Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Manifest mbi rishikimin e amësisë

QIKA 15.7.2021

Në këtë artikull të Viv Groskop, trajtohen qasjet e ndryshme mbi amësinë të autoreve Eliane Glaser, Pragya Agarwal dhe Melissa Hogenboom.

Përulja post-feministe është temë e përsëritur kur vjen puna tek amësia. Viti i fundit e ka hapur këtë plagë më thellë se çdo herë. Vepra e Eliane Glaser, Motherhood: A Manifesto ka krijuar mjaft interes në rrjetet sociale, posaçërisht për pohimet se “amësia është temë e papërfunduar e feminizmit” dhe “kulti i amësisë se përsosur duhet të përfundoj”. Kush do të kundërshtonte këto teza? Por ato duhet të thuhen dhe të thuhen me zë të lartë, veçanërisht kur titujt “Pandemia po u krijon sfida më të mëdha nënave që punojnë” janë gjithandej nëpër gazeta.

Por a ka zgjidhje të reja që tanimë nuk janë sugjeruar e elaboruar dekada më parë, si për shembull nga Betty Friedan ose Simone de Beauvoir? Glaser e flet të vërtetën e pakëndshme: “Amësia moderne bën të mundshme uljen e gruas dhe paralelisht ngritjen e numrit të gjërave që ajo pritet të kryej. Për një kohë shumë të gjatë, padrejtësitë e amësisë moderne janë fshehur nga ndjenjat e fajit dhe ankthit…pjesëmarrja e baballarëve ka qëndruar në nivelin që ka qenë gjithmonë…” Por a ka me të vërtetë “manifest” në librin Motherhood: A Manifesto (libër që ofron udhëzime në vend të analizave të thella)? Në anën argumentative, nuk ka një manifest, është më shumë eksplorim dhe tregim i së vërtetës. Në të njëjtën kohë, nëse ky elaborim është i shtjelluar dhe shkruar mirë, kujt i intereson?

Ky libër fillon në park ku autorja Glaser luan me fëmijët e saj. Një kalimtare e rastit komenton lojën dhe njëkohësisht amësinë si “punën më të rëndësishme në botë”. Kjo tingëllon tejet e zbrazët. “Fjalët e saj tingëllonin si kompensim për statusin tim aktual, ose si paralajmërim që unë as nuk duhet ndjekë një status të tillë.” Ku është njohja publike ose edhe shpërblimi për veprën e amësisë, pyet autorja? Përgjatë analizës së publikimeve të Mumsnet, eksperiencës së saj personale, shkrimeve prindërore të së kaluarës, ajo bie në përfundim se të jesh nënë “nuk është mënyrë e pranueshme e të jetuarit në shoqëri”. Kjo shprehet fuqishëm përmes një leximi të lehtë (të mbështetur në hulumtimet e saj, që shprehim kompleksitet dhe thellësi të inteligjencës), dhe është një frymë që përzien vrojtimet personale me analizë politike dhe gazetari hulumtuese. Ky është një libër që duhet lexuar sa i përket rritjes së fëmijëve dhe është më argëtues se librat që zakonisht flasin rreth kësaj teme.

(M)otherhood, shkencëtarja Pragya Agarwal pyet nëse një libër që dyshon vetëdijen prindërore dhe qëndrimin e shoqërisë ndaj kësaj vetëdijeje duhet të definohet si kujtim personal apo shkrim politik: “A duhet të jetë kaq i mbyllur në koncepte?” Por kjo nuk vjen si surprizë nga Dr. Agarwal kur shumica e shkrimeve të saj përqendrohen në problemet lidhur me identitetin. Leximi i artikujve të saj është udhëtim interesant antropologjik. Çka do të thotë të jesh nënë? Çka do të thotë shoqëria nëse ti e zgjedhë këtë kahje? Çka do të thonë nëse jo? Çka përshkruajnë të gjitha këto përfundime për shoqërinë në përgjithësi?

Ajo shtjellon faktin se sa shumë fjalë gjykuese përdorim për trupin e gruas, kur qaset aspekti i mitrës si “jo kompetente”. Ajo poashtu shkruan për paqartësitë e mëdha si nënë, infertilitetin sekondar pas lindjes së parë, surrogacionin dhe abortin si prind i vetëm. “Një kontradiktë: Unë isha nënë, por nuk mund të isha nënë. Jo në atë kohë.”

Të gjitha këto momente janë të shtjelluara me statistika, citime dhe prova shkencore që qartësojnë efektin narrativ: aspektet personale dhe universale të amësisë janë të përshkruara si të pandërrueshme – një përshkrim që na sjellë ndërmend shkrimet e Olivia Lang mbi vetminë ose trupin. Shkencëtarja Angela Saini përmbledhë librin (M)otherhood në një citat: “një hap përpara literaturës që vërteton variabilitetin e eksperiencës prindërore dhe qasjes së ndryshme kulturore mbi të”. E gjitha kjo vetëm shton në shkencën e kuptimit të vetëdijes personale nga një kënd më të ndjeshëm dhe inspirues.

The Motherhood Complex, Melissa Hogenboom shtjellon një bisedë të gjatë autoritative mbi kontradiktën se a është amësia ashtu siç e mendojmë apo edhe vet autorja si të tjerët është e ndikuar nga rritja e saj liberale holandeze, që përfundimisht e bie deri tek injoranca për biologjinë e trupit të saj. Në anën pozitive, ajo eksploron shembuj të ndryshëm prindëror – si për shembull, në kulturën holandeze amësia është më e relaksuar dhe nuk shihet si trend luftarak dhe konkurrues.

Eliane Glaser fokusohet në ndërrimet shoqërore kurse Pragya Agarwal është e interesuar në vetëdijen sociale, Hogenboom shpalos një anatomi të duhur mbi amësinë. Ajo zhytet në ndryshimet fizike dhe emocionale. Duke qenë se është një krijuese filmash me çmime të panumërta dhe njëkohësisht nënë e dy fëmijëve, vrojtimet e saj mbi amësinë shërbejnë si ndihmesë dhe linja moderne veprimi. Ajo shtjellon çështjen në mënyrë përshkruese duke ju referuar metodave që sugjerohen si shumë kontradiktore. Ajo thotë: “Nëse ndjekim këshillat për amësi në valë konsistente, një përfundim i dëmshëm natyrisht na pret.” Ky libër është qetësues dhe mjaft sfidues.

Në përgjithësi, kjo trio shprehë një provokim që pyet se : ‘A nuk jemi lodhur duke u munduar kaq shumë?”

Eliane Glaser cekë se stereotipet drejtuar nënave simbolizojnë dështimin e eksperiencës së amësisë. Nëse nisemi nga shfaqjet televizive si Motherland, librat si Why Mummy Drinks dhe shakatë e alkoolit që thonë se: “Përgjatë udhëtimit si prind i vetmi sugjerim është të pimë”, biem në një përfundim që si shoqëri jemi të fiksuar pas amësisë së përsosur – dhe në këtë mënyrë dështimi është i paevitueshëm. Më mirë të jesh egoist (në fakt, me urtësi serioze) dhe të lejosh fëmijët që ndonjëherë të dirigjojnë jetën si ata duan.

Viv Groskop

E përktheu: Rejsa Kuçi

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/books/2021/may/30/motherhood-a-manifesto-motherhood-the-motherhood-complex-review-calling-time-on-the-cult-of-the-perfect-parent