Kur isha një feministe e re, debatoja me miqtë e mi se si hapësira publike ishte politike. Unë isha radikale qysh në vitet e adoleshencës, e inatosur prej ngacmimeve në rrugë që vinin prej burrave të cilët mendonin se rrugët u përkitnin atyre për të ecur lirshëm, kurse gratë konsideroheshin vetëm si dekorim i atyre rrugëve. Nuk ishte një dukuri e zakonshme, sidoqoftë, ndodhte mjaft shpesh sa për të më zemëruar. Derisa ecja nga shtëpia për në shkollë me uniformë nëpër Londër, më kanë ndjekur disa herë, më kanë kapur për krahu, dhe të paktën njëherë më ishte afruar një burrë që kishte qëllime për të më përndjekur. Duke u rritur, e kuptova se këto veprime ishin tendenca për të shfaqur dominim dhe neveritesha. Përveç që isha e zemëruar, isha e zhgënjyer tej mase. Jam rritur në këtë qytet dhe e urreja faktin që kjo sjellje ishte një pengesë e madhe për autonomi dhe liri gjatë adoleshencës sime.
Hamendje, eksplorim, pronësi, rikuperim – këto janë ndjenjat të cilat unë shpresoja t’i përsërisja kur Emma Watson më ofroi mundësinë për të qenë pjesë e një projekti që ri-imagjinonte hartën e mirënjohur të transportit nëntokësor të Londrës. Krahas autores amerikane Rebecca Solnit, ne kemi zëvendësuar çdo emër stacioni me emrin e një gruaje. Ca vite më parë, Watson kishte biseduar me Solnit, e cila së fundmi e kishte shkruar një libër me gjeografin Joshua Jelly-Shapiro. Metropoli që nuk ndalet kurrë: Atlasi i qytetit të Nju Jorkut është një libër me eseja i cili nxjerr në pah storjet e qytetit dhe është i plotësuar nga 26 harta. Njëra nga këto harta është një kopje e hartës së metrosë së qytetit të Nju Jorkut nga Autoriteti i Transportit Metropolitan. Prej 472 stacioneve të metrosë, secilit i është zëvendësuar emri origjinal me emra të grave apo emra të ndonjë kolektivi që është udhëhequr nga gratë. Emrat ishin bashkëkohorë e historikë, duke përfshirë njerëz nga industria e argëtimit, shkrimtarë, artistë, nxitësit radikal për të drejtat e grave, si dhe ish-zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu, në vend të stacioneve të metrosë të cilët mbanin emrat si Penn Station, Bleecker Street dhe Grand Central, tash kishte një stacion të emëruar sipas kritikes së arkitekturës Ada Louise Huxtable – fituese e çmimit Pulitzer; një tjetër stacion i emëruar pas muzikantes Grace Jones, si dhe një stacion me emrin e zezakes shumë të nderuar, poetes lezbike, Audre Lorde.
Gjatë bisedës së saj me Solnit, Watson kishte shprehur admirimin e saj për këtë version feminist të hartës së metrosë së Nju Jorkut, me ç’rast Solnit kishte sugjeruar që të krijonin një version të tillë në Londër.
Harta e metrove është ri-imagjinuar plot herë më parë. Për shembull, litografia e Simon Patterson në vitin 1992 e quajtur Ariu i Madh është ndër më të famshmet. Në këtë vepër, stacionet e metrosë ishin emëruar sipas njerëzve të famshëm, duke përfshirë këtu figura fetare, futbollistë dhe filozofë. Një version i hartës së metrove në vitin 2006, i publikuar nga Guardian, u përpoq të ilustronte lidhjet midis muzikantëve të ndryshëm britanikë dhe zhanreve muzikore.
