Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

DY METRA NUK JANË MBROJTJE!

QIKA 2.11.2026

Dy metra. Kaq ishte distanca që gjyqtari Migjen Kastrati e konsideroi të mjaftueshme për ta mbrojtur Arlinda Zekajn nga dhuna brenda shtëpisë së saj. Dy metra mes një gruaje që kishte denoncuar dhunën dhe burrit nga i cili kërkonte mbrojtje. Arlinda kërkoi mbrojtje, por drejtësia ia mati rrezikun me metër. Pak ditë më vonë, atë e vranë.

Sot, me këtë aksion, e sollëm para Këshillit Gjyqësor të Kosovës absurditetin e një vendimi që sigurinë e një gruaje të kërcënuar nga dhuna e reduktoi në vetëm dy metra distancë. Këto vija të kuqe përfaqësojnë kufijtë e një drejtësie që e njeh dhunën, por nuk arrin ta ndalë atë. Edhe Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore parasheh masa të ndryshme mbrojtëse, përfshirë largimin e kryesit të dhunës nga shtëpia.

Vetë raporti i Ministrisë së Drejtësisë konstaton shkelje të afateve ligjore nga Gjykata Themelore në Pejë. Një procedurë që sipas ligjit duhej të përfundonte brenda shtatë ditëve u zvarrit për më shumë se një muaj. Arlinda e kishte kundërshtuar vendimin fillestar më 9 shtator, por aktvendimi u nxor vetëm më 16 tetor. Më 17 shtator, ajo iu drejtua kryetarit të Gjykatës, Shemsedin Haxhijaj, duke paralajmëruar vonesat dhe rrezikun për jetën e saj. Përgjigjen e mori vetëm më 20 tetor, kur iu tha se gjyqtari kishte vepruar brenda afateve ligjore. Po atë ditë, Arlinda paralajmëroi sërish se neglizhenca institucionale mund t’i kushtonte me jetë.

Ndërkohë, më 20 dhe 21 tetor, Qendra për Punë Sociale e njoftoi zyrtarisht gjyqtarin Migjen Kastrati se urdhri mbrojtës nuk po zbatohej. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në dokumentacionin e shqyrtuar nuk rezultojnë veprime të mëtejshme ligjore nga ana e tij.

Pra, institucionet ishin paralajmëruar për rrezikun dhe ishin njoftuar për moszbatimin e vendimeve të tyre. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publike asnjë masë konkrete disiplinore ndaj gjyqtarit Migjen Kastrati apo kryetarit të Gjykatës në Pejë, Shemsedin Haxhijaj.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka publikuar një komunikatë dhe ka kryer inspektim, por ende nuk ka dhënë përgjigje për përgjegjësinë disiplinore lidhur me këto shkelje dhe mosveprime. Kërkojmë nisjen e procedurave disiplinore, shkarkimin e gjyqtarit Migjen Kastrati, hetimin e përgjegjësisë së të gjithë zyrtarëve gjyqësorë të përfshirë dhe publikimin e plotë të gjetjeve të inspektimit.