Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Varfëria me bazë gjinore, mungesa e strehimit dhe vështirësitë e tjera të nënave vetë-ushqyese në serialin Maid

QIKA 24.12.2021

Seriali i ri dramë Maid i shfaqur në Netflix, i krijuar dhe i bashkë-shkruar nga dramaturgia dhe skenaristja, fituese çmimeve, Molly Smith Metzler, frymëzuar nga shënimet e jashtëzakonshme biografike të vitit 2019 nga Stephanie Land: Shumë Punë, Pagese e Ulët dhe Dëshira e Nënës për të Jetuar, një portretizim i pa filtruar dhe rrëqethës i sprovave dhe mundimeve të nënave vetë-ushqyese dhe varfërisë në Amerikë. Seti i xhiruar në qytetet fiktive Port Hampstead dhe Fisher Island, verzioni fiktiv i Townsen dhe Washington të ditëve të sotme, sillet rreth Alexandria-s e njohur si Alex (luajtur nga Margaret Qualley), një nënë e re që përballet me betejën e largimit nga një lidhje toksike dhe emocionalisht abuzive, që t’i siguroj një jetë më të mirë vajzës së saj tre vjeçare, Maddy (luajtur nga Rylea Nevaeh Whittet).

Ky portret dëshpërues gjurmon rrugëtimin e Alex-ës, në çdo hap të përballjes me varfërinë dhe varësinë e saj; drejt pavarësisë fizike dhe financiare dhe lirisë për të zbuluar jetën sipas kushteve të saj. Gjithashtu paraqet vendosmërinë e Alex-ës për tu punësuar si shërbyese/punëtore shtëpiake, për të lundruar nëpër sistemin e shkatërruar të mirëqenies në Amerikë dhe për tu çliruar nga rrethi vicioz i traumës dhe abuzimit ndër breza. Kjo histori e dhimbshme thekson vështirësitë torturuese me të cilat përballet çdo viktimë e dhunës në familje, kur ajo më në fund gjen kurajën për të mbledhur plaçkat dhe kërkuar ndihmë. Seriali trajton në mënyrë të hollësishme pyetjen e ngritur shpesh tek viktimat e dhunës nga partnerët: ”Nëse ishte aq keq, pse ajo thjesht nuk u largua?” dhe nxjerrë në dritë kërcënimet psikologjike, emocionale, financiare dhe fizike që i pengojnë ato.

Ndërlikimet dhe realiteti i viktimave/të mbijetuarave të dhunës në familje


Maid në mënyrë të kujdesshme portretizon tregimin e nënës 25 vjeçare, Alex, dhe luftën e saj konstante për të mbijetuar nga pasiguria e dhunës emocionale nga Sean, partnerit të saj alkoolik (luajtur nga Nick Robinson). Seriali fillon me imazhin tipik të një viktime që po ikën nga abuzuesi i saj, me apo pa fëmijë, një imazh i përsëritur nëpër filma që trajtojnë çështjet e dhunës në familje, siq janë: The Burning Bed, Sleeping With the Enemy, Enough, Herself, and The Invisible Man. Skena përshkruan Alex-ën duke dalë fshehurazi nga shtrati i saj, duke marrë vajzën e saj të vogël dhe duke lënë pas rimorkion ku ajo jetonte. Sapo fillon të nget makinën i dashuri i saj del dhe përplaset me të. Arsyeja e arratisjes së saj paraqitet në skenat kur Sean e kërcënon sigurinë e saj përderisa është nën ndikimin e alkoolit dhe grushton gjithçka përreth, hedhë një tas, ku copat e xhamit bien në flokët e Maddyt dhe për pak sa e lëndon atë.

Në fillim, Alex refuzon ta pranoj se është abuzuar, pasi që trauma dhe dëmi i lënë pas nga abuzimi emocional janë shumë të ndërlikuara për tu vërejtur dhe kuptuar nga njerëzit, ndryshe nga mavijosjet dhe provat e dhunës, të cilat mund të dokumentohen.

