Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Beteja për leje prindërore është betejë feministe

QIKA 5.12.2022

Këtë verë, gjeta nofullën time pothuajse në dysheme kur lexova një citim nga ish-drejtorja e SoulCycle, Melanie Whelan. “Leja prindërore është për p*dha”, thuhet se ishte përgjigja e saj ndaj një punëtori, i cili planifikoi të merrte dy javë leje prindërore nga puna pas lindjes së fëmijës së tij.

Sugjerimi i saj vulgar se kujdesi për fëmijët është në thelb femëror – dhe se të kalosh kohë larg punës për të marrë pjesë në të është, si rrjedhojë, jo burrërore – dukej si lloji i fyerjes së vjetërsuar që mund të pritej nga dikush i epokës së 1960. Fakti që komenti u bë në vitin 2019 nga një grua që drejtonte një markë që përkrah fuqizimin e grave ishte e vështirë të besohej.

Alexis Ohanian, bashkëthemeluesi i Reddit, ishte po aq i indinjuar dhe u përgjigj me komente për rëndësinë e destigmatizimit të lejes së atësisë. Një shkak pse ai ka qenë i zëshëm është që gruaja e tij, Serena Williams, gati vdiq duke sjellë në jetë vajzën e tyre, Olympia, tre vjet më parë. Ai ishte në gjendje të merrte katër muaj si leje prindërore të paguar, sipas rregulloreve së kompanisë Reddit, muaj që Ohanian thotë se i përdori “për të hyrë në rolin e tij si babai dhe kujdestari i saj”. Marrja e kësaj leje nuk ishte vetëm e domosdoshme praktikisht– Williams kishte një vrimë në abdomen dhe nuk mund të ecte kur u kthye në shtëpi për herë të parë nga prerja cezariane – por marrja e lejes gjithashtu vendosi tonin që ai të ndajë përgjegjësitë e prindërimit në vitet në vijim. “Kur ushqej vajzën ose ia rregulloj flokët, nuk ka të bëjë me mua që të marr përsipër ‘detyrat e nënës’, por thjesht të jem prind”, thotë Ohanian. Për më tepër, duke mbështetur nocionin që leja e atësisë është po aq thelbësore sa leja e lehonisë, ne ndihmojmë për të thyer rolet stereotipike gjinore që shpesh i pengojnë gratë nga suksesi në karrierë, argumenton ai. (Diçka që ne e shohim qartë tani kur nënat mbajnë barrën e kujdesit ndaj fëmijëve dhe përfundimisht përballen me pengesa në karrierë si rezultat i saj).

Me fjalë të tjera, “lufta për lejen e atësisë është një luftë feministe”, thotë Ohanian.

“E pathëna që e dimë të gjithë: Jo të gjithë janë drejtorë dhe 16 javë leje prindërore me pagesë janë larg nga norma”, thotë Ohanian. Në fakt, vetëm 9% e kompanive amerikane ofrojnë leje të atësisë me pagesë. Sipas një raporti të vitit 2019 nga Unicef, nga 41 vendet më të pasura në botë, SHBA-ja është e vetmja që nuk ka leje prindërore të paguar me mandat federal. (26 nga këto 41 ofrojnë leje prindërore me pagesë dhe 40 ofrojnë leje të lehonisë me pagesë). Aktualisht, tetë shtete – California, New Jersey, Rhode Island, New York, Washington, Massachusetts, Connecticut dhe Oregon – si dhe Columbia Disctrict kanë politikat e lejes së paguar brenda mandatit të shtetit, të cilat u paguajnë punonjësve një përqindje të pagës së tyre. (Megjithëse, çuditërisht, hulumtimi në faqet e internetit shtetërore për të kërkuar para nuk rezulton gjithmonë i lehtë.) Marrja e lejes për 12 javë nga puna është e mundshme sipas Ligjit për Pushimin Familjar dhe Mjekësor (FMLA) për prindërit që kujdesen për një fëmijë biologjik ose të birësuar, ose për personat që luajnë rolin e prindit). Megjithatë ky vendim mbulon vetëm rreth 60% të fuqisë punëtore – dhe është pa pagesë, që do të thotë se shumë njerëz që kanë të drejtë ta shfrytëzojnë thjesht nuk mund të përballojnë të përfitojnë prej tij.

