëjnë audiencën kryesore të përrallave. Kjo tregon se njerëzit nuk lindin mizogjenë; përkundrazi, mizogjinia mësohet dhe transmetohet përmes proceseve të socializimit, përfshirë edhe tregimet që fëmijët dëgjojnë dhe lexojnë. Për këtë arsye, prindërit, kujdestarët, mësuesit dhe të gjithë ata që punojnë me fëmijë duhet të përballen dhe t’i sfidojnë stereotipet e pranishme në përralla, jo vetëm për hir të fëmijëve në jetën e tyre, por edhe për të reflektuar mbi bindjet dhe paragjykimet e tyre. Vetëm nëpërmjet një qasjeje kritike ndaj këtyre rrëfimeve mund të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë për gratë dhe vajzat.

Rita Moore

E përktheu: Yllka Istogu 

Lexoni artikullin origjinal këtu.