Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Femicidi – pamdemia në hije

QIKA 31.8.2021

“Duhet të ndërmerren veprime urgjente për t’i dhënë fund pandemisë së femicidit”; “Porto Riko shpallë gjendje të jashtëzakonshme si pasojë e femicidit”; “Rastet e fundit të femicidit tregojnë një dështim serioz”; dhe “Vrasjet e grave në Meksikë po rriten me ritme rekorde”. Këta janë vetëm disa nga artikujt e shumtë shqetësues që shfaqen kur kërkoni “urgjencën e femicidit” në Google. Urgjenca e çështjes është përmendur në të gjithë titujt e këtyre artikujve, megjithatë duket sikur askush nuk di për të ose nuk po flet për të. Pandemia COVID-19 me sa duket ka marrë vëmendjen kryesore duke lënë dhunën me bazë gjinore  dhe pandeminë e femicidit diku në hije dhe si e tillë ka mbetur prapa, e panjohur dhe pa vëmendje. Bota ka dështuar në mbrojtjen e jetës së grave dhe vajzave dhe COVID-19 vetëm ka rritur seriozitetin e problemit. Është e domosdoshme që pandemia e dhunës me bazë gjinore të jetë prioritet në mbarë botën së bashku me COVID-19 dhe të kuptohet për atë që është me të vërtetë: vrasja e shmangshme e grave të panumërta që nuk morën mbështetjen dhe mbrojtjen për të cilën kishin aq shumë nevojë.

Femicidi dhe dhuna me bazë gjinore kanë qenë të përhapura në mbarë botën që moti, njëjtë si pikëpamjet tradicionale patriarkale që shërbejnë si një faktor kryesor kontribues në dhunë. Ashtu si koronavirusi, femicidi gjithashtu “ndodh në çdo shoqëri pa dallim dhe përhapet me një ritëm të pallogaritshëm”, duke shkaktuar miliona vdekje në të gjithë botën. Megjithatë njëra pandemi prioritizohet mbi tjetrën. Dhuna me bazë gjinore nga OKB-ja është përshkruar si një “pandemi në hije”, pasi që ishte rritur me një ritëm alarmues, por mbeti pa u vënë re pavarësisht se ishte një çështje urgjente para pandemisë COVID-19. Gjashtë gra vriten çdo orë nga burrat në nivel global dhe një në tre gra përjetojnë dhunë gjatë jetës së tyre – një statistikë që ilustron ashpërsinë e situatës aktuale. Jean-Paul Murunga, nga organizata për të drejtat e grave Equality Now, deklaroi se pandemia “thjesht hoqi velin nga ajo që nuk po shihej”. Edhe pse çrrënjosja e pandemisë së dhunës dhe femicidit nuk do të ndalojë përhapjen e COVID-19, nuk mund të mohohet që ne aktualisht po përballemi me një krizë femicidesh, me rreth 50,000 gra që vriten brenda vitit. Dhuna dhe femicidi nuk mund të vazhdojnë të harrohen thjesht për shkak të fokusimit në përfundimin e pandemisë COVID-19. Femicidi është një pandemi në vetvete dhe është koha që të trajtohet si e tillë. Efekti i kufizimeve të COVID-19 në rritjen e cenueshmërisë së grave dhe nivelet që rezultojnë nga dhuna gjinore duhet të njihen, nëse duam të shpëtojmë jetët e grave. Ky artikull nxjerrë në pah nevojën për një përpjekje të bashkërenduar që duhet bërë nga komuniteti ndërkombëtar për t’i dhënë prioritet luftës kundër femicidit dhe dhunës.

Shifrat e femicidit dhe dhunës me bazë gjinore

Mes vitit 2007 dhe 2012, mesatarisht 60,000 gra u vranë dhunshëm në të gjithë botën sipas të dhënave të The Global Burden of Armed Violence 2014. Megjithatë dhuna shpesh është nënvlerësuar. Para COVID-19, 35 përqind e grave në të gjithë botën kishin përjetuar një formë të dhunës fizike ose seksuale nga partneri ose dhunë seksuale nga dikush tjetër. Pas shpërthimit të koronavirusit në të gjithë botën, ne kemi parë rastet e dhunës dhe femicidit duke u rritur. Me mbi 600 raste përdhunimi të raportuara, dhuna në Liberi u rrit me 50 përqind mes janarit dhe qershorit të vitit 2020. Ngjashëm, pandemia e ka lënë Turqinë në një “gjendje të jashtëzakonshme” me 36 gra të vrara dhe 11 vdekje të tjera të dyshimta vetëm gjatë muajit korrik. Mbretëria e Bashkuar nuk bën përjashtim, me një grua që vritet nga një burrë çdo tre ditë – një normë e femicidit që ka mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë. Prandaj, me shifrat e femicidit dhe rasteve të dhunës jashtëzakonisht të larta dhe në rritje që nga fillimi i pandemisë COVID-19, ekziston një korrelacion i qartë midis të dyve. Pandemia COVID-19 nuk duhet të vazhdojë të maskojë pandeminë e dhunës, e cila duhet të merret seriozisht nëse duam të parandalojmë vdekjet e mijëra grave dhe vajzave të tjera.

Pse ndërlidhet COVID-19 dhe rastet e shtuara të dhunës?