Lejet prindërore me pagesë për baballarët

FMLA gjithashtu përjashton ata që nuk punojnë për një kompani me më shumë se 50 punonjës. “Si një shkrimtare e pavarur, unë kam shijuar përfitimet e fleksibilitetit në punën time, por jo përfitimin e një leje lehonie që do të vinte nga pozita e punës në një nga shtëpitë botuese më të mëdha”, thotë 31 vjeçarja Cassie Shortsleeve, themeluesja e Dear Sunday Motherhood, e cila do të ketë dy fëmijë nën dy vjeç në shkurt. As burri i saj nuk kishte mundësinë të merrte pushim me pagesë dhe atyre iu desh të kursenin, në mënyrë që ajo të mund të largohej nga puna për disa muaj pas lindjeve. “Është stresues dhe i pakuptueshëm për mua fakti që shumë të tjerë nuk do të ishin në gjendje të bënin zgjedhjen që ne bëmë”, thotë ajo. “Kam frikë se pa pushim me pagesë për të dy prindërit në një familje, shumë persona të gjeneratave të reja nuk do ta kenë mundësinë ta përjetojnë prindërimin për shkak të kufizimeve financiare – dhe kjo është turpëruese”, shton ajo. Të tjerë janë të detyruar të heqin dorë nga ajo kohë vendimtare me foshnjat e tyre për të përballuar jetesën: Një në katër gra në SHBA kthehet në punë në më pak se dy javë pas lindjes së një fëmije, sipas një raporti të vitit 2015, gjë që ndikon në shëndetin negativ si për nënën ashtu edhe për fëmijën.

“Ky është një problem që duhet të zgjidhet me ndryshime konkrete të politikave”, thotë Ohanian. Kjo është edhe arsyeja pse ai është partner me Dove Men +CareZotimin për Lejen Prindërore për të ndërgjegjësuar mbi nevojën e pushimit të atësisë me pagesë dhe për të shtyrë përpara vendime që ishin dashur marre kohë më parë në Washington D.C. “Sepse fakti është se shumë baballarë sot duan të përfshihen në mënyrë aktive në prindërim”, shton Ohanian.

“Ka një shkëputje të madhe midis asaj që brezi aktual i burrave që kanë fëmijë pret nga vetja si baballarë dhe asaj që u akordohet atyre, nga një perspektivë e politikës dhe korporatave”, shpjegon Dr. Daniel Singley, një psikolog i specializuar mbi burrat dhe prindërimin. “Ne si kulturë dhe shoqëri po u krijojmë më shumë hapësirë ​​baballarëve që të jenë shumë më të angazhuar me fëmijët e tyre, në krahasim me më parë, por nuk po krijojmë këtë hapësirë në formën e politikave”, shton ai.

Me Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, ka disa shpresa për nisjen e ndryshimit për prindërit amerikanë. Siç shkroi zëvendës presidentja Kamala Harris në një shkrim për Parents, nën administrimin e tyre, ata planifikojnë t’u sigurojnë personave deri në 12 javë leje familjare dhe mjekësore me pagesë, si dhe pushime mjekësore të paguara, në mënyrë që askush të mos “detyrohet të zgjedhë midis punës dhe familjes”. Me këtë vendim, prindërit nuk do të përballeshin më me një zgjedhje të pamundur që e vendos SHBA-në shumë mbrapa nga çdo vend tjetër në vitin 2020.

Stigma kulturore rreth lejes prindërore me pagesë dhe luftërat e maskulinitetit

Problemi tjetër, megjithatë, shkon përtej politikës. Shumë burra nuk e marrin lejen që u ofrohet për shkak të frikës se karriera e tyre mund të dëmtohet – një kërcënim që mund të shprehet drejtpërdrejt ose në mënyra më delikate. (Sipas një padie të ngritur kundër SoulCycle, një punonjës “iu nënshtrua presionit dhe nuk mori leje”).

