Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Sa efikase janë Gjykatat Themelore të Kosovës në zgjidhjen e lëndëve të dhunës në familje?

Dea Fetiu 27.9.2023

Me një numër prej më shumë se 2000 raportimesh për vit të paraqitura në polici, në tre vitet e fundit, është e qartë se dhuna në familje nuk është më një çështje e izoluar, por një realitet i përhapur dhe shqetësues. Këto raste të raportuara, ndonëse shumë të rëndësishme, ofrojnë vetëm një vështrim në peizazhin më të madh e të fshehur të dhunës në familje, ku raste të shumta mbeten të paraportuara për shkak të stigmës, frikës, mungesës së informatave dhe barrierave kulturore e ekonomike. Edhe atëherë kur raportohen rastet, trajtimi i tyre shpeshherë nuk merr përgjigje efektive nga institucionet përkatëse.

Në këtë mjedis sfidues, sistemi gjyqësor luan një rol kryesor në adresimin e rasteve të dhunës në familje. Megjithatë, trajtimi i rasteve të dhunës në familje shpesh është karakterizuar me shqiptimin e denimeve të ulëta për kryesit dhe tejzgjatjen e procedurave gjyqësore. Rrjedhimisht, puna e sistemit gjyqësor nuk ka përmbushur gjithmonë pritshmëritë dhe kërkesat e të mbijetuarve dhe aktivistëve për të drejtat e tyre.

Gjyqësori shihet si një ndër hallkat më problematike edhe nga anëtarët e mekanizmave lokalë koordinues kundër dhunës në familje. Gjatë intervistave që kemi bërë për një studim të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë në lidhje me reagimin institucional ndaj dhunës në familje, shumica e strehimoreve kanë theksuar se bashkëpunimi i tyre është në nivel të duhur me shumicën e institucioneve tjera të mekanizmit, por është sistemi gjyqësor ai që i vonon e dëmton më shumë viktimat. Një përfaqësuese e njërës nga strehimoret ka potencuar se procedurat e gjata gjyqësore ndikojnë negativisht në rehabilitim dhe riintegrim të të mbijetuarëve të dhunës në familje: 

“Problemi është që procedurat gjyqësore zgjasin shumë, deri në 1 vjet e më shumë. Viktimat kur nuk e kryejnë atë procedurë në kohë të shkurtër e kanë shumë problem edhe riintegrimin, deri sa t’i kalojnë të gjitha procedurat gjyqësore”.

Më tutje, në studim kemi gjetur se një ndër pengesat më të mëdha për raportim të dhunës në familje qëndron te mungesa e besimit tek institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, që po ashtu lidhet me stërzgjatjen e procedurave, e dënimet e ulëta apo joekzistuese. Në këtë aspekt, edhe në anketën vjetore të Barometrit të Sigurisë së Ballkanit Perëndimor, në vitet e fundit, institucionet e drejtësisë renditen si institucionet që gëzojnë më së paku besim në mesin e qytetarëve të Kosovës.

Mes këtyre shqetësimeve urgjente, ky artikull mundohet të analizojë punën e Gjykatave Themelore të Kosovës, duke vlerësuar sa efikase janë ato në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Për këtë analizë, do të përdoren metoda matëse të ndryshme dhe të dhënat e platformës data.qika.org, për të parë normën e zgjidhjes së lëndëve të dhunës në familje nga gjykatat në Kosovë, qarkullimin e këtyre lëndëve, kohëzgjatjen për zgjidhjen e një lënde, si dhe numrin e lëndëve të grumbulluara, gjatë periudhës 2020-2022.

Vështrim mbi fluksin e lëndëve të dhunës në familje nëpër gjykata

Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, vërejmë se në vitin 2020 të gjitha gjykatat në Kosovë kishin një ngarkesë prej 1,885 lëndësh të dhunës në familje. Prej tyre, 572 janë raste të bartura nga vitet e mëparshme, ndërsa ka pasur 1,313 raste të reja. Në këtë vit gjykatat kanë arritur të zgjidhin 1151 lëndë, ndërsa 734 kanë mbetur të pazgjidhura.

Në vitin 2021, numri i lëndëve vazhdoi të jetë i konsiderueshëm me 1084 raste. Prej tyre, 734 janë trashëguar nga viti i kaluar dhe 350 kanë qenë lëndë të reja. Fakti që shumica e ngarkesës të lëndëve të dhunës në familje për këtë vit vjen prej lëndëve të trashëguara, tregon për sfidat e vazhdueshme dhe vonesat në procedim te rastet e dhunës në familje. Në këtë vit gjykatat kanë zgjidhur 622 lëndë, duke lënë 462 të tjera të pazgjidhura.

Në vitin 2022, numri i lëndëve në gjykata ka rënë në masë të madhe, me gjithsej 586 lëndë për tërë vitin. Ngjashëm me vitet e kaluara, shumica e lëndëve ishin të trashëguara nga vitet paraprake, me 124 lëndë të reja të regjistruara gjatë këtij viti. Gjykatat kanë arritur të zgjidhin 231, duke lënë 355 lëndë të pazgjidhura.

Nëse analizojmë shifrat rajonale të lëndëve nëpër Gjykata Themelore, vërehen disa dallime dhe ngjashmëri në fluksin e tyre. Për shembull, Gjykata Themelore e Prishtinës, ka regjistruar në tërësi 673 raste të dhunës në familje në vitin 2020. Në vitin 2022 shifrat kanë ndryshuar dukshëm, me 189 lëndë në punë. Në kontrast, Gjykata Themelore e Gjakovës, ka raportuar vetëm 184 raste të dhunës në familje në vitin 2020. Edhe këtu, në vitin 2022, shifrat u ulën ndjeshëm, me vetëm 28 raste në punë.

