Në rrugët e zhurmshme të kryeqytetit afgan, Kabulit, fshihet një botë që rrallë shihet: bota e grave që, në heshtje, po sfidojnë kufizimet drakonike të vendosura që nga marrja e pushtetit nga talibanët, pas tërheqjes së trupave të udhëhequra nga SHBA-ja në gusht të vitit 2021.
Për gratë në Afganistan, arsimimi përtej nivelit fillor është i ndaluar, me përjashtim të edukimit fetar islam dhe kurseve të gjuhëve. Atyre u ndalohet hyrja në parqe dhe palestra, sallonet e bukurisë janë mbyllur me urdhër të autoriteteve, ndërsa u kërkohet të respektojnë një kod të rreptë të veshjes që mbulon trupin nga koka te këmbët. Ndonëse mund të pajisen me disa lloje licencash biznesi, grave u ndalohet të punojnë në shumicën e profesioneve.
“Të jesh grua në Afganistan është krim”, tha një ish-futbolliste, ëndrrat e së cilës u shuan pas ndalimit të sportit për gratë.
Këto rregulla zbatohen nga policia e moralit, e cila ngjall frikë të madhe në mesin e popullsisë. Anëtarët e saj patrullojnë rrugëve me uniforma të bardha, të ngjashme me veshjet e mjekëve, dhe kanë autoritetin t’i ndalojnë gratë që shkelin rregullat. Disa gra madje edhe janë rrahur.
Ministria për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve është “plotësisht e përkushtuar” për garantimin e të drejtave të të gjithëve në përputhje me ligjin islam të Sheriatit, deklaroi për Associated Press zëdhënësi i saj, Mohammad Aslam Badriwal, në përgjigje të pyetjeve lidhur me kufizimet ndaj grave.
“Motrat tona mund t’i zhvillojnë gjithashtu aktivitetet e tyre shoqërore dhe tregtare, me kusht që t’u përmbahen rreptësisht parimeve të Sheriatit islam dhe ligjeve në fuqi”, tha ai. Sipas tij, prioriteti i ministrisë është “të sigurojë që motrat tona të jenë plotësisht të sigurta në shoqëri dhe të mund t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që u garantohen nga Sheriati”.
Megjithatë, pavarësisht kufizimeve dhe rreziqeve, disa gra kanë gjetur mënyra për t’i sfiduar ato.
Në vijim, ju sjellim rrëfimet e tri grave në Kabul, të cilat kanë pranuar të flasin në kushte anonimiteti, nga frika e arrestimit.
Për vite me radhë, një 40-vjeçare kishte punuar në një nga sallonet e bukurisë në Kabul. Kur autoritetet i ndaluan sallonet, ajo ndjeu sikur jeta e saj ishte ngushtuar dhe mundësitë i ishin zhdukur.
“Të kaplon një ndjenjë dëshpërimi dhe humb plotësisht shpresën”, tha ajo. “Sot, në Afganistan, nuk ka mbetur asgjë që të sjellë gëzim apo ngushëllim. Nuk mund të udhëtosh, nuk mund të shkosh në parqe, nuk ka shkolla, nuk ka absolutisht asgjë”.
“Por tani, as punën nuk na lejojnë ta bëjmë”, shtoi ajo. “Është sikur, për gratë në Afganistan, të punosh është shndërruar në krim”.
Pavarësisht ndalimit, ajo vendosi të hapte sallonin e saj të bukurisë në fshehtësi. Kërkesa për shërbime të tilla ishte e madhe, veçanërisht gjatë dasmave, kur nga gratë pritet të paraqiten me frizura të përpunuara dhe grim të kuruar.
Ajo mori me qira një banesë dhe bleu pajisjet e nevojshme. Brenda një kohe të shkurtër, arriti të siguronte rreth 30 kliente. Meqenëse bashkëshorti i saj ishte ndër miliona burrat afganë që nuk arrijnë të gjejnë punë, të ardhurat nga salloni u bënë një mbështetje jetike për familjen.
Por autoritetet zbuluan sallonin e saj të fshehtë. Gjatë bastisjes, ia konfiskuan të gjitha pajisjet dhe pothuajse të gjitha mobiliet.
“U ndjeva krejtësisht e pashpresë”, tha ajo. “Nëse ma marrin edhe punën, të vetmen gjë që më jepte një ndjenjë qëllimi në jetë, çfarë më mbetet? Si do t’i ushqej fëmijët e mi? Si do t’i mbuloj shpenzimet e shtëpisë? Arrita në një pikë dëshpërimi të plotë dhe mendova: “Thjesht do të largohem”.
Megjithatë, klientet vazhdonin ta telefononin dhe shpenzimet e familjes nuk prisnin. Përfundimisht, ajo vendosi të provonte sërish. Mori me qira një banesë tjetër dhe e hapi përsëri sallonin. Sot, aty punojnë shtatë gra të reja, të cilat, ashtu si ajo, mbajnë familjet e tyre.
Një ditë tetori, salloni ishte plot me gra që po përgatiteshin për dasma. Ato qëndronin të ulura mbi jastëkë në dysheme, ndërsa estetistet u aplikonin pudër në faqe.
