Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Çka është femicidi?

QIKA 26.8.2021

Femicidi është vrasja e një vajze apo gruaje, zakonisht nga një burrë, për shkak të gjinisë së saj. Femicidi është forma më ekstreme e dhunës me bazë gjinore.

Diana Russell, aktivistja dhe studiuesja feministe nga Afrika e Jugut, për herë të parë popullarizoi termin “femicid” në vitin 1976. Russell shpresonte që një term i cili përshkruan vrasjet e grave do të ndihmonte aktivistët që të luftonin kundër kësaj dukurie dhe kështu të mbronte gratë. Që atëherë, aktivistët në të gjithë botën janë bashkuar në luftën kundër femicidit. Në Amerikën Latine, ku femicidi është veçanërisht i përhapur, termi është përkthyer në spanjisht si “feminicidio”.

Pavarësisht përpjekjeve për të ndaluar dhunën me bazë gjinore gjatë katër dekadave të fundit, femicidi ende është prezent në shkallë globale. Dhuna me bazë gjinore ka vazhduar të rritet gjatë pandemisë COVID-19, për shkak se më shumë viktima janë bllokuar në shtëpi me abuzuesit e tyre gjatë periudhës së karantinës. Sipas Kombeve të Bashkuara, në vendet ku vrasjet po pakësohen, numri i grave që vriten po rritet.

Cilat janë format më të zakonshme të femicidit?

Ekzistojnë shumë forma të femicidit, por disa janë më të njohura se të tjerat. “Vrasjet e nderit”, që ndodhin kryesisht në pjesën e Lindjes së Mesme dhe Azisë Jugore, janë vrasje ku një i afërm burrë ose një anëtar tjetër i familjes vret një vajzë ose grua për shkak të sjelljeve seksuale ose tradhtisë bashkëshortore, në mënyrë që të ruhet nderi i familjes.

Femicidi jo-intim, i cili kryhet nga dikush që nuk ka marrëdhënie intime me viktimën është më pak i zakonshëm, por ende ndodh. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Amerikën Latine ka pasur rritje alarmante të femicidit jo-intim. Gratë të cilat janë punëtore seksi ose punojnë në jetën e natës janë të prekura në mënyrë disproporcionale nga femicidi jo-intim.

Sipas Kombeve të Bashkuara, format e tjera të femicidit përfshijnë vrasje nga dyshimet për praktika të magjisë, vrasje që lidhen me konfliktet e armatosura, vrasje që lidhen me identitetin gjinor dhe orientimin seksual dhe vrasje që lidhen me identitetin etnik dhe autokton.

Sipas Femicide Watch, gratë poashtu mund të vdesin nga femicidi në mënyrë indirekte si rezultat i aborteve të pasigurta, vdekjeve gjatë lindjes dhe praktikave të tjera të dëmshme. Për më tepër, femicidi mund të lidhet me trafikimin e qenieve njerëzore, shitjen e drogës, aktivitetet që lidhen me banda si dhe neglizhencën e mungesën e veprimit shtetëror.

Kush preket më shumë nga femicidi?

Të dhënat mbi femicidin janë të kufizuara sepse shumica e vendeve nuk marrin informacionet e nevojshme për të regjistruar motivet e vrasjes ose krimet nuk raportohen. Të dhënat që janë në dispozicion tregojnë se çdo vit 66,000 gra vriten dhunshëm, duke përbërë 17% të vrasjeve në total.

Hulumtimet kanë identifikuar disa faktorë të rrezikut nga femicidi. Gratë që kanë qenë të abuzuara më herët, të cilat janë në lidhje por kanë një fëmijë me një partner tjetër, ato të cilat janë ndarë nga partneri apo të cilat përpiqen të ndahen nga një partner abuziv kanë të ngjarë të bëhen viktima të femicidit.

Gjithashtu duket se ka një lidhje mes niveleve të arsimit dhe femicidit. Gratë e arsimuara konsiderohen më të mbrojtura nga femicidi. Gratë më të arsimuara raportojnë se kanë më shumë autonomi në marrëdhëniet e tyre romantike, gjë që sugjeron se ato janë më të pavarura financiarisht nga partneri i tyre dhe kanë më shumë gjasa të largohen nga një situatë abuzive që mund të përshkallëzohet. 

Pse ndodhë femicidi?

Gratë shpesh vriten nga dikush i afërm. Sipas Zyrës për Drogë dhe Krim të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2017 më shumë se një e treta e viktimave të femicidit u vranë nga partneri i tyre aktual ose nga ish-partneri dhe më shumë se gjysma u vranë nga parterët ose anëtarët e familjes.

