Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pse gratë (ndonjëherë) nuk i ndihmojnë gratë e tjera?

QIKA 9.6.2021

Kjo nuk ndodhë për shkak se ato janë natyrshëm udhëheqëse më të ashpra se burrat, por për shkak se ato shpesh i përgjigjen seksizmit duke e distancuar veten nga gratë tjera.

Ekzistojnë dy ide kulturore që mbizotërojnë mbi rolin që gratë luajnë në ndihmën që ato i’u ofrojnë grave të tjera të përparojnë në punë dhe si duket kemi dy bashkëdyzime: Gruaja e Drejtë dhe Mbretëresha Bletë.

Gruaja e drejtë është idealja, ajo besohet se kryen rolin e gruas e cila mbartë detyrimin moral për të mbështetur gratë e tjera. E kjo më së miri tipizohet në thënien e famshme të Madeline Albright: “Ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk ndihmojnë njëra tjetrën”. Ideja bazë e tërë kësaj është: megjithëse të gjitha gratë kanë përjetuar seksizëm, atëherë ato duhet të jenë më bashkëndjehëse në të kuptuarit e barrierave gjinore me të gratë tjera mund të ballafaqohen. Përkundrazi ky vetëdijesim duhet të krijojë aleanca e mbështetje aktive mes njëra tjetrës. Nëse gratë nuk ndihmojnë njëra tjetrën, kjo është edhe më e keqe sesa jo mbështetja që i’u bëhet nga burrat, për këtë gjë vendi i veçantë në “ferr” u rezervohet atyre grave.

Në anën tjetër fenomeni i Mbretëreshës Bletë, argumenton se gratë thjesht nuk janë të shoqërueshme me njëra tjetrën. Sheryl Sandberg e Adam Grant në esenë e tyre vënë në dukje mitin e gruas së ligë apo ndryshe e referuar në termin “Gruas Macë” Ky besim qëndron mbi idenë e gabuar se gratë gjatë gjithë kohës në mënyrë të natyrshme minojnë gratë e tjera në punë.

Ideja mbi sindromin e Mbretëreshës Bletë, daton qysh në fillim vitet e 70-ta. Kjo sindromë përthekon një seri sjelljesh duke filluar nga gratë që nënçmojnë tiparet “femërore” të tilla si: ( Gratë janë shumë emocionale) e duke i theksuar atributet e përvetësuara “mashkullore” të tilla si: (Unë mendoj më shumë si një burrë) e deri te pretendimet se diskriminimi në baza gjinore është i pa bazë si:( Arsyeja pse ka kaq pak gra në piedestal, nuk është për shkak të diskriminimit, po për shkak se gratë janë më pak të përkushtuara në karrierë) e deri te mos mbështetja e iniciativave që adresojnë pabarazinë gjinore.

Kryesorja dhe e vetmja Mbretëresha Bletë, është ajo mbretëreshë e suksesshme e cila në vend që të përdorë pushtetin dhe forcën që posedon për të avancuar gratë e tjera, në të kundërtën ajo vendosë t’i nënçmojë koleget e saj.

Megjithëse në dy arketipet të cilat adresojnë fenomenin në fjalë (njëra model, e tjetra përrallë paralajmëruese) mund të jenë në kundërshtim me njëra tjetrën, ato në realitet vetëm se shpërfaqin këtë standard të dyfishtë; Njëra që kur burrat kanë konflikt mes tyre shihet si normale e tjetra kur gratë kanë konflikt mes vete shihet si disfunksionale. Kur burrat përfshihen në përleshje shihet si 

hap i shëndetshëm që kultivon në konkurrencën e debatin e dobishëm, por kur gratë bëjnë të njëjtën gjë ato cilësohen si “gra të liga” të mbyllura në një luftë të pa mëshirshme.

Këto perceptime se gratë janë mashtruese dhe komplotuese i qelin udhë besimit se mosmarrëveshjet në punë në mes të grave janë posaçërisht dëmtuese. Bazuar në një studim se kur ndodhë një konflikt midis dy grave kolege në punë, njerëzit presin që pasojat të jenë negative e afatgjate, njerëzit mendojnë se kjo gjë mund të ndodhë si shkak i dëshirës së grave për hakmarrje. Në të kundërtën kur një konflikt i tillë ndodhë midis dy burrave ose një burri e një gruaje, mendojnë se relacioni mund të rregullohet shumë më lehtë.

