Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

E drejta për të rezistuar: Si e ndryshoi lufta lëvizjen feministe në Ukrainë

QIKA 28.2.2023

Feministet ukrainase reflektojnë mbi vitin sfidues që ka ringjallur aktivizmin e tyre dhe ka formësuar vlerat e tyre.

Ashtu si gjithë të tjerët në Ukrainë, aktivistet feministe duhej të përshtateshin shpejt me pushtimin rus që filloi një vit më parë. Që nga momenti që vendi u zgjua nga sulmet me raketa, organizatat feministe filluan ofrimin e ndihmës humanitare dhe mbështetjen e njerëzve të zhvendosur për të gjetur strehim – gjatë gjithë kohës duke u përpjekur të mbanin në fokus të drejtat e grave.

“Vlerat feministe si ndihma reciproke dhe solidariteti, mbështesin çdo çështje në kohë lufte”, thotë Yulia Lutyi-Moroz, një anëtare 29-vjeçare e FemSolution, një organizatë feministe queer e krijuar nga një grup studentësh me bazë në Kiev në 2016. “Në mënyrë paradoksale, lufta ka rigjallëruar aktivizmin tim”, shton ajo.

Në të njëjtën kohë, lufta i ka detyruar aktivistet të rishqyrtojnë disa nga parimet që mbështesin punën e tyre. Në veçanti, atyre u është dashur të kuptojnë se si t’i qëndrojnë besnike kritikës së tyre ndaj patriotizmit dhe nacionalizmit, të cilat ata i shohin si vlera thellësisht patriarkale, kur vendi ku ata jetojnë është nën sulmin e Rusisë.

FemSolution filloi punën duke organizuar protesta kundër diskriminimit e dhunës si dhe duke rritur ndërgjegjësimin për feminizmin përmes ligjëratave, artit dhe aktivizmit online. Brenda dy javësh nga pushtimi, anëtarët kryesorë të grupit po organizonin furnizime për gratë e zhvendosura.

“Unë isha ulur në një fshat afër Kievit duke procesuar porositë e furnizimeve, ndërsa aktivistët tanë në Lviv po bënin gati kutitë me peceta menstruale”, thotë Lutyi-Moroz. Eposi i tyre vullnetar dhe besimet e forta i ndihmuan ato të përshtateshin shpejt me nevojat e reja që solli lufta.

Sidoqoftë, veprimet e këtyre grupeve feministe nuk u mirëpritën nga të gjithë në Ukrainë. Në vitet para pushtimit, feministet u përballën me sulme nga nacionalistët e ekstremit të djathtë. Ato ngacmoheshin në internet, u publikoheshin të dhënat e tyre personale – duke përfshirë adresat e shtëpisë – në kanalet e Telegramit të ekstremit të djathtë si dhe çdo ngjarje apo protestë publike do të përballej me përçarje nga grupet e këtij ekstremi, gjë që shpesh nënkuptonte sulme të dhunshme. Nën sulm dhe me nivele të ulëta financimi, feministet – veçanërisht ato nga rrymat politike të krahut të majtë dhe queer – u ndjenë gjithnjë e më shumë të shtyra në margjina.

Lutyi-Moroz thotë se tani ajo ndihet e gjallëruar – e nxitur nga zemërimi i saj ndaj Rusisë nga njëra anë dhe dëshira e saj për të ndihmuar njerëzit nga ana tjetër. “Po filloj të ndihem sërish si një njësi e tërë. Lufta dukej se mbylli çdo gjë të tepërt dhe i ktheu gjërat në bardh e zi.”

Gjatë vitit të kaluar, FemSolution është përqendruar në shpërndarjen e produkteve të higjienës menstruale që shpesh lihen jashtë paketave të tjera të ndihmës. Më vonë, me ndihmën e donacioneve nga ukrainasit dhe njerëzit jashtë shtetit, grupi shtoi në pako edhe medikamente e ushqim.

“Aktivizmi nuk mund të ketë efekt vetëm në aksione në rrugë dhe pankarta. Aktivizmi është edukimi dhe puna me njerëz”, thotë Alisa Shampanska, një tjetër aktiviste e FemSolution. “Duhet të veprosh në bazë të situatës, duke nënvizuar se veprimet e bazuara vetëm në teori nuk arrijnë rezultate efektive”, shton ajo.