Atmosfera dukej e çlirët, por pas saj fshihej një frikë e vazhdueshme.
“Sa herë që dikush troket në derë, shqetësohem se mos në anën tjetër janë talibanët”, tha pronarja e sallonit.
Që në adoleshencë, ëndrrat dhe ambiciet e saj ishin të lidhura ngushtë me futbollin. Për një kohë, gjithçka dukej se po shkonte sipas dëshirës së saj: ajo u përzgjodh në ekipin kombëtar. Por, vetëm dy vjet më vonë, ndalimi i sportit për gratë i shkatërroi ëndrrat e saj.
E zhytur në depresion, ajo kaloi gjashtë muaj duke dalë shumë rrallë nga dhoma e saj.
Familja ishte e shqetësuar për gjendjen e saj, ndërsa ajo e kuptoi se duhej të gjente një mënyrë për të dalë nga ajo situatë. Përfundimisht, filloi të luante sërish, jo në fushat e futbollit, por në hapësirën e ngushtë të shtëpisë së saj.
Ajo nisi edhe të merrej me boks, duke shndërruar një grumbull gomash të vjetra makinash në një thes boksi artizanal. Sipas saj, kjo e ndihmoi t’i përballonte emocionet dhe të çlirohej nga tensioni.
Megjithatë, dashuria e saj e vërtetë mbetet futbolli. Meqë nuk mund të luajë më si më parë, ajo ka vendosur t’ua përcjellë njohuritë dhe aftësitë e saj brezave të rinj. Tani stërvit një grup të vogël djemsh në oborrin e vogël, të rrethuar me mure, të shtëpisë së saj.
“Te ata pashë të njëjtat ëndrra dhe të njëjtin pasion që kisha edhe unë gjatë fëmijërisë”, tha ajo, me lot në sy. “Ndihem vërtet mirë kur i stërvit. Ndonjëherë, e shoh veten tek ata”.
Mes boksit dhe stërvitjes së futbollit, ajo përpiqet t’i përballojë ditët. Megjithatë, e ardhmja i duket e zymtë. Ajo dëshiron të largohet nga Afganistani dhe të gjejë strehim në një shtet tjetër.
“Nuk shoh asnjë shpresë për veten time në Afganistan”, tha ajo.
“Asnjë derë nuk është e hapur për ne”.
Nxënëset mbërrijnë në orare të ndryshme për të shmangur dyshimet. Dera hapet vetëm aq sa për t’i lejuar të hyjnë brenda.
Lëndët që mësohen janë të zakonshme: histori, shkenca, gjeografi, matematikë, gjuhë dhe studime të Kuranit. Por kjo nuk është një shkollë e zakonshme. E ngritur brenda një shtëpie private, ajo mirëpret si djem, ashtu edhe vajza deri në moshën 20-vjeçare. Meqenëse përfshin vajza adoleshente, mësimi duhet të zhvillohet në fshehtësi.
Mësueset, një 20-vjeçare dhe motra e saj adoleshente, nuk kanë përgatitje profesionale për mësimdhënie. Megjithatë, ato bëjnë çmos për t’ua përcjellë nxënësve njohuritë që kishin fituar para se t’u ndalohej shkollimi.
“Situata aktuale në Afganistan është larg së qenit ideale. Po përjetoja gjithnjë e më shumë shenja depresioni, ndaj vendosa të organizoja këto orë mësimore”, tha 20-vjeçarja.
Ajo e nisi këtë nismë më shumë se një vit më parë, me shpresën për t’i ndihmuar vajzat duke “u dhënë një ndjenjë shprese dhe mundësinë për të vazhduar arsimimin”. Sot, në klasat e saj mësojnë rreth 30 nxënëse.
Njëra nga dhomat e shtëpisë është shndërruar në klasë. Nxënësit ulen në dysheme, pranë tavolinave të ulëta plastike, ndërsa muret janë zbukuruar me vizatime shumëngjyrëshe.
Kufizimet në arsim janë ndër ndalesat e talebanëve që kanë shkaktuar më së shumti pakënaqësi. Zyrtarët kanë deklaruar vazhdimisht se po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Sa i përket pjesës së arsimit që ende ka mangësi, ne po përpiqemi ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse”, tha në gusht zëdhënësi i qeverisë, Zabihullah Mujahid. Megjithatë, deri më tani nuk është vërejtur asnjë përparim.
Asistentja adoleshente e mësimdhënies tha se shumë vajza kanë mbetur prapa në arsim. “Ne donim të krijonim një mjedis ku vajzat të mund të mësojnë dhe të përpiqen t’i arrijnë qëllimet e tyre”, tha ajo.
Por çdo orë mësimi që zhvillojnë i ekspozon ato ndaj rrezikut të arrestimit.
“Kemi shumë frikë nga talibanët”, tha ajo. “Kemi frikë se një ditë mund të vijnë të na kërkojnë, të na akuzojnë për shkelje të rregullave të tyre, të na arrestojnë dhe të na marrin me vete. Jemi tmerrësisht të frikësuara nga kjo mundësi”.
Elena Becatoros
Përktheu: Anita Vllahiu
Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu