Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Sa ndikojnë menstruacionet në arsimimin e vajzave?

QIKA 30.7.2021

Sipas Bankës Botërore, qasja e vajzave në shkollë është pjesë qendrore e çrrënjosjes së varfërisë globale. “Gratë me arsimim më të mirë priren të jenë më të shëndetshme, marrin pjesë më shumë në tregun formal të punës, kanë të ardhura më të larta, kanë më pak fëmijë, martohen në një moshë më të vonë, dhe nëse vendosin të bëhen nëna kanë mundësi të sigurojnë arsimim dhe kujdes më të mirë shëndetësor për fëmijët e tyre. Të gjithë këta faktorë mund të ndihmojnë familjet, komunitetet dhe kombet të dalin nga varfëria. Mungesa e arsimimit i vë vajzat dhe gratë në rrezik më të lartë të trafikimit, shfrytëzimit, martesave të hershme dhe praktikave tjera të dëmshme.

Përkundër progresit të konsiderueshëm gjatë dy dekadave të fundit, pabarazia gjinore në arsim po vazhdon, duke ndaluar miliona vajza dhe gra të shfaqin potencialin e tyre të plotë. Në të gjithë botën qasja e pabarabartë në arsim është një nga shembujt më të qartë të diskriminimit që i nënshtrohen vajzat. Edhe pse vajzat kanë të drejtë për edukim të plotë dhe të drejtë të barabartë në arsimim, ka  dyfish më shumë vajza që mund të mos vijojnë kurrë shkollën krahasuar me djemtë. Në tërësi, rreth 132 milion vajza të moshës 6-17 vjeçare nuk vijojnë shkollën.

Ekzistojnë shumë faktorë që i mbajnë vajzat jashtë shkollës, duke përfshirë këtu varfërinë, mjediset e pafavorshme shkollore, diskriminimin, faktorët kulturor, martesat e hershme dhe dhunën në shkollë. Përveç këtyre pengesave, fillimi i menstruacioneve ndikon në arsimimin që merr një vajzë. Dhimbja fizike, shqetësimi, mungesa e produkteve menstruale mund të kontribuojnë tek vajzat në vijimin e shkollimit. Por, përkundër indikacioneve se fillimi i menstruacioneve për një vajzë ndikon në dëshirën dhe aftësinë e saj për të vijuar shkollën, nuk janë bërë kërkime të besueshme në shkallë të gjerë, duke e bërë të vështirë të dihet se a është kjo arsyeja e vetme.

Për t’i siguruar çdo vajze dhe gruaje të drejtën në edukim, ne duhet të dimë rolin që luan cikli menstrual në aftësinë e tyre për të vijuar shkollën dhe nëse cikli menstrual është me të vërtetë një pengesë.

Ky artikull paraqet një përmbledhje të gjetjeve që shpjegojnë marrëdhënien midis menstruacioneve dhe arsimimit të vajzave, duke identifikuar nevojën për kërkime sasiore që provojnë lidhjen midis këtyre dy faktorëve.

Përgjatë këtij artikulli, termi “vajza dhe gra” përdoret si term i shkurtër për të rritur lexueshmërinë dhe i referohet të gjithë atyre që kanë menstruacione pavarësisht identitetit gjinor. Një person që ka menstruacione ka nevojë për higjienë dhe shëndet menstrual, përfshirë vajzat, gratë, transgjinorët dhe personat jo-binarë. Jo të gjitha gratë kanë menstruacione dhe jo të gjithë ata që kanë menstruacione janë gra.

Lidhja mes menstruacioneve dhe mungesave në shkollë

Faktorët që përcaktojnë nëse një vajzë mund të ketë qasje në arsim janë komplekse.

Përveç sfidave të lartpërmendura, ka indikacione të përsëritura në dekadën e kaluar që fillimi i menstruacioneve te vajzat ndikon në arsimimin që ajo merr.

