Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Keqtrajtimi i grave punëtore në fushat e luleshtrydheve në Spanjë

QIKA 14.6.2022

Në fushat e rajonit jugperëndimor të Huelva-s, Spanjë, çdo vit, për tre muaj me radhë, rreth 13,000 gra mbledhin luleshtrydhet që i presim me padurim t’i kemi në tryezat tona. “Ato janë luleshtrydhe pa të drejta”, ju thanë gratë punëtore që paguhen në baza ditore, brigadës së vëzhgimit feminist, e cila kaloi tre ditë duke vizituar fushat e agrobiznesit të luleshtrydheve së bashku me Jornaleras de Huelva en lucha (Gratë punëtore të Huelva-s që po luftojnë për të drejtat e tyre).

Ana Pinto vjen nga një familje punëtorësh që paguhen në baza ditore dhe ka punuar në ara që në moshën 16 vjeçare, “dyert filluan të më mbylleshin në 2018, pasi denoncova kushtet e punës së punëtorëve sezonalë dhe kërkova të drejtat tona”, shpjegon ajo. Dhe kështu, në kushte të pafavorshme dhe duke luftuar për të drejtat kundër një punëdhënësi i cili përdorë çdo mekanizëm të imagjinueshëm të shfrytëzimit dhe kontrollit ligjor dhe jo-ligjor, u formua Jornaleras de Huelva en Lucha dhe kështu filloi të merrte formë një sindikalizëm feminist i bazuar në vetëorganizimin e punëtorëve.

T’i dëgjosh ato do të thotë t’i bashkëngjitësh një feminizmi që lufton për të përmirësuar kushtet materiale të jetesës së grave që i nënshtrohen abuzimit sistematik në një kontekst patriarkal, racist, kapitalist dhe ekocid. Pastora Filigrana nga Abogadas Sociedad Cooperativa Andaluza (Kooperativa e Grave Juriste Andaluziane) sqaron: “Unë kam thënë dikur se rajoni ku rriten luleshtrydhet në Huelva është një laborator ku ne mund të shohim një sistem që ndërthur dhunën e kapitalizmit, patriarkalizmit, racizmit dhe shfrytëzimit të tokës dhe burimeve natyrore në punë. Të gjitha aspektet e sistemit neoliberal në një rajon të vetëm”.

Modelet e shfrytëzimit

Gratë punëtore që paguhen në baza ditore e që janë të punësuara në Huelva fitojnë paga të vogla, punojnë shtatë orë në ditë me një pushim prej njëzet minutash dhe disa prej tyre kanë punuar në industrinë e luleshtrydheve për gati gjashtëmbëdhjetë vjet me kontrata shërbimi të përkohshme pa asnjë shans për të konsoliduar të drejtat e tyre. Ato shpesh duhet të kombinojnë punën e tyre me punë të tjera pasi paga mezi mbulon nevojat e tyre themelore, e lëre tu jap atyre mundësinë për të kursyer. Puna e tyre drejtohet nga rregulloret e punës të përfshira në një marrëveshje specifike të punës bujqësore në Huelva, mospërputhja e së cilës është e vështirë të raportohet për shkak të frikës së bazuar nga hakmarrja dhe mosveprimit të inspektorëve të punës. Kushtet e tyre të punës përfshijnë mbikëqyrjen për të kontrolluar produktivitetin e tyre (ku ato janë të pajisura me një çip), monitorimin e lëvizjeve të tyre, veshjet e tyre, për çfarë flasin dhe madje edhe kur duhet të përdorin banjën (për të cilën duhet të regjistrohen).

Ne duhet të flasim për këtë skllavëri të re të shekullit të XXI (nganjëherë pothuajse e njëjtë me trafikimin), që lidhet me migrimin dhe sistemin kufitar. Gratë punëtore që paguhen në baza ditore mbërrijnë në Huelva me kontrata që origjinën e kanë në Marok dhe janë të detyruara të kthehen kur përfundon sezoni i mbledhjes së luleshtrydheve, këtë gjë e bëjnë për shkak të ofertës specifike të punës që nuk përmbush kushtet e marrëveshjes kolektive dhe shkel të drejtat themelore të njeriut. Të gjithë e dimë se mungesa e të drejtave çon në mosndëshkim dhe në abuzime pa kufi.

Ato vijnë të punojnë për tre muaj me një pagë pak më shumë se 40 euro në ditë, duke përfshirë këtu orët jashtë orarit të punës (pagë e cila nuk është gjithmonë e disponueshme), por nuk kanë asnjë garanci për t’u kthyer në atdhe me shumën e parave që kanë rënë dakord, sepse ato nuk janë të mjaftueshme sa për

tu ndihmuar familjet e tyre. Shifrat e pagave nuk përputhen, për shkak se nëse një punëdhënës vendos se nuk do të prodhohet në një ditë të caktuar, ato nuk do të punojnë dhe rrjedhimisht nuk do të paguhen. Nëse një punëdhënës vendos të punësojë aty për aty punëtorë të tjerë në baza ditore dhe t’i zëvendësojë punëtoret e mëparshme, këto të fundit nuk paguhen. Nëse sëmuren dhe nuk mund të punojnë, punëtoret nuk paguhen.

