Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pandemia shpërfaqi një pakënaqësi tjetër të grave

QIKA 29.3.2021

Siç ka thënë Gloria Steinem “E vërteta të çliron. Por së pari të acaron”.

Fotografia e kalit njëbrirësh të Scarlet Wenham, vajzës së Clare Wenham, u bë virale në korrik. Wenham është hulumtuese e politikës globale shëndetësore në London School of Economics dhe ajo po jepte një intervistë për BBC në lidhje me përpjekjet e Britanisë për të menaxhuar pandeminë e koronavirusit. Por, Scarlett-in po e mundonte një çështje tjetër: Cili raft ishte më i përshtatshmi për të vendosur njëbrirëshin e saj.

Wenham vazhdoi intervistën, përkundër faktit që Scarlett po kërkonte mendimin e nënës së saj. Madje intervistuesi ofroi mendimin e tij (në raftin e poshtëm). Ky moment paraqiti një kontrast të një incidenti tjetër tre vjet më parë, poashtu në BBC, kur eksperti i Koresë së Jugut, Robert Kelly u ndërpre nga fëmijët e tij gjatë një interviste të drejtpërdrejtë nga shtëpia e tij. Video u bë edhe më qesharake, në momentin kur gruaja e tij po përpiqej t’i shpëtonte paraqitjen profesionale, duke hyrë në dhomë për të marrë vajzën 4 vjeçare dhe djalin 9 muajsh. Për Wenham, nuk kishte zgjidhje: Partneri i saj po punonte në një dhomë tjetër, i painformuar për parregullsitë që po ndodhnin. Asaj iu desh të vazhdonte intervistën.

Imazhi i idealizuar i prindërve që punojnë si “mjellma” – të qetë në sipërfaqe, por duke iu dhënë këmbëve furishëm nën ujë – ka qenë përditshmëria e papritur e pandemisë. Takimet në Zoom kanë mundësuar që punëdhënësit dhe bota e jashtme t’i shohin këto vështirësi.

Një vit më parë, shkrova se koronavirusi do të ishte një “katastrofë për feminizmin”. Jo katastrofë për fuqizimin e feminizmit sipërfaqësor, por për feminizmin që u kërkon qeverive dhe punëdhënësve të ndryshojnë prioritetet buxhetore. Hulumtuesit që kishin studiuar epidemitë e mëparshme parashikuan që mbyllja e shkollave do t’i detyronte prindërit të tërhiqen nga tregu i punës dhe se barra e mësimit në shtëpi do të binte më shumë mbi nënat. Më shumë gra janë nëna vetushqyese, dhe kur janë në çifte heteroseksuale, ato zakonisht paguhen më pak. Sipas studiuesve, shumica e çifteve të cilët ishin të detyruar të zgjedhnin se cili prej tyre duhet ta mbajë punën, zakonisht zgjedhën burrin, qoftë për shkaqe ekonomike apo për shkaqe të pavetëdijshme kulturore. Me ringjalljen e ndarjes së punës dhe amvisërisë, pandemia ka kthyer familjet në vitet 1950.

Përderisa intervista e ndërprerë e Kelly-t në 2017 nuk përbënte lajm, kjo e Wenham u bë virale, sepse ishte e lehtë për tu bashkëndjerë. Shumë njerëz po e pyesnin atë rreth këshillave prindërore, më tha ajo, megjithëse ajo preferonte të fliste rreth të dhënave për politika. ”Në shtëpi mostra e të dhënave përbëhej nga dy njerëz”.

Feminizmi është një lëvizje e ndarë në shumë pjesë. Në fund të fundit, çfarë ka të përbashkët një nënë në një lagje të varfër me një nënë në lagje aristokrate të Manhattan? Megjithatë pandemia, apo më saktë, kriza ekonomike që ajo ka sjellë ka prekur gratë dhe vajzat në të gjithë botën në mënyra jashtëzakonisht të ngjashme. Dhuna në familje është regjistruar në vende të ndryshme si Suedia e Nigeria dhe gratë kanë mbajtur barrën e papunësisë në 17 nga 24 vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, të cilët vitin e kaluar raportuan një rritje të përgjithshme të papunësisë.Në SHBA, në janar 2021, 275,000 gra braktisën fuqinë punëtore, në krahasim me 71,000 burra. Në korrik, një sondazh në Afrikën e Jugut zbuloi se dy nga tre të anketuar të cilët kishin humbur punën në muajt e parë të pandemisë ishin gra.

Wenham, e cila është bashkë-udhëheqëse e projektit ndërkombëtar për Gjininë dhe COVID-19, i atribuon disa nga prirjet e këtij trendi global të vetëkënaqësisë së vendeve të pasura: Vendet që mund të bënin më shumë, nuk bënë asgjë. Mesazhi që ajo mori nga Qeveria e Britanisë kur u përpoq të diskutonte ndikimin gjinor të COVID-19 ishte diçka e tillë si “Londra nuk është Liberi. Kjo gjë nuk do të ndodhë këtu”.

