Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Rosa Parks: Një jetë e tërë kushtuar aktivizmit

QIKA 7.9.2021

Mënyra se si flasim për Rosa Parks tregon të vërtetat e pakëndshme për racizmin në Amerikë.

Fotografia e burgut me numër 7053 është një ndër imazhet më ikonike të Rosa Parks. Megjithatë, kjo fotografi të cilën e kemi parë shpesh në muze, libra shkollorë, bluza dhe faqe në internet nuk përkon me atë çka shfaqet. Edhe pse është paraqitur si e tillë, kjo nuk është fotografia e burgut e shkrepur në kohën e arrestimit të Rosa Parks në Montgomery, Alabama më 1 dhjetor 1995, pasi ajo refuzoi ti lironte ulësen e autobusit një udhëtari të bardhë. Në fakt, kjo foto ishte bërë kur ajo u arrestua në shkurt 1956 pasi ajo dhe 88 “udhëheqës të tjerë të bojkotit” u paditën nga qyteti në përpjekje për ti dhënë fund këtij bojkoti. Konfuzioni rreth kësaj fotografie shpërfaqë vetëbesimin e tepërt të amerikanëve në atë se çka mendojmë ne se dimë për Rosa Parks dhe në çka dimë për lëvizjen e të drejtave civile.

Martin Luther King Jr. dhe Rosa Parks paraqiten më së shpeshti në kapitujt e Lëvizjes për të Drejtat Civile i cili është tekst për shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në festat e Black History Month. Megjithatë, shumë nga ato që njerëzit mësojnë për Parks është e kufizuar, e shtrembëruar apo thjesht e gabuar. Në të kuptuarit tonë kolektiv, ajo shihet vetëm si pjesë e një momenti të vetëm në një autobus të vjetër të Montgomery. Bojkoti shihet si dalje e natyrshme e rezistencës së saj në autobus.

Kjo nuk është e vërtetë, dhe kjo as nuk është mënyra se si funksionon ndryshimi në të vërtetë. “Me kalimin e viteve, unë jam rebeluar kundër shtetësisë së klasit të dytë. Ky rebelim nuk filloi kur unë u arrestova”, kjo ishte çfarë Parks u kujtonte intervistuesve herë pas here.

E lindur më 4 shkurt 1913, ajo kishte qenë aktiviste për dy dekada para se të ndodhte rezistenca në autobus, duke filluar me punën e saj së bashku me Raymond Parks në 1931, me të cilin u martua një vit më pas, ku organizoi mbrojtjen e “Scottsboro Boys” (nëntë adoleshentë zezakë të cilët ishin akuzuar në mënyrë të rreme për përdhunimin e dy grave të bardha). Në të vërtetë, çështjet që karakterizojnë aktivizmin e saj për gjashtë dekada janë padrejtësia e sistemit të drejtësisë penale, akuzat e gabuara kundër burrave zezakë, shpërfillja e grave zezake që ishin sulmuar seksualisht dhe brutaliteti i policisë. Para rezistencës në autobus e cila njihet gjerësisht, Parks së bashku me një grup të vogël të aktivistëve, përfshirë këtu E.D. Nixon, i cili do të bëhej president i degës, kaloi dekadën duke punuar për të transformuar Shoqatën Kombëtare për Avancimin e Njerëzve me Ngjyrë (NAACP) në Montgomery, si një etapë më aktive që do të përqendrohej në regjistrimin e votuesve, drejtësinë penale dhe zhdukjen e segregimit. Kjo ishte një punë e lodhshme dhe e rrezikshme dhe Parks tha se ishte “shumë e vështirë për të vazhduar kur e gjithë puna që bënim dukej e kotë”. Por ajo ishte këmbëngulëse.

E dëshpëruar nga mungesa e ndryshimit dhe asaj që ajo e quante “vetëkënaqësisë” së shumë bashkëmoshatarëve, ajo reformoi Këshillin Rinor të NAACP në 1954 dhe nxiti anëtarët tjerë të mbanin qëndrime më të forta kundër segregimit. Kur u arrestua 15 vjeçarja Claudette Colvin pasi që kishte refuzuar të lironte ulësen e saj në autobus në mars 1955, shumë zezakë në Mongomery ishin të zemëruar nga arrestimi i saj, por disa prej tyre menduan se kjo adoleshente ishte shumë e egër dhe emocionale dhe nuk është rasti i duhur i provës. Sipas zonjës Colvin, e cila kishte qenë në kontakt me Parks pas arrestimit të saj, tha se ajo inkurajoi anëtarësimin e grave të reja në Këshillin Rinor dhe ishte e vetmja udhëheqëse e moshës madhore. Parks vendosi shpresën e saj në shpirtin dhe militantizmin e të rinjve.

