Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Recension mbi librin e Julie Bindel – “Feminizmi për Gratë”

QIKA 1.12.2021

Bindel bën thirrje për ringjalljen e lëvizjes feministe dhe për kundërshtimin e normalizimit të dhunës seksuale.

Kanë kaluar më shumë se 40 vite që kur 17 vjeçarja Julie Bindel doli haptazi si lezbike dhe identifikoi veten si feministe, dy paralele të cilat janë ndërthurur në jetën e saj private dhe profesionale. Që nga fundi i viteve 1970, ajo ka qenë një studiuese, reportere dhe përkrahëse për gratë në mbarë botën, me fokus të veçantë për gratë të cilat janë viktima të dhunës me bazë gjinore. Bindel është një veterane e fushatave feministe të viteve të 80-ta kundër pornografisë, bashkëthemeluese e “Justice for Women”, organizatë e cila merret me gratë e dënuara për vrasjen e partnerëve të tyre të dhunshëm, dhe gjithashtu një përkrahëse për gratë dhe vajzat në mbarë botën të cilat kanë qenë pre e përdhunimit, trafikimit dhe prostitucionit.

Për Bindel, përdorimi i fjalës “prostitucion” është thelbësor dhe ajo ndjehet e ofenduar se si ky term është zëvendësuar nga termi “puna seksuale”. Megjithëse tingëllon më pak paragjykues, ajo argumenton se kjo zbutje gjuhësore shërben për të eliminuar kushtet materiale të tilla si varfëria, racizmi, pabarazia kronike shëndetësore, që i detyrojnë gratë të japin me qira trupat e tyre në rrethana shpesh të rrezikshme dhe degraduese. Me pak fjalë, ky zëvendësim nënkupton një fshehje nën kontekstin neoliberal, që me gjuhën e tij pseudo-tërheqëse të “zgjedhjes”, në fakt injoron faktin se kemi të bëjmë me detyrim.

Për Bindel, ky riorganizim është një simptomë e mënyrës sesi feminizmi çlirues (feminizmi i valës së dytë, lloji mbi të cilin ajo kishte një përvojë fillestare në fillim të viteve të 80-ta) është shkatërruar që nga vitet e 90-ta nga feminizmi i barazisë. Feminizmi i barazisë është i udhëhequr nga tregu, i cili është i preukopuar tej mase me faktin se sa gra janë të punësuara në bordet e kompanive FTSE dhe i cili shpreh një lloj kënaqësie për rreziqet me të cilat gratë vazhdojnë të përballen në duart e burrave. Një nga shembujt e saj më shqetësues ka të bëjë me normalizimin e dhunës seksuale: më shumë se një e treta e grave të grup moshave nën 40 vjeç, në Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë të padëshiruar kanë përjetuar kapje të fytit, goditje me shuplakë dhe mbyllje të gojës gjatë seksit konsensual. Atëherë, nuk është e rastësishme, që ka pasur një rritje të dukshme të burrave që mbrojnë “seksin e ashpër”, për të shpëtuar nga akuzat për vrasje. Bindel argumenton se feminzimi i barazisë  shpesh është një mantel për fshehjen e dëshirave dhe interesave të burrave.

Bindel nuk është një shkrimtare elegante, por këto nuk janë çështje elegante. Ajo përdorë statistika, intervista dhe përvojën e saj për të ndërtuar një përshkrim se si ajo beson se përparimet që janë bërë në lidhje me jetën e grave gjatë 40 viteve të fundit po kthehen me hapa mbrapa. Çfarë dobie ka “fuqizimi” në Britani ku një përqindje kaq e ulët e përdhunimeve të raportuara rezulton me dënim, pyet ajo. Çfarë mund të jetë tjetër veçse thellësisht e dëmshme, vërtetë turpëruese, që adoleshentët e rinj mësojnë për seksin përmes pornografisë në telefonat e tyre?

Sigurisht që ka ende diçka tjetër, diçka më shumë. Gjatë viteve të fundit, Bindel është shndërruar në një figurë kontroverse, shpesh e përjashtuar, e pështyrë si në mediat sociale ashtu edhe në jetën e përditshme në rrugë. Zemërimi i saj vjen si një reagim kryesisht ndaj bazës materiale mbi dallimin seksual që nuk mund të zhduket. Ose, për ta thënë ndryshe, Bindel nuk beson se çfarë ajo e quan “ndjenjë” mund të lejojë një burrë të bëhet grua. Si duhet të ndalojmë që një person i tillë të shkaktojë shqetësim dhe madje rrezik në hapësirat e destinuara vetëm për gratë, duke përfshirë këtu strehimoret, burgjet, sallat sportive dhe dhomat e zhveshjes? Personat transgjinor dhe mbështetësit e tyre thonë se argumentet e saj janë frikësuese, veçanërisht kur krahasohen kundër dhunës që ata përjetojnë çdo ditë.

Bindel nuk është krejtësisht e pafajshme për nxitjen e këtyre kundërshtimeve, të paktën kështu vërtetohet me anë të këtij libri. T’i quash aktivistët trans “Queer Isis” siç bën ajo në një pjesë të librit, duket si provokim i qëllimshëm, pavarësisht se sa keq ajo është lënduar në jetën e saj private. Megjithatë, pas kësaj ne do të mund të kuptojmë se ndjenja mbizotëruese e Bindel është ajo e keqardhjes së madhe që situata ka arritur deri në këtë pikë, me të majtën progresive e cila pëson rënie, në vend që të bashkohet për të trajtuar përshkallëzimin e padrejtësisë sociale të bazuar në seks. “Le të ndërtojmë një lëvizje feministe të bazuar në solidaritet, në krahasim me konfliktin dhe sektarizmin.” shkruan ajo. Me këtë argument është e vështirë të mos pajtohesh.

Kathryn Hughes

E përktheu: Orgesta Tolaj

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/books/2021/oct/06/feminism-for-women-by-julie-bindel-review-equality-is-not-enough?fbclid=IwAR0YeH6Yi7rlJVJOvhMN7ryKZzfSWtamnaNA3ietaO3RPi2E7DOViwVMKHU