Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Si i detyron regjimi taliban vajzat të mohojnë vetveten

QIKA 21.7.2026

Në një lagje të Kabulit, një grup fëmijësh vrapojnë pas një topit të verdhë, ndërsa thirrjet e tyre përplasen me muret e ndërtesave përreth. Të veshur me pulovra, xhinse apo me veshjen tradicionale afgane për djem (peran tombon), askush nuk duket ndryshe nga të tjerët, mirëpo për “njërin” prej tyre, kjo lojë është një hapësirë lirie e fituar përmes një identiteti të dytë.

Ajo është Sanam, e cila për familjen e saj dhe për botën jashtë, njihej si Omid. Sanam ka prerë flokët shkurt, veshi rroba djemsh dhe punonte me të atin për të nxjerrë kafshatën e gojës. Historia e saj, e publikuar nga media ndërkombëtare VOA News në vitin 2021, vë në pah një dukuri të thellë në shoqërinë afgane: praktikën e bacha posh, një term nga gjuha dari që përkthehet fjalë për fjalë “e veshur si djalë”.

Në shoqërinë ekstremisht patriarkale të Afganistanit, ku gratë dhe vajzat janë përjashtuar pothuajse tërësisht nga jeta publike, bacha posh përfaqëson të vetmen traditë që u mundëson vajzave të reja qasje në botën e lirë të burrave, duke u lejuar të luajnë sporte, të ndjekin shkollën apo të punojnë për të mbajtur familjen.

Sipas hulumtimeve të publikuara nga platforma akademike Pursuit (University of Melbourne), arsyet pse prindërit vendosin ta kthejnë një vajzë në djalë janë të shumta dhe të ndërlikuara. Në radhë të parë qëndron varfëria e skajshme dhe nevoja për të siguruar të ardhura, veçanërisht në familjet që nuk kanë djem ose ku kryefamiljari nuk mundet të punoj. Gjithashtu, stigma e thellë shoqërore ndaj familjeve që lindin vetëm vajza i shtyn prindërit drejt kësaj zgjedhjeje për të ruajtur statusin e tyre.

Një vajzë e kthyer në bacha posh lirohet nga punët e shtëpisë, si gatimi apo pastrimi, dhe merr rolin e mbrojtësit apo shoqëruesit (mahram) për nënën dhe motrat e saj kur dalin jashtë. Raporti i Pursuit thekson se përderisa kjo praktikë tenton të anashkalojë rolet e ngurta gjinore, ajo në fakt i përforcon ato edhe më tej, sepse i dërgon shoqërisë mesazhin se vlera, liria dhe respekti i përkasin vetëm mashkullit.

Raportimi i VOA News tregon se si për Sanamin dhe familjen e saj kjo rrugë ishte e vetmja mundësi mbijetese. Kur babai i saj pësoi lëndim në kurriz dhe humbi punën, ai nisi të shesë maska në rrugë, por kishte nevojë për një ndihmës. Me një djalë me aftësi të kufizuara fizike dhe me katër vajza, nëna e Sanamit vendosi ta shndërrojë tetëvjeçaren në djalë, duke e konsideruar si të tillë deri në moshën e adoleshencës. Për Sanamin, të jetuarit si djalë do të thotë të luajë kriket e futboll me djemtë e lagjes dhe të veshë xhinse, por ky status ka një afat të prerë skadence.

Sapo një vajzë arrin pubertetin, ajo detyrohet të braktisë rrobat e djemve dhe të rikthehet menjëherë në rolin e saj tradicional femëror, një tranzicion ky që shpesh shoqërohet me trauma të thella psikologjike. Dëshmitë e mbledhura nga VOA News sjellin shembullin e Najieh, sot 34 vjeçe, e cila e kaloi fëmijërinë si djalë me emrin Assadollah. Ajo kujton se si rikthimi te rrobat e vajzave i dha ndjesinë e hyrjes në burg, ndërsa sot vajton lirinë e humbur të botës mashkullore, e vetëdijshme se si grua në Afganistan përballet vetëm me kufizime dhe mbyllje brenda mureve të shtëpisë.

Situata është bërë edhe më e dhimbshme dhe alarmante nën sundimin e Talibanëve. Platforma mediatike MindSite News sjell në vëmendje kushtet gjithnjë e më të rënda me të cilat përballen vajzat afgane, të cilat privohen nga arsimi i mesëm dhe i lartë dhe shtyhen drejt zgjedhjeve të dëshpëruara për të mbijetuar në një sistem që fshin të drejtat e tyre elementare.

Kjo gjendje e skajshme ilustrohet qartë në një raportim të agjencisë së lajmeve IPS News (Inter Press Service), i cili analizon rastin e 13-vjeçares Nooria nga provinca Ghor. Për më shumë se tri vite, Nooria jetoi e veshur si djalë nën emrin Noor Ahmad, duke punuar në një restorant për të ushqyer nënën dhe motrat e saj jetime. Mirëpo, ajo u ndalua nga Talibanët dhe u mor në pyetje si të ishte një kriminele. Në videon e marrjes në pyetje të publikuar nga IPS News, Nooria dëgjohet duke u lutur me zë të ulët e duke shpjeguar se nuk e bëri atë zgjedhje nga dëshira, por nga nevoja absolute për të mbajtur familjen me bukë, ndërsa zyrtari taliban e poshtëronte duke e pyetur se pse flokët dhe rrobat e saj i ngjanin një burri.

Ngjarja e Noories, e pasqyruar nga IPS News, nxiti reagime të ashpra nga aktivistet e të drejtave të grave dhe përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët dënuan trajtimin e egër ndaj një fëmije që përpiqej vetëm të mbijetonte.

Siç tregojnë gjetjet e Pursuit (University of Melbourne), tragjedia më e madhe e bacha posh qëndron në faktin se ajo shërben si një zgjidhje e përkohshme për të anashkaluar shtypjen, pa e goditur asnjëherë rrënjën e problemit. Në vend që të luftohet pabarazia gjinore, vajzat detyrohen të fshijnë identitetin e tyre femëror për të gëzuar të drejta bazë, duke mbetur të pambrojtura përballë traumave psikologjike dhe një të ardhmeje ku liria e tyre e vetme mbetet thjesht një kujtim fëmijërie.

Përktheu: Medinë Dauti