Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Çka kam mësuar për 25 vite përvojë gjatë trajtimit të të dënuarve për sulme seksuale

QIKA 1.9.2022

Shkelësit e ligjit për krime seksuale mund të jenë mashtrues dhe mizorë, por gjithashtu, shumë prej tyre mund të ndjejnë turp dhe dëshpërim të thellë për dëshirën për të ndryshuar. Ofrimi i ndihmës ndaj tyre është forma e vetme e parandalimit të krimit të mëtejshëm.

Një plak i thinjur që ishte ulur përballë meje për ta intervistuar, tundi kokën me shumë ndrojtje duke mos më shikuar në sy kur e pyeta se a mundem t’i parashtroj disa pyetje në lidhje me ngacmimin seksual që i kishte bërë fëmijëve. “Disa nga pyetjet mund te jenë…. pak të detajuara dhe personale”, i thashë atij. Nuk e di se cili prej nesh i druhej intervistës më shumë, ai apo unë. Ishte hera e parë gjatë karrierës sime që isha e vetme në një qeli, në burg të sigurisë së lartë, me një burrë i cili ishte dënuar për vepra të rënda seksuale.

Kanë kaluar 25 vjet që nga ajo ditë e viteve të ’90-ta, kohë kur unë isha vetëm një 22 vjeçare që zotëroja një diplomë psikologjie, e cila mbështetej në vlerësime, trajtime dhe hulumtime mbi burrat që kryenin vepra kriminale seksuale, duke përfshirë këtu edhe vrasjen seksuale.

Çka më tërhiqte nga psikologjia mjekoligjore ishte, si për shumicën, interesi im mbi krimin. Në thelb, doja të kuptoja pse shkelësit silleshin ashtu siç silleshin; se si ata merrnin vendime që kishin pasoja kaq të tmerrshme dhe afatgjata tek qeniet tjera. Dhe për të kuptuar saktësisht se pse disa persona të caktuar përfundonin si kriminelë, përkundër tjerëve.

Nga e gjithë eksperienca ime kam mësuar se burrat që kryejnë krime seksuale mund të jenë mashtrues, manipulues, mizorë, larg me realitetin dhe të dëmtuar thellësisht. Por gjithashtu, se ata mund të jenë të penduar, të turpëruar, qesharak, të sjellshëm dhe të gatshëm të përpiqen të ndryshojnë sjelljet e tyre të dëmshme. Kam mësuar se zakonisht ekziston një kombinim i arsyeve themelore të identifikueshme pse ata kryejnë krimet e tyre, edhe nëse krimet duken shume jashtë kontekstit dhe të paqarta. Në të gjithë këtë katrahurë, është i përfshirë një sfond me trauma të ndryshme, abuzim (megjithëse jo gjithmonë), vështirësi në marrëdhënie me tjerë, formë e të menduarit të shtrembëruar mbi realitetin për gratë, fëmijët dhe seksin, tipare të padobishme të personalitetit, aftësi të dobëta për zgjidhjen dhe përballimin e problemeve, dhe shpesh, por jo gjithmonë, një interes ose aftësi për t’u eksituar nga dhuna seksuale.

Përgjatë eksperiencës sime, kam dëgjuar gjëra nga më të neveritshmet dhe më poshtërueset që qeniet njerëzore mund t’i bëjnë njëri-tjetrit. Më e vështira nga e gjitha kjo, është, të dëgjosh dhe lexosh skedarët dhe të shikosh fotografitë. Madje, herë pas here kam takuar edhe viktimat, e cila është nga gjërat më të dhimbshme në punë.

Me kalimin e viteve kam mësuar që të ndaj punën prej jetës personale. Çdo rast e trajtoj si enigmë në vete, kështu për të kuptuar sa më mirë se çfarë ka ndodhur. Aftësitë kognitive më ndihmojnë që të shkëputem dhe të mbrojë gjendjen time emocionale. Shumicën e kohës, nuk ha në të njëjtën kohë kur jam duke lexuar ndonjë skedarë – kombinimi i dyjave më bën që të vjellë – dhe gjithashtu, tani që të gjithë skedarët janë në formë elektronike, nuk i lexoj askund tjetër përpos se në zyrë, në këso forme ruaj një stabilitet mes krimeve dhe jetës sime.

Sidoqoftë, edhe pse përpiqem, krimi përfshihet në jetë individuale në formë të pashmangshme. Sado që e konsideroj që mund të bëjë ndarjen e punës nga jeta personale, disa krime më prekin shumë më shumë se tjerat, për shembull ato krime që lidhen me moshat dhe gjinitë e fëmijëve të mi. Madje, shpesh herë kam edhe rikthime të pamjeve në ëndrra, në to unë jam vetë vrasësja dhe e ripërjetoj krimin.

