Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Sor Juana, feministja e parë e Botës së Re

QIKA 8.11.2021

Kur flasim për feministet e famshme meksikane, Frida Kahlo sigurisht është një emër i njohur në të gjithë botën. Por ju duhet të dini edhe për historinë e një gruaje tjetër të shquar meksikane, e cila jetoi gjatë epokës koloniale, Sor Juana Inés de la Cruz.

Emri i saj i vërtetë ishte Juana Inés de Asbaje y Ramírez dhe ajo u lind rreth vitit 1651. Me nofkën “Feniksi Meksikan” dhe “Muza e Dhjetë”, ajo avokoi për kauzën feministe shumë kohë para se kauza të kishte një emër.

Një mrekulli autodidakte

Juana ishte e treta nga gjashtë fëmijët jashtëmartesor të një kapiteni spanjoll dhe u rrit në një familje me kushte modeste. Nëna e saj ishte analfabete, por ajo arriti të punësojë një mësues për djemtë dhe vajzat e saj. Duke ndjekur vëllezërit dhe motrat e saj tek sa mësonin, Juana ishte në gjendje të lexonte që nga mosha 3 vjeçare.

Ajo filloi të mësonte gjithçka që mundej nga biblioteka e gjyshit të saj. Ajo “konsumoi” librat në të dhe madje i mësoi vetes Nahuatl, gjuhën autoktone nga rajoni qendror i Meksikës, të cilën më vonë do ta thurte në poezinë e saj.

Duke u rritur, ajo i lutej nënës së saj që t’ia shkurtonte flokët dhe ta lejonte të maskohej si burrë, në mënyrë që të mund të shkonte në universitet.

Koha ekstravagante në gjykatë

Më vonë në jetën e saj, Juana u shpërngul nga qyteti i saj në hijen e vullkanit Popocatépetl, në Mexico City ku do të jetonte me tezen e saj.

Si adoleshente, ajo u fut në listën e pritjes për martesë me Marquis de Mancera. “Gjykata do të jetë një vend i përsosur për ju për të gjetur një burrë”, thonin tezja dhe xhaxhai i saj.

Etja e saj e pashuar për dije si dhe bukuria e saj e bën Juana-n një lloj figure publike intelektuale dhe kështu ajo filloi të shkruajë poezi. Thuhet gjithashtu zëvendësi i monarkut mblodhi një panel juristësh, filozofësh dhe studiuesish për të testuar njohuritë e Juana-s për letërsinë, historinë dhe mitologjinë, të cilat ajo i zotëroi “si një anije gjigande mbretërore që mbron veten nga disa varka peshkatarësh”.

Nga gjykata tek manastiri

Juana iu bashkua Manastirit Katolik të San Jeronimo dhe u bë murgeshë. Arsyet e saj ishin të shumta, përfshirë këtu ngurrimi i saj për t’u martuar. Por kryesisht ajo iu bashkua këtij manastiri për të ndjekur lirshëm dashurinë e saj për të mësuarit. Me fjalët e saj, rendi fetar ishte “gjëja më e mirë” që ajo mund të bënte, sepse ai i lejojë asaj t’i përkushtohet jetës intelektuale.

“Përballë këtij shqetësimi parësor, të gjitha paturpësitë e vogla kokëforte të natyrës sime u dorëzuan dhe u përkulën: domethënë, dëshira për të jetuar vetëm; dëshira që të mos kem ndonjë detyrim që do të pengonte lirinë time për të studiuar; dëshira për të qenë e lirë nga zhurmat e komunitetit që do të ndërprisnin qetësinë e librave të mi mbizotëruan”, shkroi Sor Juana Inés de la Cruz.

Më pas ajo do të merrte emrin Sor Juana, që do të thotë Motra Juana. Ajo grumbulloi një bibliotekë mbresëlënëse që përmbante mbi 4000 libra. Ajo ishte një shkrimtare produktive: përveç poezisë, ajo shkroi libra matematikorë, manifeste shoqërore, kompozime muzikore dhe pjesë skenike. Poezitë e saj plot pasion dashurie për María Luisa, gruan e delegatit të monarkut të ri, janë gjithashtu të njohura gjerësisht.

“Unë, më e keqja nga të gjithë”

Pas humbjes së disa prej mbështetësve të saj kryesorë, fatkeqësi të shumta i ndodhën Juana-s. Një peshkop i rangut të lartë botoi një nga letrat e saj private në të cilën – me urdhër të tij –  ajo kritikonte predikimin e një prifti, duke përdorur pseudonimin “Sor Filotea”.

Duke treguar guximin e saj të veçantë, Juana iu përgjigj akuzave me një nga shkrimet e saj më të famshme. Në Përgjigjen ndaj Sor Filotea, ajo mbrojti të drejtat intelektuale të grave dhe idenë që gratë të kenë qasje në arsim.

Mirëpo pas kësaj, Juana u censurua dhe iu morën liritë që posedonte. Jo vetëm që humbi bibliotekën e saj, por iu ndalua të botonte si dhe u detyrua të hidhte të gjitha pajisjet e saj shkencore. Për më tepër, ajo nënshkroi një letër të famshme faljeje drejtuar Kishës me titull Unë, më e keqja nga të gjithë.

Ajo vdiq në vitin 1695, në një murtajë që shkatërroi Mexico City. Autori fitues i çmimit Nobel, Octavio Paz, i cili ishte një ambasador në Indi dhe një admirues i njohur i kulturës indiane, ia rifuti tekstet dhe vargjet e saj në librin e tij të vitit 1988 të quajtur “Sor Juana: Ose, Kurthet e Besimit”.

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://medium.com/@embamexindia/the-first-feminist-of-the-new-world-sor-juana-5ea22b35ca9