Alb Eng
Për QIKA
Lexime

Ndreqeni sistemin, jo gratë

QIKA 10.6.2022

Analizë e librit të Laura Bates – një vlerësim bindës për padrejtësitë gjinore

Për Laura Bates, gjithçka filloi me një bizhuteri ari të cilën e ëma e gjeti në ulësen e pasagjerit në veturën e familjes. Ishte një dhuratë nga gjyshërit e saj. E ëma, pas dy vajzash, ishte shpërblyer që lindi një djalë. “Unë jam 5 vjeçe dhe nuk ja kisha idenë që mua tashmë më kishin peshuar, vlerësuar dhe konsideruar si dështim”, shkruan Bates

Ky incident është i pari në atë që aktivistët dhe shkrimtarët feminist e quajnë “lista ime”. Ajo i inkurajon të gjitha gratë të krijojnë një listë të tillë, të dokumentojnë një jetë në seksizëm, nga parku i lojërave deri tek vendi i punës. “Deri kur lashë universitetin, në moshën 20 vjeçare, jam ngacmuar seksualisht dhe jam sforcuar të shfaqem me pjesën e sipërme lakuriq në një produksion teatri (unë mbahem si e fortë, por përjetimi më bën me lot) dhe dy burra më zunë pritën në qoshe të rrugës duke bërtitur ‘Do t’i shqyejmë këmbët dhe do ta q*jmë atë p*dh’”, shkruan Bates.

Ndreqeni sistemin, jo gratë është një përpjekje për të theksuar “sistemin e ndërthurur të dominimit i cili definon realitetin tonë” – dhe na ndihmon të largojmë mitin se ne gratë jemi bashkëfajtore në shtypjen tonë. Mesazhi kryesor i Bates është se ekziston një spektër i padrejtësisë gjinore, të cilin e ka zhvilluar përgjatë Projekti Seksizmi i Përditshëm, forumit në internet që tani ka marrë 200,000 histori të seksizmit dhe misogjinisë nga e gjithë bota, duke përfshirë libra si Girl Up dhe Men Who Hate Women. Nga njëra anë janë shakatë seksiste dhe stereotipat. Nga ana tjetër janë përdhunimi, abuzimi në familje, gjymtimi i gjenitalit femëror dhe të ashtuquajturat vrasje “nderi”. Diskriminimi amësor, ngacmimi seksual në punë, boshllëku gjinor i pagave dhe shumë fenomene të tjera qëndrojnë diku në mes.

“Çka nëse s’është faji i grave për asnjërën prej tyre; Çka nëse gratë nuk mund të përdorin rrjetëzimin, mentorimin, joshjen, kërkimin dhe avancimin për t’i ikur seksizmit, sepse ky është një sistem i krijuar kundër tyre? Një sistem që ruhet duke u mbështetur në padukshmërinë e vet”, shkruan Bates.

Bates ushtron teorinë e saj përmes pesë zonave kryesore: edukimi, policimi, drejtësia penale, media dhe politikat. Fakti që vetëm një e katërta e kabinetit janë gra mund të shpjegojë arsyen pse nënat që punonin humbën punën e tyre shumë më shpejtë se baballarët gjatë pandemisë COVID-19, dhe nënat e reja u detyruan të kryejnë lindjet të vetme, përderisa lokalet e natës qenë të lejueshme të hapen.

Por, pjesët më trazuese të librit janë mbi dhunën e burrave dhe barrën e grave për ta mbajtur vetën të sigurta. Kur një grua vritet, shpeshherë quhet si “rast i izoluar”, e prapëseprapë në Mbretërinë e Bashkuar çdo tre ditë një grua vritet nga një burrë. Bates është e ashpër ndaj mbështetjes së Priti Patelit për një aplikacion që regjistron lëvizjet e grave, mbi gjithë gjërat e tjera që ato sugjerohen të mbajnë. “Si shoqëri nuk mund të ndalojmë së gjeturi arsyetime për dhunën e burrave”, shkruan ajo. Pavarësisht rritjes së rëndësisë së kampanjave feministe, akuzat për rastet e dhunës tani janë pikërisht përgjysmë në krahasim me vitet 2015-16. Shumë shpesh, vendimet nëse duhet proceduar në gjyq për rastet e dhunës varen nga ajo se nëse gruaja i përshtatet profilit social të “viktimës së përsosur”, p.sh. ato që janë “të këndshme, të bukura, të pafajshme, të kujdesshme dhe nuk devijojnë nga rruga apo nuk flasin me ujkun”. Dhe sigurisht, më e rëndësishmja, profilin e të qenit e bardhë.

Ndreqe Sistemin përmban shumë sugjerime për reforma, përfshirë aplikacionet që gjurmojnë lëvizjet e burrave të dënuar për krime kundër grave dhe ndalimin e marrëveshjeve të moszbulimit që kanë bllokuar punëtoret që kanë përjetuar diskriminim të amësisë. Bates gjithashtu na rikujton që nëse duam ta trajtojmë shtypjen nga një rrafsh, duhet të jemi të vetëdijshëm për mbivendosjen me rrafshet e tjera. Ndonëse gratë me ngjyrë kanë katër herë më shumë gjasa të vdesin gjatë shtatzënisë ose lindjes në Mbretërinë e Bashkuar, ato rrallë e shohin veten të përfaqësuara në fushatat të orientuara kah nënat në pritje. Gratë me aftësi të kufizuara kanë dy herë më shumë gjasa të vuajnë nga abuzimi në familje, por vetëm një në dhjetë hapësira të strehimoreve është e qasshme për to.

Por Bates është e bindur që nuk i takon asaj të gjejë zgjidhjet. Qindra të tilla tashmë veç ekzistojnë, të injoruara dhe të papërdorura në raporte dhe materiale të fushatave të organizatave feministe dhe për të drejtat civile. Kjo gjë më bëri të mendoj: sa burra do ta lexojnë Ndreqe Sistemin? Vitet e fundit, librat e tillë si Pse më nuk ju flas të bardhëve mbi racën dhe brishtësinë e bardhë janë blerë në numra masiv nga vetë të bardhët. Sepse, siç thotë Bates “nuk është rrëmuja jonë ta pastrojmë”. Mjerisht, dyshoj që bumi i botimeve feministe ka shpërfillur shumicën e lexuesve burra.

Do të ishte inkurajuese të mendosh që Ndreqe Sistemin mund të jetë libri që e bën ndryshimin. Është një rrëfim i mprehtë dhe bindës, një shqyrtim i qartë dhe argumentues i padrejtësisë. Më ka mbetur në mendje ngjarja e një gruaje që u sulmua nga ish-bashkëshorti, i cili ia përplasi kokën aq fort për një BMW sa që e dëmtoi makinën dhe e bëri atë për spital. Ai u dënua për sulm, u detyrua t’ia paguajë ish-gruas 150£ kompenzim, kurse 818£ pronarit të BMW-së.

Johanna Thomas-Corr

E përktheu: Gentinë Vrajolli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/books/2022/may/03/fix-the-system-not-the-women-by-laura-bates-review-a-compelling-insight-into-gender-injustice  

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.