Pra, le të bëjmë një përllogaritje të shpejtë: punëdhënësi paguan vetëm për biletën kthyese të tragetit, por gratë paguajnë për koston e transferimit nga fshati i tyre, për tragetin në dalje si dhe për vizën. Ato gjithashtu paguajnë për një politikë sigurimi me La Caixa që janë të detyruara ta nxjerrin si dokument dhe të nënshkruajnë pa iu sqaruar askush për përmbajtjen e saj dhe pa qenë në gjendje t’u besojnë përkthyesve të punësuar nga kompania, nëse veç ka të tillë. Përbërja e dokumentit që ua mbulon sigurimi është një mister dhe kostoja mund të jetë deri në 150 euro. Ato paguajnë edhe ushqimin si dhe 50 euro për kazermat në të cilat qëndrojnë së bashku me gjashtë apo tetë gra të tjera, edhe pse strehimi duhet të garantohet në përputhje me marrëveshjen kolektive. Me pak fjalë, ato nuk ia dalin dot. Gratë shpjegojnë se në të kaluarën atyre u jepej një librezë llogarie dhe mund të kontrollonin lëvizjet e llogarisë së tyre bankare, por tani nuk kanë më qasje për t’i kontrolluar ato. Mekanizmat e kontrollit janë duke u përmirësuar.

Mbikëqyrësit e fermës kontrollojnë gjithashtu lëvizjet e tyre. Biseda me ne ishte një akt bujarie dhe guximi, sepse ato rrezikuan dhe kjo gjë mund të rezultonte edhe në ndërprerjen e kontratave të tyre. Kjo është arsyeja pse ato nuk mund të tregojnë emrat e tyre dhe as të shfaqen në foto, kështu takimi ynë duhej të ishte “klandestin”, duke udhëtuar në rrugë dytësore dhe larg çdo hapësire publike.

Vendbanimet

Në vendbanime si ai në Palos de la Frontera (një nga 11 të tilla në Andaluzi), gratë dhe burrat, kryesisht afrikanë sub-Saharianë, jetojnë në kushte të këqija. Pavarësisht nëse janë të pajisur me dokumente zyrtare apo jo, ata jetojnë në kasolle të mbaruara me paleta druri, për të cilat paguajnë nga një euro e gjysmë, të mbuluara me karton dhe fletë plastmasi, për të cilat gjithashtu paguajnë. Ata nuk kanë qasje në ujë, kanalizime apo energji elektrike. Nuk ka asgjë. Ata jetojnë në frikë dhe ankth prej një situate që u është imponuar nga procedura e aplikimit nëpërmjet ley de extranjería (ligji spanjoll i imigracionit), i cili i detyron ata të ndjekin rrugët e paligjshme. Periudha trevjeçare e nevojshme për të aplikuar për leje të qëndrimit u jep punëdhënësve mundësi që të mund ti shndërrojnë punëtorët në fuqi punëtore të skllavëruar duke iu nënshtruar kushteve të padurueshme të jetesës.

Kjo është ajo që po ndodh në një qytet si Palos de la Frontera, një qytet i pasur i qeverisur nga Partido Popular ku vota e Vox u rrit ndjeshëm në zgjedhjet e fundit. Një qytet me një buxhet të konsiderueshëm bashkiak falë taksave që mbledh nga kompanitë dhe rafineritë në portin e jashtëm të Huelva-s. Disa ditë para vizitës, një zjarr kishte shkatërruar një pjesë të kasolleve, sepse bidonët e përdorur për të mbajtur ujin nuk mjaftonin për të shuar zjarrin. Pritja e zjarrfikësve rezultoi në djegien e disa gjësendeve të punëtorëve. Një tragjedi e tillë është ndodhë për shkak bashkëfajësisë së subjekteve shoqërore, të të gjitha niveleve të administratës publike (vendore, rajonale dhe shtetërore) dhe për shkak të joefikasitetit e sindikatave.

Kostoja e të qenit grua dhe e racializuar

Ka një arsye pse ekziston kjo situatë, thekson Pastora Filigrana: “Përderisa ka varfëri, ka njerëz pa dokumente, asnjë luftë sindikale nuk do të ketë sukses sepse gjithmonë do të ketë një fuqi punëtore të frikësuar, që punon për pak para dhe që është e shfrytëzueshme për të na zëvendësuar nëse ne protestojmë”. Më të varfrit janë ata që më së lehti u zhvesh të drejtat e tyre pa u ndëshkuar dhe këtu, ato janë gra të racializuara me status migrimi, gjë që i bën ato të cenueshme.

Mjafton të vëzhgojmë sesi kriteret e rekrutimit kanë ndryshuar me kalimin e kohës për të treguar se organizata e punëdhënësve e kupton qartë këtë gjë. Ata kaluan nga punësimi i burrave në punësimin e grave nga vendet e Evropës Lindore, dhe më pas tek gratë marokene për të cilat u vendosën rregulla të veçanta. Ato duhet të jenë nga 18 deri në 45 vjeç dhe të kenë një familje në vendin e tyre të origjinës me të paktën një fëmijë të mitur. Mandatet gjinore dhe lidhjet familjare supozohet të garantojnë “bindjen” e tyre të supozuar dhe kthimin e sigurt në Marok.