Masat për qëndrim në shtëpi kanë çuar në rritjen e izolimit të grave dhe vajzave që po jetojnë me rrezikun e dhunës. Kur u futën masat e izolimit, gratë me partnerë dhe të afërm të dhunshëm u ndanë nga miqtë dhe familja dhe u bllokuan me abuzuesit e tyre. Paqëndrueshmëria ekonomike në rritje, shifrat e papunësisë në të gjithë botën, stresi i shtuar dhe alkoolizmi, i kanë lënë gratë të nënshtruara ndaj dhunës së shtuar. Meqenëse shumë prej burrave kanë humbur punën dhe nuk janë në gjendje të sigurojnë për familjet e tyre, abuzuesit ka të ngjarë të kenë ndjerë një humbje të pushtetit që i ka bërë ata të ushtrojnë dhunë më të madhe, si një mënyrë alternative për të ushtruar kontroll dhe dominim. Gratë që tashmë janë më të prekshme dhe i nënshtrohen disa formave të diskriminimit, siç janë gratë LGBTQ+, gratë indigjene, ato me origjinë afrikane, emigrantet e zhvendosura dhe gratë refugjate janë përballur me rreziqe shtesë si rezultat i COVID-19 dhe kanë përjetuar pengesa të tjera në qasjen e ndihmës. Për shembull, në përpjekjen për të kërkuar ndihmë nga policia për dhunën në familje, anëtarët e komunitetit LGBTQ+ përballen me barrierën shtesë të frikës se mund të përjetojnë diskriminim dhe skepticizëm si rezultat i anëtarësisë së tyre në komunitet. Kjo e bën edhe më të vështirë për anëtarët e këtij komuniteti të kenë qasje në ndihmën dhe burimet që u nevojiten për të luftuar dhunën në familje. Dhuna në familje nuk është uniforme dhe kjo duhet të adresohet në luftën kundër dhunës gjinore gjatë pandemisë COVID-19.

Përgjigjet ndërkombëtare

Duke marrë parasysh shkallën e lartë të dhunës së vazhdueshme në mbarë botën, reagimi ndërkombëtar nuk ka qenë fare adekuat. Shtetet në mbarë botën kanë heshtur përpjekjet e tyre drejt përfundimit të dhunës gjatë pandemisë COVID-19, duke dështuar të njohin seriozitetin e gjendjes së tanishme. Projektligji i Abuzimit në Familje i paraqitur në mars 2020 nga qeveria britanike u zotua se do ta vendoste abuzimin në familje në “krye të agjendës së të gjithëve”, megjithatë asnjë përpjekje e vërtetë për të mbështetur viktimat nuk u bë deri në nëntor kur numrat në rritje detyruan qeverinë të siguronte 11 milionë funta për të mbështetur viktimat e dhunës në familje. Vendet në Amerikën Latine përbejnë 14 nga 25 vendet me përqindjet më të larta të vrasjes. Meksika ka vuajtur gjithmonë nga vrasjet dhe dhuna seksuale, duke pasur një nga nivelet më të larta në botë me 10 gra të vrara çdo ditë. Në mars 2020, gratë filluan grevën dhe mbyllën Meksikën “në një shpërthim zemërimi për dhunën gjinore”, por nuk morën asnjë përgjigje nga Presidenti Andrés Manuel López Obrador i cili refuzoi të vendoste ndonjë legjislacion të ri ose të bënte ndonjë përpjekje për të ndaluar femicidet. Qeveritë e njëpasnjëshme meksikane kanë dështuar në trajtimin e femicidit dhe pavarësisht vrasjeve gjithnjë e më të tmerrshme të grave, qeveria ende nuk po e merr seriozisht këtë çështje. Vazhdimi i promovimit të pikëpamjeve patriarkale dhe mizogjiniste vetëm sa kontribuon në vazhdimin e vrasjeve të grave – vrasje  të parandalueshme. Dubravka Simonovic, një reportere speciale për dhunën ndaj grave, ka bërë thirrje për angazhim nga persona kombëtar për mbikëqyrjen e vrasjeve të grave në të gjithë botën. UN-Women i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime për të parandaluar dhunën e mëtejshme duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke avancuar një politikë të tolerancës zero kundër dhunës me bazë gjinore. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres e ka përforcuar këtë mesazh duke u bërë thirrje shteteve që ta bëjnë parandalimin e dhunës një prioritet kryesor dhe pjesë të planeve të tyre për të trajtuar COVID-19.

Për të ndalur pandeminë e femicidit dhe dhunës, duhet të bëhen ndryshime të vërteta strukturore në të gjithë botën. Sistemet patriarkale, të cilat duhet të shpërbëhen me ngut, kanë mbështetur për një kohë të gjatë pikëpamjet dhe stereotipet mizogjene të rrënjosura thellë përreth grave dhe vajzave, duke promovuar në mënyrë aktive objektifikimin e tyre dhe duke shërbyer si justifikime për abuzuesit e tyre. Femicidi dhe dhuna do të vazhdojnë të rriten pa barazi të vërtetë për gratë dhe vajzat. Barazia kërkon një ekuilibër të fuqisë, kontrollit, burimeve dhe strukturave shoqërore të vendosura për të parandaluar diskriminimin dhe dhunën. Ky artikull është një thirrje për qeveritë dhe institucionet në mbarë botën që të punojnë më shumë. Miliona gra po injorohen, po neglizhohen dhe po vdesin nga vrasjet e parandalueshme dhe kjo duhet të përfundoj.

Phoebe Eleanor Sheppard

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.humanrightspulse.com/mastercontentblog/the-impact-of-covid-19-on-the-shadow-pandemic-of-femicide-and-gender-based-violence?fbclid=IwAR00PgYmUi8rbmM9WiNynRPdbZw-wY7Ktir2Vu7gAG0ICuVZp0mMGtslhR4