Alb Eng
Për QIKA
Lexime

Përpjekjet e një gruaje për të edukuar vajzat në Afganistanin e kontrolluar nga talibanët

QIKA 4.5.2022

Talibanët kanë ndaluar vajzat të shkojnë në shkollë, por Razia Jan, aktiviste dhe udhëheqëse e shkollës, nuk është dorëzuar.

Më 23 Mars, vajzat afgane në shkolla të mesme shkuan në klasat e tyre për herë të parë pas tetë muajsh, të ngarkuara me libra, pajisje dhe shpresë për vitin e ri shkollor. Pas disa orësh, ato u dërguan në shtëpi pasi talibanët papritmas vendosën të prishin premtimin e tyre për të rihapur shkollat për vajzat mbi klasën e gjashtë.

Ky veprim ngjalli zemërimin midis qeverive dhe organizatave, veçanërisht duke shkaktuar anulimin e bisedimeve të planifikuara mes SHBA.-së dhe Talibanit për ekonominë në rrënim e sipër të vendit, e cila ka ngritur çmimet e ushqimit dhe ka shkaktuar një krizë humanitare. Sipas U.N., 95% e afganëve nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, numër ky që rritet në gati 100% në familjet ku gratë janë kreu i shtëpisë.

“Së pari, vendimi i tyre ishte një hap thellësisht zhgënjyes dhe i pashpjegueshëm i detyrimeve ndaj popullit afgan, dhe gjithashtu për komunitetin ndërkombëtar,” një Zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA.-së pohoi për Reuters, duke shtuar se qeveria amerikane e kishte “bërë të qartë” se e pa vendimin si një “pikë kthese të mundshme” në angazhimin e saj politik.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve shtetërore të Afganistanit, zëdhënësi i ministrisë së arsimit të vendit përmendi një nevojë për një plan arsimor “në përputhje me ligjin islam dhe kulturën dhe traditat afgane” si forca shtytëse prapa vendimit për të kthyer studentet vajza në shtëpi, por nuk dhanë asnjë datë se kur mund të vendoset një plan i tillë.

Që nga rënia e Kabulit gushtin e kaluar, gjendja e grave dhe vajzave në Afganistan është rënduar, me kufizime të reja për të lëvizur jashtë shtëpisë, mundësitë e punësimit dhe në veçanti arsimimit.

Fillimisht, të gjitha shkollat që nga niveli fillor deri në universitete u mbyllën. Në vjeshtën e vitit 2021, djemtë nga mosha parashkollore deri në klasën e 12-të, dhe vajzat deri në klasën e gjashtë u lejuan të ktheheshin në shkollë. Arsimi i lartë përfundimisht u hap, megjithëse është vështirësuar nga mungesa e mësuesve, ndarja gjinore dhe urdhrat e rrepta në lidhje me kodin e veshjes së vajzave. Për më tepër, shumë mësues në Afganistan kanë marrë vetëm pagë të përkohshme, ose nuk janë paguar fare.

Përderisa djemtë dhe vajzat në shkollën fillore mund të vazhdojnë mësimet e tyre, vendimi i fundit i talibanëve ka bërë që vajzat afgane mbi klasën e gjashtë të braktisin shkollën, duke u krijuar pasiguri për të ardhmen e tyre. Por shumë afganë kanë refuzuar të pajtohen me kufizimet e vendosura.

Razia Jan është ndër aktivistet që vazhdojnë të mbrojnë arsimin e vajzave edhe në mes të sfidave të tilla.

Jan një vendase afgane, emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1970 për të ndjekur mësimet dhe për të diplomuar nga Kolegji Radcliffe, një institucion i grave që tani është pjesë e Harvardit, ku pas një kohe

ajo themeloi një biznes rrobaqepësie jashtë qytetit. Në vitin 2007, ajo themeloi organizatën jofitimprurëse Razia’s Ray of Hope (Një rreze shprese e Razias), për të krijuar mjedise arsimore të sigurta, ushqyese dhe frymëzuese për gratë dhe vajzat e Afganistanit, duke mbështetur moton “diploma jo peshqesh”.