Në Japoni, ku ofrohet një leje me pagë të plotë gjashtëmujore për baballarët, por ku kultura e punës i dekurajon shumë burrat që ta përdorin atë, vetëm 1 në 20 baballarë mori leje me pagesë në 2017, sipas raportit të Unicef-it për Politikat Familjare.

“Kam parë burra që kanë prioritet përfshirjen në periudhën pas lindjes, të përballen me ankth nga diskriminimi apo kërcënimet që mund të marrin ndaj avancimit në vendin e punës – gjë që është në shkelje flagrante të politikave të burimeve njerëzore. Këtë ankth tradicionalisht e kanë përjetuar nënat”, thotë Dr. Singley.

Shumë baballarë të rinj, mirënjohës për atë që po iu ofrohet, nuk duan të trazojnë situatën dhe të kërkojnë më shumë kohë për leje – edhe nëse e kanë të drejtën për të. “Kompania e burrit tim ofroi dy javë pushim me pagesë, gjë që ishte tejet e nevojshme. Kujdesi për një foshnje ndërkohë, hormonet amënore dhe privimi i gjumit janë dërrmuese”, shpjegon Kaylan, nënë e re 28 vjeçe. “Ai mori një javë shtesë pushimi përmes shtetit – një zgjerim i ri i pushimit të paguar në New Jersey i cili lejon 12 javë pushimi me pagesë (i kufizuar në 85% të pagës së tyre javore) për të dy prindërit brenda vitit të parë të lindjes – por kompania e tij la të kuptohet se ai nuk mund të merrte më shumë se tre javë pushim në total”, shton ajo.

“Problemi është se ne jemi ende të kushtëzuar të besojmë se gratë janë më të përshtatshmet për punën e kujdesit për një fëmijë – pavarësisht faktit që hulumtimet tregojnë se gjinia nuk ka rëndësi dhe instinkti i nënës është kryesisht një mit”, thotë Dr. Singley. “Të mos i shohësh baballarët si të rëndësishëm në këtë periudhë të hershme është përkthyer në mënyrë absolute në vendime politike e administrative dhe në kulturën e organizatave të ndryshme rreth marrjes së lejes”, shton ai.

“Fakti që përfshirja e baballarëve në këtë periudhë kohore bën dallim të dukshëm vështirë se mund të debatohet. Mundësimi i baballarëve që të kenë leje të paguar të atësisë poashtu nënkupton se baballarët dhe nënat kanë shumë më pak gjasa të zhvillojnë depresion dhe ankth pas lindjes. Pa përmendur këtu listën e gjatë të përfitimeve për fëmijën e porsalindur. “Ka dëshmi shumë të forta që tregojnë se kur baballarët janë shumë të përfshirë gjatë vitit të parë, fëmijët e tyre kanë rregullimin emocional më të mirë, IQ më të lartë, priren të jenë më të pavarur dhe aventurierë, kanë fjalor më të mirë kur hyjnë në shkollë dhe poashtu kanë më pak gjasa të përfshihen në sistemin e drejtësisë për të miturit”, shpjegon Dr. Singley.

Dr. Kathleen Gerson, profesoreshë e sociologjisë në NYU, pajtohet se mënyra se si ne i strukturojmë institucionet tona për të mbështetur kujdesin është e lidhur ngushtë me “betejën tërbuese për vendin e burrave në shoqëri”. Ndërsa ne kemi zgjeruar pikëpamjet tona për gjërat që gratë mund të bëjnë – domethënë, të kesh ambicie jashtë kujdesit për të tjerët – tani jemi në procesin e të bërit këtë për burrat, shpjegon ajo. Kjo përfshin rindërtimin e vetë nocionit të maskulinitetit.

“Krejt çka që duhet të bëni është të shikoni krahasimin midis Presidentit Trump dhe Biden për të parë se ka një garë maskuliniteti që po luhet në kulturën tonë sot. Trump grimohet dhe shfaq maskulinitet të një lloji të caktuar që ka të bëjë me mos-njollosjen nga ngrohtësia apo ndjenjat njerëzore. Nocioni i tij për një njeri të suksesshëm duket se përcaktohet vetëm nga një gjë: të qenit mbajtës financiar i familjes. Mos u shqetësoni, gra: ‘Ne po i kthejmë burrat tuaj në punë’, tha Trump në një tubim në fund të muajit të kaluar në një përpjekje për të joshur gratë nga rrethinat periferike” deklaron Dr. Gerson.