Ditën kur Parks refuzoi të lironte ulësen e autobusit, ajo sfidoi oficerët e policisë që e arrestuan: “Pse po na maltretoni?” Nuk ka fotografi nga momenti i arrestimit, padyshim që ky moment do të ndryshonte historinë. Por rrjetëzimi që ishte ndërtuar përgjatë fiteve filloi të veproj vonë atë natë kur Parks vendosi të ndiqte çështjen e saj ligjore dhe telefonoi Fred Grey, avokat i ri dhe anëtar i NAACP, për ta përfaqësuar atë. Gray thirri kreun e Këshillit Politik të Grave, Jo Ann Robinson, e cila vendosi të bëjë thirrje për bojkot një ditor, pikërisht ditën kur Parks do të dilte para gjykatës.

Duke u përballur me rrezikun, Robinson u largua nga shtëpia e saj në mes të natës për të shpërndarë 50,000 fletushka me ndihmën e një kolegu të saj dhe dy studentëve që u besonin. Në orët e hershme të mëngjesit, gratë e Këshillit Politik të Grave shpërndanë fletushkat në të gjithë qytetin, duke i lënë ato në kisha e shkolla. I nxitur nga suksesi i bojkotit, komuniteti vendosi të vazhdojë. Bojkoti pati sukses pjesërisht sepse komuniteti i zezakëve u mor me organizimin masiv të makinave, duke ngritur rreth 40 stacione transporti në të gjithë qytetin dhe duke u shërbyer rreth 30,000 njerëzve në ditë, dhe pjesërisht për shkak të një çështje ligjore federale që sfidonte segregimin e autobusëve të Montgomery.

Bojkoti ndërpreu seriozisht jetën e qytetit dhe të ardhurat e kompanisë së autobusëve. Policia sulmoi sistemin e makinave pa mëshirë, duke dhënë qindra gjoba dhe kur kjo gjë nuk funksionoi, qyteti nxori një ligj të vjetër që ishte kundër sindikatave, me ç’rast u akuzuan 89 drejtues të bojkotit. Duke refuzuar që  të priste ta arrestonin, Parks së bashku me të tjerët u paraqit në polici përderisa shumë anëtarë të komunitetit u mblodhën jashtë.

Storja e Rosa Parks gjithashtu fshin koston e jashtëzakonshme të rezistencës së saj në autobus dhe dekadën e vuajtjeve që pasoi për familjen Parks. Ata nuk ishin të pasur. Ata jetonin në Cleveland Court, Raymond Parks, burri i Rosa Parks punonte si berber në bazën e Forcave Ajrore Maxwell dhe Rosa Parks po kalonte ditët e saj në një dhomë në dyqanin Montgomery Fair duke u qepur kostumet e burrave të bardhë. Ajo humbi punën pesë javë pas rezistencës së saj në autobus, më pas edhe Raymond humbi punën e tij. Ata po merrnin kërcënime me vdekje dhe nuk arritën të gjenin punë të qëndrueshme në Mongomery. Tetë muaj pas përfundimit të suksesshëm të bojkotit, familja Parks u detyrua të largohej nga Montgomery për në Detroit, ku jetonin vëllai dhe kushërinjtë e saj. Ata kishin vështirësi të gjenin punë dhe më pas ajo u shtrua në spital për trajtim të ulcerës në 1959 dhe nuk mund të përballonte koston e shërimit. Në vitin 1966, pra 11 vjet pas arrestimit të saj për shkak të rezistencës në autobus ajo u punësua për të punuar në zyrën e përfaqësuesit amerikan John Conyers në Detroit.