Megjithatë, kërkimi shkencor në lidhje me menstruacionet dhe mungesave në shkollë është i rrallë. Statistikat e cituara gjerësisht të tilla si “një në dhjetë vajza në Afrikë mungojnë apo lënë shkollën për shkak të menstruacioneve të tyre” janë të pabazuara, pasi që burimi nuk mund të gjendet dhe ka prova të kufizuara empirike që mund të mbështesin pohime të tilla me kalimin e kohës. Përmbledhja e hulumtimit të MH-MSH për vitin 2020 së bashku me WoMena tregon se ekziston një numër i madh i literaturës bazuar në të dhëna empirike që shqyrton lidhjen midis mungesës në shkollë dhe menstruacioneve, gjithashtu tregon se nuk ka studime të përgjithshme ose të dhëna dhe metodologji.

Për t’i siguruar çdo vajze dhe gruaje të drejtën në edukim, në duhet të dimë rolin që luan cikli menstrual në aftësinë e tyre për të vijuar shkollën dhe nëse cikli menstrual është me të vërtetë një pengesë. Ndikimi i menstruacioneve në vijimin e shkollës mbetet i pa konfirmuar dhe i paqartë, veprimet e nevojshme mund të neglizhohen ose çdo veprim i ndërmarrë për lehtësuar këtë situatë mund të jetë i gabuar ose joefikas dhe nuk e zgjidh problemin. Kështu, realizimi i një studimi në shkallë të gjerë i bazuar në prova mbi lidhjen mes mungesave në shkollë dhe menstruacioneve duhet të jetë prioritet i detyrueshëm.

Ka pasur një numër studimesh në shkallë të vogël të realizuara në Etiopi, Ganë, Indi, Kenia, Malavi, Nepal, Nigeri, Tanzani, Mbretëri të Bashkuar, SHBA, Zambi, të cilat kanë gjetur efekte të ndryshme negative të menstruacioneve që ndikojnë në mungesën e vajzave në shkollë. Këto studime theksojnë sfidat me të cilat përballen vajzat gjatë menaxhimit të menstruacioneve në shkollë, duke filluar nga dhimbjet, shqetësimet fizike dhe mjediset e pafavorshme shkollore.

Përjetimi i shqetësimit dhe dhimbjes menstruale konsiderohet të ketë një efekt negativ si në vijimin e mësimit ashtu edhe në pjesëmarrje në klasë. Vajzat mund të kenë vështirësi të angazhohen në aktivitete shkollore nëse ato detyrohen të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mungesës së ilaçeve për dhimbje, produkteve të pamjaftueshme të higjienës menstruale, ambienteve të papërshtatshme sanitare në shkolla dhe frikës nga një aksident menstrual. Mungesa e produkteve dhe pajisjeve sanitare e bën të vështirë që vajzat të shkojnë në shkollë gjatë menstruacioneve të tyre.

Në disa pjesë të botës, prindërit dhe komunitetet konsiderojnë fillimin e menstruacioneve tek vajzat si shenjë që ajo është një grua, e gatshme për martesë, riprodhim dhe amësi.

Bazuar në sondazhet e realizuara në gati 50 vende më pak të zhvilluara ose me të ardhura të ulëta, UNICEF vlerëson se mesatarisht vetëm 51% e shkollave kanë burime adekuate të ujit dhe vetëm 45% kanë pajisje të përshtatshme sanitare. Një studim i fundit tek vajzat që vijojnë shkollën në Kenia, tregon se disa vajza kryejnë marrëdhënie seksuale me pagesë në mënyrë që të kenë para për të paguar produkte sanitare dhe të vijojnë shkollën.