Beverly Engel, në librin e saj The Emotionally Abusive Relationship thotë: “Gjatë abuzimit emocional, fyerjet, kritikat dhe akuzat gradualisht fillojnë të zbehen gjatë vetëvlerësimit të viktimës derisa ai ose ajo të jetë në gjendje të paaftë që të vlerësojë situatën në mënyrë reale.” Kur Alex tenton të largohet nga Sean, ai verbalisht mundohet ta abuzoj duke shfaqur forcën e tij në lidhjen e tyre me këto fjalë: “Ku do të shkosh? Unë paguaj faturat, të lë të shoqërohesh me shokët e mijë, të lë të jetosh në rimorkion time, ti pi birrën time, ha ushqimin tim dhe sillesh rreth meje. Unë bëjë çdo gjë për ty. Nëse largohesh nga këtu nuk do ta kesh askënd.” Deri në atë masë sa që Alex i beson fjalëve të tij pasi që mendja e saj është e goditur nga përçmimet verbale emocionale dhe gënjeshtrat e paturpshme. Alex pa dashje nënvlerëson sjelljen e Sean-it, kur një punëtore sociale e këshillon ta paraqes në polici: “Çfarë tu them? Tu them se nuk më ka goditur?” Kuptimi i së vërtetës shkatërruese të dhunës nga partneri intim që shpaloset përtej dhunës fizike i hapë sytë Alex-ës kur gjen strehim në një strehimore për viktimat e dhunës në familje që drejtohet nga Denise.

Ky diskurs mbi dhunën bashkëshortore që mbështetet në modelin ciklik të sjelljes abuzive e bën audiencën të kuptoj paaftësinë e viktimave të çorientuara për të menduar në mënyrë racionale. Pas dështimit në përpjekjet e saj për të mbajtur veten, duke punuar si pastruese në Value Maids dhe duke u përballur me vështirësi në strehimin e subvencionuar dhe kujdesin ndaj fëmijëve nga sistemi kompleks dhe ndihmës së qeverisë, Alex detyrohet të kthehet në rimorkion e Sean, ku tenton të rifilloj jetën.

Rrjeti i pashmangshëm i abuzimit nga Sean, kuptohet më së miri me refuzimin e veprimeve të Alex-ës duke u munduar vazhdimisht ta manipuloj jetën e saj, duke kontrolluar financat e saj dhe duke e izoluar nga synimet dhe përpjekjet për të ardhmen në botën e jashtme. Ushtrimi i forcës dhe kontrollit nga Sean, e ktheu Alex-ën përsëri në një spirale të pafundme të abuzimit me pasoja si thyerja emocionale, depresioni dhe çrregullime nga stresi post-traumatik. Alex arrin të kuptojë efektet e ciklit të dhunës, një model i sjelljes që karakterizohet me faza të qetësisë nga dhuna dhe pajtimi që mbanë të mbijetuarat të bllokuara në marrëdhënie abuzive. Për këtë, Alex dhe Maddy edhe një herë përfundojnë në strehimoren për viktima të dhunës në familje, por kësaj radhe Alex është e bindur se nuk ka kthim prapa.

Maid gjithashtu përshkruan edhe tregimin e Danielle, një bashkëbanuese në strehimore, e cila u arratis nga burri i saj i dhunshëm kur ai tentoi ta mbys atë. Ajo i jep mbështetje të pafund Alex-ës, duke i ofruar mirëseardhje dhe duke i ndihmuar që të adaptohet në vendbanimin e saj të ri. Kur Alex përballet me vështirësitë për fitimin e kujdestarisë së Maddy-t dhe pendohet për vendimin e largimit, Danielle shumë e vendosur, ofron mbështetje duke ja bërë të ditur se sa nënë e mirë është dhe mundohet t’ia bëjë të ditur se sa kërcënuese dhe frikësuese është dhuna emocionale. Paraqitja e saj e jashtëzakonshme thekson nevojën për të çliruar veten nga çdo lloj abuzimi: “Para se të kafshojnë, ata lehin. Para se të godasin ty, ata godasin ndonjë objekt afër teje. Kjo vazhdon të rritet, sikurse myshqet në mur.”

Fatkeqësisht ajo largohet nga strehimorja për tu kthyer tek partneri i saj agresiv me idenë e ofrimit të një të ardhmeje më të mirë për birin e sajë shtatë vjeçar. Denise, e cila drejton strehimoren e viktimave të dhunës në familje, përshkruan kompleksitetin e veprimeve të Danelle, duke thënë: ”Shumicës së grave u duhen shtatë përpjekje para se të largohen përfundimisht.”

Anna Kosof, në librin e saj Battered Women: Living with the Enemy thotë: ”Duhen pesë deri shtatë tentime, para se gratë të largohen përfundimisht, por sa herë një grua largohet, ajo i afrohet më afër daljes përfundimtare.”

