Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Sulmet ndaj grave politikane

QIKA 25.2.2022

Gjatë viteve të fundit, një valë në rritje e aktivizmit të grave ka përfshirë gjithë botën. Në internet dhe në rrugë, miliona gra kanë ngritur zërin dhe kanë bërë thirrje për veprim kundër abuzimit sistematik, ngacmimit dhe diskriminimit. Ky aktivizëm është përkthyer në kutinë e votimit, me një numër më të madh të grave që konkurrojnë për poste publike.

Në vitin 2018, gratë në Afganistanin dhe Irakun e shkatërruar nga lufta sollën luftën e tyre për të drejta të barabarta në arenën politike, me një numër të paparë kandidatesh gra që konkurruan në zgjedhjet parlamentare: 417 në Afganistan dhe 2,011 në Irak. Nga viti 2005 deri në vitin 2018, Libani pa rritje më shumë se 27 herë në numrin e kandidateve gra për parlament, pra rritje nga vetëm 4 në 111. Në Shtetet e Bashkuara në 2018, mbi 500 gra – një numër rekord – konkurruan për Kongres ose për poste në mbarë vendin. Pranverën e kaluar, zgjedhjet lokale në Irlandë dhe zgjedhjet kombëtare në Indi e Japoni paraqitën më shumë kandidate gra që konkurruan për poste sesa në çdo zgjedhje të mëparshme në ato vende.

Rezultati i gjithë kësaj ka qenë ardhja e më shumë grave në pushtet. Për herë të parë në historinë e SHBA-së, gratë mbajnë afër 25 përqind të vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. Në Brazil, një numër historik i kandidateve gra në zgjedhjet e 2018-ës prodhoi një rritje prej 35 përqind në përfaqësimin e grave në legjislaturat shtetërore krahasuar me katër vjet më parë. Në Sri Lanka, pas një ligji për kuotat zgjedhore të vitit 2016 që rezervonte 25 përqind të vendeve në këshillat lokale për gratë, 2000 u zgjodhën në mbarë vendin, krahasuar me 82 në vitin 2011. Në mënyrë të ngjashme në Tunizi, një ligj i vitit 2016 që kërkon alternimin e grave dhe burrave në partitë politike, listat e kandidatëve rritën në mënyrë dramatike numrin e grave në postet e këshillit vendor; si rezultat, gratë tani mbajnë gati 50 përqind të pozitave të qeverisjes vendore, krahasuar me 27 përqind në vitin 2010. Në Meksikë, një numër rekord prej gati 3,000 grave kandiduan në zgjedhjet në 2018, duke çuar në barazi të plotë gjinore në Kongres ku edhe për herë të parë një grua u zgjodh kryetare e bashkisë në Mexico City. Rritja më e madhe e përqindjes së deputeteve gra si rezultat i zgjedhjeve në vitin 2018 u zhvillua në Xhibuti, ku përfaqësimi i grave u rrit nga 11 përqind në 2013 në 26 përqind.

Në disa vende ka pasur pengesa—si në Islandë, ku përfaqësimi parlamentar i grave ra nga 47 përqind në 2016 në 38 përqind në 2017, më i ulëti që nga viti 2007. Megjithatë, në përgjithësi, përfaqësimi parlamentar global i grave është përmirësuar shumë. Në shtator 2019, gratë mbanin 24 përqind të të gjitha vendeve në parlamentet kombëtare në mbarë botën, gati dyfishi i përfaqësimit të tyre 20 vjet më parë. Megjithëse përfaqësimi i grave mbetet larg të qenit i barabartë me atë të burrave, shkalla e ndryshimit po rritet.