Për më tepër, faktorët social dhe kulturor dhe dhuna në shkollë mund të çojë në mungesë më të lartë të vajzave në shkollë. Në shoqëritë ku menstruacionet janë tabu, vajzat mund të mos lejohen të dalin nga shtëpia gjatë menstruacioneve, ose qëndrojnë në shtëpi nga ndrojtja, sikleti ose frika që dikush mund t’i ngacmojë nëse u ndodhë diçka aksidentalisht. Mungesa e vajzave në shkollë gjatë menstruacioneve mund të ndikojë edhe në ngecje në mësime, e që i bën prindërit të dyshojnë në vlerën e arsimimit të vajzave. Sidoqoftë, këto pretendime duhet të verifikohen përmes kërkimit në shkallë të gjerë të bazuar në prova për të përcaktuar ndikimin aktual të menstruacioneve në edukim.

Vendi i një gruaje

Mungesa në shkollë për shkak të menstruacioneve nuk ndodhë vetëm në vendet në zhvillim.

Një studim i vitit 2018 nga Plan UK mbi përvojat e vajzave që kanë menstruacione, tregon se 27% e vajzave në Mbretërinë e Bashkuar kanë përdorur një produkt menstrual për kohë më të gjatë sepse nuk kishin mundësi të blinin një produkt të ri, dhe 49% e vajzave kanë munguar tërë ditën në shkollë për shkak të menstruacioneve. Autorët e studimit deklarojnë se mungesa e qasjes në produktet e higjienës menstruale shpesh konsiderohet si çështje e jashtme që prek vendet me të ardhura më të ulëta, por në kontekstin e kursimit dhe rritjes së të pastrehëve, mungesës së edukimi të menaxhimit të shëndetit menstrual, po bën që përvoja të njëjta të ketë edhe në ekonomitë e zhvilluara si ajo e Mbretërisë së Bashkuar.

Në disa pjesë të botës, prindërit dhe komunitetet konsiderojnë fillimin e menstruacioneve tek vajzat si shenjë që ajo është një grua, e gatshme për martesë, riprodhim dhe amësi. Kjo ndodhë në vende si Bangladesh, Etiopi, Indonezi, Nepal apo Pakistan. Martesa e hershme është martesë zyrtare (ose jo zyrtare) e një fëmije nën moshën 18 vjeçare. Kjo praktikë zbatohet si për djemtë ashtu edhe për vajzat, por në të shumtën e rasteve ndodhë që një vajzë e re të martohet me një burrë të rritur. Martesa e hershme e fëmijëve është një çështje globale, por normat ndryshojnë në mënyrë dramatike brenda dhe jashtë vendeve. Në të gjithë botën, rreth 650 milion vajza dhe gra ishin të martuara para moshës 18 vjeçare.

Një pasojë e madhe e martesave të hershme të fëmijëve është që shumë vajza të martuara detyrohen të braktisin shkollën, duke i privuar nga e drejta e tyre themelore për arsimim dhe pavarësim. “Martesat e fëmijëve ua mohon vajzave mundësitë për të mësuar, për tu zhvilluar dhe për të realizuar potencialin e tyre të plotë, kështu kjo lloj martese i shfuqizon sistematikisht ato. Kjo bën që ato të jenë të varura nga të tjerët gjatë tërë jetës së tyre, u heq atyre lirinë e zgjedhjes, i bën ato të prekshme nga abuzimet dhe i fut në një cikël varfërie.”

Për më tepër, këto ngjarje përforcojnë njëra-tjetrën. Nëse fillimi i menstruacioneve për një vajzë shihet si gatishmëri për martesë, ajo duhet të braktisë shkollën në mënyrë që të martohet. Anasjelltas, kur vajzat braktisin shkollën, ato janë më të prekshme nga martesat e hershme. Ato kanë mungesë të pavarësisë ekonomike që mund ti fusë në një cikël varfërie. Prindërit mund ta shohin martesën si opsionin e vetëm për vajzat apo si një mënyrë që ulë shpenzimet familjare.

Është vendimtare që edukimin menstrual ta bëjmë pjesë të një agjende të zgjeruar për të drejtat e shëndetit riprodhues dhe seksual.

