Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Taksa menstruale mirëmban stigmën!

QIKA 28.5.2025

Sa herë ju ka ndodhur që, pas blerjes së pecetave menstruale, punonjësit në market t’jua mbështjellin ato me gazeta, letra apo qese të trasha, vetëm që të mos vërehen çfarë janë?

Sepse menstruacionet në shoqërinë tonë vazhdojnë të shihen si diçka e ndytë dhe e turpshme.

Shumë gra në Kosovë përballen me vështirësi për të siguruar produkte menstruale.

Kjo, sepse ende nuk kuptohet se si gratë, në ndërvarshmërinë e tyre financiare nga burrat dhe në nivelin e ulët të punësimit të tyre, munden me qenë aq të varfëra sa të mos mund të mbështesin veten as me produkte esenciale higjienike, si peceta e tamponë. Në pamundësi të përdorimit të mjeteve të duhura, gratë shpesh detyrohen të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin e tyre gjatë ciklit menstrual.

Ndërsa shteti? Ai zgjedh të heshtë.

Shteti e shikon varfërinë e grave si çështje të dorës së dytë. Në vend që të sigurojë qasje pa barriera në peceta dhe tamponë, i detyron gratë të paguajnë 18% tatim për to, një normë që aplikohet për produkte jo-esenciale.

Qeveria nuk po vepron as në përputhje me vullnetin qytetar. 7500 qytetarë të Kosovës e nënshkruan peticionin e udhëhequr nga QIKA në vitin 2023 “Peceta nuk është luks”, ndërkaq 71 organizata dje iu bashkuan QIKA-s në letrën e drejtuar Ministrit në detyrë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për heqjen e taksës për produkte menstruale.

Andaj sot, në Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, në shkallët e Qeverisë së Kosovës hodhëm pecetat menstruale të mbështjella me gazeta për t’iu bërë me dije se stigma nuk vjen vetëm nga shoqëria. Stigma menstruale po mirëmbahet edhe përmes politikave shtetërore.

Kjo taksë është pengesë për gëzimin e të drejtës në shëndet për gratë dhe personat që menstruojnë, është shkelje e të drejtave të njeriut e rrjedhimisht edhe kundërkushtetuese.

E përsërisim: produktet menstruale nuk janë luks. Janë nevojë e përmuajshme e personave që kanë menstruacione. Mjaft i trajtuat ato si produkte luksi! Hiqeni taksën!