Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Hyr brenda dhomës. Rrotulloje çelësin.

QIKA 2.9.2021

Pse vendosa të ringjallë Virginia Woolf-in? Unë jam britaneze, me rrënjë në klasën punëtore dhe prejardhje qipriote. Me këtë prapavijë vjen një ndërgjegje e thellë e klasës. Kështu që sa herë që dëgjoj për trashëgiminë (pesëqind paund në vit) të Virginia Woolf-it, trashëgimi e cila ia largonte asaj shqetësimin dhe nevojën për të gjetur punë për siguruar një çati mbi kokën e saj dhe ushqim për gojën e saj, më dhemb pak shpirti.

Unë kam dhënë mësim për lëndën e shkrimit kreativ në SH.B.A. për njëzet e dy vite, ku shtatëmbëdhjetë prej atyre viteve kam punuar me gjysmë orari dhe poashtu kam pasur një punë me orar të plotë në zyrë. Ndërsa tani jam profesore me orar të plotë. Kjo punë, në një javë të mirë, më obligon të lexoj përafërsisht 280 faqe me shkrim kreativ të studentëve, pastaj të shkruaj 34 faqe me vlerësime në javë. Ndërsa në një javë të keqe, më obligon të lexoj afërsisht 1,400 faqe me shkrim kreativ të studentëve dhe të shkruaj 44 faqe me vlerësime. Paratë që fitoj nga kjo punë, megjithatë më mundësojnë të blej Një Dhomë Më Vete si dhe më mbetet edhe një shumë ekuivalente e ditës moderne prej pesëqind paundësh.

Kohët kanë ndryshuar. Shumica e grave shkrimtare që njoh punojnë me orar të plotë. Shumica e mbajnë vetveten; disa madje janë edhe sigurueset e vetme për familjet e tyre. Përpos kësaj, shumica e grave shkrimtare me të cilat punoj kanë më shumë se një punë – një me orar të plotë, plus një tjetër me orar të pjesshëm. Kur dëgjoj shkrimtare gra duke folur, nuk dëgjoj kërkesa për dhoma, por për kohë.

Pse kam shkruar intervistën vijuese? Si studente universitare dhe pasuniversitare kam punuar me orar të plotë dhe kam shkuar në shkollë gjatë natës. Në atë kohë të jetës sime (si vajza e një burri dhe gruaje të paarsimuar), unë kisha shumë nevojë për një shkrimtare grua të klasës punëtore për të më frymëzuar. Isha e uritur për këtë frymëzim; pa të do të ndieja që shkrimi ishte vetëm diçka që një grua e klasës së mesme ose e klasës së lartë me para të trashëguara mund të bënte.

Unë e ringjalla Virginia Woolf-in për të inkurajuar gratë që punojnë, që janë shkrimtare, të pyesin veten se çfarë ndiejnë me të vërtetë për “dhomën” dhe ekuivalentin e sotëm të pesëqind paundëve në vit? Për mua, pyetja më e rëndësishme është kjo: Në shekullin 21, si gra që e marrim veten seriozisht si shkrimtare në botë, çfarë na nevojitet më së shumti??

…………………………….

I: Së pari, më lejoni të them sa e nderuar jam që më mundësove kryerjen e kësaj interviste. Unë kam përgatitur disa pyetje, në mënyrë që të mos humbas as edhe një minutë tuajin të çmuar. Ajo që lexuesit e mi do të dëshironin të dinin është nëse e shihni botën e sotme si shumë të ndryshme nga bota e vitit 1941?

VW: Para se të zhytem në mendimet se si vitet e para të shekullit 21 ndryshojnë nga shekulli i 20, më lejoni së pari të them se e konsideroj një privilegj të kthehem për të adresuar disa nga shqetësimet me të cilat gratë shkrimtare të sotme duhet të përballen.

Meqenëse koha është vërtet e çmuar, le të fillojmë: Po, bota juaj sigurisht ndryshon nga bota që i referohem në Një Dhomë Më Vete, por nga ajo kohë ka akoma shumë gjëra që vlejnë edhe sot. Ajo që mund të jetë më e dobishme për gruan shkrimtare të sotme është të mendoj se si fjalët e mija mund të interpretohen në mënyra të ndryshme në mënyrë që të fitohet liria për të shkruar.

I: Lexuesit e mi do të dëshironin t’ju dëgjonin duke folur për mënyrën se si po i ri-interpretoni punën tuaj. A do ta kishit problem të flisni më shumë për këtë temë?

VW: Aspak. Ajo që së pari më vjen ndërmend është se që nga vdekja ime, feminizmi u ka ofruar grave shumë përparime pozitive, por, si në çdo lëvizje, progresi nuk është kurrë një rrugë lineare; gjatë rrugës ka pengesa për të kapërcyer. Kur shkrova “pesëqind paundë në vit japin fuqinë për të menduar,. . . një dry në derë do të thotë fuqi për të menduar vetë”, kjo nuk ishte pjesë e përvojës sime që gratë ndonjëherë mund të ishin sigurueset e vetme për familjet e tyre. Gjithashtu nuk ishte pjesë e përvojës sime që gratë mund të merrnin pjesë në kolegj për të studiuar pranë vëllezërve të tyre. Kështu që në këtë kohë, kur rrethanat janë të tilla, unë do t’i këshilloja gratë të mendonin seriozisht se si do të përfitojnë më shumë nga pesëqind paundët e tyre. (Sa do të ishte vlera e 500 paundëve në vitin 2013 për gratë tuaja vendase? Përafërsisht 50,000 dollarë?). Unë guxoj të shtoj se pyetja më e rëndësishme që një grua shkrimtare mund t’i bëjë tani vetes është: Çfarë lloj dryni do të blija?

I: Nëse nuk e keni problem, unë kam dëshirë të ndajë me ju një përvojë që mund të veprojë si një rrugë e shkurtër për t’ju ndihmuar të kuptoni më tej sesi ka ndryshuar jeta për gratë që nga vdekja juaj.

VW: Ju lutem vazhdoni. Unë mirëpres çdo informacion që më ndihmon të kuptoj jetën e grave shkrimtare të sotme më thellë.

I: Në vitin 1991, isha duke shikuar një intervistë në televizion me dy shkrimtarë – një burrë dhe një grua – të cilët kishin botuar së fundmi nga një vepër të re. Intervistuesi pyeti shkrimtarët se si ishte të punoje për librat e tyre. Burri foli i pari. “Unë u mbylla në zyrën time dhe nuk i pashë fëmijët e mi për pesë vjet”, tha ai.

Pastaj intervistuesi i bëri gruas të njëjtën pyetje. “Unë jam një nënë e vetme me dy fëmijë dhe një punë me orar të plotë, kështu që nganjëherë ulesha tek makina e shkrimit me një nga fëmijët e mi në prehër, i cili tërhiqte vathin tim ndërsa unë shtypja”, tha ajo.

Nuk e mbaj mend emrin e autorit, por mbaj mend emrin e autores: Toni Morrison. (Një grua bashkëkohore shkrimtare me qëndrim dhe vlerësim të lartë.) Për gratë shkrimtare të ditëve të sotme, fëmija i ulur në prehrin e një nëne është një simbol i kohës sonë. Gratë vazhdimisht duhet të ndërrojnë vendin e përgjegjësive të tyre. Pyes veten se çfarë mendoni për këtë ide? Shumë gra shkrimtare po i përmbahen asaj. (Përfshirë këtu edhe veten time.) A keni ndonjë mendim se si mund të lidhet kjo me idenë tuaj të tanishme se si duhet ta pyesim veten se çfarë lloj dryni do të blinim?

VW: Faleminderit për këtë anekdotë. Unë jam një adhuruese e punës së zonjës Morrison. (Jeta e përtejme ka një bibliotekë të gjerë.) Historia juaj tregon qartë se si kohët kanë ndryshuar. Gjithashtu më ndihmon të përsos këshillat e mia. Unë mund të shoh pse gratë shkrimtare do t’i përmbahen këtij lloj frymëzimi. Ajo për të cilën po bëhet fjalë këtu është vendosmëria. Ajo që është e qartë për mua në botën tuaj bashkëkohore është se paratë mund të blejnë një lloj lirie të caktuar dhe gjithashtu mund të blejnë një dry. Por duket sikur rrotullimi i çelësit tani është bërë pengesa kryesore. Nëse do të rishikoja fjalët e mia për gruan shkrimtare të shekullit 21, do të shtoja ndjenjën time origjinale në këtë mënyrë:

“Pesëqind paundë në vit mundësojnë fuqinë për të menduar,. . .

një dry në derë mundëson fuqinë për të menduar vetë. . .

rrotullimi i çelësit do të thotë të vendosësh punën tënde në radhë të parë. “

I: Nëse ju kuptoj saktë, ju po u kërkoni grave shkrimtare të sotme të mendojnë se çfarë i duhet në mënyrë që ta vendosin punën e tyre në radhë të parë.

VW: Pikërisht. Çfarë dobie ka një dry i hapur? Fokusi i këshillave të mia është zhytja në procesin e shkrimit, pa ndërprerjen e ideve, nevojave dhe kërkesave të njerëzve tjerë. Ajo që nuk ka ndryshuar me kalimin e kohës është se si gratë pritet të jenë aty për të gjithë njerëzit dhe për shkak të kësaj vendosja e shkrimeve të tyre në radhë të parë është një luftë e vazhdueshme.

Të shkruarit është një përpjekje serioze. Nuk është diçka që bëhet duke u ulur në divan me fëmijë ose me një bashkëshort që të ndërpret për të pyetur se ku i keni lënë biskotat ose çelësat e automjetit. Nuk është diçka që bëhet përderisa ndërpreheni nga një punëdhënës i cili iu telefonon natën për të pyetur se ku i vendosni raportet e punës të vitit të kaluar. Jam e sigurt që edhe ju keni shembuj personal se si bota ndërhyn në punën tuaj. Jam e interesuar të dëgjoj historinë tuaj.