Ky qëndrim ka penguar gjithashtu përpjekjet për të mbledhur të dhëna më të sakta mbi efektet mjekësore dhe shoqërore të COVID-19. Në rastin e të dhënave mjekësore, indiferenca ka pasur efekt më negativ tek burrat. Sipas një studimi të fundit, më pak se 5% e pothuaj 2500 provave klinike të regjistruara me COVID-19, planifikuan ti ndajnë të dhënat e tyre sipas seksit edhe pse burrat kanë më shumë të ngjarë të shtrohen në spital e të përjetojnë vdekje si pasojë e koronavirusit.. Vitin e kaluar, Revista Mjekësore Britanike kërkoi që të mos anashkalohet mundësia për të mësuar më shumë dhe për të shpëtuar jetën e burrave.

Mungesa e informacionit poashtu paraqet problem për politikbërësit dhe shkencëtarët social. “Në ditët e mia më cinike, mendoj se qeverisë nuk i interesojnë të dhënat statistikore”, tha Wenham, pasi që shifrat do të tregonin se sa keq ishte gjendja e grave. Sipas ligjit, kompanitë britanike janë të detyruara të raportojnë hendekun gjinor në pagë, por këtyre kompanive iu dha një vit pushim në 2020 dhe këtë vit shifrat nuk duhet të dorëzohen deri në tetor. 

Ndërkohë, boshllëku i të dhënave është plotësuar nga studiues akademikë dhe organizata ndërkombëtare si Fondacioni Bill & Melinda Gates. Në Britani, Women’s Budget Group (Grupi Buxhetor i Grave), grup i pavarur hulumtues, ka theksuar pabarazitë në pandemi. Një sondazh prej 1003 personave zbuloi se prindërit me të ardhura më të ulëta kishin nëntë herë më shumë gjasa të raportonin rrezikun e humbjes së punës në qoftë se do të mbylleshin shkollat dhe çerdhet, përderisa një në pesë nëna humbën orët e punës për shkak të përgjegjësive të kujdesit, krahasuar me 13% të baballarëve. Krahas investimeve në kujdesin për fëmijët dhe përfshirjen e më shumë grave në vendimmarrje politike, Women’s Budget Group ka bërë thirrje për mbështetje të sektorëve që dominohen nga gratë të tilla si ato të shërbimeve dhe shit-blerjes.

Përveç të dhënave të papërpunuara, ajo që vëret gjatë bisedave me prindër është rraskapitja që lidhet edhe me ndjenjën e padrejtësisë. Susannah Hares, zyrtare e lartë për politika në Qendrën për Zhvillim Global, është nënë beqare e një fëmije dy vjeç. Puna e saj ditore përfshin studimin e efekteve gjinore të COVID-19 dhe çuditërisht kjo përkon me gjendjen aktuale pasi që vitin e kaluar çerdhja në të cilën shkon djali i saj ka kërkuar që fëmijët të izolohen në shtëpi tre herë, pa asnjë njoftim. “Më është dashur të tërhiqem nga paneli” më tha ajo. Më dukej se kjo po më ndikonte në karrierë”.

Poashtu, marsin e kaluar citova epidemiologen e Universitetit Emory, Rachel Patzer, e cila duhej të kujdesej për beben tre javëshe dhe dy fëmijët e saj, përderisa burri i saj i cili punon në repartin e emergjencës të një spitali lokal po qëndronte në garazhin e tyre për të mos infektuar familjen e tij. Njëlloj si Hares dhe shumë gra të tjera me të cilat kam biseduar përgjatë vitit të fundit, Patzer theksonte se ishte e privilegjuar sepse kishte arritur të mbante punën. Sidoqoftë, karantina e vazhdueshme, mungesa e kujdesit për fëmijë si dhe shkollimi virtual e kanë bërë jetën e saj më të vështirë. Më e keqja është se të tjerët përreth saj kanë dështuar të kuptojnë sfidat në të cilat po kalonte ajo apo preferonin mos t’i pranojnë ato. “Shumë prej kolegëve të mi të cilët ishin burra, pa fëmijë apo të cilët kishin fëmijë të rritur nuk po e kuptonin” më tha ajo. “Ua kam përmendur këto shqetësime kolegëve të mi dhe më kanë këshilluar që të mos i përdorë fëmijët e mi si arsyetim që ndikon në punën time”.

Duke parë që ri-hapja e shkollave ka qenë preokupimi më i vogël i prioriteteve politike, kjo është konsideruar si sulm ndaj prindërve amerikanë. “Unë jam jashtëzakonisht e zhgënjyer me kulturën dhe udhëheqësinë tonë e cila po lejon ri-hapjen e bareve, restoranteve si dhe bizneseve të tjera jo-esenciale, përderisa ka shkolla që ende nuk janë hapur”, tha Patzer.