Analizë e efikasitetit së gjyqësorit në zgjidhjen e lëndëve të dhunës në familje

Për të vlerësuar numrin e lëndëve dhe për të ndërlidhur atë me efikasitetin e gjyqësorit për t’u përballur me këto lëndë, do të analizojmë formulat që rrjedhin nga metodologjia e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ). Këto metoda matëse ofrojnë një perspektivë kuantitative përmes së cilës ne mund të vlerësojmë performancën e gjykatave me zgjidhjen e rasteve të dhunës në familje gjatë viteve.

Së pari, do të shqyrtojmë normën e zgjidhjes së lëndëve (%), e cila pasqyron përqindjen e rasteve të zgjidhura me sukses nga gjykatat në proporcion me rastet e reja të pranuara. Kur e aplikojmë në rastet e dhunës në familje në tërë gjykatat e Kosovës, kemi këto të dhëna: në vitin 2020, gjykatat pranuan gjithsej 1313 raste të dhunës në familje, duke zgjidhur me sukses 1,151 prej tyre, duke reflektuar një normë të zgjidhjes së lëndëve afërsisht 88%. Në vitin 2021, kjo normë është ngritur dukshëm në 178%, ndërsa në vitin 2022, norma u ngrit në 186%. Normat e zgjidhjes së lëndëve me vlerë mbi 100% tregojnë që numri i lëndëve në pritje për t’u zgjidhur shkon duke u zvogëluar.

Së dyti, do të shikojmë në normën e qarkullimit të lëndëve. Kjo metrikë është një matës vendimtar se sa shpejt gjykatat i përpunojnë çështjet, duke i pjesëtuar lëndët e zgjidhura me lëndët e pazgjidhura për gjatë një viti. Një normë më e lartë nënkupton një punë më të shpejtë në adresimin e lëndëve, që në rastin tonë paraqet një element thelbësor për dhënien e drejtësisë në mënyrë efektive.

Në vitin 2020, norma e qarkullimit të lëndëve në gjykatat e Kosovës ishte përafërsisht 1.6. Viti 2021 shënon një rënie të vogël të normës së qarkullimit, e cila u zvogëlua në afërsisht 1.3. Në anën tjetër, në vitin 2022, norma e qarkullimit ra në 0.6, që tregon për një trend të ngadalësimit të në qarkullimin e lëndëve të dhunës në familje. 

Së treti, do të analizojmë kohëzgjatjen e zgjidhjes së lëndëve. Kjo variabël e shprehur në ditë, tregon për kohën mesatare të nevojshme që një lëndë gjyqësore të zgjidhet. Kohëzgjatja e zgjidhjes së lëndëve matet duke pjesëtuar ditët e vitit me normën e qarkullimit të lëndëve.  Koha më e shkurtër e zgjidhjes së lëndëve siguron që të mbijetuarit të kenë qasje të shpejtë në drejtësi.

Sipas të dhënave për rastet e dhunës në familje, në vitin 2020, koha e zgjidhjes së lëndës ishte afërsisht 233 ditë. Viti pasues, 2021, pa një ngadalësim të procedurës, me kohë të zgjidhjes së rasteve 271 ditë, ndërsa në vitin 2022 gjykatave iu deshën mesatarisht 560 ditë për zgjidhjen e lëndëve të dhunës në familje. Ky trend i rritjes tregon ulje konsistente të efikasitetit të gjykatave në adresimin e lëndëve të dhunës në familje, zvarritja e të cilave dekurajon raportimin e rasteve të tjera, ulë besimin në institucionet e zbatimit të ligjit, dhe zvogëlon qasjen në drejtësi.

Së fundmi, do të shohim indeksin e lëndëve të grumbulluara, që paraqet totalin e lëndëve të pazgjidhura në fund të vitit. Ky indeks shprehë proporcionin mes lëndëve të bartura dhe lëndëve të zgjidhura. Sa më i ulët të jetë ai, aq më efektivisht menaxhohen rastet e bartura nga gjykata përkatëse.. Nëse shohim këto lëndë të grumbulluara, në vitin 2020 indeksi është 0.5, që tregon një menaxhim më efektiv të rasteve të bartura nga vitet paraprake. Ngjashëm me indikatorët tjerë, edhe këtu shihet trendi i uljes së efikasitetit të gjykatave duke marrë parasysh që në vitin 2021 indeksi i lëndëve të trashëguara u rrit në 1.2, e në 2022 vazhdoi të rritet në 2.

Pra, viti 2022 mund të konsiderohet si viti në të cilin Gjykatat Themelore të Kosovës kanë shënuar performancën më joefektive për e rasteve të dhunës në familje, me ndryshime të mëdha në normat matëse të kësaj performance.

Rruga përpara

Pritja e zgjatur e përjetuar nga të mbijetuarit vitet e fundit, është një problem  që duhet të adresohet sa më parë. Përmes analizës së efikasitetit të sistemit gjyqësor të Kosovës, vërehet një trend i uljes së efektivitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Ky trend nënvizon nevojën urgjente për të forcuar kapacitetet e sistemit gjyqësor për të siguruar që të përballohen e të zgjidhen shpejtë rastet e dhunës në familje, raportimet e të cilave janë në rritje. Gjykatat duhet të sigurohen që rehabilitimi i viktimave të mos pengohet, raportimi i rasteve të dhunës të mos dekurajohet dhe t’u jepet drejtësi të mbijetuarve. Në këtë aspekt, procedurat ligjore duhet të përmirësohen për të reduktuar kohën e nevojshme për zgjidhjen e lëndëve.

Ky shkrim është realizuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “JUST REACT”. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, Group for Legal and Political Studies dhe Community Development Fund – CDF.

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp