Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Si bell hooks më mësoi se feminizmi është për të gjithë

QIKA 14.3.2023

Për autoren bell hooks, e cila ka vdekur në moshën 69 vjeçare, politika radikale dhe butësia e shpirtit shkuan dorë për dore.

Nuk më kujtohet hera e parë që lexova bell hooks. Ajo që mbaj mend është se feminizmi i saj pasionant ishte bërë pjesë e pandashme e të menduarit dhe aktivizmit tim në kohën kur arrita në gjysmën e të njëzetave. Isha në Stamboll, duke shkruar tregime, por kryesisht me vështirësi. Sado që e doja këtë qytet, nuk isha e sigurt se përkisja aty. Në radio, zëri i Tracy Champan u ngjit mbi britmat e pulëbardhave, duke jehuar në konfuzitetin tim: “Dua të zgjohem dhe të di se ku po shkoj”. Feminizmi më kishte dhënë një hartë të botës por prapë vazhdoja të humbja.

Ishte atëherë kur fillova të lexoj më me kujdes dhe intensivisht bell hooks, e cila vdiq nga dështimi i veshkave më 15 dhjetor në moshën 69 vjeçare. Fjalët e saj më ndryshuan diçka përgjithmonë në shpirtin tim; ato më frymëzuan, inkurajuan dhe motivuan.

Ishte surprizë e këndshme kur vite më vonë hasa të njëjtin tekst kënge të cituar në një ese të re nga hooks. Në librin e saj, Përkatësia: Një Kulturë vendi (1990), ajo shkruan: “Derisa udhëtoj përreth, gjithmonë habitem se sa shumë njerëz ndihen të përhumbur, kanë mungesën e një udhëzuesi, ndihen sikur nuk mund të shohin se ku do na çojnë udhëtimet tona, se nuk mund ta dinë se ku po shkojnë.”

E lindur me emrin Gloria Jean Watkins në një qytet rural të Kentakit në vitin 1952, ajo adaptoi pseudonimin bell hooks, që i përkiste gjyshes së saj nga nëna. Emrin e saj ajo e shkruante gjithmonë me shkronja të vogla për të mbajtur fokusin në idetë e saj mbi identitetin e saj. Ndërsektorialiteti për hooks, nuk ishte as një prirje akademike e as një debat abstrakt. Ishte në thelbin e ekzistencës së saj. Ishte vetë jeta.

Me një energji të pa shtjerrshme, shkrimet saj eksploronin pabarazitë dhe padrejtësitë – gjithmonë të shumta e të ndërlidhura. Intelekti i saj ishte nomad, gjithmonë duke udhëtuar me shkathtësi nëpër disiplina dhe zhanre të ndryshme. Ndryshe nga shumë mendimtarë që preferonin të qëndronin në një vend të sigurt, hooks ka guxuar të hidhej në ujëra të pa eksploruar. Ajo shkroi për një gamë të gjerë çështjesh, duke nisë nga raca, klasa, e deri tek gjinia, spiritualiteti e të drejtat universale të njeriut, kujtesa kolektive e dashuria personale. Ajo ishte një nga intelektualet tona më të mprehta publike.

Për aq sa e vlerësonte dijen, teorinë kulturore dhe fjalën e shkruar, bell hooks ishte e lidhur ngushtë me kulturën dhe tregimin verbal, ishte njohëse e “dijes së paraardhësve”. Shumë pak feministë të gjeneratës së saj e ndoqën këtë rrugë, e sot ndoshta edhe më pak. “Duke bashkuar politikën radikale feministe me dëshirën time për të shkruar, vendosa qysh në fillim se doja të shkruaja libra që do mund të lexohen dhe kuptohen përtej kufijve të klasave të ndryshme,” shkroi hooks.

Ajo e imagjinonte audiencën e saj si nënën e saj, personin që ajo “deshi ta konvertonte në të menduarit feminist më së shumti”. Kjo gjë, në heshtje, krijoi stilin e saj. Kur në vitin 1981 botoi librin e saj A nuk jam unë një grua: Gratë e zeza dhe feminizmi, kopertina mbante foton e nënës së saj, Rosa Bell Watkins.