Rosa Parks kaloi dekadat e ardhshme të jetës së saj duke luftuar racizmin në Veri të Amerikës. “Në Veri nuk ishte toka e premtuar”, tha ajo, ku vazhdoi të organizonte marshe kundër diskriminimit në vendbanim, segregimit të shkollave, diskriminimit në punë dhe brutalitetit të policisë. Në korrik 1967, në ditën e katërt të kryengritjes në Detroit, policia vrau tre adoleshentë zezakë në Motelin Algiers. Nuk pati drejtësi kundër oficerëve (përfundimisht asnjëri prej tyre nuk u ndëshkua për vrasje ose komplot) dhe gazetat në Detroit po ngurronin të shkruanin për këtë çështje. Me kërkesën e aktivistëve të grupit Black Power të cilët refuzuan që këto vdekje të kalonin pa u trajtuar dhe që veprimet e policisë të fshihen, Rosa Parks pranoi të shërbente si juriste në “Tripunalin e Popullit” për të bërë të ditura faktet e çështjes.

“Unë nuk besoj në gradualizëm apo që çfarëdo që duhet të bëhet për të mirën tonë do të na marrë kohë përgjithmonë”, tha ajo. Në vitet 1960-1970, ajo ishte pjesë e Black Power e cila ishte lëvizje në rritje brenda dhe jashtë qytetit. Duke e përshkruar Malcolm X si hero të saj, ajo mori pjesë në konventën e Black Power në Filadelfia në 1968, si dhe në Konventën Gary në vitin 1972. Parks punoi kundër luftës në Vietnam, shërbeu në komitetet e mbrojtjes së të burgosurve dhe vizitoi shkollën Black Panthers në 1980. “Ata që luftojnë për liri nuk dalin kurrë në pension”, dhe me të vërtetë Parks nuk u pensionua asnjëherë në luftën e saj për kauzën.

Por, për këtë anë të Rosa Parks ne nuk kemi mësuar asnjëherë në shkollë apo nuk e kemi dëgjuar gjatë përkujtimeve të Black History Month. Në vend të kësaj, ne besojmë në një mit amerikan siç e quajti presidenti George W. Bush pas vdekjes së saj në 2005, se “një qiri mund të ndriçojë errësirën”. Një rrobaqepëse e thjeshtë ndryshoi rrjedhën e historisë me një veprim të vetëm dhe kombi lëvizi në mënyrë të pashmangshme drejt drejtësisë. Dekadat e punës së palodhshme të Rosa Parks duke sfiduar padrejtësinë racore përgënjeshtrojnë këtë narrativë. Kombi nuk eci natyrshëm drejt drejtësisë. Drejtësia duhej të merrej dhunshëm.  

Bojkoti ishte një arritje e jashtëzakonshme e organizimit që tërhoqi rrjetet e krijuara ndër vite. Demonizimi, kërcënimet me vdekje dhe vështirësitë ekonomike me të cilat u përball Parks për më shumë se një dekadë shpërfaq kostot e një heroizmi të tillë. Shumica e amerikanëve nuk mbështetën lëvizjen e të drejtave civile në momentin që po ndodhte, ndërsa në një sondash të Gallup pak para marshit në Washington në 1963, vetëm 23% e amerikanëve që kishin njohuri mbi marshin e mbështetën atë.

Duke marrë parasysh faktin se Rosa Parks kaloi gjysmën e dytë të jetës së saj duke luftuar racizmin në Veri të Amerikës tregon se racizmi nuk ishte një anakronizëm rajonal, por ishte kancer kombëtar. Duke parë sesi ajo vendosi shpresën e saj më të madhe në shpirtin militant të të rinjve përgënjeshtron mënyrën se si komentuesit e sotëm kanë përdorur lëvizjen e të drejtave civile për të ndëshkuar Black Lives Matter, kinse nuk kanë ndjekur rrugën e duhur për ndryshim. Të mësuarit mbi të vërtetat e Rosa Parks tregon se sa të rreme janë këto dallime, si drejtësia penale ishte çelësi për ëndrrat e saj të lirisë dhe pasqyron një mësim thelbësor që të rinjtë dhe gjithë amerikanët duhet të kuptojnë se duhet të luftosh sinqerisht me historinë e këtij vendi dhe të vazhdosh përpara.

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.nytimes.com/2021/02/01/opinion/rosa-parks.html