Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Rritja e numrit të gazetareve gra siguron perspektivë më të mirë feministe në gazetari

QIKA 25.1.2023

Gazetaria shpesh karakterizohet si një fushë që në kulmin e saj krenohet se është e paanshme në qasjen e saj. Raportimi i çështjeve të botës reale përmes fakteve dhe shifrave ka forcuar industrinë për të ofruar një tregim të ekuilibruar dhe informues për masat. Megjithatë, kjo qasje shpesh ka dështuar të marrë parasysh strukturat më të mëdha socio-kulturore brenda të cilave jetojmë në përditshmëri dhe se si institucionet e ndryshme veprojnë nën ndikimin e klimës në të cilën këto çështje të botës reale ndodhin.

Duke pasur parasysh ndikimin global të sundimit patriarkal në veçanti, pretendimi që ky ndikim nuk ekziston dhe refuzimi i përfshirjes së analizës feministe, është kundërintuitiv ndaj qëllimit të një reportazhi egalitar.

Kjo mund t’i atribuohet në mënyrë të arsyeshme faktit se për një pjesë të madhe të historisë moderne, gazetaria ka qenë e uzurpuar nga burrat dhe perspektivat e tyre për ngjarjet globale. Edhe sot, kur Projekti Global i Monitorimit të Medias, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave në Media në Indi (NWMI), kreu një studim mbi praninë e grave në lajme si subjekt dhe si burim, përqindja ka rënë ndjeshëm në shtyp, TV dhe radio. Zbulimi më i rëndësishëm në këtë studim ishte se midis viteve 2015 dhe 2020, përfshirja e gazetareve gra kishte rënë nga 43% në 13% në shtyp si dhe nga 60% në 52% në TV.

Në kategorinë e fundit, shumica e grave punonin si reportere, spikere dhe prezantuese në TV. Kjo mund t’i atribuohet lehtësisht praktikës së gjatë të pozicionimit të grave, zakonisht më të reja, si “kokat që flasin”, ndërsa burrave u jepet qasje në role të profileve më të larta në këtë fushë, që u lejojnë atyre të ngriten profesionalisht dhe të fitojnë respekt e famë në industri.

Madje edhe zgjedhjet se cilat storje do të raportohen, në fillim janë bërë me miratimin e burrave, gjë që lë për të dëshiruar karshi raportimit mbi çështjet e grave. Me gratë që shërbejnë si burime vetëm në raste të caktuara, kryesisht si viktima të dhunës me bazë gjinore, ato rrallë raportohen në kategori të tjera. Në vitin 2015, gratë ishin subjekt i 27% të të gjitha tregimeve, 15% si zëdhënëse e 12% si eksperte. Ndërsa në vitin 2020, numri i tyre u zvogëlua, tani ato përbejnë vetëm 18% të të gjitha storjeve.

Gazetaria si një përpjekje feministe

Duke pasur parasysh faktet dhe shifrat e lartpërmendura, si mund ta mbrojmë gazetarinë si bastionin e fundit të barazisë në botën moderne, kur gjysma e popullsisë së vendit tonë është lënë pas dore prej saj? Ne nuk mund të presim një përmirësim të statusit të grave në përgjithësi pa sjellë njohuri për problemet dhe perspektivat e grave tek masat. Këtu hyjnë në lojë perspektivat feministe.

Mënyra se si një grua do të raportonte një çështje të caktuar, ndoshta nuk do të ishte e njëjtë me një grua tjetër. E tillë ka qenë praktika e kahershme brenda gazetarisë mes burrave dhe industria do të ngelej prapa duke dështuar t’u lejojë grave të ndryshme mundësinë për të mishëruar gjithashtu role konkurruese të ngjashme dhe duke ofruar kështu perspektiva unike të vlefshme brenda fushës.