Ky racizëm klasor, i mbështetur nga gjuha e urrejtjes kundër migrantëve, kërkon përfitim maksimal ekonomik duke mbishfrytëzuar punën e tyre dhe duke u përpjekur të ndajë vendasit dhe migrantët. Sindikata feministe Asociación de Jornaleras de Huelva en lucha inkurajon punëtorët sezonalë të organizohen. “Ne po luftojmë për të ndryshuar kushtet e punës dhe të jetesës së të gjithë punëtorëve sezonalë, për të fituar të drejta për të gjithë sepse është e drejtë dhe e nevojshme të përballemi me strategjinë “përçaj e sundo” të punëdhënësve”. Siç shpjegojnë ata, ky është një mekanizëm i vjetër që përdor frikën për të ndalur protestat, për të ulur pagat dhe për t’i bërë kushtet e jetesës dhe të punës edhe më të pasigurta për të gjithë.

Për të siguruar këto kushte jete, ata kanë nevojë për informacion, këshillim, qasje në shërbimet publike, shëndetësi, strehim, drejtësi, mbrojtje në rast të dhunës seksuale dhe për të pasur jetë pa dhunë. “Ne punojmë së bashku në bazë të feminizmit, anti-racizmit dhe ambientalizmit”, tha Ana Pinto.

Kostoja ekologjike e agro-industrisë së luleshtrydheve

Ana Pinto po shikon nga e ardhmja, nga nevoja për të ri-menduar këtë model prodhimi intensiv të paqëndrueshëm nga pikëpamja sociale dhe mjedisore dhe për të ecur drejt bujqësisë ekologjike. Fatkeqësisht, larg propozimit të një modeli alternativ prodhimi që respekton të drejtat e njerëzve dhe që ruan tokën dhe burimet, pronarët e bizneseve po zgjedhin të zgjerohen në zona të reja me kultura të tjera (boronica, portokall ose avokado) në të njëjtat kushte.

Sipas Iñaki Olano, kreu i ujit në Ecologistas en Acción në Huelva, agrobiznesi gjithmonë shfrytëzon intensivisht njerëzit, ujin dhe tokën për të marrë përfitimet më të larta të mundshme. Shfrytëzimi i tokës vjen nëpërmjet shpyllëzimit të pyjeve me pisha dhe ndryshimit të përdorimit të tokës, shfrytëzimit të ujit nëpërmjet nxjerrjes së ujit nga puset e paligjshme, shumë prej të cilave janë denoncuar, lokalizuar dhe disa prej të cilëve teorikisht janë mbyllur. “Ose duhet të ri-mendojmë rreth këtyre gjërave ose do të ketë një kolaps sepse nuk ka ujë të mjaftueshëm dhe kjo do të pasohet nga kolapsi i punësimit. Ky lloj procesi ekstraktivist lë pas një shkretëtirë punësimi dhe toke,” thekson Olano.

Për këtë arsye, ne duhet të angazhohemi për të ecur drejt bujqësisë ekologjike, e cila i jep përparësi cilësisë dhe tregjeve lokale dhe drejt një ndryshimi në mënyrën se si perceptohet konsumi i produkteve të freskëta. Ndoshta atëherë luleshtrydhet do të kishin të drejta.

Një mesazh për feminizmat e tjera

Në vitin 2018, në media dhe rrjetet sociale u goditën raportet e disa punëtore gra që denonconin abuzimin seksual. Ato po i bënin thirrje një feminizmi që, ndryshe nga rasti famëkeq i vitit 2016 i përdhunimit në grup “la manada”, vështirë se u mobilizua. A nuk vlejnë të gjitha jetët dhe trupat njësoj? Organizimi i punëtoreve në baza ditore, lufta dhe rezistenca e tyre, feminizmi i tyre sindikalist, po sfidon kapacitetin e lëvizjes feministe për të qenë gjithëpërfshirëse dhe për të qenë në gjendje të artikulojë luftën për kushtet materiale të jetesës së të gjithë atyre që janë të prekur nga dhuna.

Përpara se të kthehesha në Madrid, pyeta Ana Pinton se çfarë do t’u thoshte feminizmave të tjerë. Kjo ishte përgjigja e saj: “Hiqni dhunën në disa prej debateve dhe shikoni kushtet e jetesës së grave, bashkohuni me betejat tona feministe, anti-raciste dhe ambientaliste, të cilat janë gjithashtu betejat e punonjësve të seksit, punonjësve të shtëpisë, punonjësve shëndetësorë dhe të cilat duhet të jenë betejat e përbashkëta të të gjithë neve”. Ne kemi nevojë për një feminizëm bazë që nuk përjashton askënd dhe vendos në qendër të tij një jetë dinjitoze për të gjitha gratë.

Justa Montero është një aktiviste feministe

Justa Montero

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni nw: https://progressive.international/wire/2022-03-31-strawberry-fields-should-never/en