Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Unë nuk jam feministe, por…

QIKA 21.9.2022

Fëmijët e mi adoleshentë dhe unë po rrinim në kuzhinën tonë, ashtu siç kishim bërë mijëra herë më parë, kur njëri prej tyre tha diçka që më bëri të them: “Epo, unë e konsideroj veten feministe”.

Vajza ime 14-vjeçare më shikoi me habi: “A po?” Djali im 16-vjeçar dukej po aq i befasuar. U trondita. A ishte ky një zbulim i madh për ta? A nuk e kishin lidhur kurrë më parë idenë e feminizmit – absolutisht thelbësore për identitetin tim – me mua, nënën e tyre? Me sa duket jo.

Biseda që pasoi, në të cilën u përpoqa të jepja përkufizimin tim për feminizmin dhe të kuptoja të tyrin, ishte e vështirë. Unë krenohem që jam tipi i prindit që nuk inatoset nga mendimet e fëmijëve – ata janë qenie në fluks, por kësaj radhe e humba qetësinë. E kam quajtur veten feministe të paktën që nga viti i fundit i shkollës së mesme. Edhe më herët, si një fëmijë që u rrita në vitet 1970 – dhe si vajza e autorit të librit “Çështje në kritikën e filmit feminist” (1990) – unë përvetësova vlerat dhe synimet themelore të feminizmit. Gratë duhet të kenë të njëjtat mundësi pune si burrat dhe të paguhen njësoj për punën e tyre. Gratë janë dhe duhet të trajtohen si të barabarta me burrat, në ligj, moral dhe intelekt. Gratë duhet të kenë kontroll mbi trupin e tyre. E kështu me radhë.

Kur fëmijët e mi ishin shumë të vegjël, mora një vendim të vetëdijshëm, një vendim për të cilin fillova të pendohesha atë pasdite në kuzhinë, që nuk do të merresha shumë me çështjen “vajzat kundër djemve” dhe as nuk do t’u jepja atyre biseda të forta për atë se si vajzat janë po aq të fuqishme sa djemtë. Pse të fusnin në kokat e tyre të pafajshme idenë që dikush e kishte menduar ndonjëherë ndryshe? Por tani pyesja veten nëse kisha gabuar. Ndoshta duhet të kisha prezantuar fjalën me F kohë më parë.

Kur i shtyva më tej fëmijët e mi, mu bë e qartë se djali im asoconte feministet me vajzat në shkollën e tij, të cilat, sipas tij, ankoheshin vazhdimisht se ishin viktimizuar sepse ishin vajza, porse atij i dukej se kishin çdo avantazh që djemtë kanë. Vajza ime thjesht ndjente se barazia midis burrave dhe grave ishte arritur, dhe kështu nuk e kuptonte pse dikush sot do ta identifikonte veten me luftën feministe. Për të, të qenit feministe dukej se kishte aq kuptim sa të qenit një abolicioniste. Tashmë, unë kisha lot në sytë e mi. Si mund ta shpjegoj se, për mua, feminizmi nuk ka të bëjë vetëm me ligjet dhe qasjen në punë, por është diçka shumë më e madhe: një filozofi dhe një këndvështrim që informohet nga një studim i kujdesshëm i historisë, antropologjisë, biologjisë, sociologjisë dhe psikologjisë?

Në një blog në The Guardian këtë qershor, një vajzë 17-vjeçare britanike e quajtur Jinan Younis përshkroi se i ishte nënshtruar një breshërie abuzimi në Twitter nga djemtë që ajo njihte pasi u përpoq të krijonte një shoqëri feministe në shkollën e saj. Komentet përfshinin deklarata të tilla si: “të qenit feministe nuk do të thotë se nuk e pëlqejnë P [penisin], ato thjesht nuk kanë gjetur ende një për t’i kënaqur”. Abuzimi u shtua kur shoqëria feministe e Younis mori pjesë në projektin online Who Needs Feminism, në të cilin vajzat mbajnë shenja që plotësojnë fjalinë “Kam nevojë për feminizëm sepse…”. Siç raportoi Younis: “Na u tha se vaginat tona militante ishin të thata sa shkretëtira e Saharasë”. Detajet e jetës seksuale të disa prej vajzave u postuan pranë fotove të tyre, dhe të tjerave u dërguan mesazhe kërcënuese duke i paralajmëruar se gjërat së shpejti do të bëheshin personale.

A pasqyrojnë komentet e tilla të neveritshme qëndrimet e përhapura të djemve adoleshentë ndaj feminizmit? A tregojnë se çfarë pritjeje do t’i nënshtroheshin vajzat adoleshente nëse e identifikojnë veten si feministe? A ishte indiferenca e fëmijëve të mi fytyra më e mirë e një armiqësie të përgjithshme adoleshente ndaj idesë së feminizmit?

E shqetësuar nga pyetje të tilla, vendosa të kryej studimin tim në shkallë të vogël mbi atë se çfarë adoleshentët sot mendojnë për feminizmin dhe feministët. A ndihen ata borxhli ndaj lëvizjeve feministe të së shkuarës, apo e shohin feminizmin si një tendencë periferike dhe një histori të parëndësishme?

Për të marrë përgjigje të qëndrueshme për pyetje të tilla, do të duhej një studim i madh dhe vite raportimi, por prapë mund të shihja një paraqitje të shkurtër të së vërtetës. Në vend që të përpiqem të arrij një diversitet të gjinisë, racës dhe klasës në grupin tim të vogël të të intervistuarve (15), vendosa një shkallë të caktuar rastësie. I pyeta fqinjët e mi dhe anëtarët e grupit tim të librit nëse mund të flisja me fëmijët e tyre dhe përfundova me nëntë vajza dhe gjashtë djem të intervistuar, duke përfshirë dy fëmijët e mi, të cilët i intervistova të fundit, duke i bërë të njëjtat pyetje formale që iu kisha bërë të tjerëve. Mosha ishte nga 13 deri në 19 vjeç. Njëmbëdhjetë të intervistuar ishin të bardhë, dy afrikano-amerikanë dhe dy ishin të përzier aziatikë të bardhë. Shtatë vijonin shkolla private, gjashtë vijonin shkolla publike dhe dy ishin të diplomuar në shkolla publike. Demografia ishte përgjithësisht me fëmijë të klasës së mesme dhe të lartë, megjithëse disa nga familjet po përjetonin vështirësi financiare për shkak të mungesës së punës së një prindi ose borxhit për shkollimin e tyre ose të fëmijëve të tyre. Qyteti ynë anon shumë nga drejtimi liberal dhe demokrat.

Kur i pyeta të intervistuarit e mi se çfarë dinin për historinë e të drejtave të grave, njohuritë e tyre ishin jashtëzakonisht të thata. Epokës së skllavërisë, emancipimit dhe të drejtave civile i kushtohet vëmendje e madhe në shkollat tona lokale; lëvizjeve të ndryshme të grave më pak: vetëm beteja për votën ishte përfshirë në kurrikulë. Këta adoleshentë nuk po merrnin informacion as nga klubet jashtëshkollore. Megjithëse gjashtë shkolla lokale ishin të përfaqësuara në grupin tim të intervistave, vetëm një prej tyre kishte klub që mund të konsiderohej feminist. Një artikull i botuar në gazetën e shkollës pretendonte se grupi kishte më shumë se 30 anëtarë të të dy gjinive dhe ishte krijuar për t’u shkëputur nga stereotipet që zakonisht identifikohen me feministët. Gjithçka që të intervistuarit e mi dinin për klubin ishte se ai kishte bërë peticion për t’i lejuar vajzat të mbanin bluza pa mëngë, gjë që aktualisht ishte e ndaluar nga kodi i veshjes së shkollës. Kjo ishte jashtëzakonisht dëshpëruese.

Adoleshentët nuk po dëgjonin për feminizmin as në shtëpi. Vështirë se mund të ankohesha për këtë, pasi kisha zgjedhur vetë të njëjtën metodë. Pra, ku i merrnin informacionin dhe opinionet e tyre për feminizmin dhe barazinë gjinore? Kryesisht nga një amalgamë e diturisë së pranuar, vëzhgimit personal, medias, vetë-kureshtjes, dhe siç kuptova, përmes shembujve të dhënë nga nënat e tyre.

Kur i pyeta të intervistuarit e mi nëse besonin se ende ekzistonin pabarazi mes burrave dhe grave, pothuajse të gjitha vajzat dhe rreth gjysma e djemve thanë po. Vendi i punës u identifikua si vendndodhja e pabarazisë, në veçanti mungesa e grave në punët më të paguara dhe të profilit më të lartë. Nuk e di nëse kjo ishte për shkak se libri Lean In (2013) i Sheryl Sandberg kishte marrë një vëmendje të madhe në atë kohë, apo sepse si fëmijë të familjeve të pasura, ata projektuan veten në grupin më me ndikim të punës, por në përgjithësi nuk kishte shumë vetëdije për betejat e grave në shkallët ekonomike më të ulëta.

Një vëlla dhe motër, 16 dhe 13 vjeç, u përpoqën të kuptonin pse nëna e tyre kishte lënë punën kur ishin të vegjël. “Në shumicën e familjeve, si në familjen tonë, sapo nëna të ndiejë se fëmijët nuk kanë kohë të mjaftueshme [me prindin], ajo do të largohet nga puna. Është gjithmonë nëna, pse është kështu?”, tha vëllai. “Mamaja ime punoi derisa vendosi se donte të ishte me ne më shumë sesa të punonte me orar të plotë, kështu që supozoj se ata ranë dakord që mamaja ime të tërhiqej dhe babai im të vazhdonte punën. Por nuk jam vërtet e sigurt pse. Nuk është se babai im kishte një punë më të mirë apo ndonjë gjë tjetër, të dy kishin punë me pagesë të ngjashme”, tha motra. “Pse babai nuk qëndroi në shtëpi, pse është nëna ajo që duhet të heqë dorë nga puna?”, pyeti vëllai. “Sepse nënat janë më të ngrohta. Nënat janë më shumë Nëna”, u përgjigj motra e tij.

Një djalë e dalloi sportin si një fushë tjetër të pabarazisë për gratë, duke thënë se sportet e grave nuk financoheshin dhe frekuentoheshin pak. Disa nga të intervistuarit e mi, duke përfshirë një të diplomuar që kishte kryer punë vullnetare dhe kishte punuar jashtë vendit, kishin një perspektivë globale dhe theksuan se prostitucioni i detyruar, përdhunimi pa pasoja dhe skllavërimi virtual i grave ende ekzistojnë në shumë vende të tjera.

Në përgjithësi, adoleshentët me të cilët fola ishin të panjoftuar mbi zhvillimet e fundit në lidhje me të drejtat e grave. Ata kishin informata mbi incidente të izoluara që tërhoqën shumë vëmendjen e mediave, të tilla si komentet e bëra në vitin 2012 nga Todd Aiken, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili tha se “përdhunimi legjitim” nuk mund të rezultojë në shtatzëni, ose edhe për panelin që drejtoi një seancë dëgjimore mbi kontrollin e lindjeve, panel i cili ishte i tëri i përbërë nga burrat. Radioja Publike Kombëtare (NPR) ishte më së shpeshti burimi i informacioneve të tilla, ku fëmijët dëgjonin lajme kur prindërit e tyre i kishin ndezur televizionet. Prindër keni parasysh: ekziston ende një mënyrë për t’u siguruar që fëmijët tuaj po i përvetësojnë lajmet.

Dyshoj se këta adoleshentë nuk janë më injorantë për skenën politike sesa homologët e tyre të mëparshëm. Nuk mbaj mend të kem kuptuar shumë procesin politik të SHBA-së apo polemikat aktuale deri sa shkova në universitet, edhe pse unë dhe miqtë e mi, ndryshe nga shumica e adoleshentëve sot, lexonim rregullisht gazetën e përditshme dhe shikonim lajmet e mbrëmjes në TV. Megjithatë, unë u habita nga mungesa e njohurive të të intervistuarve të mi për lëvizjen e grave. Historia politike e 20 apo 40 viteve të fundit ishte pothuajse bosh për shumicën prej tyre. Një e moshuar kishte më shumë informacion për shkak të një shkolle në të cilën kishte bërë një prezantim mbi historinë ligjore dhe sociale të dhunës ndaj grave. Vetëm katër adoleshentë, një prej tyre djalë, përmendën çështjen gjyqësore Roe kundër Wade të vitit 1973, e cila legalizoi abortin në SHBA, ose betejën për të drejtat riprodhuese në përgjithësi; vetëm një prej tyre përmendi termin “vala e dytë” dhe lëvizjen e grave të viteve 1970. Kur e pyeta se ku kishte mësuar për këto gjëra, ajo tha se ishte kryesisht nga një artikull në Jezebel ose nga Wikipedia.

Ndërsa shumica e adoleshentëve pohuan se nuk shihnin pabarazi gjinore në shkollat ​​e tyre, disa raportuan se djemtë ndonjëherë nuk i merrnin seriozisht mendimet e vajzave brenda ose jashtë klasës dhe se në klasë djemtë flisnin më shumë se vajzat. Një vajzë 15-vjeçare u ankua se në javën e parë të shkollës së mesme, mësuesja e saj e matematikës, një grua, shprehu habinë që klasa kishte më shumë vajza sesa djem. “Ata presin që djemtë të jenë më inteligjentë”, tha studentja.

Çështja për të cilën vajzat – jo djemtë – aludonin më shpesh pas çështjes së vendit të punës dhe mungesës së respektit shoqëror, ishte ajo që disa prej tyre e quajtën “kultura e përdhunimit” ose “slut-shaming”. Ato nënkuptonin inkurajimin e agresionit seksual mashkullor dhe fajësimin ose turpërimin e grave që dhunohen seksualisht ose që sillen në mënyrë më të hapur seksuale. Nëse ka një ide feministe të valës së dytë që duket se mbahet si një nen besimi nga adoleshentët që nuk kanë dëgjuar kurrë për Susan Brownmiller, ajo ide është se përdhunimi nuk është një krim i dëshirës seksuale, por i pushtetit. Më kujtohet se si më tronditi ai formulim kur lexova veprën e Brownmiller-it “Kundër vullnetit tonë” (1975) kur isha 18 ose 19 vjeç. Tani kjo ide thjesht merret si e mirëqenë. Një vajzë 15-vjeçare më tha se përdhunimi ishte “fakti që një burrë mendon se duhet të jetë superiorë ndaj grave dhe kjo është e vetmja mënyrë që munden ta manifestojnë këtë superioritet”. Një djalë 16-vjeçar tha se përdhunimi ishte i lidhur me faktin se “disa burra besojnë se kanë pushtet mbi gratë ose mund të marrin gratë nën kontroll. Kjo tregon se ata i mendojnë gratë si qenie inferiore”.

Tre të intervistuarit më të zëshëm për problemin e kulturës së përdhunimit ishin ndër më të moshuarit. Një nga të diplomuarit më tha se “përdhunimi është një çështje e madhe në kampuset e universiteteve”. Ajo foli për një grua në një universitet afër saj, raportimet e së cilës për përdhunim nuk u besuan dhe e cila më pas shfaqi simptoma post-traumatike. Ajo përmendi se orientimi i saj në universitet përfshinte prezantime që shpjegonin se si gratë mund të shmangin përdhunimin. Skenarët hipotetikë të paraqitur në to dukej se fajësonin gruan, me shkrime si: “Ajo duhet të kishte qenë më e qartë për atë që donte; Ajo nuk duhet të kishte qenë e dehur”. “Vajzat ndonjëherë mësojnë që në moshë të re se duhet të kenë frikë nga përdhunimi. Kam folur me miq që janë vërtet të shqetësuar për përdhunimin edhe pse nuk janë as në situata kërcënuese. Ata thjesht shqetësohen për këtë në përgjithësi, si një lloj gjëje abstrakte. Dhe kjo është gjëja më e tmerrshme! Kjo nuk duhet të jetë diçka për të cilën njerëzit duhet shqetësuar në mënyrë konstante”, shtoi ajo.

E diplomuara tjetër tregoi një histori të ngjashme. Në vitin e saj të fundit të shkollës së mesme, grupi në  klasën e saj rreth shëndetit lexoi një histori për një vajzë që ishte përdhunuar në një festë. “Pas leximit, unë dhe dy vajza të tjera kaluam pjesën e mbetur të klasës duke u përpjekur të bindnim një grup djemsh se, pavarësisht se çfarë kishte thënë apo kishte veshur viktima në histori, përdhunimi ishte 100 përqind faji i përdhunuesit. Ne ishim të pasuksesshme. Ne nuk ishim të vetmet vajza në grup, i cili ishte mjaft i madh. Profesori nuk ndërhyri asnjëherë për të thënë se ne kishim të drejtë; në vend të kësaj, ai mori pjesë sikur të ishte duke organizuar një debat abstrakt filozofik dhe në fakt sugjeroi që njerëzit t’i caktonin secilit personazh në histori nga një përqindje të fajit”, shkroi ajo në një email drejtuar mua.

Një maturante e shkollës së mesme tha se kultura e përdhunimit ka të bëjë me “mendësinë se seksi është një produkt”. “Është ideja se seksi është diçka që burrat dëshirojnë dhe që gratë duhet ta japin në këmbim të mbështetjes emocionale ose takimeve të këndshme. Nga këndvështrimi mashkullor, mendohet se ‘OK, nëse bëj këtë dhe këtë, atëherë e meritoj seksin… Nëse nuk jeni duke bërë seks me mua ose nuk jeni në një marrëdhënie romantike me mua, atëherë unë jam disi i mashtruar’”, shtjelloi ajo.

Për të intervistuarit e mi, kultura e përdhunimit dhe slut-shaming dukeshin më shumë si presione atmosferike sesa forca me të cilat do të përballeshin në jetën e tyre. Por kjo mund të jetë pasojë e asaj që të intervistuarit e mi nuk po më ofronin detaje rreth përvojave të tyre seksuale dhe romantike. Disa prej tyre ishin shumë të rinj për të pasur ndonjë të tillë. Kur intervistova me të moshuarit, ata pretenduan se kishin përjetuar pak dilema të rolit gjinor me partnerët e tyre të seksit të kundërt (asnjë prej tyre nuk u vetëpërcaktua, të paktën për mua, si homoseksual). Një djalë 15-vjeçar më tha se rolet tradicionale gjinore ende qëndrojnë kur bëhet fjalë për makinat. “Zakonisht nuk shoh një vajzë duke e vozitur një djalë, përveç nëse vajza është më e madhe dhe djali nuk mund të ngasë makinën”, tha ai. Kur e pyeta të spekulonte pse kjo ndodh, ai tha: “Nuk e di, në fakt. Është diçka që thjesht ekziston. Gjithmonë në filma e shohim se djali e merr vajzën nga shtëpia, djali e kthen në shtëpi”.

Pra, të intervistuarit e mi ishin të vetëdijshëm për pabarazinë gjinore dhe disa nga vajzat ishin të sensibilizuara për lidhjet midis seksualitetit dhe pushtetit. Por a e përkufizuan ata në të vërtetë kulturën e përdhunimit dhe përdhunimin si çështje feministe? Po në lidhje me çështjet e lidhura me trupin dhe seksualitetin, si aborti dhe dhuna në familje? Për mua nuk ka dyshim se janë të lidhura. Ju nuk mund ta kuptoni plotësisht mbizotërimin e këtyre realiteteve shoqërore, apo ndikimin e tyre tek gratë, pa kuptuar sesi shoqëritë në mënyrë alternative i kanë ndaluar, inkurajuar, injoruar ose mbuluar këto akte. Kështu që pyeta secilin nga të intervistuarat e mia nëse e shihnin përdhunimin, abortin ose dhunën në familje si çështje specifike feministe. Vajzat më të moshuara prireshin të thoshin po. “Aborti është një çështje feministe në atë që pjesa më e madhe e debatit rreth moralit të ndërprerjes së shtatzënisë nënvlerëson opinionin dhe mirëqenien e gruas me fëmijë. Në një kuptim të ngjashëm, përdhunimi dhe dhuna në familje janë çështje feministe jo sepse janë unike për gratë, por për shkak të mënyrës se si diskutohen në media dhe trajtohen nga ligji”, u përgjigj njëra prej tyre.

Por disa nga djemtë dhe vajzat më të vogla ishin në mëdyshje. Ata dukej se mendonin se “feministe” do të thoshte “çështje vetëm për gratë”. Disa u përgjigjën se – ndonjëherë me bezdi – “Jo, kjo është një çështje njerëzore”. U theksua se edhe burrat përdhunohen dhe rrihen, kështu që përdhunimi dhe dhuna në familje nuk mund të jenë çështje feministe. Ndërsa folëm më shumë, disa thanë se aborti, përdhunimi dhe dhuna në familje mund të shiheshin si çështje feministe në raste të caktuara – për shembull, nëse policia ose gjykatat refuzonin të ndiqnin një rast përdhunimi. Një djalë 16-vjeçar tha se edhe ky i fundit nuk do ta konsideronte domosdoshmërisht përdhunimin një çështje feministe. “Ndjenja ime është se nëse kjo do të ndodhte, nuk do të ishte për shkak se përdhunimi nuk u mor seriozisht, por sepse është shumë e vështirë të ndjekësh penalisht çështjet e përdhunimit. Duhet të merren prova fizike shpejt, dhe nëse nuk munden të merren, është dëshmia e një personi kundër një tjetri, përveç nëse ka dëshmitarë. Cili prokuror do të donte të merrte një çështje që nuk mund ta fitonte? Është e drejtë që nuk duhet të dënohesh në këto raste:, shtoi ai. I njëjti djalë tha se aborti dikur ishte një çështje feministe, por që nga Roe kundër Wade, nuk është më e tillë. Kur theksova se shumë shtete të SHBA-së po zvogëlojnë qasjen në abort, ai ndryshoi mendje, duke thënë se nuk e kishte ditur këtë dhe se mund ta shihte mbrojtjen e asaj që tashmë ishte arritur si një qëllim feminist.

Nëse shkollat tona japin mesazhe të përziera, nëse feminizmi nuk diskutohet në shtëpi dhe nëse disa stereotipe gjinore ende qëndrojnë, ku po e marrin këta adoleshentë pranimin bazë të idesë së barazisë gjinore? Ata e pranuan se besonin në atë ide. Shumë kishin një përgjigje të thjeshtë për këtë pyetje: nënat e tyre. Nuk dukej se kishte rëndësi nëse ato nëna punonin jashtë shtëpisë apo jo. “Gjatë fëmijërisë sime nëna ime gjithmonë kishte një karrierë. Gjithmonë kam menduar se burrat dhe gratë duhet të jenë të barabartë”, tha njëra prej vajzave. Kur theksova se nëna e saj kishte lënë punën për të rritur katër fëmijë dhe ishte kthyer në punë vetëm kur e intervistuara ime, fëmija i tretë ishte rreth nëntë vjeç, ajo u përgjigj: “Nuk di si ta shpjegoj. Ajo në njëfarë mënyre gjithmonë ka qenë një nënë që punonte; ajo ka qenë gjithmonë shumë ambicioze”.

“Mamaja ime ka një pozitë të fortë në punë dhe ajo sapo u avancua. Kështu që unë kam qenë rreth grave në pozita më të larta. Ajo ka një ndikim të mirë tek unë për të më shtyrë të jem e fortë dhe e pavarur. Shumë nga shoqet e mia kanë prindër që janë divorcuar, kështu që ato kanë nëna që janë të forta”, më tha një vajzë tjetër. Megjithatë, një vajzë tjetër tha se nëna e saj, e cila nuk ishte e punësuar, nuk i kishte folur kurrë drejtpërdrejt për feminizmin, por ishte nënë e fortë e cila ia kishte përcjellë mesazhin se “nuk duhet t’i lini njerëzit t’ju pengojnë; ju mund të bëni çfarë të doni”.

A i shtyn këto adoleshente transmetimi i qëndrimeve të tilla që të përkufizohen si feministe? Iu ktheva pyetjes me të cilën fillova – çfarë mendojnë vërtet adoleshentët për atë term? Edhe pse kisha frikë se shumë nga këta të rinj do të thoshin se feministet ishin burra-urrejtëse të zemëruara që digjnin sutjenat, u befasova këndshëm. Akuza se feministet ankoheshin shumë ishte komenti më negativ që u dha. Disa të intervistuar nuk mund të krijonin një paramendim për një feministe por mes atyre që e krjuan, Rosie the Riveter ishte përgjigjja më e shpeshtë.

Kjo figurë propagandistike amerikane e epokës së Luftës së Dytë Botërore, me mëngët e saj të përveshura dhe bicepsin e zhvilluar, është bërë disi një ikonë e përgjithësuar e forcës dhe kompetencës femërore. Fëmijët kishin mësuar për Rosie-n nga burime të ndryshme – disa nga shkolla; nga një vëlla a motër, nga fakti se nëna e tyre kishte marrë një kuti mjetesh për ditëlindjen e saj me një kartë Rosie (Ne mundemi!). Isha e lumtur që kujtesa e tyre ishte kaq pozitive, por nuk jam e sigurt se çfarë të mendoj për faktin se pothuajse askush nuk përmendi një figurë më bashkëkohore. Hillary Clinton? Alice Walker? Tina Fey? Një 17-vjeçare tha se mendonte për Buffy the Vampire Slayer dhe Barack Obama, teksa ai ishte shfaqur në montazhin e kopertinës së revistës Ms. në vitin 2009, duke grisur këmishën e tij për të zbuluar sloganin: Kështu duket një feminist.

Sa i përket faktit nëse të intervistuarit e mi e shihnin veten si feministë/e, përgjigjet ishin të ndara. Asnjë nga djemtë nuk e pranoi këtë, me përjashtim të një 18-vjeçari që u përgjigj me po dhe jo, duke sugjeruar se nuk ishte i sigurt se termi “feminist” mund të përdorej për një burrë. Djem të tjerë dhe një vajzë, më thanë se një djalë apo një burrë nuk mund të jetë feminist. Dy të tretat e vajzave thanë se ishin feministe. Mosha bëri të gjithë ndryshimin. Të gjitha vajzat e moshës 16 vjeç e lart thanë se ishin feministe, ndërsa të gjitha, përveç njërës prej vajzave më të reja, thanë se nuk ishin feministe ose kishin vështirësi t’i përgjigjeshin pyetjes.

Unë u largova nga bisedat e mia duke u ndjerë mjaft optimiste për adoleshentët e sotëm, të paktën ata që po pranojnë arsimim të mirë dhe jetojnë në familje të qëndrueshme. Edhe pse shumë prej tyre nuk kishin një koncept veçanërisht të saktë ose të detajuar të feminizmit, shumica dukej se kishin zhvilluar zakonet e mendjes – kuriozitetin, skepticizmin, respektin për informacionin e ri; të gjitha këto kanë të ngjarë t’i çojnë ata në pozicione të mirë-menduara për këto çështje.

Megjithatë, në disa aspekte, mbetem e shqetësuar. Unë nuk e kuptoj se si termi “feminist” do të fitojë ndonjëherë më shumë pranim sesa ka tani, kur të rriturit dhe adoleshentët njësoj vazhdojnë ta përkufizojnë atë në mënyra të ngushta. Kur i pyeta vajzat që nuk e konsideronin veten feministe pse nuk e konsideronin ashtu, ato thanë ose se nuk ishin aktiviste ose sepse çështje të tjera ishin më të rëndësishme për to. Unë e shoh feminizmin si një lente përmes së cilës mund të shikosh botën, ose si një grup mjetesh interpretuese. Por shumica e këtyre të rinjve e shohin feminizmin si një akt. Bëhet fjalë për mbajtjen e pankartave dhe krijimin e tollovive. Është gjithashtu një emërtim ekskluziv. Një 15-vjeçare tha se nuk mund ta quante veten feministe sepse kishte prioritete të tjera – në rastin e saj, një interes për qeverinë dhe atë që ajo e quajti udhëheqje. Ajo nuk e shihte të qenit feministe si diçka që mund të bashkëjetonte dhe madje të informonte ato pasione të saj.