Edhe pse studimet e tregojnë të kundërtën, në fakt burrat janë ata që përfshihen në mënyrë të tërthortë në shumë situata agresive si thashethemet e përjashtimi shoqëror në të njëjtën masë a në mos më tepër dhe sërish besohet gjerësisht se gratë janë më të liga me njëra tjetrën. Besime të tilla janë të përhapura edhe në mesin e parashkollorëve, fëmijët besojnë se vajzat në krahasim me djemtë kanë më shumë prirje të përfshihen në relacione agresive si përjashtimi ndaj të tjerëve, pavarësisht provave për të kundërtën. Madje dhe vet termi Mbretëresha Bletë është gjinor. Sigurisht burrat mund të jenë hileqar e manipulues, por ja që për ta nuk ka një term ekuivalent që shpjegon saktësisht sjelljen komplotuese e nënçmuese kundër kolegëve të tyre meshkuj.

Por a ka diçka të vërtetë në stereotipin e Mbretëreshës Bletë? A janë gratë vërtetë më të liga ndaj grave të tjera sesa burrat ndaj burrave të tjerë ose gratë ndaj burrave?

Studimet mbi këto sjellje kanë gjetur raste konkrete në të cilat ndodhë ky fenomen. Për shembull një studim nga psikologët ku kanë ekzaminuar se si profesorët shikonin studentët e tyre kandidatë për PhD, gjeti se pavarësisht nga të dhënat e barabarta të publikimeve studimore e përkushtimit, profesoret gra kanë tendencën të besojnë se studentet kandidate për PhD gra janë më pak të përkushtuara në karrierë sesa studentët e tyre burra.

Po ky s’është gjithmonë rasti i tillë. Në këto studime del të jetë se brezi i vjetër i profesoreve gra i përgjigjen më shumë këtij fenomeni të Mbretëreshës Bletë sesa gratë e brezit të ri. Po çka e shpjegon këtë diferencë mes brezash?

A mund të jetë shkak ambienti në të cilën gratë e brezit të vjetër zhvilluan karrierën e tyre dhe i bëri ato me të ashpra në raport me gratë e reja studente? Sepse për brezin e vjetër ishte pothuajse e pa mundur për gratë të ngjiten në piedestalin e të qenurit profesore dhe me kohë u bë edhe më shumë e zakonshme për gratë e reja të ndjekin shkollimin. Dhe për këtë shkak ndoshta duke u bazuar në kontekstin e kohës këto gra u ngritën në shkallë të larta në karrierë (ku kishte më pak gra, më shumë barriera, e më shumë seksizëm) kjo do të duhej të shpjegonte më mirë sjelljen e tyre.

Hulumtimet e një pas njëshme kanë konfirmuar pikërisht këtë gjë. Sjellja e Mbretëreshës Bletë nuk pasqyron tipin e gruas së ligë të mbërthyer thellë në ADN-në e saj. Po më shumë në pikën ku dinamizmi i Mbretëreshës Bletë është i nxitur nga diskriminimet gjinore.

Specifikisht këto studime gjejnë se sjellje të tilla lindin kur dy dinamika bëhen së bashku si: Paragjykimet gjinore dhe mos solidariteti gjinor, në mungesë të një termi me të përshtatshëm. Për gratë të cilat identiteti i tyre gjinor nuk është i rëndësishëm në identitetin e tyre si person përjetojnë paragjykime në aspektin gjinor, këtu merr jetë dhe sjellja e tyre prej Mbretëreshës Bletë.

Dhe ja pse: Gratë të cilat mendojnë se gjinia e tyre duhet të jetë e parëndësishme jo vetëm në punë por edhe në raport me gratë e tjera – të qenit të paragjykuara si gra i detyron ato të kuptojnë që të tjerët i shohin ato para së gjithash si gra. Për shkak të stereotipeve negative siç është mendimi se gratë janë më pak kompetente se burrat, një numër i grave mund ta konsiderojnë rrugëtimin e tyre profesional me pengesa nëse ato fillimisht shihen si gra dhe nuk janë të përshtatshme për udhëheqje.

