Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Asgjë nuk është më mizogjene sesa definimi i feminizmit si barazi për të gjithë

QIKA 21.10.2021

Semestrin e kaluar, u kërkova studentëve të mi të definonin “feminizmin”. Të gjithë e lidhën me fjalën “barazi”, “barazi për gratë”, “barazi për të gjitha gjinitë”, “barazi në vendin e punës”. Por, klasa ra në heshtje kur i pyeta se çfarë nënkuptonte barazia për ta dhe si shfaqej ajo. Fjala barazi është bërë e zbrazët duke nënvizuar një problem të madh definimi krahas lëvizjes së grave.

Studentët e mi e dinin që kuotat e rrepta të punësimit nuk janë një zgjidhje afatgjatë për seksizmin, njëlloj siç kuptuan se barazia sipas ligjit nuk siguron trajtim të barabartë të grave. Në qytetin e New York-ut, ligjërisht gratë mund të ecin lakuriq në pjesën e sipërme, por asnjë nga studentet e mia nuk thanë se do të përfitonin nga kjo barazi ligjore, pasi që ato nuk donin të përballeshin me ngacmime ose sulme seksuale.

Në epokën e feminizmit të të famshmëve dhe burrave performues feministë, ideja se feminizmi ka të bëjë me “barazinë për të gjitha gjinitë” është bërë gjithnjë e më në modë. Megjithatë, për mua asgjë nuk është më mizogjene sesa definimi i feminizmit si barazi për të gjithë, gjoja se të përqendrosh një lëvizje, politikë apo aktivizëm vetëm tek gratë është tabu. Ose shumë e rrezikshme. Përgjigja automatike refuzuese “të gjitha jetët kanë rëndësi” për t’i përqendruar gratë në këtë përsëritje të fundit të feminizmit, besoj që është një shkak i rëndësishëm se pse ka ngecur revolucioni gjinor. Ne nuk mund të adresojmë ose t’i japim fund shtypjes sistemike të grave nëse refuzojmë të pozicionohemi si gra në atë luftë. Kjo do të thotë të rishqyrtojmë atë që nënkuptojmë kur flasim për barazi dhe pushtet.

Ideja se feminizmi ka të bëjë me “barazinë për të gjitha gjinitë” është gjithnjë e më në modë. Në mënyrë që të kemi sukses, feminizmi duhet të punojë brenda vetë sistemeve që gratë duan t’i ndryshojnë. Kjo do të thotë që gratë duhet të rishqyrtojnë marrëdhënien e tyre me pushtetin dhe strukturat e tij.

Feminizmi në epokën dixhitale e ka pozicionuar veten në kundërshtim me pushtetin, qoftë i shfaqur përmes mantras së hashtag-ut #Resist, apo përmes gjendjes së “fuqisë së gruas”. Gratë ndihen më rehat me protestimin dhe “rezistencën” sesa të udhëheqin, sepse udhëheqja kërkon që të punojmë për të reformuar vetë strukturat që na shtypin. Pushteti është kompleks, por në vetvete nuk është negativ dhe nuk ka pse t’i dorëzohet zotërimit të patriarkatit. Po citoj filozofen feministe Elizabeth Grosz, “Nëse feministët besojnë se qëllimi i tyre është të braktisin pushtetin, atëherë ata tashmë kanë humbur lojën nga e cila nuk mund të tërhiqen.”

Lidhja e vështirë e feminizmit me pushtetin është diçka që gratë konservatore si Kellyanne Conway e theksojnë kur e përqeshin si një lëvizje “kundër burrave” e cila përbëhet nga gra të cilat “kanë problem me pushtetin”. Narrativa se feminizmi është “kundër burrave” është keqinterpretim i qëllimshëm që synon të dëmtojë lëvizjen. Por, Conway dhe të tjerët kanë të drejtë të vëzhgojnë lidhjen antitetike të lëvizjes në raport me pushtetin. A është pushteti në vetvete patriarkal? Si e marrin dhe e përdorin gratë këtë pushtet? Për ta shtyrë çështjen edhe më tej, a është ligjërimi kulturor pseudo-feminist rreth “fuqizimit” një njohje e dështimit të grave për të pasur në të vërtet pushtet? Sepse nuk të rastisë të dëgjosh burrat duke folur për fuqizim ose të ndihen të fuqizuar.