Sipas aktivistes së fushatës kundër dhunës në familje, Karen Ingala Smith, gratë nuk mbrohen nga femicidi për shkak të etnisë, moshës apo statusit të tyre shoqëror. Sipas OBSH-së, në nivel shoqëror dhe strukturor, femicidi është më i zakonshëm në vendet ku pabarazia gjinore është e theksuar dhe në vendet ku ka nën përfaqësim të grave në qeveri.

Ku ndodh femicidi?

Rritja e femicidit ka ndezur protesta ndërkombëtare në të gjithë botën që kur Russell shpiku për herë të parë këtë term në vitin 1970.

Vëmendja mediatike dhe trazirat që karakterizojnë rastet e femicidit të profilit të lartë shpesh nuk lidhen me ndryshimin e qëndrueshëm. Deklarata e Dhunës me Bazë Gjinore ka qenë jo-efektive në Afrikën e Jugut, me ç’rast qindra gra janë vrarë gjatë pandemisë COVID-19.

Megjithëse 18 vende të Amerikës Latine kanë miratuar ligje që kufizojnë dhunën ndaj grave, ato ende nuk i kanë zvogëluar rastet e femicidit. Mungesa e veprimit dhe ndëshkimit të autorëve të krimit nga ana e qeverisë ka ndikuar në shkallën e lartë të femicidit në disa vende të Amerikës Latine dhe 98% e këtyre vrasjeve nuk ndiqen penalisht në këtë rajon. Në Meksikë, aktivistët e të drejtave të grave dhe familjet e viktimave të femicidit janë përpjekur pareshtur të kërkojnë drejtësi që nga rritjet e rasteve të grave të humbura dhe të vrara nga fabrikat Juárez në vitet 1990, por megjithatë qeveria po e nënvlerëson këtë çështje.

Ndërkohë në SHBA, numri i grave të vrara është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2014, ndërsa 1,948 gra u vranë nga burrat në vitin 2017, sipas Qendrës së Politikave të Dhunës. Gratë transgjinore, zezake dhe latine kanë qenë veçanërisht të rrezikuara nga femicidi në vitin 2020.

Si mund t’i japim fund femicidit?

Sipas OBSH-së, reduktimi i dhunës nga partneri është mënyra më efektive për të parandaluar femicidin. Një gjë e tillë kërkon adresimin e pabarazisë gjinore në nivel individual dhe shoqëror.

Grumbullimi i më shumë të dhënave mbi femicidin është hap kyç për të kuptuar këtë fenomen. Të dhënat e ndara sipas seksit që përfshijnë marrëdhënien midis viktimës dhe autorëve të dhunës si dhe forcimi i metodave hulumtuese për të kuptuar kontekstet shoqërore nën të cilat ndodh femicidi janë poashtu thelbësore për mbrojtjen e grave nga aktet e dhunës në të ardhmen.

Personeli shëndetësor dhe zbatimi i ligjit poashtu luajnë një rol të rëndësishëm dhe duhet të trajnohen për të identifikuar më mirë dhunën nga partneri dhe nëse një grua i ekspozohet rrezikut të femicidit, veçanërisht gjatë shtatzënisë.

Legjislacioni që kufizon përdorimin e armëve për autorët e dhunës në marrëdhënie intime, rritja e zbatimit të ligjit dhe arrestimi i urdhëruar për shkeljen e urdhrave kufizues në lidhje me dhunën në partneritet konsiderohen masa mbrojtëse kundër femicidit.

Ndryshimi i ligjeve për ndalimin e “vrasjeve të nderit” dhe zbatimi i dënimit për autorët e krimit është një hap tjetër i rëndësishëm për t’i dhënë fund femicidit. Përmirësimi i arsimimit dhe reagimi ndaj “vrasjeve të nderit” në vendet dhe komunitetet e emigrantëve ku këto vrasje konsiderohen të zakonshme janë poashtu thelbësore.

Avokuesit po i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisë përpjekjet për të zvogëluar dhunën me bazë gjinore dhe të aplikojë një lente gjinore në rimëkëmbjen dhe lehtësimin e COVID-19. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, financimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale për të mbështetur gratë dhe vajzat janë veçanërisht të rëndësishme për të ndihmuar në parandalimin e femicidit gjatë pandemisë.

E përktheu: Greta Avdyli

Linku origjinal i artikullit:

https://www.globalcitizen.org/en/content/what-is-femicide-everything-you-need-to-know/