Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Puna emocionale që nuk paguhet por pritet nga gratë

QIKA 30.9.2024

Gratë kryesisht mbajnë barrën e përgjegjësive të padukshme në vendin e punës. Puna është rraskapitëse dhe e pakompensuar.

Në vendet e punës anembanë botës, bëhen punë të cilat nuk janë pjesë e asnjë përshkrimi pune – dhe janë gratë ato të cilat e bëjnë pjesën më të madhe të tyre.

Puna emocionale është puna e pavlerësuar, shpesh e padukshme, e menaxhimit të ndjenjave të njerëzve të tjerë. “Nuk është vetëm puna ajo që udhëheq ekonomitë,” shpjegon Rose Hackman , autorja e një libri të vitit 2023 mbi këtë temë. “Është puna që udhëheq familjet dhe komunitetet. Puna emocionale është manipulimi i zemrës për të pasur efekt te klientët, konsumatorët, pasagjerët, pacientët. Është ajo që krijon një ndjenjë sigurie dhe lidhjeje, kuptim dhe përkatësi brenda një kompanie.”

Është thelbësore por edhe rraskapitëse, dhe shpeshherë e detyrueshme. Gratë mbajnë peshën më të madhe të kësaj. Fillimisht, ato dominojnë karriera që kërkojnë sasi të madhe pune emocionale. Por të gjitha vendet e punës kërkojnë një masë të kësaj, dhe veçanërisht në zyrat e dominuara nga burrat, gratë janë ato që kanë barrën kryesore, kryesisht pa mirënjohje apo shpërblim.

Që në moshë të re

Karrierat me punë intensive emocionale priren të jenë të dominuara nga gratë – për shembull fushat si infermieria, mësimdhënia, kujdesi për fëmijët, puna sociale dhe industria e shërbimeve të mikëpritjes. Edhe pse ekziston supozimi se gratë janë “të përshtatshme” për këto punë, Hackman thotë se në fakt ky është vetëm efekti i socializimit.

“Të gjitha tiparet, aftësitë dhe rolet që lidhen me punën emocionale u janë vënë gjithmonë vajzave dhe grave, duke filluar nga një moshë shumë e re,” thotë ajo. “Vajzat nuk mësohen thjeshtë vetëm të jenë të ndjeshme ndaj të tjerëve, ato ndëshkohen nëse nuk janë.”

Është një lloj trajnimi i përhapur, pajtohet E Michele Ramsey, një profesore e asociuar e studimeve të grave, gjinisë dhe seksualitetit në Penn State Berks, SHBA. “Ajo është pjesë e llojeve të lojërave ku priremi të socializohemi në lojë: vajzat e vogla luajnë me kukulla, mësuesen, infermieren. Djemtë luajnë lojëra shumë më aktive dhe më pak edukative.”

Ndikimi shtohet nga influenca të tjera gjatë fëmijërisë së hershme, shton ajo. “Kjo është përmirësuar disi, por në televizion ose në një libër që ju lexohet si fëmijë, kush është infermierja? Kush është mësuesi? Kush është shkencëtari dhe zjarrfikësi? Ato role shpesh janë shumë gjinore, dhe qysh nga fillimi, kjo kufizon atë që fëmijët mendojnë se janë opsionet e tyre.”

Por tipare si empatia dhe dhembshuria sigurisht që nuk janë tipare të lindura gjinore, dhe hulumtimet kanë treguar se nuk ka dallim kategorik midis trurit të burrave dhe grave. “Ka studime në të gjithë disiplinat akademike që tregojnë se empatia është një aftësi që të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjinia, janë në gjendje ta ushtrojnë,” thotë Hackman. “Por është barazuar aq shumë me të qenit vajzë apo grua, saqë ne nuk e shohim trajnimin; ne e shohim atë se si janë vajzat dhe gratë në thelb.

“Shpesh është trajnimi bazë i përbrendësuar , thotë Ramsey, ai që i shtyn gratë të zgjedhin karriera që kërkojnë punë dhe barrë të madhe emocionale.

“Nuk është për t’u habitur që më shumë gra marrin këto role edukative,” thotë ajo. “Njerëzit që janë të margjinalizuar duhet të jenë më të mirë në komunikimin joverbal, ata duhet të jenë në gjendje të lexojnë më mirë sinjalet, sepse duke qenë të shtypur, ata vazhdimisht duhet të kenë kujdes të mos shkelin në këmbët e askujt e të sigurohen që të mos thonë asgjë gabim. E gjithë kjo përbrendësohet në praktikimin e edukimit në të gjitha lojërat dhe të gjitha ndërveprimet tona. Pra nuk duhet të çuditemi kur njerëzit që identifikohen si gra zgjedhin punë të tilla.

