Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Feminizmi Socialist: Çfarë është dhe si mund ta zëvendësojë feminizmin “Girl Boss” të korporatave

QIKA 18.6.2021

“Bread and Roses” është një koleksion artikujsh i cili eksploron interesin në rritje rreth socializmit te të rinjtë, të cilët po kërkojnë alternativa për rimëkëmbje në këtë moment të rëndësishëm historik.

Në shekullin XXI, vajzave dhe grave u është kërkuar shërimi i kapitalizmit, pastrimi i tij dhe shpëtimi i tij nga vetvetja. Rreth vitit 2010 sistemi ekonomik ishte akoma në krizë. Ne ishim duke u rimëkëmbur nga një recesion dhe rimëkëmbja ishte e dobët – ekonomia afatshkurtër (gig economy) kishte ardhur dhe shumë njerëz ishin në borxhe. Si rezultat, besimi në Amerikën e korporatave, e cila kishte shkaktuar krizën, kishte humbur. Wall Street ishte veçanërisht i urryer, mirëpo edhe imazhi i Sillicon Valley përballej me një problem. Përderisa Wall Street kishte sakrifikuar udhëheqëset e tij gra, Sillicon Valley rrallë ndonjëherë kishte udhëheqëse gra. Në dekadën e radhës, shumë marka filluan të kërkojnë më shumë shefe gra që t’i ngjiteshin majës së korporatave, t’i ndërtonin bizneset e tyre dhe të tregonin se kësaj radhe kapitalizmi do të mund të funksiononte për të gjithë ne. Kapitalizmi do t’i fuqizonte gratë dhe ato do të vërtetonin se kapitalizmi akoma mund të funksiononte.

Këto kompani “feministe” ishin absurde. Thinx, ishte dhe është, një markë e të brendshmeve rezistente ndaj menstruacioneve. Kjo kompani udhëhiqet nga një grua që mendonte që të kërkoj nga një punëtore ta heqë bluzën e saj në zyre për të treguar shpimet në thithkat e saj ishte fuqizim i grave. #GirlBoss ishte një libër, një seri televizive dhe një markë e themeluar nga kompania për veshje Nasty Gal. Më vonë, Nasty Gal ishte akuzuar nëpërmjet një procesi gjyqësor se ishte një “vend i tmerrshëm për të punuar” për punonjëset shtatzëna. Kjo akuzë u klasifikua nga kompania si “shpifje”. Procesi gjyqësor ishte zgjidhur me arbitrazh. Lean In, një libër i përshtatshëm për punëtorët e klasës së lartë, inkurajonte lexueset e tij ta mposhtnin seksizmin duke punuar pak më tepër para se të merrnin pushim, të ishin kategorike mirëpo jo kërcënuese, të ishin ambicioze mirëpo jo të rrëmbyeshme dhe gjëra të tjera të cilat janë vështirë të bëhen në të njëjtën kohë. Shumë njerëz nxorën në pah se ky libër ishte i dizajnuar për gratë të cilat ishin në gjendje të paguanin gra tjera të kujdeseshin për fëmijët e tyre. Një kompani e quajtur Wing, kishte premtuar se një vend pune ku të gjithë punëtoret ishin gra do të avanconte feminizmin. Kjo kompani poashtu shiste bluza me sloganet “Kujdes, gra në punë” dhe “Liga e grave të pazakonta”. (Stafi mbështetës i “Wing”, i intervistuar nga New York Times, kishte pohuar se ata ishin bërë cinik ndaj këtij versioni feminist, i cili sipas tyre nuk i përfshinte ato; Kompania i kishte thënë Times se ata po iu “përmbaheshin praktikave të duhura të punëdhënies”). Të gjitha këto pikëpamje ishin të aplikueshme te një numër shumë i vogël i grave dhe vareshin nga punësimi i grave të tjera, për të cilat mbështetja në këtë sistem nënkuptonte edhe më shumë punë të rëndomta e të rënda, e jo ngritje në pozitë. Në fund të fundit, nuk do të kishte kapitalizëm pa pronarët dhe punonjësit. Feminizmi dukej se ishte shndërruar në një kuti me ëmbëlsira me ngjyra pastel, në trend, zbukuruese, në shitje dhe me prirjen që të linin një ndjenjë të barkut të përzier.