Përfaqësimi i grave nuk është thjesht një çështje drejtësie. Hulumtimet tregojnë se diversiteti gjinor në udhëheqje lidhet me qeverisjen më të mirë. Gratë më shumë se burrat kanë gjasa të mbrojnë ligjet që mbështesin fëmijët dhe mirëqenien sociale. Në Indi, një studim nga studiuesit Raghabendra Chattopadhyay dhe Esther Duflo zbuloi se këshillat e fshatrave të udhëhequra nga gratë kishin më shumë gjasa të mbështesnin investimin në ujë të pijshëm të pastër, imunizime të fëmijërisë dhe arsim. Në Norvegji, përfaqësimi i grave në këshillat bashkiakë ka qenë i lidhur me mbulim më të madh të kujdesit për fëmijët, gjë që ka përmirësuar aftësinë e grave për të marrë pjesë në vendin e punës. Diversiteti gjinor në qeveri është shoqëruar gjithashtu me ulje të korrupsionit: një analizë nga ekonomistët Chandan Jha dhe Sudipta Sarangi në mbi 125 vende zbuloi se nivelet e korrupsionit janë më të ulëta në vendet me përqindje më të lartë të ligjvënësve gra.

Gratë gjithashtu kanë më shumë gjasa të tejkalojnë ndarjet politike: një studim në Senatin e SHBA-ve zbuloi se senatoret gra punonin më shpesh me partitë konkurrente sesa homologët e tyre burra. Hulumtimi nga Universiteti Uppsala në Suedi, ka treguar se pjesëmarrja politike e grave është e lidhur me një rrezik më të ulët të luftës civile dhe një incidencë më të ulët të dhunës politike të ushtruar nga shteti, si vrasjet, zhdukjet me forcë, torturat dhe burgosjet politike. Një analizë sasiore nga shkencëtarja politike Mary Caprioli zbuloi se kur përfaqësimi parlamentar i grave u rrit me pesë përqind, një vend kishte një të pestën e gjasave për t’iu përgjigjur një krize ndërkombëtare me dhunë.

Megjithatë, përderisa numri i grave që kërkojnë poste politike është rritur, po ashtu janë rritur edhe reagimet. Kjo armiqësi nuk është aspak e papritur. Sa herë që grupet e nën-përfaqësuara fitojnë pushtet dhe të drejta, ato përballen me kundërshtime dhe shpesh me dhunë. Përderisa gratë hyjnë në politikë, ato përballen me një numër jo-proporcional sulmesh, shumë prej të cilëve marrin forma specifike të bazuara në gjini. Për të mbrojtur progresin e dekadave të fundit, qeveritë, organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët duhet të punojnë së bashku për ta bërë pjesëmarrjen në politikë më të lehtë për gratë – dhe më të vështirë për të tjerët që bllokojnë ngritjen e tyre.

MBROJTJA E VETES

Sipas Projektit të të Dhënave për Vendndodhjen dhe Ngjarjet e Konflikteve të Armatosura, sulmet e motivuara politikisht ndaj grave kanë qenë në rritje në pothuajse çdo rajon të botës, duke arritur një rekord të lartë në vitin 2019. Edhe gratë që thjesht ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar bëhen viktimë e dhunës gati katër herë më shumë se sa burrat, veçanërisht në zonat rurale e në qendrat e regjistrimit të votuesve. Përderisa gratë kanë kaluar nga votimi te kërkimi i postit, dhuna i ka ndjekur ato. Sondazhet e kryera në vitin 2017 në Bregun e Fildishtë, Honduras, Tanzani dhe Tunizi zbuluan se 55% e zyrtareve gra iu nënshtruan dhunës gjatë kryerjes së funksioneve të partive politike. Në zgjedhjet parlamentare të

Kenias 2017, një numër rekord i grave kandidoi për poste, pjesërisht falë një rregulli që kërkon që jo më shumë se dy të tretat e vendeve në një organ qeverisës të kontrollohen nga një gjini. Por gjatë fushatës, shumë nga ato kandidate u përballën me forma të dhunës, duke përfshirë kërcënimet për turpërim publik. Shumë prej këtyre kërcënimeve kërkonin në mënyrë eksplicite që gratë të largoheshin nga politika, duke shpresuar që t’i dekurajonin gratë të hynin në sferat politike të dominuara nga burrat. Ngjashëm, dhuna ndaj kandidateve dhe zyrtareve gra ka dëmtuar sferën politike në Bolivi vitet e fundit. “Gratë tani janë afër barazisë dhe burrat nuk mund ta pranojnë lehtësisht këtë”, tha Katia Uriona, ish-presidentja e Gjykatës së Lartë Zgjedhore të Bolivisë.

Pjesëmarrëset gra në politikë janë në shënjestër në mënyrë disproporcionale edhe në internet, ku përballen me sulme ngacmimi në mediat sociale. Një sondazh i vitit 2016 me politikane gra nga 39 vende të botës zbuloi se 82 përqind kishin përjetuar një formë të dhunës psikologjike e 44 përqind ishin përballur me kërcënime të dhunshme. Në mënyrë të ngjashme, një sondazh i vitit 2018 me deputete dhe punonjëse evropiane, zbuloi se 58 përqind kishin përjetuar kërcënime me dhunë në internet, ku gati gjysma e tyre ishin kërcënuar me vdekje ose përdhunim. Në Afganistan, Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore ka zbuluar ngacmime të përhapura të kandidateve gra, shpesh nga duart e liderëve të partisë, oficerëve të policisë ose administratorëve të zgjedhjeve. Në Shtetet e Bashkuara, sipas një studimi të kryer nga kompania australiane e kërkimit të inteligjencës artificiale Max Kelsen, Hillary Clinton mori pothuajse dy herë më shumë komente abuzuese në Twitter sesa Bernie Sanders.

Një element veçanërisht i dëmshëm i abuzimit që përjetojnë gratë pjesëmarrëse në politikë, është cilësia e atij abuzimi si seksual ose specifik gjinor. Ndërsa abuzimi ndaj burrave në politikë lidhet kryesisht me detyrat e tyre profesionale, ngacmimi në internet i kandidateve gra ka shumë më tepër gjasa të përfshijë komente për pamjen e tyre fizike ose kërcënime për sulm seksual. Në disa raste, ngacmuesit shpërndajnë foto seksuale të politikaneve gra, siç ishte rasti në Ruandë, kur ngacmuesit postuan foto të rreme nudo të Diane Rwigara, kandidatja e vetme presidenciale grua në zgjedhjet e 2017-ës. Ngacmuesit kërcënojnë gjithashtu të dashurit e politikanëve gra: në vitin 2018, studiuesit në Universitetin e Bradfordit zbuluan se 62 përqind e deputeteve gra në Mbretërinë e Bashkuar kishin marrë kërcënime fizike ndaj miqve dhe familjes së tyre, krahasuar me vetëm gjashtë përqind të homologëve të tyre burra. .

Në ekstremin e saj, dhuna ndaj lidereve politike gra është bërë vdekjeprurëse. Vitin e kaluar në Brazil, Marielle Franco – një këshilltare e qytetit, homoseksuale, grua me ngjyrë, feministe në Rio de Zhaneiro – u vra nga anëtarë të milicisë që kundërshtonin pozicionet e saj politike. Në mënyrë të ngjashme, një seri sulmesh të dhunshme kundër lidereve të zgjedhura gra në të gjithë Bolivinë në vitin 2012 kulmoi me vrasjen e Juana Quispe, një këshilltare në Ancoraimes, e cila ishte kritikuar për ndihmën që iu kishte dhënë kolegeve gra në paraqitjen e ankesave për ngacmim. Në vitin 2016, një vrasës i motivuar nga një

përzierje toksike e supremacisë së bardhë, ksenofobisë dhe mizogjinisë i mori jetën Jo Cox-it, një parlamentare e hapur feministe britanike.