Në anën tjetër të debatit, kemi Biden, një burrë që përqafon dhe puth hapur djalin e tij të rritur, pavarësisht se është tallur nga autoritetet e krahut të djathtë. Siç thekson Dr. Gerson, Biden “u fut në një vizion të ri të maskulinitetit” pasi vdekja tragjike e gruas së tij të parë e la atë si një baba beqar dhe tani është bërë personazhi kryesor i posterit se si mund të balancohet sigurimi financiar i familjes me kujdesin. “Ai na tregon se si dikush mund të shprehë maskulinitetin dhe humanitetin e tyre në të njëjtën kohë – poashtu edhe mënyrat pozitive se si përfshirja e prindërve mund të rrisë ndjenjën e një burri mbi vetveten dhe respektin e të tjerëve”, thotë ajo.

Leja e paguar e atësisë është e mirë për karrierën e grave

“Stereotipet e vjetërsuara rreth gjinisë dhe prindërimit kanë bërë që punëdhënësit të supozojnë se burrat me fëmijë do të punojnë më shumë dhe gratë me fëmijë do të punojnë më pak – dhe gratë në fund të fundit e vuajnë efektin e kësaj”, thekson Ohanian. Një studim i publikuar nga Third Way në vitin 2014 zbuloi se ndërsa burrat me të ardhura të larta pranojnë rritje të pagave pas lindjes së fëmijëve – “bonusi i atësisë” – gratë me të ardhura të ulëta përjetojnë “dënimin e amësisë”.

“Duke avancuar politikat tona për lejen prindërore me pagesë dhe duke ofruar më shumë mbështetje dhe burime, të tilla si kujdesi me cilësi të lartë për fëmijët e i financuar nga shteti, ne mund të ndihmojmë të gjejmë një ekuilibër midis punës dhe jetës për nënat dhe baballarët dhe në anën tjetër të ndihmojmë nënat të përparojnë në karrierat e tyre”, thotë Ohanian.

Hulumtimet tregojnë se ofrimi i lejes prindërore me pagesë për punonjësit burra dhe gra mund të ndihmojë në mbylljen e hendekut të pagave dhe t’i vendosë të dy prindërit në pozita të barabarta. Në Suedi, ku baballarët janë të detyruar të përdorin disa nga leja prindërore e ofruar (16 muaj), hulumtimi tregon se të ardhurat e një nëne mund të rriten me rreth 7% për çdo muaj pushim shtesë që merr bashkëshorti i saj.

“Politikat si këto, të zbatuara në vendet skandinave, jo vetëm që rrisin shumë numrin e baballarëve që marrin leje prindërore, por ato gjithashtu ulin stigmën rreth marrjes së saj – dhe ndryshojnë kulturën”. thotë Dr. Gerson. “Baballarët që nuk marrin leje shihen si shumë më të padrejtë se baballarët që e bëjnë këtë,” shton ajo.

Përfundimi pra është ky: “Kur politikat lejojnë zgjedhje më të barabarta, i mbështesin ato në mënyrë aktive dhe i shtyjnë njerëzit t’i zbatojnë ato, kultura e burrërisë fillon të ndryshojë”, thotë Dr. Gerson.

Në fund të fundit, megjithëse lufta për lejen prindërore të paguar është ende një betejë e vështirë, me Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, ka shpresë të ripërtërirë që kjo të bëhet realitet.

“Ndihmon të mendosh për këto ndërrime si një ajsberg. Një ajsberg mund të ndërtohet nën ujë për shekuj me radhë e të mbetet i padukshëm, por papritur ai mund të shfaqet mbi ujë. Nuk mendoj se gjërat do të ndryshojnë shpejt, por besoj ndryshimi është i mundshëm”, deklaron Dr. Garson.

Kylie Gilbert

Ky tekst është përkthyer nga QIKA në kuadër të projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore”, që implementohet nga Demokraci për Zhvillim (D4D).

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.instyle.com/politics-social-issues/paternity-leave-is-feminist