Njerëzit që kanë pushtet nuk ëndërrojnë për fuqizim.

Në filozofi, liria e mendimit është forma përfundimtare e çlirimit. Në kontekstin e pushtetit, të imagjinuarit se si ne mendojmë mbi pushtetin është hapi i parë themelor për të çrrënjosur shtypjen sistematike të grave. Si forcë, pushteti nuk është në thelb seksist. Por historikisht është shfrytëzuar

për të përjetësuar shtypjen e grave. Nëse e kuptojmë që pushteti nuk njeh gjini dhe që gratë mund të jenë të pushtetshme, atëherë ne mund të përmbysim narrativat tradicionale që kanë vendosur feminizmin në një cikël rrotullues për 100 vitet e fundit.

Për të qenë politikisht efikas, feminizmi varet para së gjithash nga një ri-kalibrim i mendjeve të grave. Feminizmi kërkon liri, liri intelektuale dhe rrjedhimisht kërkon liri trupore. (Kjo është arsyeja pse unë besoj se nuk mund të jesh kundër zgjedhjes për abort dhe ta quash veten feminist). Gjithashtu, kjo është mënyra se si feminizmi filloi si lëvizje në fillim të shekullit XX, i dallueshëm nga objektivi i vetëm i çështjeve sufragjente (përpjekjet për të siguruar lirinë e grave për votë) në atë kohë. Është çështje kritike të mbahet mend se përderisa të gjitha feministet mbrojtën të drejtën e votës, jo të gjitha sufragjentet ishin feministe.

Si forcë, pushteti nuk është në thelb seksist. Por, është shfrytëzuar historikisht për të përjetësuar shtypjen e grave. Argumenti im është se pushteti është lidhja që mungon midis shpresës dhe ndryshimit. Pra, si mundemi ne si feministë të përpiqemi të ri-imagjinojmë dhe të ri-orientohemi pozitivisht drejt pushtetit kur për kaq shumë kohë jemi kushtëzuar ta refuzojmë atë, kur ndihemi më rehat të rezistojmë sesa të udhëheqim në këtë botë?

Së pari, një lëvizje e suksesshme e grave në Amerikë duhet të jetë aleate me 99%-shin dhe 1%-shin, me gratë e zeza dhe gratë e bardha, gratë heteroseksuale dhe gratë lezbike. Çdo aktivizëm që i vë gratë kundër njëra-tjetrës nuk është feminizëm, sepse motërzimi është mjeti ynë më i fuqishëm. Edhe burrat në pushtet e dinë këtë, kjo është arsyeja pse ndarja e grave dhe shfaqja e përplasjeve në media është një mënyrë e sigurt për t’i mbajtur gratë të shtypura. Për aq kohë që gratë luftojnë me njëra-tjetrën, ato nuk po luftojnë kundër strukturave më të mëdha që i mbajnë ato të shtypura.

Së dyti, ne duhet ta përqafojmë feminizmin si një lëvizje politike dhe lëvizje e drejtësisë shoqërore, si aktivizëm nga brenda dhe jashtë institucioneve. Marshet dhe protestat përfaqësojnë një taktikë në strategjinë më të madhe të shkatërrimit të shtypjeve sistemike që prekin gratë, ndërsa ndryshimi i politikave që adresojnë paragjykimet e pavetëdijshme në vendin e punës dhe çështja e të drejtave janë taktikë tjetër. Në kemi nevojë për të dyja taktikat. Kemi nevojë për taktikat e rezistencës dhe për taktikat operacionale për të krijuar ndryshime në të gjithë sistemin.

Në mënyrë që çdo lëvizje e drejtësisë shoqërore të zhvillohet, ajo duhet të ushqehet nga ide dhe vizion. Politika duhet të shoqërohet dhe paraprihet nga një zgjim etik brenda individëve. Strategjia e vetme historike e feminizmit që njëkohësisht është një imperativë filozofike është kultivimi i mendimit të pavarur. Mendimi i pavarur i fituar përmes arsimimit rigoroz është bastioni i liberalizmit dhe nënvizon në mënyrë specifike parimin e lirisë. Nga Mary Wollstonecraft në shekullin XVIII dhe J.S Mill në shekullin XIX, Simone de Beauvoir në shekullin XX deri tek Chimamanda Ngozi Adichie në shekullin XXI, liria e grave fillon me arsimimin e tyre, i cili jo domosdoshmërisht duhet të jetë institucional.