Përtej ‘karrierës për gratë’

Nuk janë vetëm punët si përkujdesja dhe pozicionet e shërbimit që kërkojnë punë emocionale – çdo vend pune e kërkon atë në njëfarë mase. Në përgjithësi, detyrat si planifikimi i festave, ditët e shërbimit dhe ushtrimet ekipore, mirëmbajtja e marrëdhënieve dhe ndërtimi i komunitetit, të gjitha u takojnë grave brenda vendeve të punës me gjini të përzier. Studimet tregojnë se gratë kryejnë shumë më shumë punë të kujdesit në zyrë – detyra që kryesisht asociohen me “promovueshmëri të ulët”.

Shumë gra që hyjnë në vende të punës të cilat më herët ishin të dominuara nga burrat, zbulojnë se prej tyre pritet, për shkak të të qenit gra, të ofrojnë një ndërrim shtesë të punës emocionale thotë Rose Hackman.

Njëkohësisht, kjo ngarkesë e punës zakonisht nuk njihet dhe as shihet si punë shtesë dhe nuk i ndihmon gratë të ecin përpara. Megjithatë, nëse nuke bëjnë, ato mund të lihen pas.

“Shumë gra që hyjnë në vende të punës të cilat më herët ishin të dominuara nga burrat, zbulojnë se prej tyre pritet, për shkak të të qenit gra, të ofrojnë një ndërrim shtesë të punës emocionale,” thotë Hackman. Hulumtimet kanë treguar se, veçanërisht në vendet e punës administrative apo të zyrës, ky ndërrim shtesë është një domosdoshmëri për gratë në mënyrë që të ecin përpara. Një publikim në revistën Menaxhimi i Burimeve Njerëzore tregoi se burrat mund të përparonin duke qenë – dhe duke u dukur se janë – të mirë në punët e tyre, por që edhe gratë gjithashtu kishin nevojë për “orientim prosocial” .

“Në një firmë inxhinierike, për shembull, për të ecur përpara, një inxhinier burrë duhet të jetë dy gjëra: i sigurt dhe kompetent,” thotë Hackman. “Që një inxhiniere grua të ecë përpara, ajo duhet të shfaqë të njëjtat atribute, dhe më pas duhet të jetë gjithashtu e sjellshme dhe ngushëlluese si dhe bashkëpunëtore në punën ekipore”.

Me fjalë të tjera, gratë gjithashtu duhet të jenë të sigurta dhe kompetente, plus të vëmendshme e të dhembshura. Por për ironi, ndërsa gratë mbeten pas nëse nuk bëjnë punë shtesë, kjo as nuk i ndihmon shumë ato të ngjisin majat. “Të gjitha shërbimet shtesë që gratë kryejnë në punë – mbledhja e parave për arsye të ndryshme, planifikimi i ngjarjeve, kujtimi i datave të rëndësishme – nuk llogariten”, thotë Ramsey. “Kërkohet shumë organizim dhe shumë detyra; janë shumë aftësi solide në atë lloj pune. Por kur vjen koha për t’u promovuar, asnjë nga ato punë nuk bëhet pjesë e ekuacionit.”

Në fakt, një studim i vitit 2022 nga departamenti i psikologjisë në Universitetin e Nju Jorkut në Abu Dhabi dëshmoi se, ndërkohë që sjellja prosociale mund të rrisë mirëqenien e punonjësve, ajo gjithashtu mund t’i mbajë gratë jashtë roleve udhëheqëse duke shteruar kohën dhe burimet e grave të fuqishme pa shpërblime të barabarta dhe duke bërë të vështirë për gratë të legjitimojnë pushtetin e tyre.

Përveç që e bënë potencialisht më të vështirë avancimin, ka një kosto personale në kryerjen e gjithë kësaj pune shtesë. “Kostoja është shumë e madhe,” thotë Hackman. “Së pari, kjo thjeshtë konnsumon kohën: konsultimet me kolegët, të qenit bashkëpunëtore në ekip, të qenit e pëlqyeshme, dërgimi i e-mailave. Gjithçka të merr kohë.”

Çështja e pagave

Gratë jo vetëm që nuk kompensohen për punën emocionale shtesë – dhe penalizohen nëse e shmangin atë – por analizat e hendekut gjinor të pagave gjithashtu tregojnë shpesh faktin se profesionet e dominuara nga gratë paguhen më pak në përgjithësi.

“Kjo është veçanërisht e vërtetë për punët e kujdesit, të tilla si punëtoret e kujdesit për fëmijët, punëtoret në shtëpi dhe ndihmëset shëndetësore në shtëpi, të gjitha paguhen me paga nën mesataren,” shkruajnë studiuesit në një raport të Departamentit të Punës të SHBA të vitit 2022 . “Dhe ndërsa kjo nuk kontribuon drejtpërdrejt në hendekun e pagave, punët e dominuara nga gratë gjithashtu kanë më pak gjasa të përfshijnë përfitime si sigurimet shëndetësore të ofruara nga punëdhënësi dhe planet pensionale, në krahasim me profesionet e dominuara nga burrat.”

Kjo vazhdon, pavarësisht nga realiteti që këto punë të rënda emocionale ku gratë dominojnë janë gjithashtu disa nga më të rëndësishmet.

“Pse ne i nënvlerësojmë këto lloj punësh, që janë ndoshta më thelbësoret në shoqërinë tonë dhe që nuk mund të zëvendësohen? Ju nuk mund të automatizoni sjelljen e mirë për pacientët apo prekjen njerëzore. Një pjesë e problemit është që ne nuk e shohim punën emocionale si punë,” thotë Hackman. Por në shumë role, veçanërisht në pozicionet e shërbimit ndaj klientit dhe në punën e kujdesit, puna emocionale është thelbësore për punën që kryhet.

Kërkohet shumë organizim dhe shumë detyra; janë shumë aftësi solide në atë lloj pune. Por kur vjen koha për t’u promovuar, asnjë nga ato punë nuk bëhet pjesë e ekuacionit thotë E Michele Ramsey

“Mendoni se çfarë do të ndodhte nëse kjo do të mungonte,” vazhdon ajo. “Nëse një përfaqësues i kujdesit ndaj klientit nuk kujdeset për problemin tuaj, kjo është e pasjellshme. Nëse ndihmësi i kujdesit shëndetësor në shtëpi që kujdeset për prindin tuaj të moshuar nuk përkushtohet të kujtojë ndonjë gjë ose të kontrollojë prindin, nëse asistenti i infermierisë është i ashpër, nëse shërbyesi në restorant ju nxiton, me siguri do të mendonit se të gjithë këta njerëz po bëjnë punë të tmerrshme.”

Ndërkohë, shumë gra mbeten të papaguara për punën e vështirë të kujdesit, edukimit dhe zgjidhjes së problemeve – një padrejtësi që justifikohet me idenë se vetë puna është shpërblimi i vërtetë.

“Ne shpërblehemi shoqërisht për këto tipare, por sistemi përfiton nga fakti që ne priremi ndaj këtyre roleve,” thotë Hackman. “Për ne, supozohet që t’i shohim këto punë si përmbushëse në vetvete, përtej pagës. Nuk do ta prisnim kurrë këtë në një fushë tradicionalisht të dominuar nga burrat. Nuk do të thonim kurrë, ‘oh, burrat janë më të mirë në matematikë, kështu që nëse je bankier, puna duhet të jetë mjaft shpërblyese dhe nuk ke nevojë për një pagë të mirë’. Por kjo është mënyra se si ne inkurajojmë gratë të hyjnë në këto industri. Është e pabesueshme që ne jemi rehat duke u nën-paguar për punë nga të cilat shoqeria varet për të plotësuar nevojat thelbësore”.

Vlera e vërtetë e ‘punës së grave’

Hapi i parë për t’i dhënë më shumë vlerë punës emocionale të grave mund të jetë njohja e thjeshtë se ajo është, në fakt, punë. “Ne kemi nevojë për ndryshim normativ,” thotë Hackman. “Ne duhet të vlerësojmë tiparet si kujdesi për të tjerët dhe empatia në punë. Mos e trajtoni këtë lloj pune si një grup tiparesh të caktuara, por si diçka që kërkon kohë, përpjekje dhe aftësi.”

Gjërat po ecin, sado ngadalë, në atë drejtim. Aftësitë sociale dhe ndërpersonale po fitojnë rëndësi për të gjitha gjinitë me rritjen e numrit të vendeve të punës që kërkojnë ndërveprim të lartë social (vetëm në SHBA, pjesa e fuqisë punëtore të roleve të tilla u rrit me 12% në 30 vitet e fundit).

Dhënia e vlerës aftësive të punës emocionale – duke e përfshirë atë në përshkrimet e punës dhe si një aspekt më formal të vlerësimit të punëtorëve, dhe duke gjetur mënyra më konkrete për ta shpërblyer atë – mund të ndihmojë në shpërndarjen e barrës së saj në mënyrë më të barabartë midis punonjësve, në vend që kjo t’u lihet vetëm grave.

Ramsey tërheq vërejtjen se, ndërsa njohja dhe vlerësimi i punës shtesë të grave është një gjë e mirë, ajo gjithashtu mund të ketë pasoja potenciale për sa i përket rritjes së pritshmërive: megjithëse mund të duket kundërintuitive, thotë ajo, vlerësimi më i madh i punës mund të rrisë presionin ndaj grave për të bërë edhe më shumë punë. “Shpesh është si dy hapa përpara, një hap prapa,” thotë ajo. “Kur ndodhin gjëra që një farë mënyre lehtësojnë presionin ndaj grave, atëherë standardet papritmas rriten dhe presioni kthehet përsëri.”

Në fund të fundit, Hackman thotë se gratë duhet të kompensohen për këtë ndërrim shtesë. “Ne jetojmë në një botë që thotë se nëse krijoni vlerë në treg, shpërbleheni për të. E vërteta është se ka shumë njerëz që krijojnë shumë vlera që nuk shpërblehen.”

Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu.

Përktheu: Blerton Ajeti

_________________________________________________________________

Ky artikull është përkthyer me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Avancimi i barazisë dhe diversitetit gjinor përmes eliminimit të diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, Iniciativës Kosovare për Stabilitet dhe Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.