Trashëgimia e traumës – Dhuna në familje e bartur në gjenerata dhe trauma e fëmijërisë


Trauma e bartur në gjenerata, apo si i referohemi trauma ndër breza, mund të shpjegohet si ndikimi psikologjik i përvojës traumatike, jo vetëm në një gjeneratë por edhe në gjeneratat pasuese pas ngjarjes. Maid, gjithashtu paraqet ndikimet e abuzimit ndër gjenerata dhe traumës së fëmijërisë gjatë formimit karakterial të Alex-ës dhe Sean-it. Alex jo vetëm që bartë traumën e saj të dhunës bashkëshortore, por edhe mbanë peshën e traumës së përjetuar nga nëna e saj Paula (luajtur nga Andie McDowell). Alex shfaqë kujtimet e saj të ndrydhura pavetëdijshëm për dhunën nga babai i saj Hank ndaj Paulës, ku rezultoi në largimin e saj së bashku me Alex-ën kur ishte e re. Kjo memorie traumatike e Hankut duke abuzuar fizikisht Paulan e bind atë t’i qëndroj larg babait të saj që është një alkoolik në shërim, i cili gjithashtu po mundohet t’i ndihmoj Sean në rrugëtimin e tij për largimin nga alkooli.

Paula, përshkruhet si një artiste boheme me shpirt të lirë dhe një narciste me sjellje të pa diagnostikuar bipolare, që bart me vete një të kaluar të dhunshme pavarësisht sjelljes së saj ekscentrike dhe gazmore që është në mohim të vazhdueshëm të çdo gjëje. Paula dhe Hank ngurojnë të njohin Sean si abuzues, pasi që ai nuk ka abuzuar fizikisht Alex-ën. Paula është viktimë e disa lidhjeve të dështuara, ku burrat e shfrytëzuan atë, ajo madje i bënë jehonë ndjenjave të saj toksike duke thënë. “Nuk largohesh nga një burrë i cili është duke bërë përpjekje për përmirësim” – trauma e pa-adresuar e Paulës kontribuon jo vetëm në vetë-shkatërrim por pengon Alex-ën nga trajtimi i traumës së saj dhe nga dalja nga rrethi i pafund i abuzimit.

Ish i dashuri i Alex-ës dhe babai i Maddy-t, Sean, ka pjesën e tij të ligë si pasojë e rritjes në një familje jo-funksionale. Nëna e tij, Dorren një e varur nga droga, kaloi gjysmën e fëmijërisë së tij në Oxycontin dhe ky frustrim e çoi Sean në drejtim të alkoolit e në mungesë të mbështetjes së ballafaqimit me traumën e tij. Sean, bartë me vete bagazhin e familjes dhe sjellja e tij e dhunshme dhe dehja është metodë për tu shfryer. Sjellja abuzive dhe kontrolluese e Sean, bullizmi, natyra agresive, tregon për një çekuilibër fuqie në marrëdhënien e tyre, duke e bërë atë të dëmshëm krahas sigurisë së Alex dhe Maddy.

Dhuna strukturore tek viktimat e dhunës në familje- Trajtimi i varfërisë me bazë gjinore dhe mungesës së strehimit


Dhuna strukturore i referohet mënyrave sistematike ku strukturat sociale ose institucionet sociale dëmtojnë apo vendosin në disavantazh individët, duke ua ndaluar atyre plotësimin e nevojave elementare. Kjo shkelje e nevojave themelore njerëzore është posaçërisht e dëmshme për viktimat e dhunës nga partnerët intim dhe fëmijët e tyre, që konsiderohen si viktima të heshtura të dhunës në familje. Sistemi i prishur ligjor dhe i mirëqenies në Amerikë, i kombinuar me besimet kulturore mbi familjen, vendosin në presion gratë që të qëndrojnë në marrëdhënie të dhunshme dhe abuzive.

Abuzimi strukturor në Maid lejon dhe neglizhon një grua që është pothuajse e thyer e tëra nga partneri dhe prindërit e saj, nëpërmjet një sistemi dëshpërues dhe rraskapitës të ndihmës së qeverisë. Maid shqyrton distopinë e mospërputhjeve burokratike, dokumenteve të shumta dhe burokracinë e tepërt që shtyjnë viktimat drejt humbjes së strehimit dhe drejt urisë. Sistemi labirint i përfitimeve i drejtuar nga shteti dhe shanset e vogla për të fituar strehimin shtyjnë kthimin e tyre tek abuzuesi për të siguruar mirëqenien e fëmijëve të tyre të pafajshëm. Kur, punëtorja sociale Jodi i thotë Alex-ës se është e katërdhjeta me radhë në listën e përfitimit të strehimit të Seksionit 8, Alex shprehë habinë zëshëm: “Si po më ndihmon kjo ndihmë mua? Pse ky shtet ofron ndihmë pikësëpari, nëse kjo ndihmë është si një figure mitike që askush nuk e sheh?”