Në të njëjtën kohë, mungesa e bazës në historinë dhe mendimin feminist mund të prodhojë gjithashtu një feminizëm aq të gjerë sa e bën të jetë i pakuptimtë. Një 17-vjeçare më tha se besonte se ne ishim në një fazë në të cilën feminizmi është “çfarëdo që ne duam të jetë”. “Nëse ti [një grua] gjen diçka fuqizuese për ty, shumë mirë. Nëse dëshironi të jeni shtëpiake dhe të bëni biskota gjatë gjithë ditës, përsëri shumë mirë. Nëse jo, përsëri shumë mirë”, shpjegoi ajo. E pyeta nëse kishte ndonjë akt që ajo nuk do ta quante feminist vetëm sepse një grua e deklaroi si të tillë. Ajo përmendi një raport për një grua që kishte nxjerrë në ankand në internet virgjërinë e saj. Gruaja deklaroi se ky ishte një akt feminist, sepse ajo po e kthente vlerën që shoqëria patriarkale i vë virgjërisë së një gruaje, në përfitimin për vete. “Por nëse po përfitoni vetëm ju, nuk mund ta quani atë akt feminist. Ai akt ende po promovon patriarkatin”, shtoi studentja. Kjo studente është qartësisht mjaft e sofistikuar për të bërë dallime, por “feminizmi është çfarëdo që ne duam të jetë” është një nocion miqësor i kulturës pop që mund të çojë në rezultate perverse.

Kur e pyeta këtë studente qartazi të pasionuar dhe të motivuar se nëse kishte lexuar ndonjë nga librat kryesorë mbi feminizmin, ajo tha nuk e kishte lexuar as Susan Brownmiller, as Susan Faludi, as Naomi Wolf dhe as Betty Friedan, megjithëse kishte dëgjuar për librin e saj The Feminine Mystique dhe planifikonte ta lexonte ndërkohë. Që të zhyten në këtë literaturë mund të jetë kërkesë shumë e madhe për nxënës të shkollave të mesme. Por nëse edhe ky rast i veçantë – një vajzë 17-vjeçare që tha se e kishte quajtur veten feministe që në moshën gjashtë vjeçare – jo vetëm nuk kishte lexuar, por nuk dukej se ishte në dijeni të shumicës së letërsisë feministe të valës së dytë dhe pas valës së dytë, mendoj se krijon arsye për shqetësim. Ajo mund t’i lexoj këto libra në universitet – nuk do të habitesha; unë vetë nuk arrita t’i lexoj ato deri në universitet. Por shumica e bashkëmoshatareve të saj, dhe pothuajse të gjithë bashkëmoshatarët e saj djem, ndoshta nuk do t’i lexojnë kurrë ato. Ata nuk do të ndjekin ligjëratat e studimeve mbi gratë; ata nuk do ta bazojnë impulsin e tyre refleksiv drejt barazisë me një njohuri që do ta bëjë atë më fleksibël dhe më të qëndrueshme, në mënyrë që të mund të nxjerrin përfundime koherente për rastin e ardhshëm të përdhunimit ose debatin mbi buxhetin ose padinë për diskriminim në lajme.

Të rinjtë e sotëm ndoshta janë më egalitar se çdo brez i mëparshëm. Por ata ka gjasa të mos gjejnë një kuptim për termin e pakapshëm “feminist”, dhe kjo është një humbje për të gjithë ne.

Pamela Erens

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://aeon.co/essays/how-feminism-fell-into-disrepair-among-american-teenagers