Të gjitha këto kompani ishin përpjekur t’i përçonin të njëjtat mesazhe: Kapitalizmi mund të jetë më i barabartë; Është krejtësisht e mundshme t’i arrish pasurinë dhe suksesin; Gjërat janë duke funksionuar gjithherë e më mirë – vetëm shiko të gjitha ato gra të cilat janë duke u përfshirë në kapitalizëm. Kur pabarazia kishte arritur majat në Amerikë dhe nëpër botë, këto mesazhe dukeshin gjithmonë e më tepër jashtë hapit, të dizajnuara që t’i bindin gratë rreth premtimit kapitalist. Dukej si një përpjekje e fundit për ta bërë kapitalizmin amerikan të dukej se ia vlente të shpëtohej.

Për gjeneratën e “Millenials” dhe gjeneratën “Z”, këto versione të feminizmit janë akoma të pranishme. Feminizmi i korporatave nuk ka shumë rëndësi nëse gjenerata jote ka më shumë gjasa të ketë punë të pavarur, sesa të punojë në një zyre. Shumë punonjës të ri, në fakt janë të lëvizshëm sa i përket punëve të shkallës më të ulët. Shumë prej tyre janë akoma në borxh. Dhe të qenurit “girl boss” i vetvetes nuk është më zgjidhje – shumë biznese të reja dështojnë. Shumë vajza të reja përballen me borxhe shkollore, kujdes shëndetësor të dobët dhe një treg më të keqësuar të punës.

Si rezultat, feminizmi socialist është në rritje, duke pasqyruar edhe popullaritetin e socializmit në përgjithësi. Një socialist kishte fituar mbështetje të madhe nga gra të reja në dy preliminaret e fundit presidenciale. Socialistët Demokratë të Amerikës papritmas kanë shumë grupe punëtorësh feministë në të gjithë vendin. Heronjtë feministë gjithmonë e më shumë po përfshijnë udhëheqës si Sara Nelson, presidente e unionit të stjuardesëve. Një ndër politikanet më të shquara të epokës sonë, Alexandria Ocasio-Cortez është social-demokrate krenare feministe. Kjo gjeneratë e feministeve është më pak e interesuar ta paraqes kapitalizmin me fasadën e barazisë dhe më e interesuar ta çrrënjosë këtë sistem një herë e përgjithmonë.

Në këtë mënyrë, nuk është për t’u habitur që feminizmi socialist është në rritje. Rëndësia moderne e ideve socialiste i atribuohet feministeve të cilat i kanë rishikuar dhe ringjallur ato gjatë këtyre dy shekujve të fundit. Pa feminizmin socialist nuk do të kishim koncepte si politika e identitetit (një term i shpikur nga feministet socialiste), mjete për të kuptuar punën emocionale apo për të shpjeguar përse punëtorët esencial të krizës pandemike COVID-19 udhëhiqen nga gratë. Pavarësisht akuzave të ndryshme të cilat përdoren kundër socialistëve, fakti që socializmi i përket feministeve qëndron.

Mund të jetë e dobishme të fillojmë me një definicion të mirë të feminizmit socialist. bell hooks e cila shkruan rreth racës, socializmit dhe feminizmit argumenton në librin e saj të shkëlqyer Teoria Feministe: Prej Margjinës në Qendër (Feminist Theory: From Margin to Center) se “feminizmi është lufta kundër shtypjes seksiste. Qëllimi i tij nuk është t’i shërbej vetëm ndonjë grupi specifik të grave, ndonjë race apo klasë të grave.” Me fjalë të tjera, nuk është një stil i jetës, një identitet, apo grup specifik, por një luftë e vazhdueshme për t’i dhënë fund shtypjes ndaj të gjitha grave (unë poashtu do të shtoja personat jo-binarë dhe queer). Ky definicion përjashton një sistem, si kapitalizmi, i cili gjithmonë do të shtypë shumicën për t’i sjellë dobi një pakice. Feministet socialiste refuzojnë shtypjen e çdokujt, kërkojnë përfaqësim të barabartë brenda institucioneve (kjo e fundit është e përbashkët me të gjitha feministet liberale), dhe janë në gjendje të perceptojnë mënyrat specifike në të cilat njerëzit shfrytëzohen, si puna e papaguar, nëpërmjet trupit të tyre dhe nëpërmjet përbuzjes shoqërore ndaj vlerave të stereotipizuara si femërore, si kujdesi dhe ndjeshmëria. Feministet socialiste refuzojnë idenë e motërzimit duke favorizuar idenë e solidaritetit, me besimin se lidhjet e forta ndërmjet feministeve socialiste nuk janë në ndonjë mënyrë natyrale, por janë të ndërtuara me qëllimin e krijimit të një shoqërie më të mirë.