Në vitin 2021, Raporti Vjetor Global i Hendekut Gjinor i përpiluar nga Forumi Ekonomik Botëror, e renditi Ukrainën në vendin e 74-të nga 78 vende, duke sugjeruar se vendi ka një rrugë të gjatë për të bërë për të arritur barazinë gjinore. Poashtu, të dhënat e mbledhura vitin e kaluar nga grupi sociologjik ukrainas, Rating, tregojnë se shumica e ukrainasve të moshës së mesme ose të moshuar janë më të prirur ndaj vlerave konservatore. Megjithatë, ka pasur disa përparime gjatë vitit të kaluar, të cilat janë kryesisht për shkak të punës së palodhur të aktivistëve.

Në korrik të vitit 2022, Ukraina ratifikoi Konventën e Stambollit për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, pas vitesh avokimi nga grupet lokale. Konventa kërkon që Ukraina të ndërmarrë veprime të tilla si kriminalizimi i përndjekjes dhe krijimi i strehimoreve për

viktimat e abuzimit, të cilat gjithashtu duhet të kenë të drejtën të kërkojnë kompensim financiar, megjithëse shumë prej tyre ende nuk janë zbatuar.

Në anën tjetër, duket se është duke ndodhur një ndryshim në qëndrimet e publikut, siç tregohet nga reagimet e ashpra këtë muaj, pasi influencuesit e rinj në Instagram postuan video që dukej se tregonin gra duke u përdhunuar ndërsa ishin të dehura në festat e kohës së luftës në Kiev. Dy nga influencuesit janë tani në paraburgim, nën hetimet për krijimin dhe shpërndarjen e pornografisë.

Seksizmi dhe dhuna ndaj grave nuk u zhdukën në fillim të pushtimit. Disa grupe feministe i janë rikthyer fushatës së tyre të mëparshme. Përpara pushtimit, feministet e majta në Ukrainë mund të kenë pasur kauzë disi të përbashkët me lëvizjet e tyre përkatëse ruse. Por për disa, pushtimi ka ndryshuar gjithçka.

“Pikëpamja ime ndryshoi. Më parë e shihja sistemin ndryshe: anarkistët dhe feministët rusë ndiheshin disi më afër meje dhe nuk kisha shumë simpati për shtetin tim”, thotë Shampanska. “Tani kam një nivel mjaft të lartë solidariteti me burrat dhe gratë ukrainase, edhe nëse e di se disa mund të jenë homofobikë ose konservatorë”, shton ajo.

Lutyi-Moroz, aktivistja e lartpërmendur e FemSolution, thotë se ishte e zhgënjyer nga ajo që ajo e pa si mungesë mbështetjeje nga feministët rusë, pasi mori pjesë në një konferencë me disa prej tyre vitin e kaluar. “Ne nuk morëm asnjë mbështetje prej tyre – as mbështetje financiare, as ndonjë interes në mënyrat se si mund të ndihmonin”, thotë ajo. Për Lutyi-Moroz, ish-shokët e saj rusë nuk mund të shihnin se si sjellja e tyre ishte një zgjatim i qëndrimit perandorak të Rusisë ndaj ukrainasve.

“Ne ishim anti-imperialistë edhe përpara pushtimit të shkurtit, por kjo e thelloi mirëkuptimin tonë. Ne u bëmë më të sigurta në pikëpamjet tona”, thotë Yevheniya Dzekun nga Bilkis. Megjithatë, kjo nuk i ka bërë aktivistët të braktisin parimet e tyre. FemSolution ka kundërshtuar gjithmonë militarizmin – dhe anëtarët e grupit thonë se kjo vlen edhe në situatën aktuale.

Për fund, ju tregojmë që Shampanska zgjedh të jetë optimiste për të ardhmen. “E ardhmja e  lëvizjes feministe është shumë e ndritshme – të imagjinosh te kundërtën do të ishte e padurueshme.”

Kateryna Semchuk

E përktheu: Idea Peja

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.opendemocracy.net/en/odr/war-with-russia-changed-ukraine-feminist-movement/?fbclid=IwAR3NDyiO6wXbJWnsApwDxREjbTWdqdV4GTBNfrobrS0r97lberr_v9P8tVA