Vetëdija e plotë e grave për pozicionin e tyre në botë, mënyra se si lokalizohet historia e shtypjes në trupat e tyre, ndodhë kur ato kuptojnë se kanë qenë të pavëmendshme për këtë gjë gjatë gjithë kohës. “Nxitja e jetës së re, zgjimi i prekshëm i ndërgjegjes” është mënyra se si një shkrimtar raportoi për idenë e re të feminizmit në një artikull të vitit 1913 për Harper’s Weekly. Ky zgjim përshkruan procesin e të mësuarit.

Politika duhet të shoqërohet dhe paraprihet nga një zgjim etik brenda individëve. Më pak se një shekull pasi J.S. Mill shkroi se infantilizmi intelektual i grave ishte një mënyrë për ti shtypur ato, me ç’rast Simone de Beauvior katalogoi “si gratë mësohen të supozojnë gjendjen e saj” të nënshtrimit në trajektoren ekzistenciale feministe, në Seksin e Dytë (1949). Është pikërisht Beauviour ajo që frymëzoi feministe të panumërta amerikane, përfshirë Audre Lorde, e cila citoi feministen franceze në fjalimin

e saj të famshëm “The Master’s Tools Will Never Dismantle the Master’s House.” Sepse, përdorimi i mjeteve dhe gjuhës pa menduar dhe në mënyrë jo-kritike, “kurrë nuk do të na mundësojë të bëjmë ndryshime të vërteta” paralajmëroi Lorde.

Mendimet e Chimamanda Ngozi Adichie rreth mënyrës se si kushtëzimet historike shoqërore ndikojnë në psikologjinë e mendjes janë të ngjashme me ato të shkruara nga Beauvoir. Në përmbledhjen e saj “We Should All Be Feminists) 2014, e cila u popullarizua në këngën e Beyonce-s “Flawless”, Adichie poashtu shpjegon kushtet sociale të grave: “Ne i mësojmë vajzat si të ngurren.” Njëlloj si Beauvoir dhe feministet para saj, ajo e gjen zgjidhjen në thyerjen e zinxhirit të shtypjes në mendje dhe konkretisht përmes të një ri-trajnimi të mendjes. “Ajo që ka rëndësi edhe më shumë është qëndrimi ynë, mendësia jonë”, pohon Adichie në shtjellimin e saj se si gjinia përshkruhet si moral. “Problemi me gjininë është se përshkruan se si duhet të jemi sesa të kuptojmë se si jemi.”

Feminizmi si politikë është një lëvizje mes njerëzve, por si etikë fillon si një lëvizje brenda vetes. Unë mendoj se kjo është pika nga e cila duhet të fillojmë: brenda vetes. Presioni shoqëror dhe konfromiteti nuk janë cilësi të mendimit të pavarur por janë shenja të rrezikshme të fashizmit dhe rënies kulturore. Në vend që të marrim përkufizimin e feminizmit si një të vërtetë, ne duhet të pyesim se çfarë është dhe çfarë do të thotë feminizëm në këtë shekullin e ri. Ne duhet të vëmë në dyshim kuptimin e fuqizimit dhe të kërkojmë pushtet në vend që të punojmë për ta gërryer atë tek të tjerët. Ne duhet të vëmë në dyshim barazinë dhe nëse nuk duhet të zëvendësojmë këtë ideal të dëshiruar me atë të lirisë. Ne duhet të vëmë në dyshim impulsin për të decentralizuar gratë. Ne duhet të imagjinojmë se si duket feminizmi në veprim, në politikë dhe në shoqëri. Dhe vetëm atëherë ne duhet të zhvillojmë strategji për të arritur ato qëllime.

Sepse e ardhmja e ekzistencës së grave varet nga kjo.

Marcie Bianco

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://finance.yahoo.com/news/gender-revolution-stalled-because-feminists-133451081.html