Tingujt e telefonit që u dëgjuan sot në shesh janë zhurma e dhunës që shteti ka vendosë mos me e ni.
Kështu nis dita e shumë vajzave dhe grave në Kosovë. Me telefonata prej numrave të panjohun. Me mesazhe. Me frikë. Me dyshimin nëse fotografia, emri apo numri i radhës që po qarkullon në grupe me mijëra burra është i tyre.
Në grupe si Discord, Telegram e platforma tjera, po shpërndahen fotografi, video, emra, adresa e të dhëna personale të grave dhe vajzave te cilat po komentohen e konsumohen si zbavitje.
Trupat e grave po trajtohen si objekt, ndërsa dhuna po organizohet kolektivisht, në hapësira digjitale që funksionojnë hapur e pothuajse pa asnjë pasojë.
Kjo është dhunë e organizume me bazë gjinore.
Edhe pse privatësia dhe dinjiteti i grave po shkelen çdo ditë, shteti po zgjedh mos me e njohë dhunën kibernetike si dhunë me bazë gjinore dhe ta kriminalizojë të tillë. Edhe përtej mungesës së ligjeve adekuate, nuk po shohim as ndonjë përpjekje tjetër minimale për ta luftuar këtë formë të dhunës.
Derisa vajzat jetojnë me frikën se fotografia e radhës mund të jetë e tyre, institucionet vazhdojnë të sillen sikur kjo dhunë nuk ekziston.
S’ka mbrojtje ligjore.
S’ka hetime serioze.
S’ka ndëshkim proporcional me shkallën e dhunës.
S’ka mekanizma të sigurta ku gratë e vajzat munden me raportu pa u ekspozu edhe ma shumë.
Indiferenca e institucioneve, edhe kur për grupe kaq masive raportohet çdo ditë në media, është bashkëfajësi që ua mundëson funksionimin e lirë, pa ndëshkime e pa pasoja, dhe i inkurajon të vazhdojnë.
Na refuzojmë një realitet ku siguria e grave trajtohet si çështje dytësore.
Refuzojmë një shtet që e normalizon dhunën përmes mosveprimit.
Refuzojmë me e pranu se frika duhet me u bo pjesë e përditshmërisë së vajzave.
QIKA kërkon nga institucionet e drejtësisë që:
– Në përputhje me Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit), si dhe Direktivën e BE-së 2024/1385 për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të njihet dhe trajtohet qartë dhuna kibernetike me bazë gjinore si formë e dhunës ndaj grave;
– në Kapitullin XXI të Kodit Penal të Republikës së Kosovës të shtohet një nen i ri që e njeh dhe e trajton specifikisht këtë formë të dhunës;
– që ligjet dhe strategjitë e Kosovës për sigurinë kibernetike ta njohin qartë aspektin gjinor të kësaj dhune dhe pasojat joproporcionale që ajo ka mbi gratë dhe vajzat;
– po ashtu, kërkojmë hetime serioze, ndjekje penale të administratorëve dhe anëtarëve të këtyre grupeve, si dhe mbylljen e menjëhershme të tyre, dhe largimi i përmbajtjes abuzive;
– të krijohen mekanizma të shpejtë dhe të sigurt për raportim, largim te permbajtjes, mbrojtje dhe mbështetje të viktimave, pa i ekspozuar ato ndaj riviktimizimit;
– si dhe, kërkojmë gjithashtu trajnimin e zyrtarëve policorë, prokurorëve, dhe gjyqtarëve për trajtimin e dhunës kibernetike me bazë gjinore, provave digjitale dhe qasjeve të ndjeshme gjinore në hetim dhe procedim të rasteve.