Për të kaluar përtej këtyre barrierave gjinore, këto gra mundohen të distancojnë veten nga gratë e tjera. Ato provojnë strategji individuale që i’u mundëson atyre këtë distancim. Njëra ndër mënyrat është duke e luajtur rolin e Mbretëreshës Bletë si: (Unë nuk jam sikur gratë e tjera, sepse gjithmonë kam pasur prioritet karrierën) përshkrime të tilla të vetes në terme më “burrërore” janë mënyrë nga të cilat qëllimi i tyre është t’i denigrojë gratë e tjera.

Çështja është se gratë nuk është se janë të mishëruara për të qenë të liga. Vetëm se sjellja e tyre prej Mbretëreshës Bletë vjen si shkak nga ambienti ku ato jetojnë i cili përgjithësisht është i dominuar nga burrat dhe në po atë ambient ato zhvlerësohen.

Kjo lloj sjelljeje nuk është e veçantë vetëm për gratë. Një qasje e tillë përdoret edhe te grupet e margjinalizuara të cilat mbajnë qëndrime averzive ndaj grupit të tyre. Hulumtimet tregojnë se disa burra homoseksual tentojnë të distancojnë veten e tyre nga stereotipet që i’u mveshen burrave homoseksual në përgjithësi, në këtë mënyrë ata mundohen t’i mbi-theksojnë tiparet tipike burrërore dhe njëkohësisht mbajnë qëndrime negative për homoseksualët që nuk janë mjaftueshëm burra. E tëra që mbetet është distancimi social që shumë individ e përdorin kur duan të shmangin, largohen apo të drejtojnë disavantazhet e grupit në të cilin përkasin.

Përderisa distancimi social mund të lejojë një individ nga grupet e nënpërfaqësuara të përparojë, në të kundërtën i bën më shumë dëm vet grupit në të cilin përkasin sepse në këtë mënyrë i legjitimon dhe më shume pabarazitë. Kur një grua shpreh pikëpamje stereotipike për një grua tjetër, kjo gjë nuk shihet si një deklaratë seksiste por më shumë si një vlerësim i paanshëm për shkak se ka një

tendencë për të besuar se individët që i përkasin një grupi nuk mund të paragjykohen nga anëtarët e po atij grupi. Po ja që kjo gjë ndodhë shumë shpesh. Në të vërtetë, edhe gratë mund të jenë misogjiniste. Për këtë shkak, sjelljet që sjellin distancimin shoqëror mund të prodhojnë pabarazi edhe më të mëdha.

Po çka i parandalon sjelljet e Mbretëreshës Bletë? Identifikimi përkatës në gjininë identifikuese si gra. Gratë që kanë përjetuar diskriminim gjinor por që njëkohësisht janë identifikuar me gjininë e tyre nuk reagojnë rëndom në mënyrë paragjykuese duke distancuar veten e tyre ndaj grave të tjera. Po në vend të kësaj në bazë të një studimi policet gra të cilat posaçërisht identifikohen krenarisht me gjininë e tyre i’u përgjigjen diskriminimit gjinor me një dëshirë më të madhe për të krijuar më shumë mundësi për gratë e tjera.

Ka mjaft prova që shfaqin anën mbështetëse të grave ndaj njëra tjetrës. Kur gratë punojnë së bashku ato përjetojnë nivele më të ulta të diskriminimit gjinor e ngacmimit.

Kur gratë kanë mbikëqyrëse gra, ato raportojnë të kenë më shumë afinitet familjar e mbështetje organizative më të madhe sesa kur në krye janë mbikëqyrës burra. Dhe një mori studimesh tjera paraqesin se kur më shumë gra marrin pozita menaxhuese, hendeku (boshllëku) i pagave në baza gjinore është më i vogël.

Andaj gratë e drejta ekzistojnë e gjinden mes nesh dhe po bëjnë më të mirën e mundshme për gratë e tjera.

Marianne Cooper

E përktheu: Ardita Avdija

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theatlantic.com/business/archive/2016/06/queen-bee/488144/?fbclid=IwAR2c200rVuK3Uf9rrwwC1e7ZF5Vq-xd3B2IRjlQB8rerreygU9q27mAVCHg