Anti-raciste, anti-seksiste dhe antikapitaliste, bell hooks ishte jashtëzakonisht e qartë në thirrjen e saj për të çmontuar institucionet, normat dhe retorikën e diskriminimit sistemik. Megjithatë, në të njëjtën kohë, kishte dhembshuri në qasjen e saj. Në punën e saj, politika radikale dhe butësia e shpirtit shkuan paralelisht. Ajo ishte një luftëtare që nuk i pëlqente luftërat. Ajo donte që puna e saj të shëronte – dhe ajo e bëri po këtë; na shëroi. Në një intervistë të fundit ajo përmendi se çdo ditë merrte një letër ose një kartolinë nga dikush që i tregonte se si puna e saj i kishte prekur apo transformuar ata/ato. Por pata ndjenjën se ajo i referohej më së shumti lexuesve amerikanë. Pyes veten nëse ajo e dinte ndonjëherë se sa thellë rezononin shkrimet e saj me kaq shumë gra joperëndimore. Ajo besonte në “motërsinë”, duke thënë se motërzimi “i fuqizon gratë duke na respektuar, mbrojtur, inkurajuar dhe dashur ne”.

Në Talking Back: Thinking feminist, Thinking Black (1989), hooks përfundon njërën nga esetë e saj me një citim nga Karta e Lirisë kundër dominionit racor në Afrikën e Jugut: “Lufta jonë është gjithashtu një luftë kundër harresës.” Ajo u tregoi brezave të lexuesve se si heshtje të ngjashme, paragjykime dhe praktika diskriminuese kishin përshkruar lëvizjen bashkëkohore për çlirimin e grave.

Shtresat e racizmit që ekzistonin brenda lëvizjes feministe; qoftë të fshehura apo të shpërfaqura, nga qendra deri tek margjinat, ishin mjaft problematike dhe hooks kritikoi shumë ato. Në mënyrë shumë të rrjedhshme, hooks vuri në pikëpyetje mënyrën se si “feministet e bardha tentonin të romantizonin përvojën e grave të zeza, në vend se të kuptonin ndikimin negativ të asaj shtypjeje”. Kjo shtypje përmbante dy polarizime fondamentale: racizmin dhe seksizmin. Përshkrimi i përhershëm i grave të zeza si të forta, ishte pjesë e këtij romanticizmi problematik.

Duke shkruar gjerësisht për politikën, shoqërinë, maskulinitetin, patriarkalizmin, prindërimin dhe lirinë, ajo kurrë nuk pushoi së mbrojturi vlerën e diversitetit, nevojën për një pluralitet historish dhe përvojash. Autore e më shumë se 40 titujsh, ajo udhëtoi shumë për të mbajtur fjalime dhe ligjërata. Nga poezia, esetë e deri tek librat për fëmijët, puna e saj ishte e magjishme, e cila pasqyronte thellësinë e interesave të saj. Të mësuarit nuk kishte fund asnjëherë, një udhëtim i vazhdueshëm që shpesh tregonte edhe përvojën e pakëndshme të çmësimit dhe çmontimit. Ishte e rëndësishme, pohon hooks, që ne të vazhdojmë të lexojmë dhe të ndajmë me tjerët: “Për t’i dhënë fund patriarkatit, ne duhet të vetëdijesohemi se të gjithë jemi bashkëpjesëmarrës në përjetësimin e seksizmit. Derisa në t’i ndryshojmë mendjet dhe zemrat tona, ajo do vazhdoj.”

bell hooks e dinte se ishte më e lehtë të ndryshoje mendjet sesa zemrat. Ajo guxoi të imagjinonte një botë ku nuk do të kishte asnjë diskriminim, asnjë dominim dhe asnjë shtypje. Një nga veprat e saj më të fuqishme është Feminizmi është për të gjithë (2000). “Unë kurrë nuk kam besuar se feminizmi është veç lëvizje e grave. Thellë në zemër e dija se nuk do të kishim një lëvizje feministe të suksesshme nëse nuk do të inkurajonim të gjithë; femra, meshkuj, burra, gra, vajza e djem, që t’i bashkohen feminizmit”

Në një epokë ku feminizmi nevojitet kudo, në çdo cep të botës, në një botë ku edhe të drejtat e fituara deri më tani po kanë filluar të kthehen në pikën fillestare, fjalët e saj janë aq të rëndësishme dhe më urgjente se asnjëherë më parë. Nuk mund të jemi as të shkëputur dhe as indiferentë. Në një epokë të thellimit të pabarazive – gjinore, racore, rajonale, klasore dhe dixhitale – tani është koha për t’u lidhur me punën e bell hooks, për t’u afruar dhe për të parë se feminizmi është për të gjithë.

Elif Shafak

E përktheu: Nora Suhodolli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.newstatesman.com/culture/books/2021/12/how-bell-hooks-taught-me-that-feminism-is-for-everybody