Pas një viti, biznesmenja e cila vazhdoi karrierën si humaniste, themeloi Qendrën e Arsimit Zabuli, një shkollë e vajzave të niveleve që nga parashkollori deri në klasën e 12-të, në Deh’Subz, një krahinë rreth 48 kilometra në verilindje të Kabulit. Ajo më tej ka zgjeruar fokusin e saj në trajnime profesionale dhe mbështetje financiare për të vejat, të drejtat e të cilave janë të kufizuara në shoqërinë afgane.

Në Mars, U.N.’s World Food Program USA (Programi Botëror i Ushqimit i Sh.B.A.-së) njoftoi se ky fondacion ishte një nga tre përfituesit e granteve të Catherine Bertini Trust Fund for Girls’ Education (Fondi i Katerine Bertinit për Edukimin e Vajzave). Ray of Hope i Razia do të përdorë fondet për të filluar një program të certifikimit të mësuesve për të adresuar qasjen e kufizuar të grave në arsimin e lartë dhe kërkesat e fundit që vajzat të kenë vetëm instruktore gra.

U.S. News biseduan me Jan dy herë rreth organizatës së saj, përgjatë kohës që ajo ishte në Afganistan, mbi programin e ardhshëm të certifikimit të mësuesve dhe të ardhmen e arsimit për gratë dhe vajzat nën sundimin e talibanëve. Takimi i parë ishte në mes të marsit, ndërsa biseda e dytë u zhvillua më vonë po në atë muaj, pasi talibanët ndryshuan mendjen për shkollimin e vajzave. Kjo intervistë është redaktuar në mënyrë që të jetë më e shkurte dhe më e qartë.

Për shkak të pandemisë, shkollat u mbyllën edhe para se talibanët të merrnin nën kontroll Afganistanin. Midis COVID-19 dhe mbylljes së shkollës nga ana e talibanëve, vajzat afgane kanë pasur disa mangësi në edukimin e tyre. Çfarë përpjekje ka bërë organizata juaj për t’i plotësuar ato?

Kur talibanët thanë gushtin e kaluar se vajzat nuk mund të vijnë në shkollë, vajzat e mia më të mëdha nga klasa e shtatë deri në të 12-të, vinin – por vetëm në bibliotekë për të marrë libra, për të parë mësuesit e mëparshëm dhe për tu shoqëruar pak. Ato shkonin në shtëpi, i lexonin librat, dhe i kthenin. (Pas njoftimit të fundit për të mbajtur shkollat e mbyllura), u thashë të vazhdojnë.

Ky vendimi i fundit për të mos lejuar vajzat mbi klasën e gjashtë të shkojnë në shkollë duhet të ketë pasur ndikim të madh te nxënëset.

Po, ndikon te fëmijët. Është kaq e trishtë. Këto vajza janë vërtet të irrituara dhe të trishtuara sepse kanë humbur kaq shumë muaj shkollë. Ndikon vërtet në shëndetin e tyre (mental). Unë jam duke u përpjekur t’i mbushë me shpresë. Nuk ka asnjë arsye që ato të mos vazhdojnë shkollën.

A mendoni se Talibanët do të mbajnë vendimin e tyre?

Ne duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. (Talibanët) nuk mund t’i ndalojnë vajzat (të vazhdojnë arsimin e tyre), sepse asnjë vend nuk do t’i njohë nëse e bëjnë këtë gjë. Të gjithë po u bëjnë presion për të hapur shkollat, duke thënë “Ne do të punojmë me ju, ose do t’ju japim ndihmë nëse vazhdoni të edukoni vajzat.”

A mund të flisni për programin e certifikimit të mësuesve të shkollës suaj?

Pas shkollës së mesme, vajzat nuk lejohen të largohen nga fshati. Ato jetojnë në një shoqëri fisnore dhe mund të largohen (vetëm) nëse martohen. Pra, ne po u ofrojmë arsim – arsim të lartë. Ajo që po planifikoj të bëj këtë vit është t’ua mësoj letërsinë angleze, shkencat kompjuterike dhe gjithashtu fenë – dhe gjithçka tjetër që ne mendojmë se është e nevojshme në mënyrë që tu hapen dyert.