Raportimi pa perspektivë feministe

Shumë reporterë, veçanërisht reporterët burra në mediat kryesore, kanë raportuar dhunën me bazë gjinore ndaj grave si një krim të lehtë ndaj viktimës dhe jo si një krim të kryer nga dhunuesi. Kjo bëhet duke nënkuptuar se është përgjegjësi e grave, në çdo situatë të caktuar, të marrin masa paraprake për të parandaluar një dhunë të tillë me bazë gjinore dhe duke zgjedhur t’i japin informacion shtesë lexuesve të këtyre gazetave, të krijojnë një model sjelljeje, bazuar në të kaluarën e viktimës dhe jo të dhunuesit.

Madje, shumë gazetarë burra nga këto organizata mediatike kanë shkuar aq larg sa t’i kushtojnë një pjesë të raportimit dhe debateve të tyre, spekulimeve mbi besueshmërinë e këtyre pretendimeve për dhunë me bazë gjinore, veçanërisht dhunën seksuale, që vepron nën besimin e përhapur brenda shoqërive tradicionale që viktimat e dhunës seksuale shpesh gënjejnë për përfitime financiare ose sociale, kur rezultati real i këtyre situatave rrallëherë është në favor të viktimave.

Ka pasur gjithashtu një tendencë të mbi-raportimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore ku dhunuesit janë të huaj, ndërsa ata që i njohin nuk dhunojnë. Kjo mund të jetë e rrënjosur në agjendën konservatore e cila tenton t’i largojë gratë nga sfera publike duke i kërcënuar ato me sigurinë e tyre, duke propozuar që ato mos të dalin nga shtëpia të pashoqëruara, për të shmangur kërcënimin e dhunuesve që përndjekin në errësirë, duke mos llogaritur fare dhunuesit që janë mes grave. Shumë nga statistikat tregojnë se shumica e dhunuesve nuk janë përndjekësit në rrugë, por pikërisht të afërmit, shpesh partnerët/bashkëshortët.

Këta shembuj pasqyrojnë efektet e mungesës së perspektivave feministe që vazhdojnë të mungojnë në organizatat mediatike që kanë shtrirjen më të madhe. Megjithëse kemi parë një rritje të organizatave të pavarura mediatike që ofrojnë grupe gazetaresh gra dhe pikëpamjet e tyre përkatëse feministe për masat, ato ende kanë një audiencë të kufizuar.

Raportimi me perspektivë feministe

Megjithëse ngritja historike e lëvizjes #MeToo është dokumentuar shumë në botën perëndimore, ajo në Indi arriti vetëm kur gazetaret gra u përfshinë në media dhe raportuan rreth saj.

Ndërsa jetëgjatësia e lëvizjes dhe ndikimi i saj është një debat tjetër, nuk ka asnjë diskutim roli që kanë luajtur gazetaret gra në mënyrën se si flasim për dhunën me bazë gjinore në vendin tonë. Këto janë themelet kryesore mbi të cilat brezat e ardhshëm të gazetareve gra mund të përpiqen t’i korrigjojnë.

Këto diskutime do të ishin të pavlera nëse nuk do të përmendnim progresin gazetaresk që është bërë nga gratë më pak të privilegjuara që punojnë në OJQ me qëllimin për të sjellë një ndryshim në jetën e grave në Indinë rurale.

Organizata të tilla si Khabar Lahariya, #GenderAnd, Genderlog dhe të tjera paraqesin fuqinë e gazetareve gra.

Vetëm përmes guximit që kanë shfaqur gazetaret gra teksa dalin në pah me përvojat dhe idealet e tyre, ne mund të presim që perspektivat feministe të dalin në ballë të raportimit të ditëve moderne në nënkontinentin Indian.

Tanya Roy

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://feminisminindia.com/2023/01/18/more-female-journalists-ensure-better-feminist-perspectives-in-journalism/?fbclid=IwAR0mIOgT5d36KGDV7podSf8xBcCmCbxN3jUpjhUjhCg5mxdQa2D2KE-PFwE