I: Nuk prita që qendra e vëmendjes të binte mbi shkrimet e mia. Nga njëra anë, më duket si një bekim të dëgjohem nga Virginia Woolf dhe nga ana tjetër ndihem e ekspozuar. Sidoqoftë, unë do të flas sinqerisht.

Disa vjet më parë m’u dha një dhuratë që nuk e kam harruar kurrë: dy muaj papunësi. Kjo ishte hera e vetme në jetën time si e rritur që nuk po punoja me orar të plotë. Përveç kërkimit të punës, angazhimi im i vetëm ishte të shkruaja. Ky interval i veçantë, në të cilin kisha kohë të bollshme, ishte një risi për mua: lexova dhe shkrova me një pangopësi që më zuri në befasi – ishte sikur të kisha pritur tërë jetën për këtë liri. Diçka tjetër po aq befasuese ndodhi: gjatë kësaj periudhe të shkurtër papunësie, kur u ula të shkruaj më shumë poezi (deri në atë kohë kisha shkruar vetëm poezi), shkrova pesëmbëdhjetë faqe prozë. Pastaj dy muaj më vonë pata tridhjetë faqe prozë. Pasi u ktheva në punë me orar të plotë, vazhdova të shkruaj prozë (megjithëse ishte copa-copa). Përfundimisht, më duhej të pranoja se po shkruaja një roman dhe jo vetëm ndonjë roman, por një roman historik, një që më kërkonte të bëja kërkime mbi dy gra nga shekulli 19. Njërës prej këtyre grave të shekullit të 19-të i jepej një ndihmë prej pesëqind paundesh në vit nga babai i saj, kështu që si ju, ajo nuk kishte pse të shqetësohej për para dhe u çlirua për t’iu përkushtuar profesionit së saj. Si rezultat, emri i saj u bë sinonim i heroizmit. Gruaja tjetër – personazhi im kryesor – pasardhëse e njerëzve që u skllavëruan – u lind në një familje punëtore, pa trashëgimi, por ajo nuk e la që kjo ta pengonte.

Puna për këtë roman po më mëson për vendosmërinë, vetëvendosjen dhe për mënyrat se si drynat dhe çelësat mund të na mbyllin ose të na bllokojnë. Zonja Woolf, unë duhet të rrëfehem: dera e dhomës time u mbyll pas meje dhe aksidentalisht unë e bllokova dhomën me çelës nga brenda.

VW: E dashur, kjo nuk është diçka mbi të cilën ke nevojë të dëshpërohesh. Dryni mund të zëvendësohet. Ajo që më shqetëson është pse nuk e keni zëvendësuar tashmë atë? Çfarë keni bërë që kur e mbyllët?

I: Unë po shkruaj në makinë, në metro, madje edhe në terminale të aeroportit. Unë gjithashtu po shkruaj në tryezën e kuzhinës përderisa darka është ne furrë dhe në lavanderi ndërsa rrobat thahen. Mundohem të shkruaj kudo dhe kurdo që mundem.

Zonja Woolf, ndihem e vetëdijshme që kam marrë kohën tuaj me shqetësimet e mia, por pastaj e di që vështirësitë e mia vlejnë për të tjerët dhe kështu jam e guximshme të përmend një gjë të fundit. A do ta kishit problem sikur të përdorja fjalët e një shkrimtareje tjetër për të shpjeguar se si ndihem.

VW: Aspak. Gjithmonë jam duke kërkuar frymëzim. Vdekja nuk më ka ndaluar të ëndërroj.

I: Shkrimtarja, Hélène Cixous, dikur shkroi: “Dikush mund të vdesë nga të qenit i paaftë për të shkruar në kohë librin që ka brenda trupit të vet. Ky është libri që duhet të ballafaqohet dhe kërkon nga unë një guxim që me ngulm kërkoj ta gjej në vetvete. “

Kjo ndjenjë është saktësisht ajo që unë ndjej për punën time dhe jam e sigurt se kjo ndjenjë ndihet nga një shumicë e madhe e lexuesve të mi. Prandaj, pyetja ime e fundit para se të ktheheni në jetën e përtejme është: Duke marrë parasysh fjalët e Cixous, a keni ndonjë këshillë për t’i ndihmuar atyre që ju kanë mbyllur dhomat nga brenda?

VW: Po: Ndërrojeni drynin. (Por nëse kjo është shumë e kushtueshme, edhe një dry i koduar funksion.) Hyr brenda. Rrotulloje çelësin.

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.goddard.edu/masters-degree/mfa-in-creative-writing/turn-the-key-an-interview-with-virginia-woolf/?fbclid=IwAR2E6eOsmxf6DS2NrkRh7PPvnJuiILNzqaiuPBmwrkw3n3JEvpx1RGrmzYo