Është gjithashtu shqetësuese mënyra se si një dhunë e tillë kërcënon të minojë besueshmërinë dhe të kufizojë suksesin zgjedhor të politikaneve gra. Sipas Institutit Kombëtar Demokratik, dhuna ndaj politikaneve gra në demokracitë aziatike dhe të Amerikës Latine ka bërë që ato të kenë më pak mandate sesa kolegët e tyre burra. Në Mbretërinë e Bashkuar, disa deputete gra të Parlamentit vendosën të mos kandidojnë për rizgjedhje në dhjetor 2019, kryesisht për shkak të abuzimit që përjetuan. “Retorika seksualisht e ngarkuar ka qenë e përhapur në abuzimin në internet të deputeteve gra, me kërcënime për të na përdhunuar dhe duke na referuar nga organet tona gjenitale. Prandaj nuk është për t’u habitur që kaq shumë kolege të mira gra kanë vendosur të tërhiqen në këto zgjedhje”, shkroi Caroline Spelman, një nga këto deputete në The Times të Londrës.

Ky abuzim i pengon gratë të kandidojnë për poste. Në një sondazh të vitit 2014 në Australi nga YWCA dhe Universiteti i Adelaide, dy të tretat e grave të anketuara që shprehën interes për të kandiduar për poste thanë se kërcënimet ndaj politikaneve gra i bënë ato të hezitonin. Në Afganistan, gratë i raportuan Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore në vitin 2019 se ngacmimi i përhapur seksual ishte një nga faktorët kryesorë që i dekurajonte ato nga kandidimi për poste më të larta. Në Irak në vitin 2018, një grua tërhoqi tërësisht kandidaturën e saj për parlament pasi një video e sajuar e saj u shfaq në internet që e tregonte atë në shtrat me një burrë.

Këto forma të ngacmimit dhe dhunës jo vetëm që dëmtojnë një grua personalisht; ato gjithashtu pengojnë aftësinë e saj për të qeverisur në mënyrë efektive. Në një anketë të vitit 2016 nga Unioni Ndërparlamentar, pothuajse 40 përqind e deputeteve gra të intervistuara që kishin përjetuar dhunë thanë se ato akte minuan aftësinë e tyre për të folur lirisht dhe për të mbështetur mandatet e tyre. Merrni parasysh për shembull barrën financiare me të cilën përballen kandidatet dhe zyrtaret gra kur kërkojnë nivele jashtëzakonisht të larta sigurie në formën e rojeve me pagesë dhe objekteve të mbrojtura. Në Kenia në vitin 2017, disa kandidate gra zgjodhën të mos zhvillonin takime gjatë natës, duke e vënë veten në një disavantazh të rëndë në krahasim me kundërshtarët e tyre burra. Në Mbretërinë e Bashkuar, gati 100 përqind e ligjvënësve gra kanë rritur sigurinë e tyre në shtëpi, krahasuar me 75 përqind të burrave.

MBULIMI I REAGIMEVE

Pjesa më e madhe e kësaj dhune nxitet nga mizogjinia, një patologji e rrënjosur thellë në shumicën e shoqërive dhe kulturave që zor se eliminohet së shpejti. Por është tepër fataliste të konkludohet se ndryshimet e politikave do të ishin të padobishme. Në fakt, qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe

kompanitë e teknologjisë mund të miratojnë reforma që do të ndihmonin në zbutjen e kësaj dhune gërryese.

Në vitin 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nxori një deklaratë ku bën thirrje për zero tolerancë ndaj dhunës ndaj kandidateve gra dhe zyrtareve të zgjedhur. Organet rajonale gjithashtu e kanë ndërmarrë këtë çështje: në vitin 2015, shtetet palë në Konventën Ndër-Amerikane për Parandalimin, Ndëshkimin dhe Çrrënjosjen e Dhunës Kundër Grave miratoi një shpallje që angazhonte partitë politike, sindikatat dhe organizatat shoqërore të “krijojnë instrumentet dhe mekanizmat e tyre të brendshëm për të parandaluar, ndëshkuar dhe çrrënjosur dhunën politike dhe/ose ngacmimin ndaj grave”. Si përgjigje, disa agjenci shtetërore meksikane zhvilluan një protokoll për të koordinuar përpjekjet e tyre për të luftuar një dhunë të tillë, gjë që ka mbështetur të mbijetuarat në ngritjen e akuzave dhe fitimin e rasteve.

Një numër në rritje vendesh kanë ndërmarrë gjithashtu hapa për të kriminalizuar dhunën ndaj grave në politikë. Vendet e Amerikës Latine e kanë ndërmarrë këtë hap, duke miratuar ligje të pavarura dhe duke ndryshuar kodet zgjedhore. Në vitin 2012 Bolivia miratoi një ligj që kriminalizon ngacmimin politik dhe dhunën ndaj grave; që atëherë ligji ka rritur ndërgjegjen dhe përgjegjësinë për këtë çështje. Vendet e tjera anembanë botës duhet të ndjekin shembuj të tillë; Legjislacioni i ri është i nevojshëm për të njohur kërcënimet specifike me të cilat përballen politikanet dhe kandidatet gra.

Por reforma ligjore vlen pak nëse qeveritë nuk i zbatojnë ligjet. Legjislacioni historik i Bolivisë është një rast i tillë: pavarësisht se janë bërë gati 300 ndjekje penale, ka pasur vetëm një dënim. Vende si Bolivia mund të rrisin zbatimin duke ofruar trajnime gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit për autoritetet lokale që përpunojnë ndjekjet penale.

Si fillim, autoritetet duhet të gjurmojnë më mirë dhunën ndaj politikaneve gra. Natyra e fshehtë e problemit përkeqësohet nga raportimi i pamjaftueshëm: shumë gra qëndrojnë të heshtura për të mos ushqyer stereotipin se ato nuk janë të përshtatshme për politikë. Një problem tjetër është mungesa e të dhënave që do t’i lejonin analistët të krahasojnë shkallët e dhunës së vuajtur nga gratë dhe asaj nga burrat. Qeveritë, organizatat jofitimprurëse dhe institucionet akademike duhet të financojnë kërkime që plotësojnë këtë boshllëk. Për më tepër, qeveritë mund të shikojnë te organizatat e shoqërisë civile që kanë zhvilluar mënyra për të matur dhunën ndaj grave në politikë. Për shembull Instituti Kombëtar Demokratik, ka krijuar një mjet për vlerësimin e rrezikut që ndihmon në identifikimin e rreziqeve personale, profesionale dhe politike me të cilat përballen gratë; në planifikimin e përgjigjes së duhur; dhe në raportimin e incidenteve tek entiteti përkatës qeverisës.

Simonovic, raportuesja e posaçme e OKB-së, u ka kërkuar qeverive që të trajnojnë vëzhguesit dhe autoritetet për të monitoruar dhe raportuar sulmet kundër votuesve dhe kandidateve gra dhe t’i dorëzojnë

gjetjet e tyre organeve monitoruese të traktateve, siç është Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Shtetet duhet të mbajnë përgjegjës administratorët e zgjedhjeve nëse nuk marrin masa për të parandaluar ngacmimin e politikaneve gra. Vendet gjithashtu mund të krijojnë organe të pavarura vëzhguese përgjegjëse për identifikimin dhe raportimin e dhunës ndaj anëtarëve gra të partive politike.

Ndërkohë, vetëm disa parlamente kanë mekanizma të brendshëm për trajtimin e ngacmimeve brenda tyre. Anketa e Unionit Ndërparlamentar të vitit 2016 zbuloi se më pak se 10 nga 42 parlamentet e hetuara kishin politika për ngacmimin seksual ndaj parlamentarëve dhe më pak se gjysma kishin politika të dizajnuara për të mbrojtur gratë punonjëse. Edhe aty ku ekzistojnë këto mekanizma, parlamentarët dhe stafi i tyre shpesh nuk i zbatojnë ato. Partitë politike kanë gjithashtu një rol për të luajtur, duke miratuar kode sjelljeje, duke futur politika të tolerancës zero, duke monitoruar llogaritë e mediave sociale për fjalime abuzive dhe duke ofruar trajnime për anëtarët e partisë. Qeveritë mund të luftojnë gjithashtu ngacmimet duke ratifikuar Konventën Për Eliminimin e Dhunës dhe Ngacmimit në Botën e Punës, e cila u miratua në Gjenevë në vitin 2019 nga Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe detyron qeveritë të monitorojnë, parandalojnë dhe zgjidhin problemet e ngacmimeve në vendin e punës.

Rëndësia e abuzimit në internet kërkon veprim nga kompanitë e teknologjisë. Kompanitë e mediave sociale kanë bërë shumë pak për të trajtuar abuzimin dhe ngacmimin e figurave publike gra. Platformat si Facebook duhet të identifikojnë dhe heqin automatikisht përmbajtjen frikësuese—përfshirë kërcënimet për përdhunim—dhe t’u mundësojnë përdoruesve të lajmërojnë policinë për aktivitetet e paligjshme në internet. Nëse korporatat vazhdojnë të vonojnë kryerjen e reformave të tilla, qeveritë duhet të miratojnë legjislacion për t’i mbajtur ato përgjegjëse. Qeveria franceze po ndërmerr hapa për të kërkuar nga kompanitë e teknologjisë që të heqin përmbajtjen e urrejtjes brenda 24 orëve ose të vuajnë dënime financiare, të tilla si gjoba shumëmilionëshe. (Franca inkurajoi qeveritë e tjera që të ndjekin shembullin e saj gjatë presidencës së saj të G-7 në 2019 dhe Shtetet e Bashkuara duhet të zgjerojnë thirrjen kur të marrin përsipër udhëheqjen në 2020.) Qeveritë gjithashtu mund t’i klasifikojnë sulmet me bazë gjinore ndaj figurave publike në internet si gjuhë urrejtje. Për të adresuar shqetësimet mbi efektin që një masë e tillë do të kishte në lirinë e shprehjes, studiuesit ligjorë kanë përshkruar ndryshime në ligjet e komunikimit dhe procedurat gjyqësore që do të ndihmonin në mbylljen e abuzimit në internet pa cenuar në mënyrë të padrejtë lirinë e fjalës. Për shembull, Danielle Citron ka propozuar që platformat e mediave sociale të ndalojnë vetëm ato kërcënime që emërtojnë individë të veçantë, jo ato që synojnë grupe të paspecifikuara.

Uashingtoni duhet të përdorë ndihmën e huaj si një levë për të nxitur reformat. Veçanërisht në zonat e konfliktit, Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë ndihmë për mbrojtjen fizike të kandidateve gra.

Programet e SHBA-së që trajnojnë zyrtarë të drejtësisë penale dhe profesionistë të medias në vende të tjera gjithashtu duhet të theksojnë këtë çështje.

Dhuna nuk duhet të jetë kosto e hyrjes së grave në politikë. Sfera politike bartë pasojat e ngacmimit dhe largimit të grave nga politika ose kur ato janë shumë të frikësuara për t’u përfshirë në radhë të parë. Përderisa gratë në mbarë botën ngrenë zërin e tyre dhe hyjnë në arenën politike, vendet e përkushtuara ndaj demokracisë përfaqësuese duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që fusha e lojës të jetë e barabartë dhe e sigurt.

Jamille Bigio dhe Rachel Vogelstein

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.foreignaffairs.com/articles/2019-12-10/women-under-attack?check_logged_in=1&utm_medium=promo_email&utm_source=lo_flows&utm_campaign=registered_user_welcome&utm_term=email_1&utm_content=20220131