Alex bëhet viktimë e varfërisë me bazë gjinore kur largohet nga abuzuesi i saj dhe shkon drejt një jete të varfër dhe të privuar. Fondet tejet të limituara që ajo posedon, tregojnë që një shpenzim i vogël i paplanifikuar mund ta nxjerrë atë në rrugë. Brutaliteti sistematik i privimit nga të drejtat dëshmohet më së miri kur Alex dhe Maddy përfundojnë duke fjetur në dyshemenë e stacionit të trageteve, pasi ajo nuk pati mundësi të dëshmojë se është në marrëdhënie pune në mënyrë që të përfitoj strehim dhe përkujdesje në çerdhe. Gjithashtu kjo vërehet kur arkëtarja e një supermarketi bëri thirrje për ”pastrim në sektorin e varfër” në momentin kur Alex i tregoi kuponat e ushqimit apo kur avokati i ish të dashurit të saj dhe gjyqtari përsërisin fjalën “ligjore” gjatë betejës për kujdestarinë e vajzës. Shpërndarja e myshqeve të zeza në banesën e saj të subvencionuar ndihmon drejt humbjes së strehimit.

Në Maid, Alex me një qëndrueshmëri dhe punë të rëndë mbijeton përvoja të hidhura në jetën e saj në mënyrë që të fitoj kujdestarinë e vajzës së saj. Ajo punoi si ndihmëse shtëpiake në kompaninë Value Maids të drejtuar nga Yolanda, ku angazhohet të punojë për klientë të pasur në Fisher Island, siç është Regina, një avokate e suksesshme, ku më vonë luan një rol të rëndësishëm në ngritjen profesionale dhe lirinë e Alex-ës. Drejt përfundimit të serialit ajo fiton një bursë për të studiuar shkrimin kreativ në Missoula, Montana, ku me dorëzimin e veprës së saj Rrëfimet e një Shërbëtoreje, ajo shikon mbrapa rrugëtimin e saj të mundimshëm që i ndihmoi asaj të arrij aty ku është tani. ”Mu deshën treqind e tridhjetë tualete të pastruara, shtatë lloje të ndihmave qeveritare, nëntë shpërngulje të ndryshme, një natë në dyshemenë e stacionit të trageteve dhe i gjithë viti i tretë i jetës së vajzës sime”, thotë Alex.

Maid është një eksplorim i dëmeve të shkaktuara nga një rreth i pandërprerë i abuzimit dhe procesit që viktima kalon për tu larguar nga telashet e shumta të të pastrehave dhe pasigurisë financiare për të siguruar një botë më të mirë për fëmijët e tyre. Kjo histori prekëse e fuqizimit dhe qëndrueshmërisë së gruas është realitet për miliona viktima të dhunës në familje në mbarë botën. Ky serial bën një përpjekje të vetëdijshme për të treguar se dhuna nga partneri intim depërton në të gjitha grupet shoqërore të ndara sipas racës, etnisë dhe kushteve ekonomike. Vështrimi i gruas është i zymtë pasi që portretizon përvojën e kombinuar të varfërisë dhe dhunës dhe ngritë çështje tejet të vështira për gratë dhe fëmijët e tyre.

Aspekti më i fuqishëm dhe më i ri i këtij seriali është dëshmia e vërtetësisë së dhunës emocionale dhe tregon se si kjo dhunë është po aq traumatike dhe gërryese sa dhuna fizike. Sipas fjalëve të Judith Herman, Alex ka zhvilluar “një plan emergjent të detajuar dhe real dhe ka demonstruar aftësinë e saj për ta realizuar atë” për të mbrojtur veten e saj nga çdo formë e viktimizimit. Mbi të gjitha Maid është një serial ku kërkon nga gratë të mos durojnë kurrë partnerët e tyre, të cilët përfitojnë nga to dhe abuzojnë me to, të luftojnë dhe të marrin frenat në dorë dhe të jetojnë një jetë me vetëbesim dhe dinjitet. Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Alex-ës është i mundimshëm, ku ajo me dhimbje mësohet të luftojë betejat e saj dhe të ngritet për veten e saj.

Anju Devadas

E përktheu: Bardha Nikoliqi

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://feminisminindia.com/2021/10/18/analysing-the-gendered-poverty-homelessness-single-motherhood-in-netflixs-maid/