Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Roli i Frida Kahlo-s në thyerjen e stereotipeve gjinore dhe formësimin e feminizmit

QIKA 9.7.2021

Më shumë se gjashtë dekada pas vdekjes së saj, piktorja meksikane me qasje radikale ende është një inspirim për shumë njerëz. Nga estetika maksimaliste e Gucci-t nga Alessandro Michele deri tek byzylyku i Theresa May me fytyrën e artistes në të, Frida Kahlo është një emër që shfaqet herë pas here në modë, politikë, kulturë dhe shumëçka tjetër. Përderisa ajo është më së shumti e njohur për auto-portretet e saj, Kahlo ishte gjithashtu një grua e guximshme që nuk kishte frikë të luftonte kundër shoqërisë që favorizonte një gjini dhe të revoltohej për jetën e saj fatkeqe.

Sot pikturat e Kahlo-s janë dëshmi e një arti të jashtëzakonshëm dhe kjo tregon këmbënguljen e saj që pati kundrejt vështirësive të cilat ajo spikati në punën e saj artistike. Ajo ishte grua që e kultivoi dëshirën e saj për të mos qenë e mbyllur kështu ajo ishte e patrembur dhe e pa heshtur. Pyetja është se çfarë e bëri atë të jetë ikonë kryesore e feminizmit në kohën e saj? Si arriti ajo të ishte një feministe e formësuar dhe e fuqizuar në një kohë kur dominimi mashkullor kishte arritur kulmin në botë? Në përkujtim të saj, rikthehemi edhe një herë në histori.

1. Vetullat e paformësuara dhe kostumet

Duke sfiduar stereotipet gjinore dhe normat e bukurisë, Kahlo krijoi një stil të vetin që ishte jashtë normave të përgjithshme të pamjeve feminine. Ajo nuk pranoi që t’i ndryshonte tiparet e saj ‘mashkullore’, si p.sh mustaqet apo vetullat e bashkuara. Artistja përdori këto tipare në pikturat e saj, të cilat sot janë emblematike në bukurinë pa gjini. Kur bëhej fjalë për stilin e saj të veshjes, në portretet familjare ajo vishej si burrë, ndryshe nga nëna dhe motrat e saj të cilat vishnin fustane.

2. Gra të vërteta, përvoja të vërteta

Në vend që të përshkruante gratë në ambiente tradicionale ku arti përqendrohej në bukurinë e tyre, Kahlo zgjodhi të përdorë talentin e saj për të pasqyruar karakterin e saj fuqizues. Duke vënë në qendër të vëmendjes përvojat e gjalla dhe reale që përjetojnë gratë, ajo shpërfaqi këtë përmes çështjes së abortit spontan, abortit të qëllimshëm, gjidhënjes, lindjes e shumë gjërave tjera. Për Kahlo-n këto përvoja ishin “shprehja më e sinqertë” e vetvetës dhe një mënyrë për kryengritje ndaj shoqërisë që konsideronte këto situata si tema tabu.

3. Identiteti queer

Gjatë fillimit të viteve 1900, kur komuniteti LGBTQIA + ekzistonte larg skenës publike, Kahlo nuk kishte frikë të shprehte lirshëm identitetin e saj queer. Si biseksuale, ajo kishte qenë në lidhje me burra dhe gra. Disa nga aferat e saj më të njohura ishin me një këngëtare meksikane, të quajtur Chavela Vargas dhe Josephine Baker, një valltare biseksuale e kabaresë, të cilën Kahlo e takoi në Paris në vitin 1939.

4. Sfidimi i viktimizimit

Pavarësisht rrethanave fatkeqe të jetës së saj, piktorja luftoi kundër fatit të saj si viktimë. Kur Khalo ishte vetëm gjashtë vjeç, ajo u infektua me poliovirus, ndërsa më vonë pësoi aksident shumë të rëndë, ku ajo qëndroi e shtrirë me muaj të tërë. Gjithsesi, ajo nuk e viktimizoi veten, në vend të kësaj, ajo shfrytëzoi këtë kohë për të pikturuar, duke kthyer dhimbjen e saj në pasion edhe pse pikturat e saj pasqyrojnë një ndjenjë dëshpërimi dhe vuajtje, shikimi i saj është i ashpër dhe sfidues. Përmes artit të saj, ajo pikturoi përvoja që treguan se dhimbja është një pjesë integrale e jetës së saj, por nuk e përcakton atë.

 5. Përqafimi i vetes së saj të vërtetë

Kahlo shijoi thyerjen e rregullave dhe luftën kundër normave, si përmes artit të saj ashtu edhe në jetën reale. Pjesa unike e punës së saj artistike është fakti se nuk ka njëtrajtshmëri. Asgjë nuk shkon në një renditje të paracaktuar. Gjatë gjithë jetës së saj, ajo përqafoi veten e saj të vërtetë pa asnjë gjykim. Përmes jetës dhe veprës së saj artistike ajo synoi të inkurajojë të tjerët të përqafojnë pjesën e çuditshme  brenda tyre, duke thënë: “Unë dikur mendoja se isha personi më i çuditshëm në botë, më pas fillova të mendoja se ka kaq shumë njerëz në botë, sa që duhet të jetë edhe dikush ashtu si unë, që ndihem e çuditshme dhe me të meta. Unë imagjinoja të tjerët dhe e mendoja se në të njejtën mënyrë edhe tjerët janë duke menduar ashtu për mua. Epo, shpresoj që nëse jeni atje dhe e lexoni këtë, ta dini se po, është e vërtetë që jam këtu dhe jam po aq e çuditshme sa ju.” – Frida Kahlo

Gargi Agrawal 

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://elle.in/article/frida-kahlo-feminism/