Prindërit dhe vajzat mund të frikësohen gjithnjë e më shumë nga ngacmimet seksuale të mundshme kur menstruacionet lidhen me riprodhim, dhe kështu e konsiderojnë shkollën si një vend të pasigurtë për vajzat e tyre të pamartuara. Përveç kësaj, prindërit mund të preferojnë që vajzat të martohen për të kontribuar në të ardhurat e familjes ose ti japin përparësi njohurive që nuk mësohen në shkollë, të tilla si mënyra e mirëmbajtjes së punëve që lidhen me shtëpinë. Mungesa në shkollë është më e zakonshme në mjediset e varfëra. Zonat rurale ku vajzat që tashmë janë në disavantazh nga normat shoqërore kanë më shumë mundësi të humbasin mundësitë në arsim.

Nevoja për kërkime të bazuara në prova

Është thelbësore të kuptohet ndikimi i ciklit menstrual të një vajze në arsimimin që ajo merr, në mënyrë që të gjejmë mënyra të ndjeshme kulturore dhe zgjidhje të përshtatshme për arsyet e ndryshme të mungesave në shkollë.

Nëse i lëmë këto tema të pa hulumtuara në fushën akademike mund të ketë efekte negative afatgjata për brezat e ardhshëm të vajzave. Nëse ndikimi i menstruacioneve në vijimin e shkollës mbetet i pa verifikuar dhe i pasigurtë, veprimet e nevojshme mund të neglizhohen, apo çdo veprim i ndërmarrë për të korrigjuar këtë mund të jetë i gabuar dhe joefikas. Në këtë mënyrë ne nuk mund ta zgjidhim këtë çështje themelore. Pa një dëshmi të konsiderueshme donatorët kanë mjete të kufizuara për të mbyllur hendekun gjinor.

Shëndeti dhe higjiena menstruale është çështje e të drejtave të njeriut dhe për këtë arsye nuk duhet të mbetet e panjohur. Shkallëzimi i lartë i hulumtimit mbi mungesën në shkollë për shkak të menstruacioneve mund të ndihmojë në trajtimin e tabuve rreth menstruacioneve dhe të avokojë për shërbime dhe edukim për ti ndihmuar vajzat të vijojnë shkollën, të marrin arsim cilësor dhe ti mbajmë larg nga martesat kur ato janë adoleshente apo fëmijë.

Arsimimi konsiderohet si një element kryesor në shëndetin menstrual. Edukimi para menstrual ofron një mundësi për të edukuar adoleshentët mbi ndryshimet që ndodhin në trupin e tyre, sistemin riprodhues, pjellorinë, kontracepsionin, rreziku nga sëmundjet e transmetueshme HIV/AIDS. Gjithashtu edukimi mund të jetë pikë hyrëse për të filluar bisedën mbi martesat e fëmijëve dhe si ti parandalojmë ato. Menstruacionet kanë një efekt më të theksuar në cilësinë e arsimit sesa aspektet e tjera të pubertetit, pasi përfshijnë mësimin si dhe element të tjerë që ndikohen nga infrastruktura e shkollës.

Prandaj, është thelbësore që edukimi menstrual të jetë pjesë e një agjende të zgjeruar për të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues, si dhe për shëndetin e grave gjatë ciklit jetësor, jo vetëm duke u përqendruar në procesin riprodhues, por edhe në informacionin mbi shëndetin.

Menstruacionet janë treguesi biologjik që nuk jemi shtatzënë. Kur një personit i vijnë menstruacionet do të thotë se veza që është lëshuar nga vezorja e saj nuk është fekonduar me sukses. Kjo pjesë natyrore dhe vitale e ciklit riprodhues në asnjë rrethanë nuk duhet të jetë rrezik për mirëqenien dhe zhvillimin e vajzës duke i dhënë fund arsimimit të saj ose duke sinjalizuar se ajo është e gatshme për martesë. Kjo duhet të jetë një pjesë normale e rritjes.

Mariana de la Roche

Nikki van de Veerdonk

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://apolitical.co/solution-articles/en/just-how-much-can-menstruation-affect-girls-education