Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

PASQYRA U THYE. MASKA E SHTETIT RA.

QIKA 29.10.2026

Sot, para Ministrisë së Punëve të Brendshme, thyem pasqyrën e shtetit që pretendon se i mbron gratë, por që në momentet kur ato kërkojnë mbrojtje, ua kthen shpinën. Thyem pasqyrën e një institucioni që flet për siguri, rend dhe ligj, por që nuk arrin ta garantojë as të drejtën elementare të një gruaje për të jetuar.

“Nuk jam i obligum me u marrë me ty” nuk është mendësia vetëm e Faruk Muçollit. Është mendësia e shtetit që nuk e trajton seriozisht jetën dhe sigurinë e grave.

Faruku është produkt i një sistemi të kalbur. Përgjegjësia është politike. Gjashtë vjet me gojën plot siguri shtetërore, rend dhe sundim të ligjit, ndërsa gratë vazhdojnë të përballen me institucione që nuk i dëgjojnë, nuk i mbrojnë dhe nuk reagojnë në kohë.

Nuk pranojmë që një zyrtar të bëhet alibia për dështimin e një sistemi të tërë. Kërkojmë hetim të plotë të veprimeve dhe mosveprimeve institucionale dhe përgjegjësi në të gjithë zinxhirin komandues.

Por përgjegjësia fillon nga Xhelal Sveçla dhe vazhdon deri te secili zyrtar që ka dështuar në detyrën e tij.

XHELAL, JEP DORËHEQJE!