Gjithashtu, edhe artistja Lubaina Himid, e cila ishte fituese e cmimit Turner, në vitin 2011 me punën e saj “Moments and Connections”, i dha jehonë çështjes së metrove. Një hartë retrospektive e tri ekspozitave kryesore që ajo kuroi në vitet e 80-ta ku vuri në qendër të vëmendjes gratë e zeza dhe aziatike britaneze. Emrat e tyre kryqëzohen me linjat e metrove, që nxjerrin në pah grupet krijuese, institucionet mësimore, ekspozitat si dhe botimet që kanë qenë kyçe për lëvizjen e artit të zezakëve në Britani. Kjo hartë u krijua para ekspozitës së Himidit në vitin 2012 të quajtur Thin Black Line(s) në Tate Britain. Kohëve të fundit, në vitin 2017, kolektivi i artit Thick/er Black Lines publikoi një version të hartës, të ashtuquajtur “Ne kërkojmë falje për vonesën e udhëtimit tuaj’”– duke nxjerrë në pah kështu gratë e harruara zezake britaneze dhe gratë e botës së artit. Pastaj, në vitin 2021, Transporti për Londrën, së bashku me Arkivat e Kulturës Zezake, publikuan një hartë të metrosë ku tregonte historinë e personave të zinj, duke u dhënë përparësi kontributit historik të londinezëve zezakë në qytet. Kështu që, kushdo që e ristrukturon hartën, e dinë thellë se në një emër ka fuqi.
Kaq shumë harta të ndryshme tregojnë një punë shumë të shkëlqyer. Megjithatë, harta zyrtare e sotme e metrove ka vetëm tri ndalesa që janë të emëruara sipas grave. Stacioni Seven Sisters (Shtatë Motrat) është emëruar sipas motrave Hibert, të cilat kanë jetuar në fund të shekullit të 19-të dhe të cilat janë të njohura për mbjelljen e një peme në atë zonë. Ndërkaq, dy stacionet e tjera janë emëruar sipas Mbretëreshës Viktoria, së bashku me Portën e Lancaster e cila është emëruar poashtu sipas një prej titujve të saj mbretërorë.
Në fakt, shumë prej emrave të stacioneve të metrosë në Londër nderojnë pronarët e tokave apo anëtarët e monarkisë. Një udhëtar mesatar i metrosë mund të mos e dijë se Sheshi Leicester është emëruar pas Robert Sidney, konti i dytë i Leicesterit, apo se stacioni Latimer Road është emëruar pas tregtarit të pasur Edward Latymer. Por, e tërë trashëgimia e çdo njërit prej këtyre burrave jeton në emërtimin që iu është bërë. Ka aq shumë statuja dhe emra vendesh të cilat punojnë për të përkujtuar fuqinë e kohës së tyre, duke bërë me dije se publiku i gjerë duhet t’i nderoj ata të cilët kanë kapital apo zotërojnë tokë.
Harta e Qytetit të Grave në Londër përqendrohet në vlera të ndryshme. Kjo hartë manifeston gratë dhe njerëzit jo-binarë të cilët kanë lidhje të fortë me qytetin. Të gjithë këta janë njerëz të cilët kanë arritur gjëra të jashtëzakonshme në fushat e tyre, kanë arritur maja të reja, ose kanë shërbyer si bërthama të lëvizjeve shoqërore. Ne e kemi bërë të pamundurën që të vendosim çdo grua ose person jo-binarë në stacione që lidhen me jetën e tyre, çoftë vendi ku ata kanë lindur, janë rritur, organizuar, apo punuar.
Disa prej stacioneve tona janë të emëruara pas njerëzve të pasur, mirëpo ata nuk gjenden në atë hartë vetëm për atë arsye. Disa prej tyre janë britanikë, e disa të tjerë kanë lindur jashtë shtetit. Në këtë hartë gjenden njerëz të cilët kanë zgjeruar mundësitë e grave. Në mesin e këtyre njerëzve është edhe Claudia Jones – gazetarja, feministja zezake, si dhe një nga themelueset e karnavalit Notting Hill. Krahas saj është edhe stilistja Vivienne Westwood, veshjet e së cilës kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në Londër përmes trashëgimisë së skenës punk.