Me kalimin e viteve kam filluar të dyshoj më shumë ndaj njerëzve në përgjithësi. Këtë e pata vërejtur në fillet e të 20-ve të mija kur për herë të parë fillova t’i trajtoja të burgosurit; U bëra shumë më shumë e vëmendshme ndaj burrave në bare, të dashurve të shoqeve, personave të tjerë në trena ose autobusë përgjatë natës. Fillova t’i vëzhgoja personat e huaj në raport me fëmijët e tyre – isha vazhdimisht në gatishmëri, si alarm tymi super aktiv – për dëshmi rrëmbimi ose abuzimi. Kur u bëra me fëmijë të mi, u bëra hiper-vigjilente dhe tepër mbrojtëse; duke i shmangur dadot burra, nuk ndihesha rehat t’i lija fëmijët e mi të shkojnë vetëm në tualete publike, apo kur ata kishin trajnerë të sporteve burra.

Në të njëjtën kohë jam shume vigjilente edhe për sigurinë time. Kam frikë të eci e vetme në errësirë, apo edhe gjatë ditës në shtigjet e fshatit tim kur jam e shoqëruar nga qentë e mi. Po të isha e vetme duke ecur ne fshat, do t’i bëja sytë katër. Por sidoqoftë, kjo nuk më ndodhë vetëm mua, por mendoj se i ndodhë shumicës se grave dhe personave tjerë të cenueshëm, e veçanërisht në vende të vogla dhe të izoluara. Nuk e di nëse jam ndikuar edhe më shumë sepse punoj me kryerësit e dhunës seksuale, edhe pse përpiqem që t’i bëj të gjitha gjërat e duhura për të ruajtur mirëqenien – me këshillim, ushtrime etj.

Pavarësisht gjithë kësaj, kam vazhduar përsëri të bëj punën sepse besoj se është shumë e rëndësishme të përpiqemi të parandalojmë viktima të tjera nga vepra të rënda seksuale dhe të dhunshme. Puna është e jashtëzakonshme dhe komplekse, duke sjellë në jetën time sfida intelektuale, vetë-analizë, një ndjenjë arritjeje dhe altruizmi dhe një sërë kolegësh interesantë dhe të përkushtuar.

Këtë e bëj edhe për të ndihmuar vetë burrat. Pothuajse të gjithë shkelësit e ligjit që kam takuar nuk duan të përsërisin veprën e tyre, dhe shumica e dhunuesve seksualë nuk kryejnë veprën më tutje. Ata duan të jenë anëtarë të dobishëm të shoqërisë. Megjithatë, dhunuesit seksualë të liruar përballen me shumë pengesa për këtë: stigma, izolim, mungesa e punës, strehimit, miqve, familjes, lidhjeve njerëzore. Për pakicën e shkelësve të sulmeve seksuale që kryejnë një vepër penale, janë pikërisht këto lloj problemesh që ndikon që ata të përsërisin veprën e tyre penale.

Burrat që kanë kryer krime seksuale lirohen çdo ditë nga burgu në Mbretërinë e Bashkuar – zakonisht nuk i mbyllim njerëzit në burg dhe pastaj përbijmë çelësin. Sado e vështirë të jetë, hapja ndaj mundësisë që këta lloj dhunuesish mund të ndryshojnë, dhe një tolerancë e ndërgjegjshme ndaj tyre, do t’i ndihmonte ata që lirohen të jetojnë të sigurt në shoqërinë tonë dhe të mos e përsërisin veprën e tyre penale. Kjo vjen si rezultat i shumë burimeve të tjera si në burg ashtu edhe në komunitet për t’i menaxhuar ata më lehtë. Sipas mendimit tim, këto gjëra kontribuojnë në reduktimin e rasteve të tjera penale.

Asnjëherë nuk e kisha konsideruar se stilet e të menduarit të shumë prej burrave që trajtova në burg nuk ishin aq të ndryshme nga të miat. Për shembull, të kesh nevojë të jesh i pari ose më i miri në diçka ose të lufta për t’i besuar një partneri në një marrëdhënie. Në fund të fundit, kuptova se nën të gjitha, ata ishin thjesht qenie njerëzore: njerëz që kishin kryer krime të tmerrshme, por që në thelb ishin thjesht njerëz. E duhet të trajtohen si të tillë, që të mos krijohet një rreth vicioz.

Rebecca Myers

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/commentisfree/2022/aug/18/serious-sexual-offenders-crimes?CMP=Share_iOSApp_Other&fbclid=IwAR2f7zC8vhmnnbh8JVJao23SBaUdOcvF2VOPEfxCAlGndjxPiAA99XcwqUM