Ndonëse këtu është e pamundur të jepet një histori e plotë e feminizmit socialist, unë doja të ofroja disa koncepte të rëndësishme rreth historisë së kohëve të fundit të feminizmit socialist të cilat mund të na shërbejnë sot. Nëse dëshironi të mësoni më tutje, disa persona nga Socialistët Demokrat të Amerikës kanë shkruar disa sillabuse dhe kanë përpiluar një listë të leximeve. Poashtu, unë kam përfituar tej mase nga leximi i Kapitalit nga Karl Marx, në një grup leximi ku nuk kishte burra, kështu duke evituar “mansplaining”. Një ndër arsyet përse libri është i shkëlqyeshëm dhe dinamik është sepse u shkrua në një kohë ku kishte organizim dhe konflikt të madh nga shtresa punëtore- ishte një analizë e dizajnuar që të shërbejë si një mjet i fuqishëm për lëvizjen socialiste të viteve të 1860-ta. Ky mjet ka nevojë të përhershme për ripërtëritje në mënyrë që t’i përshtatet situatave të reja. Socializmi nuk do të ishte forca relevante dhe jetike e cila është sot, pa evolucionin e tij feminist.

Shtyrja për paga për punët e shtëpisë  

“Ata thonë se është dashuri. Ne themi se është punë e papaguar. Ata e quajnë ftohtësi seksuale. Ne e quajmë shmangie. Çdo abort spontan është aksident në punë.” – Silvia Federici, “Wages Against Housework,” 1975

Nëse ke dëgjuar ndonjëherë termet punë kujdesi  apo punë emocionale, atëherë ke dëgjuar jehonat e lëvizjes për “Pagë Për Punët e Shtëpisë”, e cila filloi në Italimë 1972. Gratë e përfshira në Lëvizjen e Punës filluan ta kundërshtojnë vet shtypjen e tyre, duke theksuar se shoqëria do të dështonte pa punët shtëpiake të kryera nga gratë, punë që në atë kohë nuk perceptoheshin si punë të vërteta, por thjesht si të natyrshme dhe “nga dashuria.” Ato kërkuan paga, në mënyrë që punët e shtëpisë të pranoheshin si punë, dhe rrjedhimisht që t’i refuzonin ato. Analiza e prodhuar nga këto gra mbetet relevante dhe e dobishme edhe sot, dhe mendimtarët si Arlie Hochschild kanë zhvilluar mënyra precize të të menduarit se çka do të thotë të paguhesh për të buzëqeshur. Në thelb, organizueset e “Pagë Për Punë të Shtëpisë” ndihmuan ta shtyjnë socializmin drejt një analize e cila nuk ndaloi tek portat e fabrikave dhe e cila ka dëshmuar të jetë edhe më e dobishme në një epoke ku dominon ekonomia e shërbimeve e cila nuk kërkon vetëm punë, por sharm, fleksibilitet, dhe hare.

Rrënjët e politikës së identitetit

“Nëse gratë e zeza do të ishin të lira, kjo do të thoshte se të gjithë të tjerët do të ishin të lirë sepse liria jonë kërkon shkatërrimin e të gjitha sistemeve shtypëse.” – Combahee River Collective Statement, 1977