Disa prej stacioneve të metrosë i lavdërojnë grupet, në vend të individëve. Emrat e tyre përfaqësojnë vendet historike të protestave të udhëhequra nga gratë. Ne kemi vendosur emrat e dy organizatave feministe zezake – Awaz, kolektivi i grave aziatike në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe Owaad, Organizata e Grave me prejardhje afrikane dhe aziatike – në terminalet 2 dhe 3 të Heathrow. Në vitin 1979, ato organizuan një protestë kundër qeverisë në Heathrow, të cilët bënin teste të virgjërisë ndaj grave migrante që vinin në Britani.
Në anën e kundërt të hartës, tek Bow Road, nuk kishte asnjë opsion tjetër përpos vajzave që shisnin shkrepëse në rrugë. Një tjetër kolektiv po aq i fuqishëm i grave, që vepronte prej gati 100 vjet në East End të Londrës, kishte 1400 gra dhe vajza të klasës punëtore të cilat punonin në fabrikën e shkrepëseve, me ç’rast hynë në grevë ku edhe ndryshuan kahjen e lëvizjes punëtore të Britanisë.
Përveç kësaj, harta jonë përkujton gjithashtu edhe vendet e tragjedisë. Një prej tyre është edhe Stacioni Victoria i cili është riemërtuar pas punonjëses të transportit Belly Mujinga, e cila vdiq nga komplikimet e Covid-19 përgjatë kohës kur e gjithë Mbretëria e Bashkuar gjendej në karantinë.
Burgu tashmë i mbyllur i grave në Holloway ka gjithashtu një vend në hartë. Ky është një vend ku aktivistet feministe kanë qenë të burgosura prej kohësh për veprimet e tyre politike që prej sufragjisteve në fillim të shekullit të 20-të, e deri tek gratë e kampit të paqes të Greenham Common në vitet e 80-ta. Grupi i feministeve me veprim të drejtpërdrejtë i quajtur Sisters Uncut e zaptuan qendrën e vizitorëve në vitin 2017, duke shkruar në Guardian që: ‘’Burgjet janë një përgjigje çnjerëzore ndaj problemeve sociale me të cilat ballafaqohen gratë e pambrojtura.’’ Një prej këtyre grave të pambrojtura ishte Sarah Reed, një grua e re zezake e cila kishte një histori me probleme të shëndetit mendor, ku në vitin 2016 ishte gjendur e vdekur në qelinë e saj pasi asaj iu mohua kujdesi mjekësor. Ndërkaq, katër vjet më parë, ajo ishte përballur me një incident brutaliteti të tmerrshëm në duart e shtetit. Ajo poashtu ishte sulmuar nga një oficer policie, i cili e kishte akuzuar atë për vjedhje në një dyqan. Më vonë, oficeri i policisë u dënua për sulm të përbashkët. Duke i shënuar këto tragjedi, ne synojmë që të përkujtojmë njerëzit që shoqëria jonë i ka dështuar, bashkë me ata të cilët kanë përballuar çdo gjë.
Prej shumë kohësh, Londra ka qenë një vend për protestë, për kauzë të përbashkët, kolektivizëm dhe bashkëpunim. Është një qytet ku dekadenca e varfëria ekstreme janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Është një vend ku gratë nga e gjithë bota janë shpërngulur në mënyrë që të shfaqin vetveten, shpesh duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën. Ndoshta kjo hartë mund të mos e ndryshojë botën, por unë shpresoj që t’iu nxisë juve t’i hidhni një shikim të dytë vendeve që dikur ndoshta mund t’i kishit parë si të mirëqena, të imagjinoni jetët e jetuara nga gratë para jush dhe të mendoni për mundësitë që ju mund të krijoni. Kjo hartë është kundër çdo pohimi se qyteti kinse nuk është për ne.
Reni Eddo-Lodge
E përktheu: Arianita Kqiku
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/world/2022/mar/07/next-stop-sylvia-plath-why-it-is-time-to-redraw-the-london-underground-map?fbclid=IwAR1DmGROZkvJDUaQ7_zfr0cgeAYX_xowc1y8RI4tij7Wapw3h35EqS77YGw