Tani për tani shumë gra janë të ngarkuara duke u munduar të kenë gjithçka nën kontroll dhe duke shfaqur këtë zemërim në veprim politik. Por, a ka mundësi që kjo vetëdije e lartë e ngarkesës së padrejtë të ekonomisë moderne të formojë politikën gjatë dekadës së ardhshme? Megjithatë, pandemia ka treguar se sa pak mbështetje u jep shteti prindërve – mungesa e mandatit federal për pushimin e lehonisë e bën SHBA-në të veçohet ndër vendet e pasura. Administrata e Biden ka caktuar një Këshill të Politikave Gjinore i cili adreson çështjet përmes raportimit të drejtpërdrejtë tek presidenti.

Në Britani pati një reagim të menjëhershëm kur kancelari ekzekutiv, Rishi Sunak, vlerësoi “të gjitha nënat”’ për “menaxhimin e punës dhe kujdesit ndaj fëmijëve”. Vlerësimi është i mirëpritur, por pagesa është më e nevojshme. Kjo deklaratë ofendoi baballarët të cilët ndiheshin të fyer që nuk po u njiheshin kontributet e tyre, megjithëse të dhënat e nivelit të popullsisë tregojnë se puna e papaguar e kujdesit bie më shumë mbi supet e grave. Ky ka qenë gjithmonë paradoksi i madh i feminizmit: është e vështirë të gjesh kohë për të bërë fushatë kundër pabarazisë, kur të duhet të ndërrosh pelenat ose kur darka duhet të përgatitet. Në të njëjtën kohë, lëvizja feministe është fokusuar prej kohësh në ngritjen e vetëdijes si hap i parë për veprim. Siç ka thënë Gloria Steinem, “E vërteta do  të çliron. Por së pari do  të acaron”.

Viti i kaluar ka detyruar shumë gra të përballen me pabarazitë në jetën e tyre – çdo fëmijë i ulur në prehër gjatë një takimi në Zoom, apo fëmijë që tregojnë vizatimin e njëbrirëshit, ka bërë që të gjithë ta vërejnë këtë vështirësi. Efektet e pandemisë do të zgjasin me vite, madje me dekada. Më shumë gra se burra do të vuajnë nga një “Covid i stërzgjatur”. Ata që kanë lënë karrierën pezull për tu kujdesur për fëmijë, janë të parët që do të largohen nga puna kur ka reduktime të stafit. Pandemia do të ketë efekt të gjatë në të cilin zemërimi mund të kthehet në veprim.

Për Hares, situata nuk është e gjitha e zymtë. Ajo gjeti të dhëna interesante kur lexoi për pandeminë mesjetare të njohur si Vdekja e Zezë, me ç ‘rast numri i të vdekurve shkaktoi një mungesë të fuqisë punëtore, e cila nga ana tjetër “inkurajoi teknika që nuk kërkonin forcë për përdorimin e parmendës së rëndë, duke i bërë ato punë më të lehta për gratë” siç tha Hares. Disa historianë sugjerojnë se ato gra të cilat ishin martuar më vonë dhe kishin më pak fëmijë ishin më të pavarura. Hares beson se puna në shtëpi mund të sjellë leverdi për gratë në aspektin profesional duke bërë përshpejtimin e një trendi drejt punës më fleksibile. “Jeta ime para pandemisë karakterizohej nga frika se do të vonohem apo stresi që kisha kur çoja dhe merrja fëmijët nga shkolla” shtoi ajo. “Kjo pjesë e jetës është më e lehtë për mua që nga marsi i kaluar”.

Shumë nga ato që studiuesit kanë parashikuar vitin e kaluar janë vërtetuar. Koronavirusi ka qenë një katastrofë për feminizmin dhe një pengesë e madhe për arritjet e viteve të fundit, të tilla si lëvizja për strehimin e viktimave të dhunës në familje dhe rritja e pavarësisë ekonomike të grave. Pandemia poashtu ka rrënuar idenë se bota e zhvilluar nuk ka nevojë për feminizëm. Duke qenë se gratë ndahen për nga raca, klasa, kombësia e shumë aspekte të tjera, i bie që ende duhet të diskutohet për çështjen e grave. Brezi i vajzave të vogla, të cilat vizatojnë njëbrirësh, nuk meritojnë asgjë më pak.

Helen Lewis

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në:

https://www.theatlantic.com/international/archive/2021/03/pandemic-has-made-women-angry/618239/?utm_term=2021-03-10T12%3A00%3A15&utm_content=edit-promo&utm_medium=social&utm_campaign=the-atlantic&utm_source=facebook&fbclid=IëAR2bpTOëxbA8gmK_RtSU1_ërEyq5hYuOiPq0tMIGddPBKo2vfQM8rnyjBrs