Organizata ime është shumë e përqendruar për të ndryshuar jetën e këtyre vajzave dhe të mësueseve tona, sepse të gjithë mësueset e mija janë gra. Ne jemi me të vërtetë e vetmja organizatë që i ka paguar ato gjatë gjithë kohës, për çdo muaj.

A ka ndikuar pengimi i Talibanëve në shkollimin e vajzave në grantin ose planet tuaja për programin mësimor?

Nuk mendoj se kjo gjë ka ndikuar. Ne zgjodhëm rreth 20 studente. Shpresojmë se javën tjetër ose gjatë javëve që vinë, (ne) do të fillojmë programin.

Që nga rënia e Kabulit, shumë afganë janë zhvendosur në fshatra dhe qytete përreth. Si ka ndikuar kjo gjë në peizazhin arsimor në vende si Deh’Subz dhe konkretisht shkollën tuaj?

Ne po sistemojmë shumë njerëz që janë zhvendosur nga vende të ndryshme – vajza më të rritura dhe të reja. Më herët janë regjistruar 60 vajza në çerdhe, dhe këtë vit, kemi 130. Pra, ne po krijojmë katër klasa çerdhesh në vend se të dy klasave me 30 vajza. Ne kemi një plan dhe po punojmë për të sistemuar sa më shumë fëmijë dhe për t’u dhënë atyre arsimimin më të mirë që mundemi.

Kur folëm për herë të fundit, ju shprehët siguri të vërtetë në të ardhmen e arsimit të vajzave, pavarësisht pengesave. A mendoni akoma njëjtë, edhe pas këtij vendimi?

Unë mendoj njëjtë. Është e vështirë. Unë jam në një pozitë shumë të mirë, por ka njerëz të tjerë që nuk janë. Është me të vërtetë një sfidë që vajzat të shkojnë në shkollë – duhet shumë përpjekje. Ato duan të vazhdojnë arsimin e tyre, dhe kur ato ne ndërpresin atë, kjo u jep atyre një ndjenjë të tmerrshme. Ato nuk e dinë se çfarë do të ndodhë dhe nëse do të lejohen apo nuk do të lejohen të vazhdojnë shkollën. Ju e dini se fëmijët nuk mendojnë shumë larg. Ata thjesht shohin se çfarë po ndodhë sot, dhe kjo i shqetëson ata.

A ka ndonjë mënyrë që njerëzit jashtë Afganistanit të mund të ndihmojnë?

Ne kemi nevojë për shumë gjëra. Ekonomia është kaq e rënduar. Vajzat e mia thonë se ka raste që ato nuk kanë ushqim për të ngrënë, dhe ato flenë të uritura. Ose ato nuk mund të hanë mëngjesin e tyre; sepse nuk kanë para. Kështu që unë mendoj se ushqimi është tepër i rëndësishëm. Tu japim atyre një lloj financimi për të siguruar ushqim në shtëpi, do të ndihmonte shumë. Kur je i uritur, nuk mendon për asgjë në botë, përveç ushqimit. Jeta ndryshon jashtëzakonisht shumë. Kështu që, unë mendoj se donacionet do të ishin të domosdoshme për ato që të kenë ushqim ose para në shtëpi për të blerë diçka, edhe nëse është një shampon ose një shall i ri. Kjo do të bënte diferencën.

Jan sugjeron që njerëzit e interesuar për të lehtësuar krizën e urisë, ti dhurojnë donacione Emergency Hunger Relief Program të drejtuar nga organizata e saj, e cila ju jep ushqim 100,000 njerëzve që jetojnë në regjionin e Deh’ Subzit.

Brianna Navarre

E përktheu: Mira Asllani

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.usnews.com/news/best-countries/articles/2022-04-07/one-womans-fight-to-educate-afghan-girls

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.