Shumica e njerëzve nuk janë të informuar se termi politika e identitetit është zhvilluar nga një grup socialist, Combahee River Collective (CRC), i përbërë nga organizuese dhe mendimtare të zeza lezbike. Deklarata e themelimit të këtij kolektivi mbetet një ndër pjesët më të rëndësishme të analizës feministe socialiste që kemi deri më sot. Historiania dhe organizuesja Keeanga – Yamahtta Taylor, në librin e saj fantastik mbi deklaratën, e shpjegon më së miri: “ Gratë e CRC nuk definuan ‘politikën e identitetit’ si përjashtuese ku vetëm ata të cilët përjetojnë një lloj të shtypjes mund ta luftojnë atë. Poashtu, ato nuk e parafytyruan politikën e identitetit si një mjet për të rrëmbyer pelerinën e ‘më të shtypurve’. Ato e panë si një analizë e cila validonte eksperiencat e grave të zeza, ku në të njëjtën kohë krijohej mundësia e përfshirjes aktive të tyre në  politikë, për të luftuar për çështjet më të rëndësishme për to. Në këtë mënyrë, Deklarata e CRC ishte e qartë në thirrjet e saj për solidaritet si mënyra e vetme për gratë e zeza të fitonin në përpjekjet e tyre. Solidariteti nuk nënkuptonte nënshtrimin e vështirësive tua për të ndihmuar dikë tjetër; ishte përcaktuar në forcimin e angazhimeve politike nga grupet tjera duke i shtyrë ata të njohin se si vështirësitë e natyrave të ndryshme ishin të ndërlidhura me njëra-tjetrën nën kapitalizëm”. Ky vizion i socializmit ku pikat tona specifike të shtypjes, bëhen pika të forcës nëpërmjet aleancave tona, transformon mënyrën e kuptimit se si solidariteti mund të jetë dhe duhet të jetë. Në një moment kur e djathta nuk ka qenë asnjëherë më e drejtpërdrejtë në përpjekjet e saj që të na ndajë nëpërmjet racizmit, seksizmit, homofobisë, ksenofobisë, vizioni i CRC-së sa i përket politikës së identitetit, jep vizionin e një unifikimi kreativ për të cilin kemi nevojë.

Zhvlerësimi i punës së grave

“Ishte njëherë një kohë kur mësuesit në komunitet nderoheshin dhe tani shpeshherë demonizohen… Akoma ekziston një qëndrim paternalist ndërmjet ‘Dua t’i shpëtoj gratë’ e kombinuar në anën tjetër me ‘Le t’i presim në gjunjë.’” –  Karen Lewis, ish-kryetare e Unionit të Mësuesve në Çikago, Dissent magazine     

Ashtu siç kanë theksuar korrespondentet e punës feministe si Sarah Jaffe, profesionet si mësimdhënia dhe infermieria janë vazhdimisht të nën-paguara dhe nën sulm nga politikanët të cilët dëshirojnë të pakojnë buxhetet. Këto profesione fillimisht u cilësuan si femërore, me qëllim që të paguheshin më pak – mësueset mund të paguheshin më pak se sa mësuesit. Kjo strategji u reflektua edhe nëpër fabrika në vitet e 1900-ta, ku gratë e reja u sollën për punë më të lirë. Sot, gratë të cilat punojnë në sektorin publik, akuzohen nga Demokratët dhe Republikanët për neglizhimin e fëmijëve të tyre. Sot, ne po shohim pasojat e zhvlerësimit shumë dekadësh të infermiereve. Ata kanë pohuar shumë herë se sistemi i shëndetësisë nënfinancohet, infermierët mbingarkohen dhe respekti i ulët ndaj punës së tyre rrezikon pacientët. Gratë janë punonjëset me më pak burime si punëtore esenciale gjatë luftës kundër pandemisë COVID-19.

Sot, feminizmi socialist mund të na ndihmojë të ndërtojmë një vizion shumë më të mirë të jetës përtej kapitalizmit. Kriza COVID-19 ka ekspozuar sa pak kapitalizmit i intereson jeta, sa lehtë administratorët e tij flakin tutje jetën e të pambrojturve. Kundër kësaj, ne mundemi të rivlerësojmë vet jetën, duke paraqitur kujdesin për njëri-tjetrin para përfitimit. Përderisa shteti ka pakësuar shërbimet sociale – si kujdesin shëndetësor, kujdesin për fëmijë, mirëqenien – gratë në mënyre jo proporcionale ballafaqohen me pasojat, duke punuar nëpër pozita të cilat zakonisht paguhen më pak se sa pozitat të cilat mbahen nga burrat. Ky realitet është i paqëndrueshëm. Gratë mund të absorbojnë dëmet e kapitalizmit vetëm për një kohë të limituar. Për këtë arsye po shohim greva feministe nga Argjentina e deri në Polandë e Shtetet e Bashkuara. Ne kemi parë infermiere duke protestuar dhe në të njëjtën kohë duke u kujdesur për të sëmurët. Kemi parë mësues duke protestuar jo vetëm për vetën e tyre, por edhe për nxënësit dhe komunitetet e tyre. Prej kohësh kemi qenë të detyruar të luftojmë në dy fronte. Tani po zgjedhim vet betejat tona.    

E përktheu: Latra Demaçi

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.teenvogue.com/story/what-is-socialist-feminism